ATV

Category: Lajme

  • Policia nis hetimet për disa shkrime te nxitjes së urrejtjes në Zveçan

    Policia nis hetimet për disa shkrime te nxitjes së urrejtjes në Zveçan

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, është njoftuar se gjatë patrullimit janë vërejtur disa parulla me motive nxitëse të urrejtjes në Zveçan.

    Tutje, Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari ende është i panjohur, ndërsa për këtë çështje është hapur tashmë hetim.

    “Zveçan 21.09.2023 – 12:05. Njësitë policore gjatë patrullimit kanë vërejtur se nga i/të dyshuar deri më tani të panjohur, në muret e disa shtëpive janë bërë disa mbi shkrime me motive të nxitjes së urrejtje. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që të iniciohet rasti dhe të vazhdohet me hetime”, thuhet në njoftim.

  • ​Begaj në Asamblenë e OKB-së: Njiheni pavarësinë e Kosovës

    ​Begaj në Asamblenë e OKB-së: Njiheni pavarësinë e Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka kërkuar nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që së shpejti ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe t’i japin vendit tonë njohjen që meriton.

    Begaj tha se rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global është më shumë se kurrë një domosdoshmëri për pajtim, mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim, pasi është e vetmja mënyrë se si mund të përballemi me sfidat e sotme të përbashkëta dhe globale, që nuk po prekin vetëm të tashmen, por po rrezikojnë edhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.

    Sipas tij, gjithçka duhet të fillojë duke vlerësuar rajonet dhe vendet bazuar më së shumti në kontributet sesa në dështimet e tyre.

    “Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë. Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës”, tha ai.

    Begaj theksoi të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës.

    “Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

    Ai theksoi se akti i agresionit të paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër fqinjit të tij, është një luftë absurde dhe keqdashëse që ka prekur drejtpërdrejtë dhe tërthorazi dimensione të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për Ukrainën dhe rajonin, por për të gjithë globin.

    “Kjo luftë e pakuptimtë ka prishur tregjet ndërkombëtare, ka shkaktuar paqëndrueshmëri ekonomike, ka shkatërruar infrastrukturën, përfshirë rrjetet e transportit dhe objektet industriale, dhe ka larguar vëmendjen dhe burimet nga adresimi i sfidave të përbashkëta të zhvillimit, dhe zbatimin e Agjendës 2030. Lufta në Ukrainë ka tensionuar stabilitetin rajonal dhe ka ndikuar në bashkëpunimin midis vendeve. Ka nxjerrë në pah tensionet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e tensionuara diplomatike, duke penguar bashkëpunimin ndërkombëtar për nismat e zhvillimit të qëndrueshëm. Efektet e përhapura të luftës, përfshirë zhvendosjen, migrimin dhe shqetësimet ekonomike dhe të sigurisë, siç e kemi parë, mund të kenë pasoja globale që pengojnë përparimin drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ)”, tha ai.

  • Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, kërkojnë te kthehen në kuadër të kompanisë

    Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, kërkojnë te kthehen në kuadër të kompanisë

    Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të tretën herë radhazi brenda këtij viti, ka mbajtur protestë për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë protestuar para objektit të kësaj kompanie duke kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat.

    Këta punëtor po ashtu kanë kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës pasi sipas tyre nuk është duke e përmbushur premtimin e dhënë tash e sa kohë.

    Ata gjatë protestës kanë mbajtur edhe pankarta në duar në të cilat shkruante “ Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot!”, “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar për 2+1 vite!” etj.

  • Detaje të reja për zjarrin që shpërtheu mbrëmë në Lipjan

    Detaje të reja për zjarrin që shpërtheu mbrëmë në Lipjan

    Një zjarr ka shpërthyer mbrëmë në Lipjan. Policia sot ka dhënë detaje të reja për rastin.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, nga zjarri janë djegur dy objekte përcjellëse, po ashtu janë djegur ushqim për bagëti, disa pajisje të punës si dhe janë dëmtuar dy sera.

    Njoftimi i plotë:

    SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Lipjan 21.09.2023 – 18:35. Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura janë djegur dy objekte përcjellëse, po ashtu janë djegur ushqim për bagëti, disa pajisje të punës si dhe janë dëmtuar dy sera. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe zjarrfikësit që e kanë lokalizuar zjarrin. Rasti në hetime.

  • Zelensky bën vizitë të paparalajmëruar në Kanada

    Zelensky bën vizitë të paparalajmëruar në Kanada

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kanada në mision për të siguruar përkrahje sa më të gjerë ndërkombëtare për vendin e tij në luftën kundër pushtuesve rusë.

    Televizioni Kanadez e shfaqi kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, duke u takuar me Zelenskyn në pistën e një aeroporti në Otavë. Kjo është vizita e parë e presidentit ukrainas në Kanada që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton televizioni BBC.

    Zelensky arriti në Kanada nga Uashingtoni, ku u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe me zyrtarë të tjerë të fuqisë botërore.

    Presidenti ukrainas shpresoi që të siguronte më shumë mbështetje dhe fonde në ShBA për luftën e vendit të tij kundër Rusisë. Më herët këtë javë, ai u bëri thirrje në OKB udhëheqësve botërorë që ta vazhdojnë përkrahjen ndaj Ukrainës.

    Megjithatë, tensionet diplomatike janë në rritje, pasi Zelensky i ka kritikuar Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë për ndalimin e importimit të drithit nga Ukraina.

    Kongresi i Shteteve të Bashkuara tashmë ka dhënë dritë të gjelbër për ndarjen e më shumë se 110 miliardë dollarëve ndihmë për Ukrainën, por anketat tregojnë se po bie përqindja e amerikanëve që e mbështesin vazhdimin e përkrahjes së mëtejme për shtetin e goditur nga lufta.

    Shumë republikanë argumentojnë se do të ishte më mirë që të hollat të shpenzoheshin për nevoja të brendshme, por gjatë vizitës së Zelenskyt, presidenti Biden miratoi pako të re të ndihmës me vlerë të 325 milionë dollarëve për Ukrainën.

  • Shpërthim në Mitrovicë të Veriut

    Shpërthim në Mitrovicë të Veriut

    Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, i cili tha se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.

    Elshani tutje u shpreh se përveç disa dëmeve, nuk ka pasur të lënduar nga ky shpërthim.

  • Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë mban konferencë për media në lidhje me subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë me rastin e lansimit të “Thirrje për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje” të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), mban konferencë për medie.

    Në njoftimin për media nga kjo ministri thuhet se konferenca do të mbahet para objektit të Ministrisë së Ekonomisë duke filluar nga ora 11:30.

  • Weber për dialogun: Presionet s’do të sjellin dobi, Kosova me paraqitje jostrategjike

    Weber për dialogun: Presionet s’do të sjellin dobi, Kosova me paraqitje jostrategjike

    Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin të Gjermanisë, ka komentuar situatën aktuale në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga ana e Bashkimit Evropian.

    Në një koment për REL, Weber vlerësoi se qasja e ndërmjetësuesve e ka shtyrë Prishtinën t’u thotë jo “disa propozimeve të tyre”.

    Tutje, ai ka theksuar se në Kosovë ka një kombinim mes paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike.

    “Këtu kemi një kombinim të paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike të autoriteteve të Prishtinës, si dhe arsyen e justifikueshme të pakënaqësisë me kornizën e përgjithshme të negociatave dhe me qasjen e negociatorëve perëndimorë. Kështu që, çdo mënyrë e presionit që është ushtruar ndaj Prishtinës, duke filluar nga vendosja e sanksioneve, vetëm sa i ka hedhur vaj zjarrit”, deklaroi Weber.

    Sipas Ëeberit, vazhdimi i presioneve nuk do të sjell dobi.

    “Kam frikë se do të shohim vazhdimin e bllokadës dhe vazhdimin e presioneve, të cilat nuk do të sjellin dobi deri në vitin e ardhshëm. Kam frikë se, përfundimisht, në kryeqytetet perëndimore do ta pranojnë se i gjithë ky kapitull aktual i bisedimeve politike apo dialogut politik, si dhe e gjithë kjo qasje që ka nisur me iniciativën gjermano-franceze, nuk ka pasur sukses, por ka dështuar.” – thotë Weber.

  • 25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

    25 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtarët e para të UÇK-së.

    Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë.

    Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë. Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

    Më rastin e shënimit të 25 vjetori të rënies së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci dhe dëshmorëve tjerë të renë më 22 shtator të vitit 1998, sot duke filluar nga ora 11:00 në sheshin “Fehmi Lladrovci”, do të bëhen homazhe pranë shtatoreve të tyre dhe do të vendosen buqeta lulesh.

    Pastaj homazhet do të vazhdojnë edhe në varrezat e dëshmorëve të fshatit Gllanasellë duke filluar nga ora 11:30.

  • Shefi i OKB-së Antonio Guterres takoi presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj

    Shefi i OKB-së Antonio Guterres takoi presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj

    Në kuadër të punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së OKB-së, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z.Antonio Guterres ka pritur presidentin e Republikës së Shqipërinë z.Bajram Begaj, njoftoi nga selia e OKB-së, raporton gazeta zvicerane në shqip Le Cantin27.ch.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe presidenti shqiptar diskutuan për luftën në Ukrainë, si dhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas gazetës zvicerane Le Canton27.ch, Guterres dhe Begaj gjatë këtij takimi gjithashtu shkëmbyen mendime mbi përpjekjet për të çuar përpara Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe mbështetjen e reformës së Kombeve të Bashkuara, si dhe arkitekturën financiare ndërkombëtare.