Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se modelin kroat për Asociacionin e ka sjellë Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2006.
“Ne, modelin kroat, prej vitit 2006 e kemi pru në Prishtinë”, tha Haziri.
Ai tregoi se kanë qenë disa modele për organizimin e pakicave në Kosovë, një prej të cilëve ka qenë edhe modeli i Serbisë.
“Janë disa modele që kanë qenë. E kanë ofruar së pari modelin serb, modelin e organizimit të minoriteteve në Serbi, këshilli kombëtarë i pakicave. Ju e dini që Serbia e ka mbyllur kapitullin e pakicave në mënyrë të suksesshme në Bruksel, sa i përket pakicave në Serbi është e mbyllur. Më së pari ua ka përmend pakicat në Serbi, si model, mandej ka kalu te modeli kroat i organizimit të pakicave. Modeli kroat i organizimit të pakicave është pas operacionit OLUJA në Knin, pasi e ka rikthy sovranitetin e plotë Kroacia në Slavoninë Lindore, kur e ka marrë nën kontrollë gjithë territorin e vet dhe natyrisht krejt bota e di që është bërë në koordinim të plotë me gjermanët dhe Amerikën ai operacion ushtarak”, tha Haziri. /atvlive.tv
Përgatiti: Nefail Maliqi, Bernë, 21 shtator – Zvicra aktualisht numëron 9 milionë banorë, prej të cilëve 26% janë të huaj apo 2 milionë e 200 mijë, ne mesin e tyre edhe 3% shqiptarë.
Në vitin 1999, invazioni i Serbisë në Kosovë rriti dukshëm numrin e shqiptarëve, sikur në vendet e tjera evropiane, ashtu edhe në Zvicër. Në ato vite, Zvicra kishte 150.000 shqiptarë, kuptohet një pjesë e madhe e tyre ishin të përndjekur nga regjimi serbe. Ndërsa sot autoritetet zvicerane flasin për një dyfishim të numrit të tyre.
Christoph Freymond nga Zyra Federale e Statistikave në Bernë, për ATV-në ka deklaruar se “numri i shqiptareve në Zvicër është shtuar dukshëm, më së shumti nga të gjitha komunitet e tjera. Për çdo vit, qindra prej tyre natyralizohen, pra marrin pasaporta zvicerane”.
Sipas Bernës zyrtare, shqiptarët sot në Zvicër përbejnë komunitetin më të madh dhe më të rëndësishëm në këtë vend dhe janë shembull suksesi dhe integrimi. Këtë e thonë, pos mediave edhe personalitetet helvetike, siç deklaroi ditë më parë edhe shefi i diplomacisë zvicerane z. Cassis në një bisedë për ATV-në.
Kështu, sipas z.Freymond nga Zyra Federale, sot në Zvicër jetojnë dhe veprojnë mbi 300.000 shqiptarë, qe këtu njihen si albannofon, dmth që flasin gjuhen shqipe, ku pjesa dërmuese janë nga Kosova. Këtu bëhet falë për 200 mijë, kurse nga Maqedonia e Veriut rreth 70 mije, nga Lugina e Preshevës 20 mijë dhe të tjerët janë nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave rreth 90 mije shqiptare të tjerë posedojnë pasaportat e kuqe me kryq të bardhë.
Ne Zvicër aktualisht janë regjistruar 114 mije qytetarë nga Kosova, me pasaporta të Republikës së Kosovës. Sipas një hulumtimi të gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch edhe pas 15 vitesh nga pavarësia e Kosovës, në Zvicër ka ende shqiptarë me pasaporta serbe, numri i të cilëve sillet rreth 50 mijë.
Këtu do theksuar se çdo vit bie numri i serbëve në Zvicër dhe rritet numri i shqiptareve. Jo pse këta të fundit vijnë nga Kosova, por behet fjalë këtu, se numri i shqiptarëve me pasaporta të shtetit te Kosovës, po vazhdon të ngitet vazhdimisht për shkak të transformimit të pasaportave, duke lënë ato të Serbisë dhe duke marrë ato të Republikës së Kosovës.
Besohet se numri i qytetarëve me pasaporta nga Serbia në Zvicër do të vazhdojë të bie dukshëm pas 1 janarit të vitit te ardhshëm, kur do të ndodhë liberalizimi e vizave, atëherë kur kosovarët nuk do të kenë më nevoje për pasaportat e Serbisë.
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, nuk do të jenë dënim kolektiv, por sipas tij, ato do t’i vuajnë eksponentët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje të Listës Guxo, si dhe partnerëvë të tyre politikë nga pakicat.
“Nuk po presim me pasë rikonfigurim të dialogut sepse situata e tillë kur kemi ngërçe të tilla të shkaktuara, ajo që po quhet pabarazi në dialog nga ana e kryeministrit në përfaqësim edhe në gjithçka që deri tash e kemi identifiku, sepse janë mbajtë tetë runde të takimeve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk kanë sjellë asnjë rezultat, përkundrazi Kosova tani është në masa ndëshkimi, me efekte në Qeveri, në ekzekutiv, por çmimin e kanë paguar FSK-ja e para dhe tani kufizimi i lëvizjes së lirë dhe takimeve sipas një agjende të programuar, shumë ministrave të Qeverisë që lidhen me MSA, marrëdhënia e parë që ne si Qeveri e kemi sjellë, LDK-ja. Paralajmërim tek masa e vizave dhe liberalizimi, por ky është dënim kolektiv. Duhet me e falënderua shumë Berlinin sa që nuk lejoi me u zgjeru drejt një dënimi kolektiv, por masat ndëshkuese do të jenë ndaj zyrtarëve, eksponentëve politikë që i bjen Vetëvendosja e GUXO në këtë qeverisje të koalicionit si dhe pakicave të partnerëve të koalicionit”, tha Haziri.
Sipas tij, nëse nuk do të përballohet kjo situatë, masat ndaj Kosovës do të zgjerohen. /atvlive.tv
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, ka shpalosur detaje rreth programit të ri të LDK-së “Rruga e re”.
Ai tha se “Rruga e Re” është opsion qeverisës i projektuar mbi bazë fillimisht një projeksioni buxhetor dhe mandej identifikimi i të gjitha programeve, e cilat janë sistemore në Republikën e Kosovës.
“Ne kemi identifikuar probleme serioze në politikën e brendshme, kemi bo një projeksion buxhetor që me vendosë mbi parime të drejta. I kemi identifikuar burimet financiare, përveç buxhetit të Republikës, i cili do të shkon në 4.5 miliardë, burime tjera alternative financiare ndërkombëtare që lejojnë dhe Kosova ka mundësi me marrë, mandej kemi listu këto 100 projekte”, tha Haziri.
Për këtë program, Haziri tha se kanë punuar mbi 200 njerëz të profileve të ndryshme.
“Kanë punu mbi 200 njerëz, ekspertë, lokalë, teknokratë, profesorë të institucioneve të arsimit dhe institucioneve tjera shkencore në vendin tonë. Njerëz që kanë zierë politika brenda LDK-së për disa muaj dhe në fund, ne në një punim dyditor kemi arritë një grup më të vogël të koordinatorësh kryesisht, të politikave e sektoriale me i debatu dhe me i zbardhë, sepse është në interes me ditë cila është politika ndaj energjisë, cili ka qenë opsioni i parë i para disa viteve. LDK-ja ka qenë bartëse e projektit në qeverisjen me AAK-në për Kosovën C. Kemi bo një projekt detaj, kemi identifiku nevojat e energjisë, kemi propozu politika e qarta në energji, kemi pa sfida dhe natyrisht ky projeksion mandej nuk është vazhdu nga Qeveria pasuese është reduktu, është revidu dhe sot asaj dite jemi pa projeksion”, tha Haziri.
Ai tha se programi “Rruga e Re” ka shkaktu debat dhe ka dalë dalë përtej LDK-së.
“Edhe në politikat e reformave të domosdoshme në sistem edhe në investime publike në të veçanti dhe e kemi nxjerrë në publik. Tani çka nënkupton kjo? Deri në Kuvendin, Konventën që e kemi quajtur programore, kemi shkaktu debat. Është dalë përtej LDK-së programi, është dalë te grupet e interesit, të dalë te odat ekonomike, është dalë te shoqatat, shoqëria civile, te ambientalistët, te grupet e interesit, kushdo që janë edhe munden me e gjetë veten. Kemi marrë komente shumë të mira, për disa nga politikat kemi marrë komente shtesë kritika dhe natyrisht ky është qëllim. Ne kemi dashtë me shkaktu pjesëmarrje më të madhe dhe deri atëherë jemi të kënaqur që t’i japim më shumë, që të prodhojmë debati, jo zhurmë”, theksoi Haziri. /atvlive.tv
Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, Termocentrali Kosova A, i vënë në funksion para më se gjysmë shekulli dhe i paraparë të mbyllej më 2017, u konfirmua si pjesë e “Planit A” të furnizimit edhe këtë dimër.
Zyra e Rregullatorit për Energji ia vazhdoi licencën për prodhimin e energjisë edhe për një vit këtij termocentrali, i cili me tri njësi prodhuese arrin kapacitetin rreth 390 megavatë/orë, apo rreth 40% të totalit të kapaciteteve nga thëngjilli.
Pasi tha se Kosova ka humbur mundësinë të ketë kapacitete të reja prodhuese me thëngjill, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, listoi disa probleme lidhur me mungesën e investimeve në këtë sektor.
“Në anën tjetër, Kosova e ka humbur betejën përballë mafies energjetike dhe, si duket, lobimi i tyre ka qenë aq i fuqishëm sa që e ka pezulluar ose parandaluar fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja. Dhe, kur krejt kësaj i shtohet burokracia sa i përket energjisë alternative, qoftë me erë – qoftë me panele solare, vërtet duket se Kosova është shtet i gjykuar që të jetë i varur nga importi i energjisë”, tha Gërxhaliu.
Duke kritikuar politikat vendimmarrëse, ai theksoi se në vend të investimeve në kapacitete të reja, Kosova gjendet në një situatë sanuese.
“Nëse bëhet një kalkulim i thuktë i investimeve në mirëmbajtjen e kapaciteteve aktuale energjetike, qoftë në Kosovën A apo B, që nga viti ‘99 e deri sot, e them me përgjegjësi morale dhe profesionale se Kosova ka shpenzuar më shumë sesa të ndërtojë dy apo tri termo-elektrana të reja, që do ta faktorizonin Kosovën në aspektin strategjik, sa i përket energjisë elektrike”, tha Gërxhaliu.
Duke e vlerësuar të realizueshëm objektivin strategjik për kapacitete prej 1200 mw/h nga burimet e ripërtërishme deri më 2031, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, theksoi se ndërtimi i tyre të lejonte mbylljen e Kosovës A.
“Ideja është që termocentrali Kosova A të mbyllet. Në strategji është vendosur që të përdoret si kapacitet rezervë, që d.m.th. të përdoret vetëm gjatë dimrit kur kemi mungesë të energjisë. Ndërsa, në strategji është vendosur që në vitin 2024 të rivitalizohet një njësi e Kosovës A dhe po të njëjtin vit të vendoset kur mbyllen dy të tjerat”, tha Bujupi.
Investimet për rivitalizim në vend se për kapacitete të reja, ai i arsyeton me periudhën kalimtare drejt energjisë së gjelbër dhe koston e përgjithshme.
“Në fazën tranzitore, këto investime janë vetëm për të siguruar furnizimin me energji për një periudhë derisa të ndërtohen kapacitetet e reja të burimeve të ripërtërishme. Pra çështja është se gjithmonë te një projekt në sektorin e energjisë shikohet kost-efektiviteti i projektit. Pra, sigurisht rivitalizimi i njërës njësi na garanton energji me çmime më të ulëta”, tha Bujupi.
Në strategjinë e energjisë është paraparë që për rivitalizimin e një njësie të termocentralit Kosova A, këtë vit dhe tjetrin, të investohen 120 milionë euro.
Ndërsa, në total, nga ky vit deri më 2025, parashihen më shumë se 415 milionë euro për investimeve kapitale, në dy termocentralet ekzistuese me thëngjill.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, premtoi se do të bëhet brenda vitit, por çiftet ende nuk mund të realizojnë fekondimin artificial në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Tenderi me vlerë prej 1.5 milion eurove, për sigurimin e pajisjeve që mundësojnë këtë shërbim, dështoi për të dytën herë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shkak për këtë është mungesa e ofertimit për disa pajisje.
“Gjatë procesit tenderues janë pranuar shumë pyetje sqaruese dhe janë bërë korrigjimet e kërkuara, me qëllim të lehtësimit dhe mundësisë më të gjerë për ofertim. Por, meqenëse nuk kishte oferta të përgjegjshme, pritet që gjatë ritenderimit, të arrijmë t’i kontraktojmë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si rend dite ishte edhe votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Mirëpo, kjo pikë dështoi të trajtohet, duke u shtyrë për një datë tjetër.
Në kuadër të këtij projektligji parashihet që edhe gratë e pamartuara mbi moshën 18-vjeçare, që janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe sociale dhe të afta për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore, të marrin shërbimin e IVF.
Më parë, për shkak të kundërshtimit të disa deputetëve, ky projektligj nuk kaloi në Kuvend.
Shërbimi në fjalë në Kosovë ofrohet vetëm në klinikat private.
Ndërkaq, klinika në kuadër të QKUK-së, ku IVF pritet të ofrohet, sa i përket aspektit infrastrukturor është e gatshme, vetëm se mungojnë pajisjet.
Muaj më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se në Kosovë çiftet kanë shpenzuar rreth pesë milionë euro për fekondim artificial në klinikat private.
Një veturë që ishte e konfiskuar, së fundmi është vënë në funksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, 1600 armë të konfiskuara, patën tjetër fat: ato u shkatërruan.
Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, edhe armatimi mund të vihet në funksion të institucioneve të sigurisë, megjithëse Ministria e Punëve të Brendshme, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka treguar nëse mund të ndodhë diçka e tillë.
“Pasi kanë përfundu procedurat e ekzaminimit, ankimimit, ato me lejen e Prokurorisë, Policia e ka të drejtën, edhe pse rregullativë ligjore nuk ka… sepse në ligjin e armëve nuk flitet për këtë çështje”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.
Koloneli tani në pension, Rrahman Sylejmani, thotë se të paktën në të kaluarën, Policia ka përdorur armë që ishin të konfiskuara.
“Sidomos me armë të gjata ka ndodhur… siç janë AK47… që janë në dispozicion të Policisë Kufitare dhe njësisë speciale… Dhe ato janë marrë një sasi dhe nuk ka asgjë të keqe…”, tha Sylejmani.
Megjithatë, para se të vihen në funksion të institucioneve të rendit, ka procedura.
“Pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe shqiptimit të dënimit për personin përkatës… Sigurisht duhet të përzgjidhen edhe kalibrat që na shërbejnë…”, tha Drizan Shala, njohës i sigurisë.
Policia e Kosovës, në vit, mesatarisht konfiskon nga 1400 deri në 1600 armë pa leje. Të mërkurën, në një shkritore në Ferizaj, u shkatërruan afërsisht 1600 sosh.
Ministria e Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar fazën e dytë për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet.
Sipas zëvendësministrit të këtij dikasteri, Avni Zogiani, automjetet që lirojnë gazra mbi shifrën 5, do të marrin rekomandime të detyrueshme për t’iu nënshtruar kontrollit teknik sipas databazës.
“Ky projekt është bërë në bashkëpunim fantastik me Policinë e Kosovës, natyrisht edhe me departamentet e ministrisë tonë dhe akterë të tjerë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi të dhëna të sakta mbi burimin, mbi atë se çfarë mase janë automjetet kontribuuese në mungesën e kualitetit të ajrit në Kosovë”, tha Zogiani.
Duke pasur parasysh ndotjen e ajrit nga numri i madh i automjeteve, Zogiani thekson rëndësinë e zëvendësimit të veturave me karburante, me ato elektrike.
“Nëse automjetet janë ndotëse, mund ta supozojmë tashmë, por në çfarë mase do ta kuptojmë shpejt, ndotës shumë të mëdhenj. Atëherë duhet të marrim politika që të shkojmë kah zëvendësimi i automjeteve me karburante me mjete elektrike, me transport elektrik, ose zëvendësimi i makinave individuale me transport publik”, tha Zogiani.
Në realizim të projektit ka kontribuar edhe qeveria japoneze.
“Është Qeveria e Kosovës ajo që ka kërkuar asistencën nga Qeveria e Japonisë. Kosova është shtet i ri, 15-20 vjet kështu që ka nevojë ende për asistencë, dhe në të njëjtën kohë Japonia e ka pasur të njëjtën përvojë me ndotjen diku 40-50 vjet përpara, kështu që mund t’ia japim ekspertizën tonë Qeverisë së Kosovës, për të përmirësuar procedurat administrative“, tha Kuwahara Fumihiko, udhëheqës i projektit nga “JICA”.
Kjo është faza e dytë e këtij projekti nga agjencia japoneze “JICA”, që ka filluar prej rreth një viti e gjysmë dhe parashihet të përfundojë në fund të vitit 2025.
Pas debatit 4 orësh, Kuvendi arriti të themelojë Komisionin Hetimor për Rezerva shtetërore.
Drejtues i këtij komisioni u zgjodh deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, derisa zëvendëskryesuese deputetja Valentina Bunjaku e LDK-së.
Por votimit të këtij komisioni i parapriu një debat i nxehtë mes pozitës dhe opozitës.
Kjo pasi kundër themelimit të këtij komisioni ishte Lëvizja Vetëvendosje.
Mirëpo, fjalimi i Kusari-Lilës u tentua të pengohej nga ish-partiaku i saj, i cili lëshoi bisedën telefonike që deputetja e LV-së e kishte realizuar me deputetin serb Slavko Simiq.
Pavarësisht kësaj, debati kishte vazhduar.
Opozita krejt ndryshe argumentonte nevojën për themelimin e Komisionit hetimor për Rezerva Shtetërore.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk e la pa i hedhur kunja opozitës.
Debat më të ashpër pati mes deputetit Driton Selmanaj e deputetes Kusari-Lila, të cilët nuk e lanë pa ia përmendur të kaluarën njëri-tjetrit.
Pjesë e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë pesë anëtarë, PDK-ja dhe LDK-ja me nga dy, derisa AAK-ja dhe grupet joshumicë do ta kenë vetëm nga një përfaqësues.
Mandati i komisionit do të jetë 6 muaj.
Në muajin e shkuar, Prokuroria Speciale arrestoi dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmen nën dyshime për ‘’Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Për herë të parë ishte në rend dite në prill e pas më shumë se 5 muajve u arrit që të votohet për të.
Megjithatë, rezoluta e propozuar nga opozita për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti u hodh poshtë, pasi nuk i mori votat e mjaftueshme për miratim.
Për të votuan 19 deputetë, kundër ishin 49, kurse tre abstenuan.
Ndërkohë, në rend dite në seancën e së enjtes, pati edhe marrëveshje ndërkombëtare.
Ani pse pati mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për ta votuar ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
“Do të lejoj operimin e kësaj hekurudhe deri në 100 km/h në shumicën e seksioneve të linjës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare, ky projekt ka shtatë-tetë vjet që ka nisur të realizohet. Më vjen mirë që po shkon drejt finalizimit, së paku pjesës së financimit”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Jemi vend i sanksionuar, jemi vend që po izolohemi çdo ditë e më tepër dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të marrim pjesë në votimin e kësaj marrëveshjeje”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërkohë, LDK-ja përkundër dy partive të tjera opozitare, PDK e AAK, u dha përkrahje edhe disa projektligjeve.
Me 62 vota për, u miratua në lexim të dytë Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Gjithashtu, në seancë, me 66 vota për u miratua edhe Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.