ATV

Category: Lajme

  • ​SHBA dhe Shqipëria me konsultime për mbrojtjen në Tiranë

    ​SHBA dhe Shqipëria me konsultime për mbrojtjen në Tiranë

    Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, Spencer Boyer bashkëkryesoi konsultimet dypalëshe në fushën e Mbrojtjes SHBA-Shqipëri në Tiranë, me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes, Gelardina Prodani, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë.

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi mbajti fjalën e hapjes.

    Delegacionet ndanë këndvështrimet mbi klimën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas pushtimit të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës nga Rusia.

    Palët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm dypalësh në fushën e sigurisë, i cili synon zhvillimin e aftësive të ushtrisë shqiptare për këmbësorinë, forcat ajrore dhe kontrollin e municioneve shpërthyese, si dhe mbrojtjen kibernetike.

    Gjithashtu, u diskutuan përpjekjet për të rritur kapacitetin institucional të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për menaxhimin e efektshëm të logjistikës dhe burimeve, si dhe rekrutimin dhe mbajtjen e personelit.

    Aktiviteti kulmoi me nënshkrimin nga bashkëkryesuesit të një dokumenti kuadër, i cili synon të drejtojë zbatimin e vazhdueshëm të nismave dypalëshe të bashkëpunimit për sigurinë.

    Udhëheqësit ripohuan rëndësinë e partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe çuar përpara të interesave të përbashkëta në fushën e sigurisë.

  • ​ZRrE-ja nuk arrin të inkasojë borxhin nga Termokos

    ​ZRrE-ja nuk arrin të inkasojë borxhin nga Termokos

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022.Në raportin e auditimit të paraqitur nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi doli më pah tri parregullsi në ZRrE.

    Sipas saj, në raport potencohet se ZRrE-ja nuk ka inkasuar taksat vjetore për disa vite nga ndërmarrja publike në Prishtinë, Termokos, nuk e ka bërë regjistrimin e pasurisë për vitin 2022 dhe po ashtu nuk është përdorur sistemi E-pasuria.

    “Sipas konkluzionit tonë transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të ZRrE-së kanë qenë në të gjitha aspektet materiale në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare”, tha ajo.

    Në arsyetimin e tij, drejtori i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se borxhi i Termokosit është gjatë viteve 2009-2012, që sipas tij në atë periudhë gjendja financiare e ngrohtores së kryeqytetit ka qenë e keqe.

    Ai arsyetoi edhe mos regjistrimin e pasurisë për vitin 2022 të ZRrE-së dhe po ashtu mospërdorimin e sistemit “E-pasuria” që është theksuar në raportin e auditorit.

    “Gjatë vitit 2022, ZRrE-ja ka pasur të hyra rreth 1 milion e 174 mijë euro, prej të cilave vetëm 708 mijë euro janë shpenzuar nga ana e ZRrE-së, ndërsa mbi 400 mijë euro janë kthyer në buxhetin e Kosovës. Për me përshkruar shumë shkurt ky buxhet 700 mijë euro ka pasur paga dhe mëditje në 92 për qind, pasi dihet që ZRrE-ja ka qenë më dy anëtarë të bordit jo të kompletuar. Mallra dhe shërbime janë 97 për qind, ndërsa shpenzimet komunale varet nga taksat komunale…Ne kemi pranuar këto tri gjetje të cilat kanë qenë nga ana e auditorit. Një prej gjetjeve ka qenë mos regjistrimi i pasurisë. Pasi investimet që janë realizuar 99 për qind janë në IT dhe arsyeja kryesore që s’janë regjistruar është se ju e dini që ka pasur një keqpërdorim në Ministrinë e Financave dhe ajo shtrënguar procesin e qasjes”, tha ai.

    Megjithatë, deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se ZRrE-ja është dashur të merr veprime ligjore për inkasimin e borxhit nga Termokos.

    “Tash kompania është në gjendje më të mirë financiare, pasi këtë vit po i shtohen edhe 40 mijë konsumatorë dhe të hyrat do të jenë më të larta. Borxhi është borxh, pavarësisht rënies dhe ngritjes financiare. Besoj se ligjërisht jeni të obliguar për të çuar rastin në gjykatë apo tek përmbaruesi privat”, tha ajo.

    Në anën tjetër, deputetë të tjerë nga mazhoranca i dhanë mbështetje bordit të ZRrE-së, derisa potencuan se disa nga parregullsitë e paraqitura nga auditori janë më shumë teknike./KosovaPress/

  • Osmani: Heqja e masave të BE-së, mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

    Osmani: Heqja e masave të BE-së, mundëson rifillimin konstruktiv të dialogut

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Neë York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, ku ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

    Sipas Presidentes Osmani, në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

    Në këtë kontekst, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.

    “Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me SHBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Prandaj, sipas Osmani, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

    Sipas një komunikate të Presicencës, në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

    Presidentja Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për të depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA, për të adresuar sfidat e sigurisë.

    Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.

    “Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve, është përcaktues në dialog”, ka theksuar Presidentja Osmani.

  • ​Detaje si mund të përfitoni nga thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    ​Detaje si mund të përfitoni nga thirrja për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje

    Ministria e Ekonomisë sot ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).

    Masat e prezantuara sot nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

    Detaje rreth suvencionimit:

    Pompë termike;

    Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë);

    Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket);

    Stufa individuale me biomasë.

    Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është tridhjetë përqind (30%) e vlerës investive, apo deri në 2000.00 €.

    Kondicioner/ klimë (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë), vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet përqind (40%) e vlerës investive, apo deri në 400.00 €. Për prindërit vetushqyes gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet gjashtëdhjetë përqind (60%) e vlerës investive dhe deri në 550.00 €.

    Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 1200.00 €.

    Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është shtatëdhjetë përqind (70%) e vlerës investive dhe deri në 435.00 €. Për prindërit vetushqyes nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II) subvencionohet nëntëdhjetë përqind (90%) e vlerës investive dhe deri në 560.00 €.

    Pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes nuk do të subvencionohen.

    Afati për aplikim është gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike, nga dita që hapet thirrja, pra deri më datën 22 nëntor 2023.

    Ata qe kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente të thirrjes publike Nr.02/2022, më datë 06.10.2022, ose thirrjes publike Nr. 03/2022, më datë 18.11.2022, nuk kanë të drejtë aplikimi për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të kësaj thirrje.

    Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://ekosova.rks-gov.net/472

    Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun:

    https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/09/Thirrje-publike-Investimi-ne-pajisje-ngrohese-eficiente.pdf

    Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: [email protected]

    Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.

  • Dalin foto të reja të Lulzim Hetemit nga një mbledhje në Komunën e Leposaviqit

    Dalin foto të reja të Lulzim Hetemit nga një mbledhje në Komunën e Leposaviqit

    Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka publikuar fotografi të reja të kryetarit të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi që nga maji është i ngujuar brenda objektit të komunës.

    Nga maji, ai paraqitjet publike i ka pasur të rralla.

    Vokrri tha se me Hetemin kanë mbajtur mbledhje teksa shtoi se kanë marrë edhe vendime.

    “Patëm kënaqësinë të jemi të jemi mysafirë në mesin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Leposaviqit z. Lulzim Hetemi gjatë mbledhjes së radhës e cila zgjati deri në mbrëmje. Vendimet e rëndësishme e të qëndrueshme mirren bashkë.

    Qytetarët e Leposaviqit do të kenë qeverisje serioze siq nuk e kanë pasur më parë, në shërbim të tyre”, tha ai.

  • Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Dita Ndërkombëtare Pa Makina – qytetarët me biçikleta e trotinetë e shfrytëzojnë sheshin deri te rrethi i Flamurit

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, OJQ-në “Marakli t’biçiklave”, kanë shënuar “Ditën Ndërkombëtare Pa Makina”, raporton EO.

    Me këtë rast në kryeqytet nga ora 10:00 deri në orën 15:00 është mbyllur edhe rruga për qarkullim të veturave rruga “Dëshmorët e kombit” nga bulevardi “Xhorxh Bush”, deri te Rrethi i Flamurit.

    E qytetarët e pranishëm kanë mundësi të marrin pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund rrethi i Flamurit.

  • AKB: Mbi 250 mijë bashkatdhetarë ishin gjatë verës në Kosovë, shpenzuan 750 milionë euro

    AKB: Mbi 250 mijë bashkatdhetarë ishin gjatë verës në Kosovë, shpenzuan 750 milionë euro

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka mbajtur konferencë për medie me temën: “Kontributi ekonomik i Diasporës Kosovare, Vera 2023”. Gjithashtu ka prezantuar studimi hulumtues rreth efektit ekonomik të diasporës për periudhën 15 qershor deri më 15 shtator, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i AKB-së, Agim Shahini, tha se në këtë periudhë në Kosovë kanë ardhur mbi 250 mijë bashkatdhetarë, të cilët gjatë qëndrimit dy javor të tyre kanë shpenzuar rreth 2 750 euro.

    Sipas tij, 1 000 deri 3 000 euro shpenzuan 55% e tyre, 3 000 deri në 5 000 35% dhe mbi 5 mijë 5% e mërgimtarëve, duke sqaruar se të gjitha shpenzimet kapin vlerën e 750 milionë eurove.

    Shahini pohoi se në pushime, dasma, fejesa dhe ahengje shkuan rreth 55% e këtyre mjeteve, patundshmëri e meremetim rreth 30% dhe të tjera 15%.

    “Ishin mbi 250 mijë bashkatdhetarë erdhën së paku një herë në Kosovë. Ata që vijnë në javë në muaj janë rreth 1 milion”.

    “Ata qëndruan përafërsisht 2 javë. Ata thanë se kanë shpenzuat 1 000 deri 3 000 euro 55% e tyre, 3 000 deri në 5 000 35%, mbi 5 mijë 5%. Mërgata shpenzoi 2 750 euro përafërsisht në Kosovë gjatë qëndrimit në Kosovë. 750 milionë shpenzoi para kesh në Kosovë këtë verë, kjo është infuzioni më i madh i dhënë ekonomisë”.

    “Por ku shkuan këto para, shkuan në pushime, dasma, fejesa dhe ahengje rreth 55%, patundshmëri e meremetim rreth 30%, të tjera 15%. Ata mbeten fuqia e vetme që bënë shpenzime të mëdha në Kosovë. 2.5 miliardë euro në vit llogaritet se sjellin këtu duke përfshirë të gjitha dërgesat, makinat, investime edhe pret kesh kur ata vijën në Kosovë”.

    Lumnije Ajdini, nga AKB-ja tha se diaspora meriton më shumë vëmendje nga institucionet në mënyrë që mjete e tyre të përdoren edhe për investime, raporton EO.

  • Rama: 325 familje kanë aplikuar për 70 euro subvencionim për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe, kemi ndarë 100 mijë euro

    Rama: 325 familje kanë aplikuar për 70 euro subvencionim për t’i regjistruar fëmijët në çerdhe, kemi ndarë 100 mijë euro

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se 325 familje kanë aplikuar për të përfituar 70 euro subvencionim nga komuna për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe.

    Për këtë qëllim, Rama ka thënë se janë ndarë 100 mijë euro, përkatësisht 125 fëmijë do të mund të regjistrohen në çerdhe falë ndihmës prej 70 euro.

    Aplikimet do të shqyrtohen gjatë javës tjetër.

    “325 familje kanë aplikuar për të përfituar 70 euro subvencionim nga Kryeqyteti për regjistrimin e fëmijëve në Institucione Parashkollore Private. Kemi ndarë 100.000 euro, që i bie 125 fëmijë do të mund të regjistrohen në çerdhe falë ndihmës prej 70 euro nga Kryeqyteti.📆Javën tjetër do të shqyrtohen aplikimet📝e më pas do të publikohet lista e përfituesve. Shumë i lumtur që po e realizojmë edhe një premtim tjetër të fushatës✅”, ka shkruar Rama.

  • Shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare të ZRrE-së

    Shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat financiare të ZRrE-së

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022.

    Në raport të auditimit të paraqitur nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi doli më pah se auditori ka theksuar tri parregullsi në ZRrE.

    Sipas saj, në raport potencohet se ZRrE-ja nuk ka inkasuar taksat vjetore për disa vite dhe nuk e ka bërë regjistrimin e pasurisë për vitin 2022.

    Mirëpo këtë të fundit e arsyetoi drejtori i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu me krizën energjetike, derisa tha se mosinkasimi i taksës vjetore është për Termokosin.

  • Diplomojnë 302 rekrutë të rinj të FSK-së, Maqedonci: Shërbeni atdheut dhe qytetarëve të Kosovës

    Diplomojnë 302 rekrutë të rinj të FSK-së, Maqedonci: Shërbeni atdheut dhe qytetarëve të Kosovës

    Ka diplomuar gjenerata 01-2023 në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, ku 302 rekrutë të rinj iu shtuan Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me rastin e ceremonisë së diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se formësimi i tyre si ushtarak fillon sot, dhe nuk duhet të përfundojë asnjëherë.

    Maqedonci, theksoi se duhet shërbyer me vullnet dhe gatishmëri për atdheun dhe qytetarët e Kosovës.

    “Pesha e uniformës që mbani sot veshur është e rëndë, se të shumë rënda e të vështira ishin vitet kur Ademi e Hamza, Zahiri e Luani, Agim Ramadani, e mijëra dëshmorë të tjerë sfidonin vdekjen duke përqafur luftën për jetë dhe liri”, u shpreh Maqedonci.

    “Formësimi i juaj si ushtarak fillon këtu, dhe nuk duhet të përfundojë asnjëherë, siç nuk duhet të përfundojë vullneti dhe gatishmëria e juaj për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve të vendin tonë”.