ATV

Category: Lajme

  • Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara

    Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, të publikuara të mërkurën, deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar 67,685 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 61,500, ndërsa 5,858 janë refuzuar dhe 301 janë ende në shqyrtim.

    Nga aplikimet e aprovuara, 14,566 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,605 kanë zgjedhur të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 45,329 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë vendit.

  • Osmani e Abdixhiku nesër do të jenë në Pejë, Muhaxheri: Ju mirëpresim

    Osmani e Abdixhiku nesër do të jenë në Pejë, Muhaxheri: Ju mirëpresim

    Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë të ditur se nesër, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe ajo për presidente Vjosa Osmani do të jenë në Pejë.

    Muhaxheri, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë.

    ‘’Nesër, e enjte, në ora 11:00, në Hotel Dukagjini, Salla e Madhe, mirëpresim kandidatin për Kryeministër, z. Lumir Abdixhiku, dhe kandidaten për Presidente, znj. Vjosa Osmani.

    Ju mirëpresim!’’, ka shkruar Muhaxheri.

  • Ukraina rifillon sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve ruse të naftës

    Ukraina rifillon sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve ruse të naftës

    Ukraina ka rifilluar sulmet me dronë ndaj rafinerive dhe porteve të naftës në Rusi të mërkurën, dy ditë pasi ka skaduar armëpushimi tre-ditor i propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

    Kievi ka synuar infrastrukturën ruse të naftës me qëllim të uljes së të ardhurave të Moskës nga sektori i energjisë dhe dëmtimit të kapaciteteve të saj ushtarake, ndërsa lufta katërvjeçare vazhdon.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur të mërkurën se 286 dronë ukrainas janë kapur dhe shkatërruar mbi rajonet ruse gjatë natës.

    Në rajonin jugor të Krasnodarit, fragmente të një droni kanë rënë pranë një objekti industrial, duke shkaktuar zjarr në fshatin Volna, ku ndodhen produktet e naftës të portit Taman dhe terminale të tjera, kanë bërë të ditur autoritetet rajonale.

    Ndërkohë, mbetjet nga një sulm tjetër me dron ukrainas kanë shkaktuar zjarr në një fabrikë përpunimi gazi, e cila prodhon edhe karburant, në rajonin jugor të Astrakhanit në Rusi, sipas autoriteteve lokale.

    “Të gjithë avionët armik u rrëzuan ose u neutralizuan nga sistemet e luftës elektronike”, ka shkruar në Telegram guvernatori lokal, Igor Babushkin.

    Fabrika ndodhet pranë Detit Kaspik, rreth 1,675 kilometra nga kufiri ukrainas.

  • KQZ anulon tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, nuk ofertoi asnjë kompani

    KQZ anulon tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, nuk ofertoi asnjë kompani

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Arsyeja e anulimit të tenderit, sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurorimi, është mospranimi i asnjë oferte.

    “Nuk kemi pranuar asnjë ofertë”, thuhet në njoftim.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 284 mijë e 506 euro dhe ishte planifikuar të jepet me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

    Afati për dorëzim të ofertave ka qenë dje.

  • U arrestua për ngacmim ndaj 21-vjeçares, mjeku përfundon në spital

    U arrestua për ngacmim ndaj 21-vjeçares, mjeku përfundon në spital

    Mjeku kirurg , Nikoll Nunka që u arrestua për ngacmim seksual nga një 21 vjeçare, mësohet se ndodhet në spitalin e Korçës pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.

    Sipas informacioneve, mjeku ka patur më herët probleme nga zemra dhe nuk është ndjerë mirë në ambientet e komisariatit ku është dërguar në urgjencë për kontroll.

    Pas vizitës, nga ekg-ja e zemrës ka rezultuar që ka probleme dhe kardiologu ka vendosur që Nunka të mbahet në spital i shtruar.

    Kirurgu po mbahet në monitorim ndërsa do të shihet në vijim edhe për masën e sigurisë të caktuar për ditën e nesërme nëse do të zhvillohet në ambientet e spitalit

  • Paralajmëron Ukraina: Nuk bëjmë lëshime territoriale për një marrëveshje paqeje me Rusinë

    Paralajmëron Ukraina: Nuk bëjmë lëshime territoriale për një marrëveshje paqeje me Rusinë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibiha, deklaroi se kushti kryesor i Kievit për çdo marrëveshje paqeje me Rusinë është mospranimi i asnjë lëshimi territorial lidhur me vijën aktuale të frontit.

    Gjatë konferencës së sigurisë të organizuar nga Instituti Polak i Marrëdhënieve Ndërkombëtare (PISM) në Varshavë, Sibiha theksoi se Ukraina kërkon një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke përjashtuar çdo kompromis mbi sovranitetin kombëtar.

    “Ukraina nuk do të pranojë asnjë formulë apo iniciativë që nënkupton lëshime ndaj integritetit dhe sovranitetit tonë territorial”, deklaroi shefi i diplomacisë ukrainase.

    Deklarata e tij vjen në një kohë kur po shtohen diskutimet ndërkombëtare për mundësinë e negociatave mes Kievit dhe Moskës për përfundimin e luftës që vazhdon prej më shumë se dy vitesh.

    Qëndrimi i Ukrainës mbetet i pandryshuar: çdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë kufijtë dhe integritetin territorial të vendit.

  • Haradinaj kujton masakrën e Korishës: Liria jonë në themel i ka ata që u flijuan për liri

    Haradinaj kujton masakrën e Korishës: Liria jonë në themel i ka ata që u flijuan për liri

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar 77 civilët e vrarë në masakrën e Korishës së Prizrenit dhe fshatrave përreth, ku pushtuesit nuk kursyen as 14 fëmijë të kësaj ane.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se edhe sot, pas më shumë se dy dekadash, shteti serb nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet kundër popullit shqiptar.

    Ai shtoi se liria e Kosovës në themel i ka heronjtë e kombit, martirët, gjithë ata që janë flijuar për liri ndër breza.

    “Në 45-vjetorin e rënies, kujtojmë heroizmin e familjes Meha në Prekaz. Me nder e respekt, përulemi para trimërisë së Tahir e Nebih Mehës, që ranë në përballje të pabarabartë me qindra forca jugosllave. Rezistencën dhe trimërinë e Tahirit dhe Nebihut, e pasoi UÇK-ja për dëshmi para historisë, se ka kush i del zot atdheut, sakrificë që u kurorëzua me liri dhe shtet të pavarur. I përjetshëm kujtimi për të rënët!”, shkroi ai.

  • Zhytësit e FSK-së u bashkohen kërkimeve për gruan e zhdukur në Deçan

    Zhytësit e FSK-së u bashkohen kërkimeve për gruan e zhdukur në Deçan

    Kërkimet për 55 vjeçaren që u shpall dje e zhdukur në Deçan po vazhdojnë.

    Kjo u konfirmua nga Deni Hameli i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit Malor.

    Hameli njoftoi se operacioni do t’i bashkangjitet edhe FSK-ja.

    “Nuk kemi ndonjë gjurmë. E kemi bërë kërkmin sipërfaqësor të terrenit rreth lumit, nuk ka pasur asgjë. Më pas e kemi ndërtuar një urë me litarë, ku më pas jemi munduar me shufra të kontrollojmë në ujë.”, theksoi Hameli për Klan Kosovën

    “Atje janë duke shkuar edhe zhytësit e FSK-së dhe pastaj të shohim se si do të kombinohemi, pasi që aty aktualisht është e pamundur të hyjmë në ujë pasi që rrjedha e ujit është tejet e shpejtë”, shtoi ajo.

  • “A je gjallë”, ironia e Osmanit ndaj Pecit në Mitrovicë

    “A je gjallë”, ironia e Osmanit ndaj Pecit në Mitrovicë

    Dikur pjesë e së njëjtës frymë politike, por sot raportet mes Vjosa Osmanit dhe Faton Pecit kanë pësuar ndryshim.

    Dy figurat politike janë parë të mërkurën në një restorant në Mitrovicë, ku Osmani iu drejtua Pecit me fjalët “Ku je z. kryetar, a je gjallë, a je mirë?”, një komunikim që flet shumë për raportin aktual mes tyre, raporton Paparaci.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, Osmani është bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente, ndërsa Peci, kryetar i Mitrovicës, vazhdon bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ish-anëtarë të partisë Guxo kanë deklaruar se Peci ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të Osmanit, sidomos pas mosmbështetjes nga Lëvizja Vetëvendosje për një mandat tjetër në krye të presidencës.

    Vjosa Osmani bashkë me Faton Pecin dhe Donika Gërvallën u larguan nga LDK-ja dhe themeluan Guxo, atëherë një frymë e re politike.

    Më vonë Guxo u bashkua me LVV-në, ku Vjosa Osmani u bë presidente.

    Raportet mes Osmanit, Gërvallës dhe Pecit shpesh janë parë si simbol i bashkëpunimit të ngushtë politik. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrjedhën e këtij raporti.

    Pas mosmbështetjes së Osmanit nga LVV, ajo në këto zgjedhje u bashkua me LDK-në, ndërsa Gërvalla dhe Peci vazhdojnë rrugëtimin me Vetëvendosjen.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit, publikohet lista e PDK-së

    Zgjedhjet e 7 qershorit, publikohet lista e PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se lista e partisë ku ai e udhëheq, është e përbërë me profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.

    Përveç listës, Hamza tha se në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët.

    “Kjo është lista jonë. Profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.

    Në këtë listë ka energji të re, por edhe përvojë. Njerëz që besojnë se Kosova meriton më shumë dhe më mirë. Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj.

    Përveç listës, në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët.

    Më 7 qershor, ju do ta keni edhe një mundësi për të vendosur për të ardhmen e vendit, ndërsa thirrja ime është e përzemërt: Besoni në Kosovë!”, ka shkruar Hamza në Facebook.