ATV

Category: Lajme

  • Policia e Prokuroria me aksion – ndalohen dhjetë persona

    Policia e Prokuroria me aksion – ndalohen dhjetë persona

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar me zbatimin e urdhër-kontrollit në 14 lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, dhe atë në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan, për shkak të dyshimit të veprave penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327 dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 të KPRK-së.

    Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura, e në të cilin rast aktualisht janë të dëmtuar katër (4) institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000€ (katërqind mijë euro).

    Po ashtu, nga ky aksion i realizuar janë sekuestruar prova të ndryshme të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, si dhe dobi pasurore e përfituar nga veprat penale të lartcekura.

  • Arrestohen edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj 3 vjeçarit

    Arrestohen edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj 3 vjeçarit

     

    Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar për media pas rastit të dhunës ndaj një 3 vjeçari në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë. Ai ka bërë të ditur se edukatoret që pretendohet të jenë të përfshira në rast po intervistohen nga policia aktualisht.

    Ai për mediat ka thënë se rasti është publikuar përmes rrjeteve sociale dhe se ai ka qenë në çerdhe bashkë me policinë e Kosovës, drejtoreshën dhe Inspektoratin e Arsimit.

    “Për një situatë e cila e ka publikuar përmes rrjeteve sociale që është bë publike dje nga një familjar sipas pretendimeve se një fëmijë është përdorë dhunë ndaj tij. Unë kam qenë me policinë e Kosovës këtu, bashkë me drejtoreshën, Inspektoratin e Arsimit dhe në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet të cilat mirën me këtë çështje”, tha ai.

    Ai ka njoftuar se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në rast po intervistohen nga policia aktualisht.

    “Policia e Kosovës e ka bë ftesën në drejtim të edukatoreve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rast dhe në këto momente janë në stacionin e policisë duke u intervistuar”, tha ai.

  • Haxhiu reagon për rrahjen e 3-vjeçarit në çerdhe: Nuk do të tolerohet

    Haxhiu reagon për rrahjen e 3-vjeçarit në çerdhe: Nuk do të tolerohet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet.

    Ajo tha se përderisa organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes.

    “Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale. QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla.

    Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes!”, ka shkruar Haxhiu.

    Postimi i plotë:

    Dhuna psiqike dhe fizike ndaj fëmijës 3 vjeçar në njërin nga kopshtet publike të Komunës së Fushë Kosovës, është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet.
    Përderisa tashmë organet e drejtësisë janë duke trajtuar rastin, Komuna e Fushë Kosovës përmes Qendrës për Punë Sociale, duhet të ofrojë çdo shërbim të saj në ndihmë të fëmijës dhe familjes.
    Që rastet e tilla të mos përsëriten, komunat duhet të vetëdijesohen për rëndësinë që kanë shërbimet në përgjithësi, dhe shërbimet sociale në veçanti, gjegjësisht qendrat për punë sociale.
    QPS-të bashkë me shkollat dhe kopshtet, dhe jo vetëm, janë institucionet të cilat mund të parandalojnë rastet e tilla.
    Ministria e Drejtësisë, në përputhje me kompetencat – përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes!

  • Rohde: Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe pa vonesa

    Rohde: Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe pa vonesa

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të lexojnë deklaratën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për dialogun.

    Teksa e ka shpërndarë të njëjtin, ai ka thënë se deklarata e Borrellit, e cila përbën një paralajmërim për sanksione ndaj Kosovës dhe Serbisë, është thirrje e qartë e 27 vendeve evropiane që të dy palët (Kosova dhe Serbia) të angazhohen në dialog në mënyrë konstruktive dhe pa vonesa të mëtejshme.

    “Lexoni deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Një thirrje e qartë e 27 vendeve të BE-së drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim pa vonesa të mëtejshme!”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

  • ​IPK: Aksion në pesë lokacione të ndryshme kundër organizimit të lojërave të fatit

    ​IPK: Aksion në pesë lokacione të ndryshme kundër organizimit të lojërave të fatit

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) e mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë është duke zhvilluar një aksion në pesë lokacione kundër organizimit të lojërave të fatit.

    Sipas njoftimit të IPK-së ky aksion është duke u zbatuar në kuadër të një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit.

    “Operacioni po zhvillohet në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, pak më parë ka përfunduar bastisja në një objekt në lagjen e spitalit afër shkollës “Pavarësia” në Prishtinë.

  • Krasniqi: Kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve vjen nga Beogradi, zgjedhjet në veri veç me peticion

    Krasniqi: Kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve vjen nga Beogradi, zgjedhjet në veri veç me peticion

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore vjen nga Beogradi, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk duhet që brengosen për kërkesat që vijën nga Serbia dhe se dorëheqja e katër kryetarëve është akt moral.

    Ai shton se për të mundësuar zgjedhjet e parakohshëm në atë pjesë ata veç se kanë marrë masat duke hartuar edhe Udhëzimin Administrativ, duke shtuar se zgjedhjet në veri do të mbahen veç me peticion.

    “Kosova është palë konstruktive në këtë procesi, ne i kemi tashmë dy herë nga 25% të Policisë nga objektet e komunave, e kemi Udhëzimin Administrativ i hap rrugë peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve, këto janë veprime të vullnetit të mirë të Qeverisë”.

    “Nuk ka asnjë autoritet që mund të kërkojë dorëheqjen, ai është akt moral. Unë kam vazhdueshëm takim e kryetarët e komunave, ata e kanë mbështetur procesin e peticionit dhe ata mendojë se kjo është demokracia dhe ne duhet të përkujdesemi për demokracinë e jo për dëshirat e kujtdoqoftë. Dorëheqja e kryetarëve është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu që të brengosemi se çka mendon e çka kërkon Beogradi ne jemi këtu si institucioni të përkujdesemi për demokracinë”.

  • Policia dhe inspektorët e MAShT-it shkojnë tek çerdhja në Fushë Kosovë ku dyshohet se u rrah fëmija trevjeçar

    Policia dhe inspektorët e MAShT-it shkojnë tek çerdhja në Fushë Kosovë ku dyshohet se u rrah fëmija trevjeçar

    Policia e Kosovës dhe inspektorët e MAShT-it kanë zbarkuar sot në çerdhen shtetërore “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, pas raportimeve të familjarëve të një 3-vjeçari se është rrahur brutalisht nga edukatoret në kopsht.

    Familjarët kanë publikuar edhe video nga keqtrajtimi. E, nga fotografitë e publikuara shihet se i vogli ka marrë edhe lëndime nëpër duar.

    “Nipi im ka pësuar trauma të rënda psiçike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh”, shkruan ndër të tjerash Fatos Geci.

    Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të merren seriozisht me rastin.

    “Kërkoj nga organet e drejtësis të bëjnë punën e tyre. IDIOTEVE dhe mostrave të tilla duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve”, ka shkruar ai.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas rastit të keqtrajtimit të një fëmije në një çerdhe në Fushë-Kosovë.

    Ajo thotë se dhuna është e papranueshme andaj edhe pret që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.

    “Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”, njofton ministrja.

  • Keqtrajtimi i fëmijës te çerdhja në Fushë-Kosovë, reagon ministrja Nagavci

    Keqtrajtimi i fëmijës te çerdhja në Fushë-Kosovë, reagon ministrja Nagavci

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas rastit të keqtrajtimit të një fëmije në një çerdhe në Fushë-Kosovë.

    Ajo thotë se dhuna është e papranueshme andaj edhe pret që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.

    “Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”, njofton ministrja.

    Reagimi i plotë:

    Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor.

    Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.

    Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

    Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme.

    MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve.

  • BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

    BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

    Bashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë Josep Borrell në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe kujton se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

    Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë, më 14 shtator në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët ranë dakord më herët këtë vit, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.

    Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, nëpërmjet një deklarata thekson se BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.

    “Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupa të KFOR-it, forca të rendit dhe përfaqësues të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, kërkesat për zhvendosje, telekomunikacionin, dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të sapo rekrutuar/popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit të Energjisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut. Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

    BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.

    BE nëpërmjet kësaj deklarate u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    “BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me intervale me diell dhe me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Peja me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 27 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjilanit me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 27  gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme: