ATV

Category: Lajme

  • Ndërtimi i shtëpive në veri, ankesa për parregullsi në projektin e MAPL-së

    Ndërtimi i shtëpive në veri, ankesa për parregullsi në projektin e MAPL-së

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dibran Behrami është ndër të paktët banorë nga Bistrica e Leposaviqit, që nuk e ka lëshuar vendlindjen.

    Por ndonëse vendosi të qëndrojë në fshat, mezi ia del të jetojë për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

    Shtëpinë që ka e ndan bashkë me vëllain, ndonëse thotë se ajo nuk i plotëson kushtet për jetesë.

    “Unë këtu jetoj, as nuk kam kuzhinë, banjë nuk kam, në koritë po duhet mu pastru se nuk po kam ku”, tha Behrami.

    Shpresa që do t’i ndërtohej një shtëpi e re, thotë se iu rrit kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, hapi thirrjen për aplikim për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

    Megjithatë, shpresa iu shua kur nuk u përzgjodh nga MAPL-ja, për çka dyshon se kishte parregullsi.

    “Dy herë më kanë thanë me apliku, dy herë kam apliku dhe s’kam fitu, ata që kanë pas shtëpi nga 3-4 kat kanë fitu, ndërsa unë që nuk kam shtëpi as në Mitrovicë e as në Bistricë, unë jo, as unë e as vëllai. Ka pas hile a unë gjithmonë këtu kam ndenjtë”, tha Behrami.

    Edhe në fshatin Koshtovë, ka disa familje që nuk kanë përfituar nga programi i MAPL-së. Ani pse jo para kamerës, edhe ata pretendojnë se kishte parregullsi në përzgjedhje.

    Në një përgjigje përmes telefonit, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, tha se kanë dal përsëri në terren për t’i verifikuar aplikuesit.

    “E di që komisioni ka dalë edhe një herë në verifikim se kur i dorëzon dokumentet është tjetër, por kur del në vend të ngjarjes e sheh më mirë, dhe e di prej vizitës që e kam pasur në vend të ngjarjes, që kanë ndryshuar rrethanat”, tha Krasniqi.

    Në listën e përfituesve të publikuar nga Ministria, figurojnë 57 familje që janë përzgjedhur për ndihmë, ndërkohë që shuma e ndarë nga MAPL-ja për këtë projekt në gjithë Kosovën, është 3 milionë euro, 2 milionë për ndërtim të shtëpive dhe 1 milion për renovime.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti akuzon Lajçakun për anshmëri, nuk tregon si do të vazhdojë dialogu

    Kurti akuzon Lajçakun për anshmëri, nuk tregon si do të vazhdojë dialogu

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kryeministri Albin Kurti nuk qartësoi nëse ose si dhe kur do të vazhdojë procesi i dialogut në Bruksel, teksa akuzoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, ndërmjetësin Miroslav Lajçak, për rreshtim përkrah Serbisë.

    Referuar takimeve të 14 Shtatorit, kryeministri Kurti tha se emisari Lajçak është koordinuar dhe ka vepruar në skenar të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, për propozimin e draft-dokumentit të sekuencimit.

    Për këtë ai tha se u ka shkruar letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken; kancelarit gjerman, Olaf Scholz; presidenti francez, Emmanuel Eacron dhe kryeministres italiane, GIorgia Meloni.

    Megjithatë, ai nuk tregoi nëse ka kërkuar direkt largimin e Lajçakut e as nëse dialogu do të vazhdojë, gjersa diplomati sllovak të jetë në rolin e ndërmjetësit.

    “Është koha kur kemi nevojë për konsultime me Brukselin së pari dhe, gjithashtu, edhe Uashingtonit, Berlinit, Parisin, e kështu me radhë dhe këtë po e bëjmë. Duhet t’i rikthehemi marrëveshjes bazike dhe tekstit të dakorduar në Bruksel dhe në Ohër që duhet të shndërrohet në zbatim real në terren. Insistimi ynë do të jetë në këtë pikë dhe unë besoj se do të kemi diskutime përmbajtjesore edhe vend brenda BE-së që procesin të kthejmë në binarë, nga është nxjerrë me njëanshmërinë e emisarit”, ka thnë Kurti.

    Kryeministri përmendi mungesën e reagimit ndaj votimit të Serbisë kundër, në fazën fillestare të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si pikë të thyerjes së madhe të besimit në ndërmjetësit.

    “Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilin jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen me gjykimin tim me asnjë hedhje hirit syve. Ose do të zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, ka thënë Kurti.

    Duke vazhduar akuzat ndaj përfaqësuesit të BE-së, as kryeministri e as zëvendësi i tij i parë, nuk treguan nëse do të ketë masa të reja ndëshkuese për Kosovën.

    “Ka pasë premtim nga Lajçaku që masat do të hiqen menjëherë pas 14 shtatorit, me një letër që do të dërgojë zotëri Borell te Komisioni Evropian. Në vend të kësaj zotëri Lajçak u ka raportuar vendeve anëtare që masat ndaj Kosovës po kanë efekt dhe rrjedhimisht do të mbetet në fuqi”, ka thënë zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi.

    Pasi theksoi se duhet kujdes që të mos ketë ri-eskalim të situatës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kryeministri tha se adresë për dhunën paraprake dhe eventuale është Beogradi.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Fitore me duar në xhepa”, Mustafa: Para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni

    “Fitore me duar në xhepa”, Mustafa: Para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për kërkesën e opozitës për zgjedhje të reja parlamentare, i është kundërpërgjigjur edhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka krahasuar një deklaratë të Kurtit me atë të ish-kreut të LDK-së, vite më parë i cili thoshte “Prishtinën e fitoj me duar në xhepa”.

    E, Mustafa sot u shpreh se në kohën kur e ka thënë këtë deklarata, në Prishtinë kishin ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet e fshatra, si dhe kishin kryer punë të tjera.

    Megjithatë, Mustafa u shpreh se në atë kohë kur drejtonte Prishtinë, të gjithë u bënë me Kurtin për ta rrëzuar LDK-në nga pushteti lokal.

    Mirëpo, Mustafa thekson se para se të ndërrohet Kurti, duhet të ndryshojë opinioni, transmeton Paparaci.

    “Po lexoj sot disa deklarata dhe shkrime që mundohen të kundërshtojnë z. Kurti i cili kishte thënë se zgjedhjet tani do ta zhduknin opozitën. Si argument të tyre kundër Kurtit e marrin deklaratën, time të para 11 viteve se zgjedhjet në Prishtinë do ti fitoj me duar në xhepa”.

    “Në mandatin që kisha dhënë këtë deklaratë në Prishtinë kishim ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet dhe fshatra, mbi 30 terrene sportive e shumë qendra mjekësore, kishim filluar me të madhe gjelbërimin e qytetit, punohej në përfundimin e Fabrikës së ujit në Shkabaj, në investimet në kogjenerim për ngrohje të qytetit nga TC Kosova B, punohej në ndërtimin e Sheshit Ibrahim Rugova dhe atij Zahir Pajaziti, përfundohej rruga B, që është shndërruar tani në qendër alternative të Prishtinës, përfundoheshin kolektorët dhe ndërtimi i rrugëve mbi ta në Lakrishtë dhe te banesat sociale, trajtohej unaza e jashtme e Prishtinës….”, shkroi Mustafa në Facebook.

    Sipas tij, këto nuk bëheshin me duar në xhepa, siç mendojnë disa sot.

    “Unë besoja në punët që i bënim. Atëherë u bashkuan të gjithë me z. Kurti kundër LDK-së; të gjithë këta që sot duan ta rrëzojnë. Deklarata e z. Kurti korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet”, shtoi ai.

    “Qartë se ai nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet… në vend të kësaj po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike. Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni”, tha ai.

  • Haxhiu: Nëse Albin Kurti ka pak dinjitet jep dorëheqje

    Haxhiu: Nëse Albin Kurti ka pak dinjitet jep dorëheqje

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu reagoi pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve.

    Haxhiu përmes një postimi në Facebook tha se kryeministrit nuk i konvenojnë zgjedhjet pasi që marrin fund mashtrimet e kësaj qeverie.

    “Albin Kurti ka frikë nga zgjedhjet.Zgjedhjet nuk po i konvenojnë kryemashtruesit Albin Kurti, pasi është i vetëdijshëm se marrin fund gënjeshtrat, manipulimet, korrupsioni dhe nepotizmi në Qeverisjes së tij”, shkroi ai.

    Haxhiu shkori se “kush ka frikë nga zgjedhjet, ka frikë nga sovrani dhe verdikti i tij e këtë e din mirë Albin Kurti, qe genjshtrat e tij kanë marr fund”.

    “Nëse Albin Kurti ka pak dinjitet jep dorëhqje e shkojmë në zgjedhje e shohim kush po zhduket, opozita apo mashtrimet dhe hajnit e tij me Martinin Berishën, Nagipi Krasniqin, Rozeten & Ridin me rezerva shtetrore”, shkroi ai.

    “Albini brengoset vetëm për karrigen e tij të cilën po e shfrytezon me i mbulu korrupsioni dhe nepotizmin në Qeverisjen e tij”, shkroi Haxhiu.

  • ​Fermerët protestues bllokojnë rrugët kryesore dhe pikë kalimet kufitare në Bullgari

    ​Fermerët protestues bllokojnë rrugët kryesore dhe pikë kalimet kufitare në Bullgari

    Si pjesë e një proteste mbarëkombëtare të shkaktuar nga heqja e ndalimit për importet bujqësore ukrainase, fermerët bullgarë bllokuan të hënën mbi dyzet rrugë të rëndësishme dhe pika kufitare. Organizatorët e protestës u kërkuan njerëzve që të përmbahen nga udhëtimet, nëse nuk është një çështje emergjente. Ministria e Brendshme tha se “i gjithë personeli është i angazhuar në sigurimin e rendit publik” gjatë protestave. Rreth 26 organizata të degëve nga i gjithë sektori po marrin pjesë në protestë, tha Sindikata Bullgare e Fermerëve.

    Protestuesit bllokuan pikën kufitare të urës së Danubit me Rumaninë; Gjithashtu u bllokua rruga për dhe nga Ura e Danubit 2. Rruga nga Kardami në kufirin me Rumaninë ishte e bllokuar vetëm për kamionët e rëndë.

    Udhëheqja e Unionit Bullgar të Fermerëve u mblodh në një fushë ajrore në Byala Sllatina, ku u tërhoqën të gjitha makineritë bujqësore nga rajoni. “U kërkojmë ndjesë qytetarëve dhe i paralajmërojmë që të shtyjnë udhëtimet e planifikuara më 18 dhe 19 shtator, pasi rrugët kryesore do të jenë të mbyllura në të gjithë vendin”, tha Georgi Stojanov, kryetar i Unionit.

    Protesta do të zhvendoset në Sofje të martën.

    Aksionet efektive të protestës do të vazhdojnë derisa të plotësohen të gjitha kërkesat, tha Stojanov.

    Industria ka pesë kërkesa për qeverinë – të vazhdojë ndalimin e importeve të mallrave bujqësore nga Ukraina, duke zgjatur ndalimin e frutave, perimeve, mishit, qumështit dhe mjaltit; fermerëve t’iu paguhet shuma e plotë e kompensimit për humbjet për shkak të luftës në Ukrainë deri më 30 shtator; ndihma shtetërore për zonat e humbura nga fatkeqësitë natyrore të paguhet menjëherë. Protestuesit kërkojnë gjithashtu fonde shtesë të ndihmës shtetërore dhe lehtësim të kushteve të ndërhyrjeve të Planit Strategjik.

    Komiteti nismëtar për veprimet e pacaktuara efektive të protestës për të shpëtuar bujqësinë bullgare këmbëngul se vëmendja nuk duhet të përqendrohet ekskluzivisht te prodhuesit e drithërave, pasi aksionet protestuese përfshijnë të gjithë industrinë, duke përfshirë blegtorët, bletarët, kultivuesit e frutave dhe perimeve./BTA/

  • ​Nga sot Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar

    ​Nga sot Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar

    Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nga sot kanë pikat e përbashkëta të kalimit kufitar. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se sot e ka nënshkruar marrëveshjen e cila mundëson themelimin e pikave të përbashkëta Han i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë”.

    Sveçla ka shkruar se marrëveshja ka për qëllim thjeshtësimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve.

    “Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore, bazuar në vlerat e barazisë dhe me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, sot kam nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”. Kjo marrëveshje ka për qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve. Tani e tutje, qytetarët do të legjitimohen vetëm në njërën pikë kufitare”, ka shkruar Sveçla./KP

  • Pajtohen familjet pas varrimit në Pejë, Haradinaj: Dhembja është e madhe, pajtimi na nderon

    Pajtohen familjet pas varrimit në Pejë, Haradinaj: Dhembja është e madhe, pajtimi na nderon

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në varrimin e Avdi dhe Fadil Shala të cilët humbën jetën tragjikisht.

    Pas ceremonisë së varrimit, Haradinaj ka ngushëlluar familjen dhe ka bërë të ditur se dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.

    “Dhembja është e madhe dhe shumë e rëndë, por ju ia keni lënë një nder vetes e familjes, andaj qofshi të nderuar për jetë e mot e qofshi bashkë”, ka thënë Haradinaj.

  • ​Drashkoviq: Propaganda serbe për krimet e luftës ka rritur ndjenjën anti-evropiane në 70%

    ​Drashkoviq: Propaganda serbe për krimet e luftës ka rritur ndjenjën anti-evropiane në 70%

    Ish-zevëndëskryeministri i Serbisë në kohën e udhëheqjes së Millosheviqit, Vuk Drashkoviq, ka thënë se “Serbia me propagandën për krimet e luftës të viteve 1990, e ka rritur ndjenjën anti-evropiane në 70 për qind”.

    Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, ka shpërndarë një video në rrjetin social “X” ku Drashkoviq pohon një gjë të tillë ndërkohë që akuzon propagandën serbe, transmeton KosovaPress.

    “Ish-Zëvendëskryeministri i Serbisë, Draskoviq: ‘Serbia, me propagandën për krimet e luftës të viteve 1990, e ka rritur ndjenjën anti-evropiane në 70%!’”, ka shkruar Musliu sipër videos.

  • EULEX-i forcon Njësinë Speciale, sot arritën edhe 20 pjesëtarë nga Lituania

    EULEX-i forcon Njësinë Speciale, sot arritën edhe 20 pjesëtarë nga Lituania

    20 xhandarë lituanezë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane arritën sot në Kosovë për t’iu bashkuar Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR), e cila aktualisht përbëhet nga 24 karabinierë italianë.

    Xhandarët lituanez të NJPSR-së do t’i përforcojnë përkohësisht radhët e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, me qëllim që t’i përgjigjet nevojave të Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për të qenë në gjendje t’i mbështesin më mirë homologët kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

  • Çitaku i reagon Kurtit: Përgjigjen do ta merrni shpejt në zgjedhjet e përgjithshme

    Çitaku i reagon Kurtit: Përgjigjen do ta merrni shpejt në zgjedhjet e përgjithshme

    Nënkryetarja e partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar në lidhje me deklarata e kryeministrit të Kosovës, i cili tha se pot ë ketë zgjedhje të reja nacionale, opozita mund të zhduke.

    Çitaku ka thënë se kryeministri dëshiron të zhduk gjithçka që nuk pajtohet me të.

    “Po Kryeministër, Ju mendoni se e zhdukni opozitën (më mirë me thanë dëshironi ), sikurse që mendoni se keni fuqi me zhdukë gjithçka dhe secilin që nuk pajtohet me ju”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

    Reagimi i plotë:

    Po Kryeministër,

    Ju mendoni se e zhdukni opozitën ( më mirë me thanë dëshironi ), sikurse që mendoni se keni fuqi me zhdukë gjithçka dhe secilin që nuk pajtohet me ju. Njejtë dëshironi dhe synoni edhe për mediat, shoqërinë civile, biznest, prokurorinë.

    Përgjigjen e parë e keni marrë në zgjedhjet lokale me 2021. Përgjigjen e dytë do ta merrni kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Shpejtë.