ATV

Category: Lajme

  • Tre burra dhe një grua gjermane arrestohen në Graçanicë, u kapën me drogë

    Tre burra dhe një grua gjermane arrestohen në Graçanicë, u kapën me drogë

    Janë arrestuar në Graçanicë tre shtetas kosovarë, dhe një femër shtetase gjermane, pasi që gjatë kontrollit të veturës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e marihuanës.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Graçanicë / 12.05.2026 – 23:07. Janë arrestuar tre meshkuj kosovarë dhe një femër Gjermane, pasi që gjatë kontrollit të veturës së tyre janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancave narkotike të llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

  • Hajdari e akuzuar, Azemi i dënuar – të dy në listën e Albin Kurtit

    Hajdari e akuzuar, Azemi i dënuar – të dy në listën e Albin Kurtit

    Aktakuza e konfirmuar ndaj ish-ministres së Albin Kurtit, Rozeta Hajdarit dhe dënimi ndaj ish-deputetit të VV-së, Egzon Azemi, nuk e ka ndalur shefin e kësaj partie që të përfshihen në listën për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për skandalin me rezerva shtetërore. Aktakuza ndaj saj është konfirmuar në mars të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i kishte refuzuar si “të pabazuara” kërkesat e avokatëve të të pandehurve lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjes poshtë të aktakuzës.

    Në anën tjetër, Azemi është shpallur fajtor në prill dhe bashkë me të edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, të cilët u dënuan për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

    Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte liruar nga akuza Manxhukën, ndërsa Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim.

    Por, po atë vit, në tetor, Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

    Kujtojmë se një nga frazat e përdorura në të kaluarën nga Albin Kurti, në kohë zgjedhjesh, që nuk ‘guxon’ më ta premtojë ishte që “Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza”.

  • Trump kërkon arrestimin e Obamës për ‘tradhti’

    Trump kërkon arrestimin e Obamës për ‘tradhti’

    Donald Trump ka sulmuar përsëri ish-Presidentin Barack Obama në një seri postimesh të vona në rrjetin e tij social Truth Social.

    Pardje, presidenti amerikan sulmoi kundërshtarët e tij në më shumë se 50 postime, dhe paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë u shënjestrua gjithashtu, shkruan Unilad.

    Në një nga postimet e ndara nga Trump, presidenti i 44-të i SHBA-së u quajt “forca më demoniake në politikën amerikane në dekada”.

    “Arrestojini të gjithë. Paditini të gjithë. Burgosini menjëherë për tradhti, tradhti të lartë dhe komplot për të përmbysur Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Por filloni me Barack Obamën”, postoi Trump.

    Presidenti gjithashtu ndau një pretendim nga një profil i MAGA që thotë se Obama ka sajuar prova të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, në të cilat Trump mundi Hillary Clinton. “Arrestoni tradhtarin Obama”, shkruhej në profil.

    Shumë nga postimet e tjera të Trump përsëritën pretendime të pabazuara se Obama përdori agjencitë federale për të spiunuar Trump para zgjedhjeve të vitit 2016, të cilat presidenti aktual i ka përshkruar si “krimi më i madh politik në historinë amerikane”.

    Postimet përfshinin klipe lajmesh, me sa duket nga viti i kaluar, që mbulonin publikimin e një raporti të vitit 2020 nga Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard. Ajo pretendoi se raporti tregonte se Obama qëndronte pas akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e vitit 2016 për të diskredituar Trumpin.

    Obama i quajti pretendimet “të çuditshme” dhe një “përpjekje të dobët për shpërqendrim”. Postime të tjera gjithashtu e akuzuan Obamën se ishte disi i përfshirë në përdorimin e një serveri privat email-i nga Hillary Clinton. Zyra e Obamës u pyet për koment.

  • Ish-deputeti i zëshëm, Driton Hyseni, ngelet jashtë listës së VV’së

    Ish-deputeti i zëshëm, Driton Hyseni, ngelet jashtë listës së VV’së

    Driton Hyseni, njëri nga deputetët më të zëshëm në mbrojtjen e qeverisjes së Kurtit, nuk është përfshirë në Lëvizjen Vetëvendosje.

    Hyseni, ndonëse u zgjodh deputet në legjislaturën e fundit, siç duket nuk i është mundësuar të garojë me LVV’në për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Arsyet nuk janë bërë të ditura, e as Hyseni s’ka dalë me ndonjë reagim sqarues për mos-përfshirjen e tij në listë.

    Ndonëse s’u përfshi në listë, Hyseni në një video të fundit u pa duke i bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen dhe të votojnë për zgjedhjet në Kosovë.

  • Mbeti jashtë listës, Dushi: Qëndrimi im rugovian mund t’u ketë penguar rrugën disa njerëzve

    Mbeti jashtë listës, Dushi: Qëndrimi im rugovian mund t’u ketë penguar rrugën disa njerëzve

    Nënkryetari i Prishtinës dhe kryetar i degës së dytë të Lidhjes Demokratike e Kosovës në kryeqytet, Florian Dushi, ka reaguar pasi ka mbetur jashtë listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Përmes një postimi publik, Dushi ka folur për rrugëtimin e tij politik në LDK dhe besnikërinë ndaj frymës rugoviane, duke thënë se mbase qëndrimet e tij mund të mos kenë qenë të përshtatshme për interesa të caktuara brenda partisë.

    “Kam mbetur palëkundur dhe besnik rrugës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe frymës së bashkëthemeluesve të LDK-së. Ndoshta pikërisht ky qëndrim iu ka penguar rrugën disa njerëzve dhe interesave të tyre”, ka shkruar Dushi.

    Ai ka theksuar se për afro tri dekada ka qenë pranë anëtarësisë dhe votuesve të LDK-së, duke e konsideruar besimin e tyre si përgjegjësinë më të madhe politike dhe njerëzore.

    “Kam qenë dhe do të mbetem një krah i fuqishëm e mbështetje e pandalshme për LDK-në – sepse dashnia për LDK-në duhet të jetë e pakushtëzuar për secilin që e do Kosovën, lirinë dhe demokracinë”, thuhet më tej në reagimin e tij.

  • Foshnja dyjavëshe dërgohet pa shenja jete në QKMF-në e Malishevës, Policia jep detaje

    Foshnja dyjavëshe dërgohet pa shenja jete në QKMF-në e Malishevës, Policia jep detaje

    Një foshnje dyjavëshe është dërguar pa shenja jete në QKMF-në e Malishevës.

    Rastin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Ai ka thënë se njësitet i janë përgjigjur rastit, si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “Hetim i vdekjes”.

    “Rreth orës 05:40, një foshnje (e lindur para dy javësh), nga familjarët është dërguar në QKMF në Malishevë pa shenja jete. Njësitet policore i janë përgjigjur rastit, si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “Hetim i vdekjes””, tha ai.

  • Dje deklaroi se Nait Hasani s’do të jetë në listë, sqarohet Shaqir Totaj

    Dje deklaroi se Nait Hasani s’do të jetë në listë, sqarohet Shaqir Totaj

    Shaqir Totaj ka dhënë detaje shtesë për futjen në listë të Nait Hasanit.

    Kjo pasi që Totaj dje kishte thënë në një deklaratë se Hasani nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhor të PDK-së.

    Por, sot Totaj ka dalë përsëri me një sqarim shtesë lidhur me këtë çështje.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Totaj ka shkruar se e ka obligim që opinionin publik ta informojë drejtë, duke treguar edhe listën e kandidatëve të propozuar nga dega e PDK-së, në Prizren.

  • Kërkuan dhe morën para nga qytetarët, arrestohen dy mjekë të spitalit në Vushtrri

    Kërkuan dhe morën para nga qytetarët, arrestohen dy mjekë të spitalit në Vushtrri

    Dy mjekë të dyshuar të spitalit në Vushtrri, me iniciale E.S. dhe V.R., janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

    Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Mitrovicës, e cila ndër të tjera njofton se sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari E.S. në tri raste, ndërsa i dyshuari V.R. në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për të ndaluarit.

  • Punimet në rrjetin e ujësjellësit: Pezullohet mësimi në shkollën “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit

    Punimet në rrjetin e ujësjellësit: Pezullohet mësimi në shkollën “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit

    Shkolla “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit ka pezulluar mësimin këtë të mërkurë, si pasojë e mungesës së ujit.

    Sipas njoftimit zyrtar, në këtë zonë janë duke u kryer punime në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, për çka kjo shkollë thotë se si pasojë e mosfurnizimit me ujë, po cenohet shëndeti i fëmijëve.

    Në njoftim u theksua se mësimi do të pezullohet deri sa të rregullohet rrjeti i ujit.

    “Të nderuar prindër me keqardhje ju njoftojmë se nesër me dt.13.5.2026 e mërkurë pezullohet mësimi në shkollën amë, pasi janë duke u kryer punime në rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, gjë e cila cenon shëndetin e fëmijëve, pra mungesa e ujit, andaj në bashkëkordinim me DKA kemi vendosur që mësimi të pezullohet deri sa të rregullohet rrjeti i ujit”, thuhet në njoftim.

  • SHBA ofron deri në 15 milionë dollarë për informacione mbi Gardën Revolucionare

    SHBA ofron deri në 15 milionë dollarë për informacione mbi Gardën Revolucionare

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që lidhen me dërgesat e naftës të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane dhe rrjetet që lehtësojnë aktivitetet e saj.

    Në një deklaratë të publikuar nga programi “Shpërblime për Drejtësi”, autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje personave që disponojnë informacione mbi transportet e naftës bruto, anijet cisternë të përfshira, kompanitë e përdorura apo individët e lidhur me transferimet e cilësuara si “të paligjshme”, që të bashkëpunojnë me autoritetet amerikane.

    Sipas Washingtonit, Irani prej kohësh përdor rrjete ndërkombëtare transporti dhe ndërmjetësimi për të shmangur sanksionet ekonomike të vendosura nga SHBA-ja dhe për të financuar aktivitete ushtarake si edhe grupe aleate në Lindjen e Mesme.

    Autoritetet amerikane kanë shtuar përpjekjet për të goditur financimin e strukturave të lidhura me Gardën Revolucionare, të cilën SHBA e konsideron organizatë terroriste.