ATV

Category: Lajme

  • Në Prelez shkatërruan mbi 1600 armë të gjata e të shkurtra, të konfiskuara nga Policia

    Në Prelez shkatërruan mbi 1600 armë të gjata e të shkurtra, të konfiskuara nga Policia

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Këto armë pas disa orëve do të shndërrohen në kapakë për kanalizim si këta.

    Por, para se të nisin procedurat për shkrirjen e armatimit që u konfiskua nga Policia, 60 nga 1600 armët e gjata e pistoletat, u ekspozuan në oborrin e shkritores, e cila ka tenderin për ta kryer këtë shërbim.

    Pas peshimit, pistoletat u vendosën direkt për shkrirje.

    Ndërsa, pushkët e gjata u prenë në copa.

    Më pastaj, nën vëzhgimin e njësisë speciale, të gjitha, një për një, u vendosën në shkritore.

    Me asgjësimin e këtyre armëve, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë, po parandalohen vrasje.

    “Qëndroj këtu para juve krenar dhe i privilegjuar. Nuk jemi këtu vetëm për t’i shkatërruar armët pa leje, por edhe për të dërguar mesazh se Kosova po punon në uljen e kriminalitetit. Çdo armë që po shkatërrohet sot, prezanton një tragjedi që ka mundur të ndodhë”, tha Dejan Jankoviç, zëvendësdrejtor i Policisë.

    Në këtë formë, sipas zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Kosova tregon përkushtim për zbatimin e standardeve evropiane për armët.

    “Ne vazhdojmë përpjekjet për ta rritur sigurinë. Është progres i jashtëzakonshëm. Njëkohësisht, edhe mesazh që tregon përkushtimin për uljen e potencialit të dhunës…”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Bazuar në të dhënat zyrtare, Policia e Kosovës në vit, konfiskon mesatarisht 1400 deri në 1600 armë dhe rreth 30.000 municion pa leje.

    Vitin e kaluar konfiskoi 1473 armë zjarri dhe 29.903 municion të kalibrave të ndryshëm.

    Ndërsa, vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2023 janë konfiskuar 636 armë pa leje.

  • Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në institucione shtetërore, media e tekste shkollore është në rritje

    Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në institucione shtetërore, media e tekste shkollore është në rritje

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Seancat e Kuvendit të Kosovës shpesh janë të zhurmshme. Por, seanca e 13 korrikut eskaloi në përleshje fizike e gjuhë të urrejtjes mes ministrave dhe deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së.
    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e pranon se deputetët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes.

    “Njëra prej formave më të shprehura e dekurajimit për përfshirjen publike dhe politike, sidomos në grupet më të cenueshme shoqërore, pra është gjuha e urrejtjes. Konsiderohet që përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që jo vetëm ta dënojë gjuhën e cila nxit urrejtje, por edhe të ftojë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që i kemi”, tha Konjufca.

    Drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Marigona Shabiu, tha se qytetarët janë vazhdimisht dëshmitarë të një kulture fyese të debatit në Kuvend.

    “Fillojmë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë institucion që supozohet të jetë forum për promovimin e barazisë, lirisë së gjithë përfshirjes, kemi dëgjuar të përdoret gjuhë e urrejtjes si diskriminuese, ashtu edhe pezhorative ndaj komuniteteve dhe individëve më të cenueshëm të shoqërisë tonë”, tha Marigona Shabiu, drejtoreshë e “YIHR”.

    Përveç në Kuvendin e Kosovës, Avokati i Popullit, Naim Qela, tha se gjuha e urrejtjes është vërejtur edhe në teksteve shkollore dhe në rrjete sociale.

    “E kjo rritje vërehet dukshëm siç u tha edhe nga kryetari i Kuvendit, në rrjete sociale, si platforma që lehtësojnë qasjen gjithëpërfshirëse të secilit dhe mundësinë e lehtë për t’u shprehur, pa menduar për pasojat që mund t’i ketë ajo, që komentojnë në këto platforma”, tha Qela.

    Ndërkaq, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, duke përmendur grupet e ndjeshme, krahasoi gjuhën e urrejtjes në diskursin publik me terrorizmin.

    “Gjuha e urrejtjes i prek më së shumti ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTI, rom, ashkali, egjiptian dhe komunitetet e tjera jo shumicë, si dhe vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, persona me paaftësi dhe çfarëdo grupi tjetër që ndihet sikur në disavantazh apo i margjinalizuar”, tha Szunyog.

    Në këtë tryezë u përmend edhe seanca e 16 marsit në Kuvendin e Kosovës ku është debatuar për Kodin Civil. Sipas folësve, debati për këtë temë ka krijuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë për komunitetin LGBTI, megjithatë deputetët e njëjtë nuk janë ndëshkuar dhe vazhdojnë t’i mbajnë pozitën e tyre.

  • Presidentja dekreton Ligjin për Zyrtarët Publikë pa u përmirësuar nenet

    Presidentja dekreton Ligjin për Zyrtarët Publikë pa u përmirësuar nenet

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ndonëse Ligji për Zyrtarë Publikë nuk u përmirësua nga Kuvendi siç kërkon Gjykata Kushtetuese, presidentja e dekretoi atë. Nga 8 nene të cilat Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi, ligji u dekretua pa u përmirësuar paragrafët 3 dhe 5 i nenit 9.

    Ky nen përcakton kriteret e përgjithshme për pranim të zyrtarit publik, ndërsa Kushtetuesja ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” s’është në përputhje me garancitë kushtetuese.

    As në nenin 27 në të cilin janë përcaktuar të drejtat e zyrtarëve publikë nuk u përmirësua paragrafi 3, me të cilin parashihet që nëpunësit civilë të paraqesin ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, në rast të cenimit të së drejtës së punës.

    Në këtë ligj, sipas kërkesës së Kushtetueses, u përmirësua neni 12. Në të u ndryshua paragrafi 2, në të cilin ishte paraparë që Qeveria t’i raportojë Kuvendit për gjendjen e zyrtarëve publikë, deri më 31 mars për çdo vit kalendarik. Edhe nenet 67, 88 dhe 104 u përmirësuan.

    Anëtarë të Komisionit për Administratë Publike thanë se nuk u lejuan t’i përmirësojnë nenet.

    Kritika për dekretim të Ligjit nga ana e presidentes, kanë edhe anëtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

    Ndërkaq, përmes një përgjigje për ATV-në, Presidenca njoftoi se nuk është detyrë e saj përmirësimi i ligjeve dhe se do të kërkojë nga Kuvendi ta rregullojë çështjen.

    “Përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit. Nëse ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së Ligjit nga ana e Kuvendit, Presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim, në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike”, thuhet në përgjigjen e Bekim Kupinës, këshilltar për media i presidentes.

    Pasi ishte miratuar në Kuvend, Ligjin për zyrtarë Publikë partitë opozitare e patën dorëzuar në Gjykatën Kushtuese.

  • Qëndrime të kundërta për emisarin e BE së, Konjufca: Lajçak po artikulon pozicione të Serbisë

    Qëndrime të kundërta për emisarin e BE së, Konjufca: Lajçak po artikulon pozicione të Serbisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca, njëherësh edhe numri dy i partisë në pushtet, ripërsëriti qëndrimin e shefit të tij, në raport me rolin e emisarit special të Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    “Është vërejtur me thënë të drejtën, qysh në fillim, që Lajçaku qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë, le të themi, ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qet në zgjidhjet që i propozon, të mundë të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, si të mundë të akomodohet në mënyrë sa më të përshtatshme pozicioni i Serbisë… Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë”, tha Konjufca.

    Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, theksoi sot se ShBA-ja beson në të deleguarit e BE-së, për lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

    “SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

    Në fjalën e tij në kuadër të Samitit për Paqe dhe Demokraci, ambasadori Hovenier tha se implementimi i marrëveshjes së Brukselit me aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër, ndihmon Kosovën drejt integrimit të saj në institucionet euro-atlantike.

    “Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier.

    Edhe Christian Ramet, këshilltari i emisarit Lajçak, ishte pjesë e Samitit për Paqe dhe Demokraci.

    Në të, ai përmendi se Bashkimi Evropian po kërkon nga palët të fillojnë pa e vonuar implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ai potencoi se tash tre muaj pas dakordimit të arritur Ohër, ende nuk është bërë asnjë progres në zbatimin e marrëveshjes.

  • Tre dëshmitarë, dëshmuan në procesin gjyqësor, që po zhvillohet ndaj Caslav Joliq për krime lufte

    Tre dëshmitarë, dëshmuan në procesin gjyqësor, që po zhvillohet ndaj Caslav Joliq për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Për lëndimet që i kishte marrë Zef Malësia në pranverën e vitit 1998, fqinji Lush Palokaj nga Gurrakoci i Istogut, ka rrëfyer versionin e tij para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në Departamentin Special të kësaj gjykate po zhvillohet gjykimi për krime lufte ndaj Çasllav Joliqit, të cilin Prokuroria ndër të tjera e ngarkon edhe me akuzën se kishte ushtruar dhunë sistematike ndaj Zef Malësisë.

    Megjithatë, ai ka dhënë deklarata kundërthënëse, teksa është ballafaquar edhe me deklarimet e tij dhënë para hetuesve policorë.

    Me deklaratat që i kishte dhënë në Polici, vitin e kaluar, 66-vjeçari u sfidua edhe nga mbrojtja.

    Por, Palokaj thotë se edhe familja e tij është dëmtuar nga lufta, kur ishin detyruar ta braktisin shtëpinë, e cila ishte shfrytëzuar si shkollë e për takime politike.

    Për maltretimet që Zef Malësia kishte pësuar nga Joliqi, ka folur edhe dëshmitari Gjon Palokaj.

    Ndërkohë, gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe Gjergj Palokaj. Gjykimi ndaj Jolliqit, i arrestuar në qershor të vitit të kaluar në Istog, do të vazhdojë në nëntor.

  • Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Zelensky falënderon Ramën: Sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për faktin që i ka dalë në mbrojtje sot gjatë drejtimit të presidencës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    “I dashur Edi Rama, sot ti i tregove botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj. Të falënderoj që e drejton Presidencën në një mënyrë kaq parimore”, shkroi Zelenskyy, i cili postoi edhe një video të shkurtër ku duket Rama duke iu drejtuar përfaqësuesit të Rusisë të pranishëm në sallë.

    “Përderisa e përsëritët shumë herë se shkelja këtu ka të bëjë me fjalimin e presidentit Zelenskyy para anëtarëve të këshillit të mbledhur, ka një zgjidhje për këtë, nëse jeni dakord. Ju ndalojeni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta marrë fjalën”, i thotë Rama kolegut të tij rus.

  • Policia e Kosovës shkatërron armët e konfiskuara

    Policia e Kosovës shkatërron armët e konfiskuara

    Në fshatin Prelez të Komunës së Ferizajt, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe mbështetje nga UNDP, ka filluar sot shkatërrimin e armatimit përafërsisht 1600 armë të shkurtra dhe të gjata mes tyre.

    Në një shkritore në fshatin Prelez, skaj rrugës ka nisë shkatërrimi i armëve, fillimisht prerja e tyre që janë më të gjata e më pastaj edhe shkrirja e tyre për t’u bërë më pas kapakë për kanale të kanalizimeve, të cilat sipas zëvendësministrit të MPB-së, njëkohësisht do të dërgojnë edhe mesazh për ç’armatimin ilegal të qytetarëve të Kosovës.

    Armatimi i cili po iu hiqet nga duart qytetarëve, pas mbylljes së rasteve nga gjykatat, ato automatikisht kanë marrë leje për tu shkatërruar.

    Në ceremoni ka pasur të pranishëm zyrtarë edhe nga UNDP por edhe nga organizata tjera, të cilat e kanë mbështetur Kosovën dhe kanë vlerësuar aksionin për shkatërrimin e armatimit ilegal. /atvlive.tv

  • “2 euro me qenë çmimi i naftës, veturat prapë nuk ndalen” – Berjani thotë se nuk ka krizë në Kosovë aq sa po thuhet

    “2 euro me qenë çmimi i naftës, veturat prapë nuk ndalen” – Berjani thotë se nuk ka krizë në Kosovë aq sa po thuhet

    Kryetari i Shoqatës së Natarëve, Fadil Berjani, në emisionin A LIVE në ATV, duke komentuar çmimet e derivateve në vend, tha se në Kosovë nuk krizë aq sa po e bëjnë qytetarët.

    Përkundër çmimit të lartë të derivateve, ai tha se automjetet nuk po ndalen, madje as kur ka qenë çmimi rreth 2 euro për litër.

    “Jeni duke e pa, për shembull në rreth orës tre, orës katër, hyrja e Prishtinës sa automjeti është. Do të thotë edhe 2 euro, me qenë çmimi, kur ka qenë 2 euro çmimi, automjetet nuk janë ndalë dhe prapë nuk po ndalen. Kështu që nuk ka njëfarë krize në Kosovë që bëjnë qytetarët që po i pyetni nëpër rrugë se nafta shtrenjtë, nafta e lirë, po a po ju thuani ju qytetarëve se sa është në Shqipëri, sa është në Serbi, sa është në shtete të tjera”, tha Berjani.

    Ai tha se qytetarët, edhe pse nuk e kuptojnë në nivelin e duhur si funksionon tregu i naftës, dinë vetëm të ankohen për çmimet.

    “Kjo është një dezinformatë nëpër media ku po iu jepet hapësirë qytetarit që nuk e din ndoshta edhe çka o nafta në nivelin e duhur që është duhet me kanë, po vetëm thotë çmimi shtrenjtë, çmimi shtrenjtë. Edhe unë e thash çmimi i derivateve është shumë i lartë për standardin që e kemi. Kish me qenë mirë me kanë 1 euro, por duhet ta kuptojmë që çmimin e përcakton BERA dhe organizata prodhuese OPEC. Kjo është ajo të cilën e kem këtë çmim për momentin”, u shpreh Berjani. /atvlive.tv

  • ​Begaj takohet me Escobarin, flasin edhe për Kosovën

    ​Begaj takohet me Escobarin, flasin edhe për Kosovën

    Gjatë vizitës në Nju Jork, ku kryeson delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.

    Presidenti i Republikës shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.

    Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin e presidentit Begaj me zyrtarin e lartë amerikan, njoftoi Presidenca shqiptare.

    Begaj thuhet se i ka përcjellë falënderimet për dedikimin e presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë.

    Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve.

    Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

  • ​”T’gjithë n’përfshirje”, kërkohet respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

    ​”T’gjithë n’përfshirje”, kërkohet respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

    Bashkimi Evropian dhe UNICEF kanë lansuar fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për barrierat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara. Përmes kësaj fushate, e cila do të zgjasë 22 muaj, bëhet thirrje për realizimin e të drejtave të tyre.

    Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është zbuluar një instalacion në formë ‘nyje-lëmsh’ përmes së cilit tregohen sfidat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara.

    I hapur për publikun për një javë në qendër të Prishtinës, ky instalacion do të shërbejë si një platformë e dukshme dhe e fuqishme për prindërit dhe fëmijët për të kërkuar ndryshim dhe për ta promovuar përfshirjen brenda komuniteteve të tyre.

    Zëvendësministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, tha se si qeveri kanë për qëllim realizmin e të drejtave të fëmijëve derisa shtoi se gjatë këtij mandati do të rrisin numrin e asistentëve për këta fëmijë.

    “Sot po flasim për fëmijët me nevoja të veçanta që kjo nyje që mund të zgjidhet falë mirëkuptimit, angazhimit dhe vullnetit tonë kolektiv. Ky lëmsh është i lidhur me mirëkuptime që ua shkurton fëmijëve mundësitë për rritje, arsimin dhe plotësimin të personaliteteve të tyre. Zgjidhja e kësaj nyje, e këtij lëmshi, është një varg veprimesh të përbashkëta që fillon kur heqim dorë nga stereotipat…Ne si qeveri e Kosovës do të duhet të mbushim të gjitha të drejtat njerëzore dhe sidomos respektimit të drejtave të fëmijëve në invaliditet. Kemi angazhuar 160 asistentë për fëmijët në fjalë dhe 300 të tjerë janë në proces e sipër. Gjatë këtij mandati do të arrijmë dhe numrin më të lartë…dhe me përkrahjen e familjeve përmes pagesave mujore 2921 fëmijë që kanë pengesa afatgjate në zhvillim”, tha Rexhepi.

    Pjesë e lansimit të kësaj fushate ishte edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Johannes Madsen, i cili tha se ligji për mbrojtjen e fëmijëve u miratua në qershor të 2019 por sipas tij zbatimi dhe miratimi i akteve nënligjore po përballen me pengesa.

    “Ne në BE mbështesim shumë projekte në fushën e të drejtave të njeriut, por për të siguruar ndikim të qëndrueshëm do të donim pronësi dhe vazhdimësi të mbështetjes së grupeve të cenueshme në nivelin qendror dhe lokal. Siç e dini prej jush ligji për mbrojtjen e fëmijëve u miratua në qershor 2019 por zbatimi dhe miratimi i akteve nënligjore po përballen me pengesa. Shpresoj se qeveria dhe partneriteti ynë me UNICEF-in do të ndihmojë për krijimin e një momentumi pozitiv për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe akteve nënligjore të ndërlidhura…Konsiderojmë se skema financiare duhet t’i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të cenuara që kanë nevojë për mbrojtje sociale që përfshijnë fëmijët pa kujdesje prindërore, ata të dhunës në familje, trafikimit dhe shfrytëzimit, fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha Madsen.

    Ndërkaq, shefja e zyrës së UNICEF në Kosovë, Nona Zicherman, theksoi se nga anketat e bëra nga kjo organizatë del se rreth 40 për qind e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara përmendin mentalitetin e shoqërisë si barrierën kryesore me të cilën përballen.

    “15 për qind të popullsisë së botës, të paktën një miliardë njerëz kanë një lloj aftësie të kufizuar, qoftë nga lindja apo të marrë më vonë gjatë jetës. Pothuajse 240 milionë prej tyre janë fëmijë, dhe adoleshentët me aftësi të kufizuara janë të cenueshëm nga përvojat e ndryshme. Jetojnë në çdo komunitet dhe lindin ose pësojnë dëmtime në lidhje me rrethin që qon në vështirësi funksionale si shikimi, ecja, komunikimi, kujdesja për vetën apo krijimi i miqve…Pavarësisht se cila është historia e tyre çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë, të zhvillohet, të arsimohet dhe të përfshihet…Në anketat e kryera nga UNICEF-i pothuajse se 40 për qind të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara përmendin mentalitetin e shoqërisë si barrierën më të madhe me të cilën përballen. 22 për qind përmendin mungesën e përfitimeve në para, 14 për qind mungesën e shërbimeve adekuate, 14 për qind për mungesën e legjislacionit dhe politikave gjithëpërfshirëse”, tha Zicherman.

    Po ashtu edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj u zotua se kanë në fokus përmirësimin e të kushteve dhe të drejtave për fëmijët me aftësi të kufizuara.

    “Këta fëmijë përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë tonë por ende sot në shumë raste shumë prej tyre mbeten më margjina për shkak të diskriminimeve në të cilat përballen. Qytetet dhe kryeqytete e kanë një detyrim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar gëzimin e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të të gjitha të drejtave të tyre të njeriut. Në këtë kontekst ne po punojmë dhe dëshiroj t’i theksoj disa prej veprimeve tona në mënyrë që jetë e tyre të përmirësohet. Ne kemi ndërtuar një qendër të re të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe e cila do të jetë në shfrytëzim të shoqatave të autizmit Doën Sindrom , për të cilën jemi krenare. Gjithashtu po ndërtojmë edhe forma të tjera që fëmijët të kenë qasje në shërbimet publike por edhe në hapësirat publike, është fokus i joni”, tha Zogaj.

    Ndërsa 13 vjeçja në karrocë, Asra Kerveshi, përmendi mungesën e qasjes, hapësirave për karroca në rrugë dhe mungesën e sigurimit të transportit, për çka tha se janë vetëm disa nga vështirësitë me të cilat ajo përballet çdo ditë.

    “Sfidat e mija si një vajzë me karrocë janë të shumta, por dua t’i cek vetëm disa prej tyre si në vazhdim. Sfida e parë është mungesa e qasjes, unë edhe pse jam në shkollë mungesa e qasjes në shkolla është e madhe, për shembull nëpër kabinete unë nuk mund të marr pjesë për shkak se nuk kam qasje asnjëherë. Sfida tjetër është mungesa e hapësirave për karroca në rrugë, mua më duhet ngas për çdo ditë karrocën time bashkë veturat në të njëjtën rrugë. Sfida e radhës është mungesa e sigurimit të transportit për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, neve na duhet t’i pengojmë prindërit tanë apo familjarët nga puna e tyre vetëm për të na dërguar aty ku ne kemi nevojë”, tha Kerveshi.

    Fushata, e cila do të zgjasë 22 muaj në 4 komuna dhe online në mbarë Kosovën, do te avokojë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara me fokus të veçantë në rritjen e qasshmërisë në hapësirat publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre./KP