ATV

Category: Lajme

  • Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Një tjetër ‘’luftë’’ ka nisur mes pushtetit dhe opozitës në vend, ku Vetëvendosje po akuzohet për miratim të ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita po fiton çdo betejë me pushtetin në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ata janë shkelësit më të mëdhenj të saj.

    “E keni të qartë tashmë se sa betejat si opozitë i kemi fituar në raport me këta njerëz të padijshëm në Gjykatën Kushtetuese. Këta janë edhe të padijshëm edhe të dëmshëm. Të bësh një veprim të tillë që cenon direkt pavarësinë e nivelit lokal të komunave duhet me qenë, ose i marrë, ose shumë i padijshëm. Nëse e kanë bërë pa vetëdije këta janë të padijshëm pasi gjërat bazike që duhet t’i dijë një qeveri, këta nuk po i dinë”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se qeveria aktuale nuk po shkruan ligje në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

    “Sa i përket përmbajtjes se si është duke shkruar qeveria, ne kemi evidentuar probleme kushtetuese të shkrimit të këtyre ligjeve. Ta zëmë Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës Civil, ka hyrë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Një ligj i tillë nuk është dërguar nga opozita, por ligji përmban të meta kushtetuese dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Konsiderojmë se Qeveria nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

    Megjithatë, njëjtë s’mendon deputeti i pushtetit, Adnan Rrustemi, që këto kritika i ka cilësuar si tentim bllokimi për reforma të caktuara të qeverisë.

    “Motivi i opozitës është në dy pika, e para për të vonuar reforma të caktuara të Qeverisë. Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese po merr një periudhë të gjatë të shqyrtimit. Motivi i dytë është krejtësisht inkriminues në kuptimin e mbrojtjes së interesave individuale dhe grupore që kanë. Kur opozita e konteston në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk po e konteston se ka mospajtime me përmbajtjen pasi nuk e ka bërë asnjë kritikë për përmbajtjen, por thjesht po e konteston idenë për një byro”, tha Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.

    Muaj më parë në Kushtetuese u rrëzua Ligjin për Këshillin Prokurorial, ndërsa, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe ligjet për paga në sektorin publik, ligji byronë, pagën minimale si dhe ai i tatimit në pronë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Dyert janë të hapura. Komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, po vazhdon punën normalisht.

    Stafi i punësuar këtu, nuk pranoi të flasë për televizionin. Por, një nëpunës i kësaj komune, jo-zyrtarisht tregoi për ATV-në disa nga shërbimet që ofron kjo komunë.

    “Ofiqari punon, vërtetime, fotokopje të gjitha punojnë. Kemi drejtori, lëshojmë subvecione. E gjitha financohet nga Serbia. Marrim pagë rreth 550 euro”, thuhet në përgjigjen e nëpunësit të kësaj komune.

    Mirëpo, komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve serbe, është vetëm njëra nga mbi 20 komunat paralele që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës, që nga paslufta.

    Politologu Fidan Ukaj, thotë këto institucione paralele cenojnë integritetin e shtetit të Kosovës.

    “Këto institucione padyshim se janë të jashtë-ligjshme. Me një fjalë këto institucione duhet të mbyllen dhe nuk duhet të ekzistojnë më”, tha Ukaj.

    Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ukaj thotë se këto institucione do duhej të inkuadroheshin në kuadër të institucioneve e Kosovës.

    “Edhe pse me marrëveshjen për normalizimin e raporteve të vitit 2013, parashihet inkuadrimi i tyre në institucionet e Kosovës, Serbia vazhdon me këtë destruktivitet të saj, duke i mbajtur gjallë insitucionet paralele, duke lëshuar dokumentacion për komunitetin serb në Kosovë”, tha Ukaj.

    As Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës, nuk iu kanë përgjigjur pyetjeve të ATV-së lidhur me këtë temë.

    Kurse, profesori universitar Basri Muja thotë se pikërisht Bashkimi Evropian ka rol kyç për shuarjen e tyre.

    “Të jem i sinqertë nuk mendoj që mundë të ketë një zhbërje vullnetare të tyre nga Qeveria e Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet të ushtrojë presion tek bashkësia ndërkombëtare sepse çelësi është aty”, tha Muja.

    Ndërsa në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas profesorit Muja, institucionet paralele në Kosovë vetëm se do fuqizoheshin edhe më tepër.

    Pos komunave, Serbia investon edhe në sistemin arsimor të Serbisë në Kosovë. Ndërsa njëjtë vepron edhe me sistemin e shëndetësisë, kulturës e të tjera.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Edhe një takim pa progres.

    Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandër Vuqiq, assesi të merren vesh për çështjen e veriut, madje as me ndihmën e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian për dialog.

    Andaj mos-pajtimet mes palëve sipas njohësve të sigurisë, rrisin gjithmonë rrezikun për eskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër nga Beogradi fajësojnë kryeministrin Albin Kurti se po nxit tensione.

    Në një intervistë për mediat serbe, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se qëllimi i vetëm i Kurtit është që ta pastroj Kosovën nga serbët.

    “Kurti është gati për çdo gjë. Shqiptarët vetëm duan të provokojnë konflikt dhe qëllimi i Kurtit është ta pastrojë Kosovën nga serbët”, ka thënë Vuçeviq.

    Situata në veri aktualisht është e qetë derisa për sigurinë atje po përkujdeset KFOR-i.

    Ndryshe së fundmi tensionet në veri nisën pasi kryetarët e ri të komunave, hynë në objektet zyrtare për ta ushtruar funksionin e tyre, gjë që u kundërshtua ashpër nga serbët.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    5 persona kanë vdekur një ditë më parë në Kosovë, si pasojë e aksidenteve rrugore.

    Me fare pak diferencë kohore, bëhet fjalë për tri aksidentet më të rënda që ndodhën mbrëmë në Graçanicë, Pejë e Podujevë. Policia ka njoftuar gjithashtu se edhe 62 tjera u shënuan me lëndime te lehta trupore vetëm në 24 orët e fundit.

    Në raportin e policisë thuhet se shkaktar kryesor i aksidenteve ishte mos përshtatja e vozitjes me kushtet e rrugës.

    Por, sipas Bekim Ahmetit, ekspert në komunikacion, rritja e shqiptimit të gjobave në trafik mund të ndikoj në vetëdijesimin e vozitësve në parandalimin e aksidenteve.

    “Ka raste ku po falin shumë Policia edhe mandej vozitësit nuk po jenë të përgjegjshëm as për nga shpejtësia as rruga as shenjat…”, tha Ahmeti.

    Ahmeti për më tepër thotë se ka mundësi që aksidentet të parandalohen edhe nëse nuk ka ngecje nga institucionet përkatëse.

    “Duhet ti rrisin masat për me i parandalu edhe me u shtu siguria…”, tha Ahmeti.

    Lidhur me aksidentet e fundit që ndodhën në vend, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka apeluar te çdo pjesëmarrës në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave.

    Ndërkaq, gjatë gjithë vitit të kaluar, në Kosovë kanë ndodhur afër 21 mijë aksidente, ku 95 prej tyre ishin me fatalitet me gjithsej 106 persona të vdekur.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Nju Jorku, është deklaruar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

    Osmani, theksoi në pritjen zyrtare, do të ketë mundësi që ta falendërojë Bidenin për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me lider të tjerë botëror, takimet do të nisin pas gjysmë ore”.

    “Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderojë në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.

    Osmani theksoi se në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

    Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

  • Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia në Gjermani dhe familjarët janë duke kërkuar ndihmë për gjetjen e një shqiptareje 15-vjeçare Rahmone Jusufit.

    Jusufi rezulton e zhdukur nga 11 shtatori. Ajo ishte nisur për në shkollë si zakonisht më 11 shtator, por nuk kishte arritur atje, raporton “Bild”.

    “Deri më tash vendndodhja e saj nuk është e ditur”, ka njoftuar Policia.

    Pasi që vajza u deklarua e zhdukur, nisën kërkimet. Hetuesit kontaktuan gjithë kontaktet e njohura. Pasi ato nuk rezultuan me sukses, publikuan foton e saj dhe po kërkojnë ndihmë për gjetjen e saj.

    Policia ka njoftuar se Rahmone Jusufi kishte një pulovër të zezë-gri, një palë pantallona sportive dhe atlete të bardha.

    Edhe familjarët kanë shpërndarë në rrjete sociale kërkesën për ndihmë. Së fundi ajo ishte parë në Hans-Warsch-Platz, Ludwigshafen.

  • Xhafer Tahiri fiton garën për kryetar të LDK’së në Vushtrri

    Xhafer Tahiri fiton garën për kryetar të LDK’së në Vushtrri

    Anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahirit, iu është besuar posti i kryetarit të këtij subjekti politik në Vushtrri edhe për katër vite.

    Kjo, pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së në Komunën e Vushtrrisë për zgjedhjen e kryetarit të ri, raporton Gazeta Insajderi.

    Kundërkandidati i Tahirit ishte Adnan Lahu.

    Nënkryetar i degës së LDK-së në Vushtrri është zgjedhur Shkelzen Xhaferi, dikur drejtor nën qeverisjen e Tahirit.

    Mbledhja e Kuvendit Zgjedhor të degës së LDK-së në Vushtrri ishte ftuar sot nga ora 11:00.

  • Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për kyçjet e reja që janë bërë sivjet në sistem të ngrohjes të Termokos, derisa ka thënë se janë bërë përgatitjet që gjithçka të fillojë si duhet në tetor.

    Rama ka bërë me dije se gjatë këtyre muajve, kanë kyçur në sistem të ngrohjes 40 mijë qytetarë në 8 mijë e 900 njësi të reja banimi. Poashtu ka thënë se kanë zgjeruar dhe rehabilituar rrjetin në tetë lagje të kryeqytetit.

    “Gjatë këtyre muajve kemi kyçur 40.000 qytetarë në 8900 njësi të reja banimi. Kemi zgjeruar, rehabilituar dhe densifikuar rrjetin në 8 lagje të Kryeqytetit. Mati 1, Arbëri, Dodona, Ulpianë, Qendër, Dardani, Bregu i Diellit, Qafa. Përgatitjet janë bërë që gjithçka të fillojë si duhet në Tetor. Kyçjet e reja do të kontribuojnë në kursim të energjisë dhe ruajtjes së ambientit në mënyrë që të kemi një Prishtinë sa më të gjelbër”, ka shkruar Rama.

  • Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar proceset zgjedhore nëpër degë të LDK-së.

    Ai ka thënë se struktura e LDK-së në Prishtinë, po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

    Postimi:

    Të faleminderit Prishtinë – për pjesëmarrje impresive nëpër çdo nëndegë. Përveçse mbështetje po na jepni dhe shpresë.

    Këtë vikend vazhduam me 4 Kuvende të tjera. Si në lagje të reja, sikurse Prishtina e Re III, ashtu dhe në fshatra të Kryeqytetit – Shkabaj, Mramor e Keçekollë – pjesëmarrja qytetare është shenjë konfirmuese për ‘Rrugën e Re’.

    Do të vazhdojmë kështu – dhe më shumë. E ardhmja është e ndritshme. Struktura e Lidhjes në Kryeqytet po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

  • ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Në tregun e Kosovës një litër naftë ka arritur deri në 1.56 euro ose 10 centë më shumë se një javë më parë. Këtë rritje të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë, derisa nga Shoqata e Naftëtarëve kjo ngritje arsyetohet me rritjen e çmimeve në bursë.

    Qytetari nga Prishtina, Enver Mulani, tha se rritja e çmimit të naftës është e papërballueshme, derisa shton se çmimet janë ngritur e rrogat e punëtorëve në Kosovë janë të ulëta.

    Po ashtu edhe Rexhep Latifi, i cili punon taksist, shprehet i shqetësuar me rritjen e çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, me standardin e jetesës në Kosovë, çmimi i naftës nuk është aspak në rregull.

    Qytetari Naser Sylejmani thotë se çmimet e naftës po rriten çdo ditë dhe shton se kjo po i kushton shumë në xhep.

    Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka pranuar se këto ditë ka ngritje të çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, çmimet janë përafërsisht për diesel 1.47 euro deri 1.55 euro për litër, ndërsa, benzina 1.46 euro deri 1.51 euro.

    Ai në një përgjigje me shkrim thotë për KosovaPress se çmimi i naftës në Kosovë po rritet sipas çmimeve në bursa.

    Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se nuk po ndikon fare për uljen e çmimeve.