ATV

Category: Lajme

  • PDK e vonon publikimin e listës, zbulohen pesë emrat e kandidatëve nga Suhareka

    PDK e vonon publikimin e listës, zbulohen pesë emrat e kandidatëve nga Suhareka

    Kryetari i degës së PDK-së në Suharekë, Dardan Berisha, ka zbuluar pesë kandidatët e nominuar nga kjo degë për përfshirje në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

    I rendituri më së larti nga pesë të nominuarit është ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili do të mbajë numrin dhjetë në listën e PDK-së, ka bërë të ditur Berisha.

    Në njoftimin e publikuar në rrjetin social Facebook, Berisha ka thënë se katër të tjerët janë: Skender Hoxha, Sevdie Hoxha, Arben Gega dhe Shaip Kadrijaj.

    Kadrijaj, anëtar i PDK-së me origjinë nga Suhareka, përfaqëson diasporën.

  • Deda kritikon partitë kryesore: Po i rikandidoni ata që kanë vjedhë vota, faj ka ky milet që duan me ia nxjerrë sytë njani-tjetrit për ju

    Deda kritikon partitë kryesore: Po i rikandidoni ata që kanë vjedhë vota, faj ka ky milet që duan me ia nxjerrë sytë njani-tjetrit për ju

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka kritikuar partitë kryesore në vend, LVV, LDK dhe PDK se po i rikandidojnë personat të cilët kanë qenë të përfshirë në “vjedhje të votave”.

    Deda ka thënë se fajet i ka populli i Kosovës të cilët “duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit” për politikë.

    “PDK, LDK e LVV i rikandidojnë njerëzit që kanë manipulu me vota me 28 dhjetor.

    Aman mos flisni për shtet ligjor e drejtësi kur të kundërtën po e bëni ju vetë.

    Po s’keni faj ju, po ky milet që ju përcjellë e do me ja nxjerrë sytë njëri tjetrit për juve”, ka shkruar ai.

  • Hantavirusi, Macron thotë se situata është ‘nën kontroll’ në Francë dhe bën thirrje për koordinim evropian

    Hantavirusi, Macron thotë se situata është ‘nën kontroll’ në Francë dhe bën thirrje për koordinim evropian

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha të martën se situata në lidhje me hantavirusin është “nën kontroll” në Francë, dhe bëri thirrje për një koordinim të fortë evropian në një përpjekje për të përmbajtur virusin.

    “Qeveria ka marrë vendimet e duhura. Situata është nën kontroll nën autoritetin e saj, falë punonjësve tanë të kujdesit shëndetësor”, tha Macron gjatë një konference për shtyp në Nairobi në mbyllje të samitit Africa Forward.

    Parisi – së bashku me Madridin dhe disa vende të tjera – kishte vënë në vend “një nga protokollet më të rrepta”, bazuar në rekomandimet e ekspertëve dhe përvojën e kaluar, pohoi kreu i shtetit francez, transmeton Telegrafi.

    “Tani, është e rëndësishme të ketë një koordinim të vërtetë evropian, që do të thotë se protokollet duhet të lëvizin drejt standardeve më të kërkuara që janë përcaktuar në një afat shumë të shkurtër dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të jetë në gjendje të koordinojë të gjitha këto siç duhet në fazat e ardhshme”, shtoi ai.

    Duke folur në Asamblenë Kombëtare të martën, Ministrja e Shëndetësisë e Francës, Stéphanie Rist tha se nuk kishte “asnjë provë” të qarkullimit të gjerë të llojit të Andeve të hantavirusit në territorin kombëtar dhe se zyrtarët ishin relativisht të sigurt se virusi nuk kishte pësuar mutacion.

    Të gjitha rastet pozitive të identifikuara deri më tani kanë qenë ekskluzivisht pasagjerë të anijes turistike, shtoi Rist.

    Në Francë, të 22 rastet e kontaktit janë kontaktuar, testuar, shtruar në spital ose janë “në proces” të shtrimit në spital, sipas qeverisë.

    Megjithatë, një grua franceze e infektuar në shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit në anijen turistike, mbetet në gjendje kritike dhe po trajtohet në Paris me një mushkëri artificiale.

    Gruaja ka një formë të rëndë të sëmundjes që shkaktoi probleme kërcënuese për jetën në mushkëri dhe në zemër, tha Dr. Xavier Lescure, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Bichat.

    Pacientja është në një pajisje mbështetëse për jetën që pompon gjak përmes një mushkërie artificiale, duke i siguruar asaj oksigjen dhe duke e kthyer atë në trup, shtoi Lescure.

    “Situata është mjaft e pazakontë dhe e pashembullt”, vërejti epidemiologu Antoine Flahault, “prandaj autoritetet shëndetësore po marrin masa shumë të forta” përballë pasigurisë që rrethon virusin.

    Në të kaluarën, disa viruse janë përhapur nga vende shumë të largëta ku ka infrastrukturë të kufizuar të mbikëqyrjes shëndetësore, në vend që të përhapen nga një “anije që transporton 147 persona”, ku autoritetet mund të identifikojnë rastet pozitive dhe të gjurmojnë kontaktet në mënyrë efektive.

    Epidemiologu e karakterizoi virusin si një “sëmundje tropikale të lënë pas dore”. /Telegrafi/

  • E rëndë në Shkodër, i riu hidhet nga pallati, humb jetën

    E rëndë në Shkodër, i riu hidhet nga pallati, humb jetën

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Shkodër, ku një i ri ka humbur jetën pasi dyshohet se është hedhur nga një pallat në lagjen Rus.

    Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Deri më tani nuk dihen shkaqet e ngjarjes, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

    Lapsi.al shkruan se i riu ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. Policia vijon hetimet dhe pritet të japë informacion zyrtar në vijim.

  • Kontrollohen mbi 5 mijë kamionë e autobusë, shqiptohen mbi 400 gjoba

    Kontrollohen mbi 5 mijë kamionë e autobusë, shqiptohen mbi 400 gjoba

    Policia e Kosovës ka thënë se ka përmbyllur me sukses javën e aktiviteteve operacionale në kuadër të rrjetit evropian të policive rrugore, ROADPOL, duke fokusuar kontrollet tek mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve.

    Në periudhën prej 4 deri më 10 maj 2026, njësitë e trafikut kanë shtuar prezencën në të gjitha akset rrugore të vendit me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve.

    Sipas njoftimit, gjatë kësaj jave janë realizuar gjithsej 834 pika kontrolli të mjeteve, ku janë ndaluar dhe verifikuar 5,344 kamionë dhe autobusë.

    “për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar 416 gjoba për kundërvajtje të ndryshme”, tha Policia në njoftim.

    “Ky plan operacional ka pasur për fokus specifik kontrollin e rreptë të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, si kategori me rrezikshmëri të lartë në rastet e aksidenteve rrugore”, njoftoi Policia.

  • Këto janë katër partitë që ende nuk i kanë dorëzuar listat për zgjedhjet e 7 qershorit

    Këto janë katër partitë që ende nuk i kanë dorëzuar listat për zgjedhjet e 7 qershorit

    Katër subjekte politike ende nuk i kanë dorëzuar listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të parapara të mbahen më 7 qershor 2026.

    Sipas tabelës së publikuar me subjektet politike dhe numrin e kandidatëve, partitë që aktualisht figurojnë me shenjën “/”, që nënkupton se listat nuk janë dorëzuar ende, janë:

    YENİLİKÇİ TÜRK HAREKET PARTİSİ
    KOSOVSKI SAVEZ
    Partia Balliste – P.B
    PARTIA QYTETARE PËR MIRËQENIE SOCIALE
    Ndërkohë, partitë e tjera tashmë kanë dorëzuar listat me kandidatët e tyre, ku numri total i kandidatëve të regjistruar deri më tani ka arritur në 917, prej tyre 603 meshkuj dhe 314 femra.

  • 917 kandidatë për deputetë, Elezi: 23 subjekte politike dorëzuan listat, 4 parti jo

    917 kandidatë për deputetë, Elezi: 23 subjekte politike dorëzuan listat, 4 parti jo

    KQZ-ja ka pranuar listat me 917 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ndërsa katër parti politike që kishin njoftuar pjesëmarrjen nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se më 12 maj është përmbyllur afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike që synojnë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 12 maj 2026 është përmbyllur afati për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

    Elezi bëri të ditur se gjatë periudhës 2-12 maj, KQZ-ja ka pranuar listat nga 23 subjekte politike.

    “Gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga: 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë”, tha ai.

    Sipas tij, numri total i kandidatëve të propozuar është 917, prej tyre 603 burra dhe 314 gra, ndërsa procesi i certifikimit pritet të përfundojë deri më 15 maj.

    “Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike, është 917, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra. Sipas planit të miratuar më herët nga KQZ, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj, por paraprakisht, do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin detyrimet”, tha ai.

    Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

  • Kroacia dëbon një tjetër serb, kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’

    Kroacia dëbon një tjetër serb, kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’

    Një shtetas serb është gjobitur dhe dëbuar nga Kroacia për dy vjet për shkak se kishte veshur një bluzë me simbole që lëvdonin idetë e ‘Serbisë së Madhe’ në pikën kufitare të Nova Selës.

    Kjo ndodhi të dielën në mbrëmje në pikën kufitare të Nova Selës, njoftoi Departamenti i Policisë së Qarkut Dubrovnik-Neretva.

    Burri mbërriti në pikën kufitare të Nova Selës në orët e mbrëmjes së 10 majit si pasagjer në një makinë. Gjatë kontrollit kufitar dhe procedurës për marrjen e të dhënave biometrike, oficerët e policisë vunë re se ai mbante veshur një bluzë me mbishkrime dhe simbole që sipas njoftimit, lavdërojnë idetë e ‘Serbisë së Madhe’.

    “Për prishjen e rendit dhe qetësisë publike duke shfaqur një simbol në një vend publik, duke shkelur kështu Ligjin për Veprat Kundër Rendit dhe Qetësisë Publike, një burrë 32-vjeçar u arrestua dhe bluza në fjalë iu konfiskua. Pas arrestimit, burri u soll në Departamentin e Kundërvajtjeve të Gjykatës Komunale në Metković me një aktakuzë. Gjykata e shpalli fajtor dhe vendosi një gjobë përfundimtare prej 2,000 eurosh”, raporton Index.hr.

    Ndalim hyrjeje për dy vjet

    Bazuar në vendimin e gjykatës, policia e Metković-it gjithashtu kreu procedurat sipas Ligjit për të Huajt dhe i lëshoi ​​atij një vendim për ta dëbuar nga Zona Ekonomike Evropiane (EEA). Atij iu ndalua gjithashtu hyrja dhe qëndrimi në Republikën e Kroacisë për dy vjet, dhe pasi vendimi u bë i formës së prerë, atij iu refuzua hyrja në vend.

    Si kujtesë, një burrë u dëbua nga Kroacia në fillim të majit për shkak se valëviti flamurin e Republikës Srpska në ballkonin e një hoteli.

    Policia kroate deklaroi në atë kohë se sjellja e tij kishte shkaktuar “ankth publik”.

  • Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë – Policia njofton për mbi 60 aksidente e 35 të arrestuar

    Mbi 2400 gjoba trafiku për 24 orë – Policia njofton për mbi 60 aksidente e 35 të arrestuar

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2415 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, raportohet të kenë ndodhur 43 aksidente me dëme materiale, e 22 me të lënduar.

    Po ashtu, shtohet se, janë arrestuar 35 persona, ku 17, janë dërguar në mbajtje.

  • Mbretëria e Bashkuar premton avionë, dronë dhe anije për misionin në Ngushticën e Hormuzit

    Mbretëria e Bashkuar premton avionë, dronë dhe anije për misionin në Ngushticën e Hormuzit

    Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të kontribuojë me dronë, aeroplanë luftarakë dhe një anije luftarake në një mision të përbashkët që synon mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.

    Ministri i Mbrojtjes, John Healey, ka bërë të ditur paketën e re të masave gjatë një samiti virtual të ministrave të mbrojtjes të martën.

    Ajo përfshin sisteme autonome për zbulimin dhe pastrimin e minave detare, anije me dronë dhe aeroplanë Typhoon për patrullime ajrore.

    Më shumë se 40 vende të tjera janë të përfshira në mision, i cili, sipas Healey, do të fillojë kur të krijohen kushtet.

    Për muaj të tërë, Irani ka kontrolluar Ngushticën e Hormuzit, një nga kanalet më të ngarkuara të transportit të naftës në botë, në hakmarrje për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

    SHBA-të, nga ana e tyre, kanë zbatuar një bllokadë të porteve iraniane për të ushtruar presion mbi Teheranin që të pranojë kushtet e tyre, një veprim që ka zemëruar Iranin.

    Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon përmes kësaj rruge ujore, bllokimi i së cilës ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale.

    Një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit është në fuqi që nga prilli, por presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ai është në “mbështetje masive të jetës”.

    Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e sulmeve në ngushticë.

    SHBA-ja ka përdorur armë në vlerë prej 24 miliardë dollarësh në luftën me Iranin.

    Më shumë se 1,000 personel britanik janë vendosur tashmë në rajon si pjesë e operacioneve ekzistuese mbrojtëse, përfshirë ekipe kundër dronëve dhe skuadrilje aeroplanësh të shpejtë, ka bërë të ditur ministria.

    Ministria e Mbrojtjes ka thënë se misioni shumëkombësh, i cili u njoftua muajin e kaluar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, është rreptësisht mbrojtës dhe synon të rivendosë besimin për anijet tregtare përgjatë Ngushticës së Hormuzit.

    Ajo ka bërë të ditur se kontributi mbështetet nga 115 milionë funte fonde të reja për dronë gjuetie minash dhe sisteme kundër dronëve.

    “Me aleatët tanë, ky mision shumëkombësh do të jetë mbrojtës, i pavarur dhe i besueshëm”, ka thënë Healey në një deklaratë.

    Sipas planit, HMS Dragon, shkatërruesi i mbrojtjes ajrore që është tashmë në rrugën e tij drejt Lindjes së Mesme, gjithashtu do të “jetë gati për çdo mision” për të siguruar ngushticën, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes.

    Ajo shton se një anije tjetër britanike, RFA Lyme Bay, po pajiset me pajisje të reja në rast se kërkohet për operacionet në ngushticë.

    Njoftimi vjen ndërsa Healey i ofroi mbështetje Keir Starmer, në një kohë kur dhjetëra deputetë laburistë i kanë bërë thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen.