ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Qeveria e Kosovës duhet të ketë një ‘qasje të re’ në dialog

    Escobar: Qeveria e Kosovës duhet të ketë një ‘qasje të re’ në dialog

    Qeveria e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe të ketë një “qasje të re” lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kështu deklaroi i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar ka thënë se i Lajçak gëzon besimin e plotë të ShBA-së dhe BE-së në dialogun me Serbinë.

    “Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Intervista e plotë:

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveria e Kosovës e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë në procesin e dialogut.

    Zëri i Amerikës: Çfarë u kuptua nga takimet e bëra me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor? A u treguan bindës në angazhimin për të vazhduar në rrugën e integrimit euroatlantik që ata kanë zgjedhur?

    Gabriel Escobar: Kjo varet se me cilët udhëheqës ishte takimi, apo jo? Mund t’ju them tashmë se jam i shqetësuar se po shohim të marrë trajtë një Ballkan i dy shpejtësive. Kemi në njërën anë anëtarët e NATO-s që janë shumë të përkushtuar ndaj orientimit të tyre në NATO dhe atij evropian, dhe pastaj kemi tre të tjerët që po vështirësohen. Prandaj në takimet e mia, unë kam thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugëtimin euroatlantik për të gjithë ata. Dhe do të donim që të zgjidhnin dallimet e brendshme dhe rajonale që po i pengojnë të përparojnë.

    Zëri i Amerikës: A mund të na thoni emrat e personave për të cilët po flisni?

    Gabriel Escobar: Më lejoni t’ja filloj me Maqedoninë e Veriut. E falenderoj Maqedoninë e Veriut për rolin e arsyeshëm udhëheqës dhe rolin udhëheqës evropian, si kryesuese e OSBE-së. Mendoj se ajo që Maqedonia e Veriut provon vazhdimisht është se janë një partner shumë i mirë. Dhe në këtë drejtim, do të donim ta shihnim pjesë të Bashkimit Evropian si një partner shumë i mirë edhe aty. Shqipëria ka qenë e shkëlqyer në përqasjen për vendin që ka në Këshillin e Sigurimit, si dhe në rrugë dypalëshe dhe në kuadrin e NATO-s. Me Malin e Zi, patëm disa takime shumë të mira me presidentin e ri. E siguruam atë se është një partner i mirëpritur dhe i rëndësishëm i komunitetit transatlantik dhe i bëmë thirrje të inkurajojë krijimin e një qeverie ku marrin pjesë vetëm palë të përqëndruara tek Evropa dhe të përkushtuara ndaj NATO-s. Dhe ai tha se do të veprojë kështu. Pra, ne jemi të kënaqur që e mori këtë mesazh të rëndësishëm dhe që ai do të ndërmarrë veprime për këtë.

    Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për Bosnjën, dhe pastaj do t’ju pyes gjithashtu edhe për Serbinë.

    Gabriel Escobar: Patjetër. Siç e dini, Bosnja ka disa sfida shumë të mëdha. Mendoj se sfida më e madhe tani është se Dodiku po sfidon bazat e stabilitetit dhe sigurisë të Bosnjë-Hercegovinës për mbi 25 vjet – që është pra Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, si dhe të gjitha strukturat brenda saj, përfshirë paqeruajtjen dhe përfaqësuesin e lartë. Pra kjo është realisht sfida më e madhe për Bosnjë-Hercegovinën në këto momente. Kështu që së bashku me zërat e përgjegjshëm duhet të zgjidhim se si ta forcojmë Dejtonit dhe si ta lëvizim përpara Bosnjë-Hercegovinën përgjatë rrugëtimit të saj evropian.

    Zëri i Amerikës: Siç u njoftua të hënën, Serbia nuk iu bashkua zgjatjes së sanksioneve ndaj Rusisë. A patët mundësinë ta diskutonit këtë çështje me Presidentin Vuçiç këtu në Nju Jork, dhe çfarë i thatë atij?

    Gabriel Escobar: Nuk e kam takuar presidentin Vuçiç. Do të doja ta them që ne mendojmë se Serbia duhet të vendosë sanksione. Nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të vepruar kështu dhe është qartësisht një vend që mund të drejtojë vetë politikën e tij të jashtme. Por nuk është në të mirë të imazhit të Serbisë që të qëndrojë në periferi të familjes evropiane. Pra kjo është ajo që e kemi thënë vazhdimisht dhe do ta përsëris.

    Zëri i Amerikës: A ka ndonjë arsye të veçantë përse nuk e takuat Presidentin Vuçiç? A do ta takoni?

    Gabriel Escobar: Është thjesht çështje e momentit të duhur. Shpresoj ta takoj këtë javë.

    Zëri i Amerikës: Serbia dhe Kosova janë ende në një rënie të gjatë. A ka ardhur koha për një lloj përqasjeje të re nga BE-ja dhe SHBA-ja që do të ndikonte tek vendosmëria e tyre?

    Gabriel Escobar: Jo. Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian.

    Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj për kritikat e shprehura nga Kryeministri Kurti për ndërmjetësin Miroslav Lajçak?

    Gabriel Escobar: Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.

    Zëri i Amerikës: Edhe diçka në lidhje me Malin e Zi, që nuk ka ende qeveri. Ju thatë se patët mundësinë t’i diskutoni disa çështje me Presidentin Milatoviç. Për çfarë biseduat me të dhe a përcollët rekomandimin amerikan për të mos përfshirë në qeveri ish-Frontin Demokratik, të cilin e konsideroni anti-perëndimor?

    Gabriel Escobar: Nuk e kam takuar ende Presidentin Milatoviç. Do të takohem me të. Por ai pati takime shumë të rëndësishme, shumë frutdhënëse dhe shumë pozitive me Këshilltarin Chollet, me Sekretarin e Shtetit, dhe me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. Në të gjitha këto takime, Shtetet e Bashkuara ishin shumë të qarta se duam të shikojmë vetëm palë që janë të përqëndruara tek integrimi evropian dhe të përkushtuara ndaj NATO-s dhe që ndajnë gjithashtu pozicionin tonë për sa i përket çështjes së Rusisë. Mendoj se jemi shumë të qartë për këtë dhe ai sinjalizoi se është dakort për këtë. Pra duam që të shohim formimin e qeverisë, por duam ta inkurajojmë atë (Presidentin Milatoviç) t’i bashkojë palët. Ai ka një rol shumë të rëndësishëm si kreu i shtetit, që t’i japë popullit mesazhin e duhur. Pra jemi të sigurtë që e kuptoi atë që donim të thonim.

  • Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Osmani takohet me presidentin amerikan – Biden ia mbanë dorën

    Presidentja Vjosa Osmani, është takuar me presidentin amerikan Joe Biden, gjatë vizitës në ShBA.

    Osmani publikon foto me presidentin e ShBA-së, Biden, të kapur për dorësh dhe shkruan “Aleanca e lirisë, aleanca e përjetshme”.

    Osmani, po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Escobar paralajmëron takim me Vuçiqin: Beogradi mos të bëjë gjëra destabilizuese brenda Kosovës

    Escobar paralajmëron takim me Vuçiqin: Beogradi mos të bëjë gjëra destabilizuese brenda Kosovës

    Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, i dërguari i Shteteve te Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë. Gjithashtu ka kërkuar nga Beogradi që të mos bëjë gjëra destabilizuese brenda Kosovës.

    Escobar tha se nuk e ka takuar Aleksandar Vuçiqin në New York, por ka një mesazh për të.

    “Do të doja ta them që ne mendojmë se Serbia duhet të vendosë sanksione. Nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të vepruar kështu dhe është qartësisht një vend që mund të drejtojë vetë politikën e tij të jashtme. Por nuk është në të mirë të imazhit të Serbisë që të qëndrojë në periferi të familjes evropiane. Pra kjo është ajo që e kemi thënë vazhdimisht dhe do ta përsëris”

    “Është thjesht çështje e momentit të duhur. Shpresoj ta takoj këtë jave”, tha ai.

    Escobar ka ripërsëritur kërkesat e tij për Kosovën e Serbinë. Nga kjo e fundit ka kërkuar që të mos bëjë gjëra destabilizuese brenda Kosovës.

    “Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, tha ai.

  • Arrestohet gruaja në Malishevë, rrahu djalin e saj të mitur

    Arrestohet gruaja në Malishevë, rrahu djalin e saj të mitur

    Një grua nga Malisheva është arrestuar, pasi që e njëjta kishte ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të saj të mitur.

    Viktima kishte pranuar tretman mjekësor, ndërkaq e dyshuara është dërguar në repartin e psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës.

    “Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që dyshohet që ka përdorur dhunë fizike ndaj djalit të saj viktimës mashkull kosovar- i mitur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në Spitalin e Gjakovës në repartin e psikiatrisë, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

  • Media hungareze: Shqipëria atraksion i papërsëritshëm edhe në vjeshtë

    Media hungareze: Shqipëria atraksion i papërsëritshëm edhe në vjeshtë

    Eksperiencë plazhi e jashtëzakonshme, pak turistë, ambient miqësor. Kjo është receta për udhëtimin perfekt. Plazhet e Shqipërisë presin vizitorë që janë ngopur me destinacionet kryesore evropiane, dhe duan të shpëtojnë nga turmat e turistëve, ndonjëherë mbytëse, shkruan në një artikull gazetarja Rozc Franciska, të botuar në të përditshmen hungareze “Coloré.hu”.

    Kur bëhet fjalë për eksperiencat evropiane të plazheve, zakonisht të vijnë në mendje plazhet dalmate, spanjolle apo italiane, shkruan atsh, transmeton KosovaPress.

    Megjithatë, në ditët e sotme, këto vende janë shpesh aq të mbipopulluara sa bukuria e natyrës bëhet e pakëndshme.

    Ky nuk është aspak rasti me plazhet e Shqipërisë, të cilat nga njëra anë rezultojnë të jenë shumë më miqësore me buxhetin sesa qendrat turistike të krijuara, dhe meqë ra fjala, ata u premtojnë adhuruesve të detit një pamje të mahnitshme.

    Shqipëria e pazbuluar

    Riviera shqiptare zyrtarisht 450 kilometra e gjatë (ose seksioni i njohur lokalisht si Bregu) shtrihet në pjesën verilindore të detit Jon: bregdeti shtrihet përmes Vlorës dhe Sarandës deri në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe kufirin grek.

    Bregu është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, si dhe shumë atraksioneve të tjera, duke përfshirë mrekullitë natyrore si shpellat dhe burimet nënujore, por edhe fshatrat simpatikë bregdetar, pamjet mahnitëse, rrënojat e lashta, madje edhe bunkerë bërthamor të pashfrytëzuar.

    Plazhet e Shqipërisë: Plazhi i Gjipesë

    Edhe pse nuk mund të themi kurrsesi se plazhi i Gjipesë është një nga plazhet lehtësisht të aksesueshme (një rrugë e pashtruar të çon në një nga perlat e bregdetit shqiptar).

    Gjipe është edhe ndër plazhet shqiptare që konsiderohen të paprekura.

    Gjipe është një plazh me guralecë që u ofron vizitorëve ujë të ngrohtë dhe të pastër kristal, duke e bërë atë një vend ideal për not.

    Në verë, kajakë dhe SUP gjithashtu mund të merren me qira në zonë, por ju mund të sillni një ombrellë me vete.

    Disa kafene në plazh ofrojnë ushqime të shijshme shqiptare, por numri i njësive të kateringut nuk është aq i lartë sa në plazhet e tjera të Evropës.

    Plazhi i Gjipes ndodhet afërsisht 1,5-2 orë me makinë nga qyteti i Vlorës.

    Plazhi i Dhërmiut

    Plazhi i Dhërmiut, i vendosur në veri të Gjipesë, cilësohet si plazhi më i bukur në Shqipëri.

    Edhe pse bregdeti i Dhërmiut nuk është me rërë, guralecat e lëmuara, të bardha dhe uji i bruztë i ofrojnë vizitorëve një eksperiencë vizuale të papërsëritshme.

    Duke qenë se plazhi i Dhërmiut është më i lehtë për t’u aksesuar sesa i Gjipes, edhe familjet mund të pushojnë në këtë zonë bregdetare.

    Shezlongët dhe çadrat mund të merren me qira në këtë plazh, dhe restorantet dhe kafenetë ofrojnë ushqime të shijshme për turistët dhe vendasit që e vizitojnë.

    Është interesante që jeta në plazhin e Dhërmiut nuk ndalet as gjatë natës: me perëndimin e diellit, zona e bregdetit bëhet skena e festave të egra të plazhit.

    Plazhi i Dhërmiut ndodhet dy orë nga Saranda dhe 1,5 orë nga Vlora.

    Plazhi i Potamit

    Plazhi i Potamit, i vendosur në skajin verior të rivierës shqiptare, ka një efekt shumë më të izoluar, pasi shtrihet mes maleve dhe një zone të gjelbëruar.

    Si rezultat, plazhi është kryesisht me hije gjatë ditës, por kjo është shumë e nevojshme në vapë, në fakt!

    Plazhi i Potamit, ashtu si Gjipe apo Dhërmiu, ka gjithashtu një plazh me guralecë, por këtu ka gurë të mëdhenj e të rrumbullakët dhe jo guralecë të vegjël.

    Potami ka një gamë të gjerë baresh dhe restorantesh në plazh, ku mund të ndjeheni të lirë të provoni disa ushqime të shijshme dhe pije të ftohta duke admiruar pamjen e pazakontë.

    Plazhi i Potamit ndodhet pesë minuta me makinë nga qyteti i Himarës.

  • Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    Lajçak pas takimit me Osmanin: Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit që pati të enjten me presidenten Vjosa Osmani, në Nju Jork.

    Lajçak ka shkruar në “X” se me Osmanin patën një bisedë të detajuar dhe të dobishme.

    Ai theksoi se kanë rënë dakord që të vazhdojnë diskutimin.

    “Pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbi gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar ai në “X”.

  • Kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, gazetarja ukrainase: Duhet të luftojmë propagandën ruse

    Kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, gazetarja ukrainase: Duhet të luftojmë propagandën ruse

    Gazetarja ukrainase Iryna Synelnyk e cila kishte kërkuar që të pranohet pavarësia e Kosovës, nga vendi i saj ka treguar vështirësitë e raportimit pas agresionit ushtarak rus të filluar në shkurt të 2022-ës.

    Synelnyk me anë të një shkrimi thotë se mediet lokale janë të domosdoshme për të raportuar në kohë lufte.

    “Ato janë shpesh të vetmet burime informacioni për banorët e komunitetit, pikërisht informacioni lokal. Ky është gjithashtu një front, vetëm informues”, ka shkruar Synelnyk.

    Ajo tregon se mediet sociale dhe televizionet ishin burimet kryesore të informacionit në atë kohë.

    “Kisha frikë se mund të më arrestonin. Por unë isha edhe më e shqetësuar se familja ime mund të vuante për shkak të veprimtarisë sime gazetareske dhe pozitës civile. Megjithatë, vazhdova të punoja, për sa kohë kisha qasje në internet”, tregon ajo.

    “Mediet sociale dhe TV ishin burimet kryesore të informacionit në atë kohë. Sa për mua, është lufta e parë që po del online. Shumë prej tyre përshkruan përvojat e tyre në rrjetet sociale. Mund të shihnim foto dhe video nga vendet e ngjarjes. Unë gjithashtu i mblodha këto materiale, por e kuptoj që burimet nga rrjetet sociale duhet të kenë verifikim të detajuar. Meqë ishte e mundur kontaktova me zyrtarë apo pushtetin vendor për të verifikuar informacionin”, shton Synelnyk.

    Në këtë shkrim autorial, ajo shpreson që një ditë rezultatet e punës së gazetarëve ukrainas të bëhen pjesë e historisë.

    “Mua më dukej e nevojshme t’i tregoja gjithë botës se si jetojnë njerëzit në Chernihiv, se nuk kemi energji elektrike, nuk kemi ujë, ka probleme me ushqimin, njerëzit janë vënë në kushte të vështira mbijetese dhe kjo po ndodh në vitin 2022 në qendër të Evropës. Unë dhe kolegët e mi punuam pa pauza. Puna ime më dha forcë. Më duhej të punoja sepse doja të tregoja të vërtetën, doja t’u tregoja të gjithëve se çfarë po ndodhte, sepse gjithçka që po ndodhte ishte kaq e padrejtë dhe e tmerrshme”, shkruan ajo.

    “Shpresoj që një ditë rezultatet e punës së gazetarëve ukrainas të bëhen pjesë e historisë. Do të doja t’i botoja këto tregime si një libër me përkthim në anglisht, në mënyrë që më shumë njerëz të dinë të vërtetën për luftën në Ukrainë, sepse jam e sigurt se përvoja individuale është pasqyrë e ngjarjeve në vend”, pohon gazetarja ukrainase.

    Sipas Synelnykut, pavarësisht luftimeve në qytetin e saj, shumë gazetarë qëndruan për të raportuar.

    “Në atë kohë, roli i medieve sociale u rrit dhe kanalet televizive ishin një burim i rëndësishëm informacioni aktual. Çdo qeveri vendore krijoi kanalin e vet Telegram. Kanali i mediave lokale, për shembull, ‘Suspilne Chernihiv’ kishte mijëra përdorues. Disa nga gazetarët qëndruan në qytet dhe vazhduan të punojnë”, shton Synelnyk.

    Në fund, ajo bën thirrje që të luftohet propaganda ruse.

    “Disa gazetarë mbeten jashtë vendit dhe vazhdojnë të punojnë. Njëjtë edhe unë. Unë vazhdoj të punoj sepse e di që informacioni i vërtetë është po aq i vlefshëm sa buka në luftë. Ne duhet të luftojmë propagandën ruse”, përfundon ajo.

    Kujtojmë se Synelnyk dhe Lyudmila Makey, dy gazetaret ukrainase kanë qëndruar në Kosovë, ndërsa tashmë janë kthyer në Ukrainë për shkaqe familjare.

  • Vrasja e 41-vjeçarit në Banjë të Malishevës, motivi dyshohet të jetë mosmarrëveshja për punë

    Vrasja e 41-vjeçarit në Banjë të Malishevës, motivi dyshohet të jetë mosmarrëveshja për punë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mosmarrëveshja rreth punës dyshohet se u bë shkak për vrasjen e 41-vjeçarit, A.B., në fshatin Banjë të Malishevës në mëngjesin e së mërkurës.

    I dyshuari për vrasje u vetëdorëzua në Polici.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Gjakovës njoftoi se po punohet që brenda afatit ligjor të caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

    “Lidhur me këtë çështje, sipas informacioneve të para, motivi i vrasjes ka ardhur si rrjedhojë e problemeve lidhur me punën mes viktimës dhe të dyshuarit. I dyshuari gjendet në ndalim policor prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje”, ndërsa mosha e viktimës është 41-vjeçare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    Sipas të dhënave zyrtare, kjo ishte vrasja e 22-të që ndodhi në Kosovë, nga 1 janari.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë

    Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian konsideron se u ka dhënë udhëzime të qarta Kosovës dhe Serbisë, për të lëvizur përpara në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.

    Në këtë kontekst, zëdhënësi për politikë të jashtme, Peter Stano, theksoi nevojën për angazhimin e palëve për përmbushjen e obligimeve që palët morën përsipër në Bruksel dhe Ohër.

    “Palët e dinë shumë mirë se çfarë pritet që ato të bëjnë në mënyrë që të përparojnë në të dyja, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe në rrugën e tyre evropiane, sepse këto dy procese janë të lidhura”, tha Stano.

    Edhe pse nuk e tha prerazi, zëdhënësi Stano la të kuptohet se propozimi i saj është final, teksa iu referua deklaratës së 27 shteteve anëtare që thekson se BE-ja pret që zbatimi të nisë pa vonesa, bazuar në propozimin që Kosova e ka refuzuar.

    “Shtetet anëtare e theksuan qartë cila është rruga përpara. Kështu që u takon Serbisë dhe Kosovës të sigurohen dhe shtojnë përpjekjet për të lëvizur përpara. Nuk do të lëshohemi në detaje sërish, ne nuk do t’i zhvillojmë negociatat në publik, ne e kemi dialogun e lehtësuar nga BE-ja si platformë të veçantë për t’i zhvilluar negociatat, për ta lehtësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për t’iu ndihmuar atyre për të gjetur rrugën dhe kompromiset e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha Stano.

    Propozimi, sikurse edhe deklarata e 27 vendeve anëtare, thekson se puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të nisë pa asnjë vonesë apo parakusht të mëtejmë.

    Kosova nuk është pajtuar me propozimin e BE-së, duke akuzuar përpiluesin e saj, Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajcak, për anim kah Serbia.

  • Lansohet fushata “T gjithë n’përfshirje” për fëmijët me aftësi të veçanta

    Lansohet fushata “T gjithë n’përfshirje” për fëmijët me aftësi të veçanta

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    “T-gjithë N’ Përfshirje”, është motoja e fushatës për ndërgjegjësimin e qytetarëve, lidhur me barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.

    Erza Kërveshi nga Mitrovica, e cila është me aftësi të kufizuara, tregoi se sa të vështirë e ka qasjen në shkollë.

    “Unë edhe pse jam në shkollë mungesa e qasjes është shumë, në kabinete unë nuk mund të marr pjesë sepse nuk kam qasje asnjëherë, gjithashtu unë duhet të ngas çdo ditë karrocën time bashkë me veturat në të njëjtën rrugë dhe mungesa e transportit është një sfidë tjetër, pasi që ne çdo ditë duhet të pengojmë prindërit tanë për të na dërguar aty, ku ne kemi nevojë”, thotë Erza Kerveshi, qytetare.

    Për t’i përmirësuar kushtet për kategori të veçantë të fëmijëve, Qeveria ka thënë se po punohet çdo ditë.

    “Kjo nyjë mund të zgjidhet falë angazhimit dhe përkushtimit tonë. Ne si Qeveri do të duhet t’i përmbushim të gjitha të drejtat e sidomos të fëmijëve. Por angazhimi duhet që të jetë edhe nga gjithë institucionet e tjera”, tha zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave, Emilija Rexhepi.

    Drejtoresha e zyrës së Unicef-it në Kosovë, Nona Zicherman, përgëzoi punën e autoriteteve kosovare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

    Ndërsa, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka kërkuar që çdo akt nënligjor, sa u përket personave me aftësi të kufizuar të zbatohet, derisa nuk la pa bërë thirrje që situata në veri duhet të shtensionohet.

    “Siç e dini ligji për mbrojtjen e fëmijëve është miratuar, por formimi i akteve nënligjore dhe zbatimi po vonojnë. Konsiderojmë që skemat financiare duhet të iu përgjigjen nevojave të fëmijëve dhe tasteve sociale. Situata aktuale politike na bën thirrje që të fokusohemi në shtensionimin e situatës në veri, Qeveria të bëjë shtensionimin në përputhje me rekomandimet e BE-së”, tha përfaqësuesi i BE-së, Johannes Madsen.

    Fushata “T-gjithë N’Përfshirje”, e cila ka në fokus rritjen e qasshmërisë për fëmijët me aftësi të kufizuara, do të zgjasë 22 muaj në 4 komuna dhe online në mbarë Kosovën.