ATV

Category: Lajme

  • LDK prezanton edhe 50 zotimet tjera: Rritje ekonomike 4-5 për qind në vit

    LDK prezanton edhe 50 zotimet tjera: Rritje ekonomike 4-5 për qind në vit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar edhe 50 zotimet tjera të programit “Rruga e Re”, me ç’rast ka premtuar rritje ekonomike 4-5 për qind në vit.

    Në kuadër të këtyre pikave, Abdixhiku ka premtuar se do të rrisin koeficientin e pagës në 135 euro, vendi do të ketë 10 mijë policë, zero për qind TVSh për të gjitha produktet bazike etj.

    Sot gjatë ditës Abdixhiku ka publikuar pjesën e parë të zotimeve, ku vëmendjen më të madhe e mori pika për nxitjen e natalitetit, gjegjësisht premtimi për ndarjen e 5 mijë eurove për fëmijën e tretë.

  • OKB-ja rikonfirmon përkushtimin për avancim global deri më 2030

    OKB-ja rikonfirmon përkushtimin për avancim global deri më 2030

    Të 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë miratuar një deklaratë për të rikonfirmuar përkushtimin e tyre për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

    Ky tekst është miratuar në mënyrë unanime në takimin e së hënës, një ditë para nisjes së debatit në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan rel, transmeton KosovaPress.

    Fjalime do të mbajnë liderë nga shumë vende të botës.

    Një grup i shteteve të udhëhequra nga Rusia ka kërcënuar me bllokim të Deklaratës për Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, mirëpo në fund nuk ka ndodhur asgjë.

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë se deklarata e së hënës mund ta përshpejtojë punën drejt jetësimit të objektivave të përbashkëta.

    Deklarata përfshin përkushtimin për financim të vendeve në zhvillim dhe ofrimin e mbështetjes për një pako në vlerë të të paktën 500 miliardë dollarëve në vit.

    Në mesin e 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm përfshihet dhënia fund e varfërisë dhe varfërisë ekstreme deri më 2030.

    Këto synime janë përmendur fillimisht më 2015.

    Megjithatë, pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë dhe kriza me borxhet në vendet e varfra, e kanë penguar përparimin.

    Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse gjërat ecin me këtë ritëm, 575 milionë njerëz do të jetojnë në varfëri ekstreme dhe më shumë se 600 milionë tjerë do të përballen me uri deri më 2030.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për më shumë përpjekje për arritje të synimeve.

    “Ne e shohim që përparimi që e kemi synuar për botën, po ec me ritëm të ngadalshëm, e shohim që nuk kemi shënuar përparimin që e kemi dashur. Mirëpo kjo është arsye që të gjithë ne të kujdesemi për të arritur më tepër përparim”.

    Kancelari gjerman ka thënë se vendet në zhvillim janë në pritje të ndihmës më të madhe ekonomike nga kombet e fuqishme.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nis zyrtarisht të martën dhe zgjat një javë.

  • ​Osmani takon kryeministrin e Libanit, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    ​Osmani takon kryeministrin e Libanit, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati.

    Në komunikatën për media thuhet se në këtë takim, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për formalizmin e marrëdhënieve diplomatike.

    “Presidentja Osmani e ka njoftuar kryeministrin Mikati edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë”, thuhet po aty.

    Bëhet e ditur se ata kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.

    “Në takim me kryeministrin Mikati, presidentja Osmani foli edhe për organizimin e edicionit të dytë të Forumit global të Grave, Paqes dhe Sigurisë që mbahet më 23 tetor të këtij viti dhe i bëri ftesë për pjesëmarrje atij dhe zyrtarëve të tjerë libanezë”, thuhet në fund të komunikatës.

  • ​Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për thellim të marrëdhënieve diplomatike

    ​Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për thellim të marrëdhënieve diplomatike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto.

    Në këtë takim, Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve, thuhet në komunikatën për media.

    “Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Osmani.

    Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike.

  • Erdogan takon Musk, e fton të ndërtojë fabrikën e radhës në Turqi

    Erdogan takon Musk, e fton të ndërtojë fabrikën e radhës në Turqi

    Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me CEO të Tesla-s, Elon Musk të dielën në qytetin e Nju Jorkut, duke e ftuar atë në Turqi dhe duke i kërkuar që të hapë fabrikën e shtatë të Tesla-s atje.

    Gjatë takimit, i cili u zhvillua në Shtëpinë Turke (e quajtur edhe Qendra Turkevi) në Manhatan, Erdogan informoi Musk, themeluesin e Tesla dhe SpaceX, për “përparimet teknologjike të Turqisë”, si dhe vizionin “Turqia Digjitale” dhe “Artificialin Kombëtar Strategjia e Inteligjencës”, tha në një deklaratë Drejtoria e Komunikimit të Turqisë, shkruan aa.

    Erdogan i bëri thirrje Teslës të krijojë fabrikën e saj të shtatë në Turqi, thuhet në deklaratë, transmeton KosovaPress.

    “Presidenti Erdogan deklaroi se mundësitë për bashkëpunim me SpaceX mund të lindin përmes hapave të ndërmarrë dhe që do të ndërmerren si pjesë e programit hapësinor të Turqisë dhe e ftoi Musk në Teknofest që do të mbahet në Izmir”, thuhet po aty.

    Sipas deklaratës nga Drejtoria Turke e Komunikimeve, Musk në këmbim tha se shumë furnizues turq tashmë po punojnë me Tesla-n dhe se Turqia është ndër kandidatët më të rëndësishëm për fabrikën e ardhshme.

    Në përgjigje të ofertës së presidentit Erdogan për bashkëpunim me shërbimin satelitor Starlink të SpaceX, si dhe në inteligjencën artificiale, Musk tha se ata dëshirojnë të punojnë me autoritetet turke për të marrë licencën e nevojshme për të ofruar shërbime satelitore Starlink në Turqi, thuhet në deklaratë.

    Gjatë takimit, Erdogan përmendi gjithashtu suksesin e Turqisë në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot Bayraktar TB2 (UAV), ndërsa Musk u përgjigj duke thënë se ishte i vetëdijshëm për interesin e botës për dronët Bayraktar, thuhet në përfundim të deklaratës.

  • Mamografia falas, në tri qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Mamografia falas, në tri qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për ta rritur vetëdijesimin për rëndësinë e mamografisë, Komuna e Prishtinës ka veshur një autobus të linjës 4 me ngjyrë rozë.

    Të gjithë pacientët që do të bëjnë shërbimin e mamografisë do të pajisjen me një biletë të veçantë që do t’ua mundësojë atyre të udhëtojnë falas me transportin publik, gjatë muajit tetor.

    Po ashtu, falas shërbimi i mamografisë do të ofrohet në tri Qendra të Mjekësisë familjare në kryeqytet.

    “Qëllimi ynë është që bashkërisht të promovojmë autobusin rozë në Prishtinë i cili ka për qëllim promovimin dhe vetëdijesimin e grave për bërjen monografisë. Prishtina këtë vit i është bashkëngjitur 140 qyteteve në botë, si ‘Prishtina 2023’, e cila ka filluar në vitin 1983 si aktivitet, do të bëhet në QKMF, lagjen “Dardania” dhe në QMF “Veternik”, tha drejtori i shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku,.

    Derisa muaji i ardhshëm njihet ndryshe edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, udhëheqësja e aktiviteteve, Kristale Rama, u ka bërë thirrje grave e vajzave t’iu nënshtrohen kontrolleve, pasi, sipas saj, janë shumë të rëndësishme.

    “Ne duam gjithashtu t’i inkurajojmë gratë që t’i marrin seriozisht sportet dhe ushtrimet e përditshme, sepse janë pjesë e kujdesit shëndetësor dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që gratë të jenë të shëndetshme dhe po japim një shembull të mirë për vajzat”, tha Rama.

    Iniciativa e Komunës së Prishtinës është mirëpritur edhe nga qytetarët.

    “Shumë mirë, është rregull për të gjithë, sidomos për gratë e tjera është e përsosur, po duhet bërë kontrolle me rregull. Ato duhen bërë me vetëdëshirë se nuk bën, po ne e lëmë pas dore”, tha Rajmonda Pera, qytetare.

    Sipas të dhënave të fundit, gjatë këtij viti për 10 % është rritur numri i rasteve me kancer të gjirit.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një delegacion nga Ukraina mban fjalim në Kolegjin AAB

    Një delegacion nga Ukraina mban fjalim në Kolegjin AAB

    Përgatiti: Armand Hoti

    Disa mysafirë po vijnë nga larg.

    Delegacioni ukrainas së bashku me Nenad Canakun, kryetarin e Institutit për Ballkanin Perëndimor, u mikpritën nga stafi akademik i Kolegjit AAB, por edhe nga studentë të shumtë.

    Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Ukraina, ishte një ndër çështjet që u diskutua ndërmjet delegacionit ukrainas dhe studentëve të AAB-së.

    “Ne nuk e dimë se a do të ekzistojmë nesër, apo a do të jemi gjallë. Siç e dini, paqeruajtësit ukrainas qëndruan në Kosovë për një kohë të gjatë të sigurojnë stabilitet dhe paqe, por tani për tani ne jemi ata që kami nevojë për paqeruajtësit”, tha Mykola Davidyuk, politolog ukrainas.

    Ndërsa, Nenad Çanak, ish-deputeti i kuvendit të Serbisë, ka folur për ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe për moszgjidhjen e çështjeve të hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    “Ekziston një influencë shumë e fortë e Rusisë, e cila po ndikon në marrëdhëniet tona. Nëse nuk e heqim qafe influencën toksike të Rusisë, është thuajse e pamundur për ne që t’i zgjidhim problemet tona lokale”, tha Çanak.

    Edhe zyrtarët e tjerë ukrainas kanë folur kryesisht për ndikimin e Rusisë dhe për pasojat e luftës në Ukrainë.

    Pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, gazetarë por edhe zyrtarë tjerë ukrainas kanë ardhur në Kosovë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Investimet e huaja të orientuara në patundshmëri, kritikohen politikat e Qeverisë

    Investimet e huaja të orientuara në patundshmëri, kritikohen politikat e Qeverisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nga 184 milionë në 251.5 milionë. Investimet e huaja direkte në Kosovë, në katërmujorin e parë të vitit 2022, u rritën për afro 70 milionë euro, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit që lamë pas.

    Referuar të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjermania prin me investime të huaja direkte në Kosovë dhe ndiqet nga Zvicra dhe shtete të tjera ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.

    Në raportin e Vlerësimit të Ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2023, sipas BQK-së, një pjesë e madhe investimeve të huaja direkte në Kosovë, janë të orientuara në sektorin e patundshmërisë, i cili pasohet nga sektori financiar dhe ai i sigurimit.

    Konstatimin e BQK-së e mbështet eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

    “Vetë fakti që sot investimet e huaja direkte po quhen shumë më shumë investime të diasporës në patundshmëri sesa që janë investime konkrete që gjenerojnë vende të reja të punës, që përmirësojnë bilancin e pagesave, përmirësojnë imazhin e Kosovës. Investime të tilla po mungojnë”, tha Gërxhaliu.

    Profesori universitar, Fidan Qerimi, thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë sektorë të tjerë, në mënyrë që të nxisë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të joshë investitorë të jashtëm.

    “Zhvillimi ekonomik nuk vjen nga ndërtimet, zhvillimi ekonomik duhet të orientohet në prodhim… padyshim Kosova ka resurse natyrore dhe mbitokësore jashtëzakonisht shumë dhe ne nuk i kemi promovuar ato”, tha Qerimi.

    Ndërsa, eksperti Gërxhaliu thotë se zhvillimi ekonomik po nxitet më shumë nga sektori privat se sa nga institucionet shtetërore.

    “Sot do të isha personi më i lumtur nëse juve do të mund t’ua numëroja pesë investime të huaja në dy vitet e fundit… Ka vërtet sektorë të shumtë që mund të jenë atraktivë. Sot zhvillimi ekonomik është më tepër në mëshirën e sektorit privat sesa institucioneve”, tha Gërxhaliu.

    Lidhur me kritikat e ekspertëve, ATV-ja ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, nga institucioni nuk kthyen përgjigje. Ndërkohë, partia në pushtet, pas publikimit të këtij raporti u mburr në rrjete sociale me rritjen e investimeve të huaja direkte.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti: Nëse shkojmë në zgjedhje, “zhduket” opozita

    Kurti: Nëse shkojmë në zgjedhje, “zhduket” opozita

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth kërkesës së opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje. Në konferencën për media të së hënës ai tha se as opozitës e as Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    “Kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim, e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse i humb. E qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita. Unë jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën, por jo që ta zhduk”, tha Kurti.

    Por, reagimi i partive opozitare ndaj kësaj deklarate të kryeministrit Kurti, qe i menjëhershëm. Shefat e grupeve parlamentare të dy partive opozitare, PDK dhe AAK, u shprehën të bindur se në rast të zgjedhjeve, Kurti nuk do të mund ta fitonte një mandat të dytë në krye të qeverisë.

    “Vetë fakti që atij i shkon në mendje opozita, ai tregon që frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka të sigurt që qeveri në mandatin e ardhshëm, kurdo që të mbahen zgjedhjet, qoftë ato në një afat sa më të shpejtë apo më të largët, ai nuk do të mund ta krijojë… Ai nuk do t’i ketë as numrat dhe as mundësinë që ta krijojë një qeveri të dytë. Ai mundohet çdo ditë që ta shtyjë mandatin dhe ju po e shihni se në çfarë katrahure është vendi”, tha shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “…..Kryeministri Kurti ka filluar të bëhet humorist, ai asnjëherë nuk ka pasur kujdes për opozitën, ai nuk kujdeset për njerëzit që i ka brenda që kanë mendim ndryshe, le me për opozitë. Le të del në qoftë se ja mban në zgjedhje e sheh, ai e di shumë mirë që e ka humbur fuqinë elektorale politike”, tha shefi i gp të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Këto deklarata u dhanë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u vendos që të enjten të mbahen dy seanca, në njërën prej të cilave do të votohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Subvencionet 3”, katër të akuzuarit dënohen me 28 muaj burgim

    “Subvencionet 3”, katër të akuzuarit dënohen me 28 muaj burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Gati dy javë pasi pranuan fajësinë për dhënie ryshfeti e keqpërdorim me subvencionet për bujqësi, Bejtush Gashi, Sadush Kabashi, Halit e Arbër Avdijaj u paraqitën sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Të ulur në sallën e gjykimit, e në heshtje po e prisnin vendimin e trupit gjykues.

    Pak minuta pasi ishte planifikuar të shpallet aktgjykimi, kryetarja Valbona Musliu – Selimaj njofton që Gjykata i ka gjetur fajtorë për veprat penale që janë ngarkuar.

    Secili u dënua me gjashtë muaj burgim, e me nga një mijë euro gjobë.

    Por, Arbër Avdijajt i ka shqiptuar edhe dënim unik me burgim prej dhjetë muajsh dhe është obliguar që t’ia kthejë shtetit 63 mijë e 198 euro.

    Avdiaj, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, kishte dhënë ryshfet dhe kishte aplikuar për subvencione në emër të Halit Avdijajt.

    Katër të dënuarit e kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar në rastin e dallavereve me subvencione.

    Ndërsa, gjykimi do të vazhdojë për të akuzuarit e tjerë, të cilët e kishin mohuar fajësinë, në mesin e tyre zyrtarë komunalë, dhe Luan Statovci, drejtor për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

    Statovci dhe të tjerët ishin arrestuar gjatë një aksioni të Policisë, në shkurt të vitit 2021, gjatë të cilit ishin sekuestruar 400 mijë euro.

    Të hollat ishin gjetur në shtëpitë e të akuzuarve, gjatë aksionit, i cili ishte
    zhvilluar në rajonin e Istogut, të Gjilanit, të Lipjanit dhe atë të Pejës.

    Bastisje ishte zhvilluar edhe në rajone të tjera gjatë një aksioni disa ditë para arrestimit të Statovcit, ku në pranga kishin përfunduar rreth 30 persona, në mesin e tyre zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë e komunalë, bujq dhe fermerë.

    Pas hetimeve, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuza, ku aktualisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë duke u zhvilluar edhe dy procese të tjera gjyqësore, Subvencionet 1 dhe Subvencionet 2.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: