ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Në ditë si këto, dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë

    Sveçla: Në ditë si këto, dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me vrasjen e policit Afrim Bunjaku, Kosova ka humbur një njeri dhe polic të mrekullueshëm.

    Në mbledhjen komemorative për nder të rreshteri Bunjaku, Sveçla ka thënë se përveç dhimbjes, ndjen edhe krenari për Bunjakun e se në ditë si këto dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë, raporton Ekonomia Online.

    “Jam sot para jush me ndjenjën e dhimbjes që kisha edhe në mëngjesin kur pranova lajmin e hidhur. Kësaj dhimbjeje që po e ndjej  po i shtohet edhe krenaria që e kishim fatin ta kemi reshterin Bunjaku në radhët tona”.

    “Guximi i pashembullt që këtë rrugë që e hapi që 22 vite është dhe duhet të jetë pasqyrë se duhet të punojmë më shumë për paqen dhe sigurinë. Dje humbëm një njeri të mirë, baba të mrekullueshëm, një polic të mrekullueshëm që u vra në luftën për Kosovën. Në ditë si këto dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë, Kosovën ta bëjmë vendin që ai ka dashur”, tha ai.

  • Vajza e policit të vrarë në Veri prek me fjalët për babain: Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush

    Vajza e policit të vrarë në Veri prek me fjalët për babain: Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush

    “Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush”, janë fjalët e vajzës së policit të vrarë dje në Veri të Kosovës, Afrim Bunjaku, të cilat i tha në mbledhjen komemorative në nderim të veprës së tij.

    Arbenita Bunjaku, 25 vjeçarja tutje vazhdoi duke thënë se “Ti flijove vetën për liri për këtë vend që ne dhe Kosova të jemi krenar me ty”.

    Polici i vrarë pas vetes ka lënë përveç vajzës edhe dy djemë dhe gruan.

  • Ambasadori gjerman: Athua a do të na bashkohet Lista Serbe kundër sulmit vrastar ndaj Policisë së Kosovës?

    Ambasadori gjerman: Athua a do të na bashkohet Lista Serbe kundër sulmit vrastar ndaj Policisë së Kosovës?

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i është drejtuar Listës Serbe, duke pritur një rreshtim të tyre kundër sulmit të djeshëm terrorist në Kosovë.

    Nga ky sulm terrorist mbeti i vdekur polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos një dhe u lënduan dy persona.

    “Sikurse krejt bota, edhe Kisha Ortodokse Serbe dënon ngjarjet e djeshme: Athua a do ta ndërpresë heshtjen e saj Lista Serbe dhe të na bashkohet në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës?”, ka shkruar Rohde në platëformën “X”.

  • Osmani e nderon me urdhrin “Hero i Kosovës” Afrim Bunjakun: Sulmi kishte për qëllim destabilizimin e rajonit

    Osmani e nderon me urdhrin “Hero i Kosovës” Afrim Bunjakun: Sulmi kishte për qëllim destabilizimin e rajonit

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka ndarë urdhrin post-mortum “Hero i Kosovës”, për policin e vrarë, Afrim Bunjaku, raporton Ekonomia Online. Ajo tha se Bunjakut, ka qenë gardian i sigurisë se Kosovës e prej sot është heroi Kosovës.

    E para e shtetit pohoi se heroizmi Bunajkut do të jetë frymëzim për të gjithë, duke bërë thirrje që të jemi të bashkuar, kundër terrorizmit.

    Osmani shtoi se sulmi i djeshëm kishte për qëllim që ta destabilizonte jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë rajonit. “Ra në mbrojte të dinjitetit të Republikës sonë, andaj sot në emër të qytetarëve tanë do t’i ndaj urdhrin, post-mortom, urdhrin më të lartë të Kosovës. Dje u sfiduan nga banda terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe ai bëri ata që duhet, mbrojte integritetin territorial dhe vuri dinjitetin”.

    “Ai tregoi trimëri të pa shoq. Heroizmi i tij lë të na frymëzoj që të jemi të gjithë të bashkuar, kundër terrorizim. Republikën e Kosovës nuk do të arrij askush ta gjunjëzoj deri sa Kosova ka heronj si Afrim Bunjaku”, tha ajo.

  • Çfarë po ndodh në veri, a pati incidente tjera? – Tregon gazetari i ATV-së direkt nga vendi i ngjarjes

    Çfarë po ndodh në veri, a pati incidente tjera? – Tregon gazetari i ATV-së direkt nga vendi i ngjarjes

    Policia e Kosovës edhe gjatë ditës së sotme është duke punën në hapësirat e Manastirit në Banjskë dhe për rreth saj, raporton gazetari i ATV-së, FATLUM Jashari, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, nga vendi i ngjarjes.

    Informacionet jozyrtare na thonë se Policia gjatë kryerjes së hetimeve sot ka hasur sërish në një makinë me armatim, por që saktësisht nuk e dihet lokacioni i makinës që është gjetur me armatim dhe municione.

    Paraprakisht, Policia e Kosovës mbrëmë deri orët e vona ka vazhduar punën për bartjen e automjeteve nga Banjska në drejtim të kampit të njësisë speciale në Mitrovicë të Jugut në kampin Belvedere, atje ku më vonë do të bëhet ekspozimi i të gjitha mjeteve të konfiskuara, të cilat janë përdorur nga grupi terrorist në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

    Në mesin e tyre janë parë edhe në fotografi që janë shfaqur, është një autoblindë, një mjet i blinduar që është i tipit policoro-ushtarak, por në këtë rast ngjan më shumë në atë të policisë edhe për shkak të ngjyrës së kaltër që ka.

    Po ashtu janë edhe një mori automjetesh të njohura si xhip, të cilat janë bartuar nga Banjksa dhe janë dërguar në bazën e njësisë speciale.

    Njësoj do të bëhet prezantimi i tyre bashkë me një sasi armatimi dhe municioni të cilat janë gjetur në Manastirin e Banjskës dhe hapësirat për rreth dhe po ashtu edhe armatimi dhe municionet që janë gjetur dje në afërsi të fshatit Rudar, bashkë me radiolidhjet, me ç’rast ishin arrestuar katër persona të cilët ishin duke i bartuar ato mjete e që dyshohet se të njëjtit janë të ndërlidhur me grupin terrorist që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. /atvlive.tv

  • Lajçak takon këshilltarët e Macron, Scholz dhe Meloni – në takim edhe Escobari

    Lajçak takon këshilltarët e Macron, Scholz dhe Meloni – në takim edhe Escobari

    Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohet gjatë ditës me këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, bëjnë të ditur burime nga Brukseli. Sipas këtyre burimeve, në takim do të jetë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Ky takim i jashtëzakonshëm pason një sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të dielën, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic. Sulmuesit janë të kombësisë serbe.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe se ka edhe të lënduar. Më vonë gjatë ditës, tre sulmues u vranë dhe gjashtë persona u arrestuan.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi i sulmuesve është “formacion terrorist dhe kriminal”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili iu drejtua publikut të dielën në mbrëmje, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se serbët e Kosovës u rebeluan “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

    Bashkësia ndërkombëtare e dënoi këtë sulm.

    Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion, dhe aktin si “terrorist”.

  • Dugolli: Vuçiqi nuk u distancua, ai përkrahu dhe u solidarizua me grupin terrorist

    Dugolli: Vuçiqi nuk u distancua, ai përkrahu dhe u solidarizua me grupin terrorist

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në emisionin A LIVE në ATV, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe pse mundohej të distancohet dhe fajin t’ua hedh serbëve të Kosovës, ai prapë nuk u distancua, por përkundrazi përkrahu dhe u solidarizua me aksionin e grupit terrorist.

    “Vuçiqi ndonëse në një far forme u distancu, mundohej të distancohej nga veprimi i djeshëm, por ai nuk u distancu, por përkundrazi e përkrahu aksionin e u solidarizu, por deshi prapë të instrumentalizojë qytetarët serbë të Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës, deshi t’i instrumentalizojë, pra fajin t’ua hedh atyre. Nuk kishte të bënte asgjë me qytetarë, ata ishin njerëz të stërvitur, të uniformuar me pajisje dhe armatim ushtarak, pra një demamtim i plotë i asaj që mundohej që Vuçiqi të paraqiste, e diçka që ka ndodh dhe ua ka prishë planet edhe Vuçiqit edhe Serbisë është se fatbardhësisht, qytetarët serbë, të cilat dua t’i falënderoj, dua t’ua njoh këto merita, nuk iu bashkëngjitën aksionit, gjë që ata kanë llogaritë, edhe ky grupi terrorist edhe Serbisë, kanë llogaritur që qytetarët serbë do t’i mbështesin këto veprime të këtij grupi terrorist gjë që nuk ndodhi”, tha Dugolli.

    Ai tha se ky ishte një skenar i Serbisë dhe Vuçiqit, i cili përfundimisht dështoi.

    “Pa dyshim se një skenar i Serbisë, i Vuçiqit dështoi përfundimisht, pra ishte një skenar të cilin e ka përgatitur, e ka planifiku dhe ekzekutu Serbia Zyrtare sepse është e pamundur që një
    formacion i tillë me kaq arsenal të madh të armatimit dhe pajisjeve të ketë pasur mundësi të zhvillohet në Kosovë pa mbështetjen dhe direktivat nga Serbia Zyrtare”, vlerësoi Dugolli. /atvlive.tv

  • Kurti s’deklarohet për medie pas takimit me emisarin gjerman

    Kurti s’deklarohet për medie pas takimit me emisarin gjerman

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është deklaruar për medie pas takimit që ka zhvilluar me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Kurti pas takimit është nisur për të marr pjesë në mbledhje komemorative, e cila organizohet me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku.

    Sarrazin është duke qëndruar në Kosovë pas sulmit të djeshëm ndaj policisë së Kosovës nga një grup terrorist serb, ku një polic është vrarë, një është plagosur si dhe një tjetër është lënduar.

    Emisari i Gjermanisë, Sarrazin, e ka quajtur situatë të tmerrshme sulmin terrorist në veri të vendit.

    Ai pas takimit me Kurti para mediave ka thënë se shteti i tij e dënon fuqishëm këtë sulm ndaj Policës së Kosovës, ai i ka shprehur ngushëllime familjes së policit Afrim Bujaku, i cili mbeti i vrarë nga sulmet në veri.

    Madje, tha se vizita e tij ka qëllim solidarizimin dhe se do të qëndrojnë në anën e Kosovës në këtë situatë.

    “Dje, ne pamë një situatë të tmerrshme, të tmerrshme dhe dua ta them në mënyrë shumë të qartë se ne fuqishëm e dënojmë sulmet kriminale dhe terroriste ndaj Policisë së Kosovës dhe jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet tona edhe ndaj fëmijëve të shërbyesve policorë të Kosovës dhe ndaj të gjithë vendit të Kosovës. Jemi këtu në solidarizim dhe qëndrojmë në anën tuaj në këtë situatë”.

  • Sarrazin kërkon zgjidhje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Sarrazin kërkon zgjidhje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, tha se duhet ecur përpara në gjetjen e një zgjidhjeje për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    Sipas tij, është shumë e rëndësishme situata e sigurisë në veri dhe reagimi për një gjë të tillë duhet të jetë i qartë, raporton Ekonomia Online.

    Sarrazin shtoi se nëse kërkohet zgjidhje për veriun, duhet pasur një dialog të suksesshëm.

    I pyetur në atë se sa është e mundur që dialogu të vazhdojë, Sarrazin tha se nuk ka ndonjë informatë, por që thotë se duhet të punohet nga të dyja palët.

    “Ne mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, që të tregojmë se në fund, ne jemi miq të Ballkanit Perëndimor, de duam tu ndihmojë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe kjo është një rrugëtim që do të udhëhiqet nga dialogu. Kancelari im ka qenë i qartë kur vizitoi Prishtinën para një viti e tre muajsh, por sigurisht kultura politike dhe vendimmarrja politike nuk mund të bëhet nga Gjermania, ne mundemi vetëm t’i mbështesim miqtë tanë në marrjen e këtyre hapave. Siç e thash më parë, kjo nuk është dita për të biseduar për këto çështje, por është për të shprehur solidaritet”.

    Dialogu, mund sigurisht të vazhdojë, dhe është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në rrugën e të arriturit të implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Çka unë dëgjoj në Beograd dhe në Prishtinë është se marrëveshja e Ohrit është një gurthemel që mund të qojë në një drejtim shumë pozitiv të marrëdhënieve. Por siç e shohim, për momentin nuk është duke u implementuar në mënyrë të suksesshme dhe mendoj se ky nuk është momenti që të ndalojmë së përpjekuri që kjo marrëveshje të implementohet në mënyrë të suksesshme. Nuk kam informacion që mund të ndaj me ju, por mendoj se sa kapitali politik do të investoj në dialog do tregojë sa ky dialog do jetë i suksesshëm”.

  • Rashiq: Vuçiqi s’mund të thotë asnjë fjali pa gënjyer e manipuluar

    Rashiq: Vuçiqi s’mund të thotë asnjë fjali pa gënjyer e manipuluar

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka folur për sulmet e së dielës ndaj policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.

    Rashiq në TV Nova theksoi se nata në Banjskë ka kaluar e qetë.

    “Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Dje ka pasur një lloj formacioni paraushtarak që veproi në një mënyrë që, së pari, për mendimin tim është absolutisht jonormale. Është e sigurt që hetimet për autorët do të vazhdojnë, ju e dini që ishin rreth tridhjetë të tillë, gjë që më tej çon në faktin se do të ketë tension dhe se qytetarët do të jenë nën presionin jo vetëm afër Banjskës por edhe në të gjitha vendet e tjera ku jetojnë serbët”, tha Rashiq.

    Rashiq theksoi se e ka ndjekur dje konferencën për shtyp të presidentit Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Vuçiqi nuk mund të thotë asnjë fjali pa thënë gënjeshtra, insinuata dhe manipulime.

    “E pashë për herë të parë dhe u konfirmua edhe një herë që presidenti Vuçiq nuk mund të thotë asnjë fjali të zgjatur pa thënë gënjeshtra të rënda, insinuata dhe manipulime. Nuk ka thënë asgjë, e shihni vetë se çfarë do të thotë, fajëson serbët e Kosovës, distancohet prej tyre. Gjithashtu, ajo që besohet se është informacion i pakonfirmuar dhe e marr me pak kripë, besohet se prej disa muajsh ka një kamp që shërben për të rekrutuar ata të rinj, le ta quajmë, kampe ilegale afër Rashkës. Besohet se janë paguar për këtë, nuk e di kush e ka organizuar, por jam i sigurt se nëse ka një gjë të tillë, jam i sigurt se autoritetet e rendit në Serbi do ta dinin. Ndoshta nuk mund të organizoheni, sepse thuhet se në ato rekrutime, në ato trajnime të policisë ushtarake kanë qenë 300 veta, pa e ditur strukturat e sigurisë në Serbi”, tha Rashiq dhe shtoi se nëse Vuçiq dinte gjithçka, si të mos dinte për ngjarjet në fshatin Banjskë.

    Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës. Presidentja e Kosovës, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës, njoftoi Presidenca e Kosovës.