ATV

Category: Lajme

  • Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari shqiptar Marin Mema përmes një njoftimi ka ftuar qytetarët atje për ndezje qirinjsh për nder të rreshterit të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, Afrim Bunjakut.

    Mema kërkoi nga qytetarët e Shqipërisë që të bëjnë homazhe te sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ta nderuar veprën e policit të ndjerë.

    “Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra!🇦🇱 Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai.

    “Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, përfundon postimi i tij.

    Kujtojmë se mbrëmë në Prishtinë u ndezën qirinj në nderim të rreshterit Bunjaku.

  • Policia e Kosovës bllokon të gjitha qasjet në Banjskë, Jarinje dhe Bërnjak

    Policia e Kosovës bllokon të gjitha qasjet në Banjskë, Jarinje dhe Bërnjak

    Në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit as sot në mëngjes nuk mund të hyhet e as të dilet.

    Të gjitha lëvizjet janë të bllokuara nga njësitet policore dhe nuk dihet ende se kur do të zhbllokohen.

    Të tria qasjet për në fshatin Banjskë, nga drejtimi i Zveçanit, Zubin Potok dhe nga rruga kryesore Mitrovicë-Leposaviq, janë të bllokuara.

    Vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për qarkullim.

    Situata në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak nuk ka ndryshuar, kështu qytetarët mund të largohen nga Kosova, si dje gjatë gjithë ditës, por në Kosovë nuk mund të hyjnë veturat e pasagjerëve dhe madje as këmbësorët.

  • Billboarda falënderues për Policinë e Kosovës shfaqën në ‘Times Square’ të New York-ut

    Billboarda falënderues për Policinë e Kosovës shfaqën në ‘Times Square’ të New York-ut

    Policia e Kosovës ka marrë mbështetje të madhe pas aksionit të djeshëm kundër terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit, ku fatkeqësisht mbeti i vdekur polici, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.

    Mesazhe falënderuese për Policinë e Kosovës kanë ardhur edhe nga New York-u.

    Në Times Square, në zemër të New York’ut janë shfaqur billboarda falënderues për Policinë e Kosovës.

    Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri -Afrim Bunjaku”, “Faleminderit heronjve tanë Policisë të Kosovës”, janë mesazhet që janë shfaqur në Times Square.

    Këto billboarde janë vendosur nga Platforma e patundshmërive, kompania shqiptaro-amerikane Tafingo, tashmë e njohur në komunitetin shqiptarë që gjithmonë për festen e Pavarësisë mbush sheshin e New Yorkut si dhe billlboarda të tjera nëpër Amerike me flamuj të Kosovës.

  • Vrasja e policit, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ul flamurin në gjysmështizë

    Vrasja e policit, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ul flamurin në gjysmështizë

    Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka ulur flamurin në gjysmështizë për t’u solidarizuar me Kosovën e cila sot është në zi për vdekjen e policit Afrim Bunjaku.

    “Kosova sot mban zi për vrasjen e një polici, i cili u vra në krye të detyrës gjatë një sulmi terrorist të kryer nga grupet kriminale të Serbisë në komunën e Zveçanit të Kosovës”, ka shkruar në një postim në X, Xhabir Hamiti, ambasador i Kosovës në këtë vend.

    Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe e ka ulur flamurin e Kosovës në gjysmështizë.

  • Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë. Ata dyshohen për katër vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit e njëra nga to është për vepra terroriste.

    Avokati, Arbër Jashri, i tha Ekonomia Online se veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë veprat më të rënda që parashihen në Kodin Penal.

    Ai ka sqaruar se legjislacioni ka paraparë dënime, nëse të arrestuarit shpallen fajtor më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm.

    “Veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë prej veprave më të rënda penale që i ka paraparë legjislacioni jonë penal, janë ato që e hapin Kodin Penal dhe për to janë paraparë dënime shumë të rënda”.

    “Personat që janë arrestuar po dyshohen për katër vepra penale, sulm ndaj rendit Kushtetues, vepra të rënda penale kundër rendit Kushtetues, përgatitja e veprave penale terroriste dhe vepra penale për armë mbajtje pa leje”.

    “Tek këto vepra të rënda kundër rendit Kushtetues, legjislacioni ka paraparë dënime të cilat vepra rezulton me vdekjen e ndonjë personi siç ka ndodhur dje, atëherë personat përgjegjës nëse shpallen fajtor do të dënohen ose mund të dënohet më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm”.

    Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

    Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Manastiri i Banjskës nën kontrollin e policisë, shihen edhe makinat e EULEX-it

    Manastiri i Banjskës nën kontrollin e policisë, shihen edhe makinat e EULEX-it

    Policia e ka në kontroll gjithë perimetrin edhe të Manastirit në Banjskë të Zveçanit por edhe të gjithë fshatit për shkak të pranisë së madhe të saj.

    Një grup i disa makinave të blinduara të EULEX-it ka shkuar atje, ndërkaq grupet e forenzikës janë duke e kryer punën e tyre,

    Për më tepër, një grup i pelegrinëve kanë ngelur gjatë gjithë kohës në manastir dhe ende janë aty.

  • Hoxhaj: Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun

    Hoxhaj: Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur mëngjesin e sotëm duke shpërndarë një fotografi të emblemës së Policisë së Kosovës, në nderim të policit Afrim Bunjaku. 

    Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar përulje dhe nderim për policin Afrim Bunjaku.

    “Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun!”, ka shkruar Hoxhaj derisa ka publikuar edhe një fotografi të emblemës së Policisë së Kosovës.

    Sot, dijmë që në Kosovë është shpallur ditë zie nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në nderim të policit të vrarë dje nga bandat terroriste serbe në veri të Mitrovicës, Afrim Bunjakut.

  • Edi Rama: Mirëmëngjes me përuljen me nderim për Afrim Bunjakun

    Edi Rama: Mirëmëngjes me përuljen me nderim për Afrim Bunjakun

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e sotme e ka nisur me një postim në Facebook.

    Ai ka nderuar me përulje policin e vrarë dje në Veri, Afrim Bunjaku.

    “Mirëmëngjes me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, ka shkruar ai.

  • Sot varroset polici Afrim Bunjaku

    Sot varroset polici Afrim Bunjaku

    Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot nga ora 16:00.

    Ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë, sipas faqes jozyrtare të këtij fshati në Facebook.

    “Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku. I njoftojmë të gjithë bashkëvendësit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendësi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thotë njoftimi në këtë faqe.

  • Lajçak shkruan për domosdoshmërinë e dialogut, s’e përmend faktin se sulmuesit e Policisë ishin terroristë serbë

    Lajçak shkruan për domosdoshmërinë e dialogut, s’e përmend faktin se sulmuesit e Policisë ishin terroristë serbë

    Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka bërë edhe një deklarim tjetër mbi zhvillimet e djeshme në veri ku nga grupet terroriste serbe, mbeti i vrarë një polic kosovar.

    Por, duke mos përmendur fare faktin se sulmi ndodhi nga grupet terroriste të palës serbe, Lajçak flet për domosdoshmërinë e dialogut parandalues të dhunës.

    ’’Me t’u kthyer nga Nju Jorku këtë mëngjes, më takoi lajmi tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e nivelit të lartë, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit.

    Takova gjithashtu gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, për të diskutuar mbi dinamikat rajonale. HR/VP Borrell organizoi gjithashtu një drekë tradicionale të Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar mesazhet tona për këtë javë në skenën globale.

    Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në Dialog, mbajta diskutime strategjike me partnerët tanë amerikanë.

    Këtë vit e vlerësova veçanërisht darkën me ish-kryetarët e Asamblesë së Përgjithshme dhe Presidentin aktual të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Ishte e mrekullueshme të kthehesha në OKB, por pas një jave të “takimit të shpejtësisë globale” ishte koha për t’u kthyer në Bruksel. Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara’’, ka shkruar ai.