ATV

Category: Lajme

  • Lansohet pako për mbrojtjen e fëmijëve – Nagavci: Parim kyç mbetet siguria e mbrojtja ndaj çdo dukurie

    Lansohet pako për mbrojtjen e fëmijëve – Nagavci: Parim kyç mbetet siguria e mbrojtja ndaj çdo dukurie

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se Ministria ka parim kyç sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo dukurie negative dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt për ta, raporton Ekonomia Online.

    Këtë ajo e ka thënë në ceremoninë e lansimit të pakos së moduleve për mbrojtjen e fëmijëve.

    “Ministria e Arsimit e ka parim kyç sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo dukurie negative dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt për ta, në këtë frymë është hartuar edhe kjo pako udhëzuese për mbrojtjen e fëmijëve dhe me anë të këtyre moduleve MAShTI synon që asnjë fëmijë të mos e braktisë shkollimin, por të krijoj mësimin e sigurt dhe me kushte sa më të mira e me kënaqësi për ta”.

    Nagavci tha se kjo pako shtron rrugën për mbështetje institucionale në mbrojtjen e fëmijëve.

    “Sot po e shënojmë finalizimin e një pune të madhe e cila i ka në qendër më të vegjlit dhe më të dashurit tanë. Lansimi i pakove të moduleve tematike për mbrojtjen e fëmijës, është një ngjarje më rëndësi të veçantë sepse shtron rrugën për mbështetje institucionale në mbrojtjen e secilit fëmijë”.

    “Rezultatet mësimore janë qëllimi kryesor i institucioneve arsimore, por parandalimi i rreziqeve ndaj fëmijëve është përgjegjësi institucionale dhe shoqërore, është përgjegjësi e neve që kemi zgjedhur dhe vendosur të punojmë me fëmijët tanë, vetëm kështu mund te sigurojmë mbrojtjen e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre të plotë në aspektin fizik, intelektual, social e emocional”.

    Drejtori i Organizatës “SIT”, Kadri Gashi tha se projekti ka për qëllim promovimin e jetesës së shëndetshme, të barabartë te të rinjtë.

    “Qëllimi i këtij programi, ka qenë programi i vitit 2007, kur është shënuar për herë të parë në Ballkan edhe ka vazhduar në Kosovë”.

    “Ajo që jemi mundu me bo në bashkëpunim me të gjithë institucionet deri më tash ka qenë integrimi i edukimit për shkathtësi të jetës në korrikulat shkollore në shkollat e mesme dhe shkollat fillore, më mënyrë që të mundësojmë që të rinjtë të promovojnë stile të shëndetshme të jetës, jo të dhunshme dhe të barabarta gjinore, të cilat kontribuojnë në një shoqëri paqësore” .

    Ai falënderoi grupin punues, të cilët ishin të angazhuar nga viti 2007 në këtë projekt.

    “Pa këtë grup punues, i cili ka qenë një akter goxha multi-disiplinar, prej Agjensionit për Barazi Gjinore, pastaj Ministrisë së Arsimit, Drejtorive Komunale të Arsimit, koordinator të cilësive, mësimdhënës që kanë qenë prej vitit 2007 mbështetës të këtij programi”

    Ceremonia filloi me një minutë heshtje, që u thirr nga Nagavci, për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, raporton EO.

    “Duke pasur parasysh që sot është një ditë zie, me lejoni që të shprehi ngulitshmet më të sinqerta në humbjen e jetës në një sulm të terroristë ndaj zyrtarit të policisë, rreshterit në detyrë, te ndjerit apo tashmë heroit me të ri të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjaku, ju ftoi të gjithëve një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së rreshterit në detyrë” u shpreh ajo.

  • “Dyshohet se ka armatim”- prokurori i rastit në veri tregon se çfarë është duke u hetuar

    “Dyshohet se ka armatim”- prokurori i rastit në veri tregon se çfarë është duke u hetuar

    Prokurori special i rastit në veri, Naim Abazi, ka bërë të ditur se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, nën dyshimin për armatim.

    Prokurori Abazi, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se aksioni është ende në procedurë dhe se po merren edhe disa veprime shtesë, sikurse është identifikimi i personave të tjerë që kanë bashkëpunuar në rast.

    “Jemi në atë drejtim, tu punu hala në atë drejtim, për me mujt me identifiku edhe persona tjerë që janë të përshirë në këtë aktivitet kriminal”, ka thënë Abazi.

    Gjithashtu Abazi bëri të ditur se janë sekuestruar edhe disa kamera në lokacionin e manastirit lidhur me këtë ngjarje.

    “Jemi tu i identifiku edhe kamerat dhe lokacionet e ndryshme po ashtu kemi sekuestruar disa kamera, dëshmitarët jemi tu i identifiku. Janë plotë veprime tjera që ndoshta s’mundem me i listu për shkak të hetimeve që janë tu u bë”, tha tutje prokurori Abazi.

    Më tej, Abazi ka deklaruar se nga Prokuroria Speciale do të parashtrohen edhe kërkesa për paraburgime.

    “Po patjetër, po, po do të ketë veprime dhe do të ketë kërkesa që do të adresohen edhe përmes gjykatës edhe veprime tjera”, ka thënë prokurori Abazi.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

  • Sarrazin në Kosovë pas sulmit në veri, takohet me Kurtin

    Sarrazin në Kosovë pas sulmit në veri, takohet me Kurtin

    Emisarin për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është duke qëndruar në Kosovë pas sulmit të djeshëm ndaj policisë së Kosovës nga një grup terrorist serb, ku një polic është vrarë, një është plagosur si dhe një tjetër është lënduar, raporton Ekonomia Online.

    Sarrazin është në takim me kryeministrin Kurti që nga ora 10:00, dhe takimi është duke vazhduar ende në objektin e Qeverisë.

    Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës.

    Presidentja Osmani, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës.

  • Pasdite prezantohet armatimi i sekuestruar në Manastirin e Banjskës

    Pasdite prezantohet armatimi i sekuestruar në Manastirin e Banjskës

    Sot, në orën 14:00 do të bëhet prezantimi i armatimit që është sekuestruar dje në Manastirin e Banjskës.

    Prezantimi i armatimit do të bëhet në Kampin “Enver Zymber” në jug të Mitrovicë.

    Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori rajonal për veriun e Kosovës, Veton Elshani.

    “Ne ora 14:00 do te behet prezantimi i armatimit dhe gjithçka tjetër qe u sekuestrua dje ne Manastirin e Banjskës. Prezantimi do të behet në Kampin “Enver Zymberi”, në jug të Mitrovicës.

    Dje, në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjkës të Zveçanit është sulmuar Policia e Kosovës, ku një polic është vrarë, një është plagosur si dhe një tjetër është lënduar.

    Ndërsa, tre sulmues të grupit të armatosur që vranë policin e Kosovës u vranë, 2 nga ta u arrestuan dhe disa persona u ndaluan nga Policia e Kosovës, ku u sekuestruan edhe armë e pajisje të tjera ushtarake.

    Polici Afrim Bunjaku u vra në orët e para të mëngjesit në rrugën Zveçan – Leposaviq nga një grup i armatosur e të uniformuar që kishin ardhë nga Serbia.

    Pas reagimit të Policisë, ky grup i armatosur ishte ngujuar në Manastirin e këtij fshati ku nga aty sulmonte edhe Policinë e Kosovës.

    Përleshja e Policisë së Kosovës me grupin e armatosur zgjati gjatë tërë ditës së diel, ku më pas policia arriti të marr nën kontrollon Manastrin, ku ishin ngujuar grupi i armatosur dhe Policia konfiskoi edhe disa armë e pajisje ushtarake të këtij grupi.

    Në Prishtinë u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë, pas së cilës kryeministri Kurti tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës është bërë nga një grup profesionistë, i uniformuar dhe i armatosur rëndë. Ai e quajti sulm terrorist aktin nga ky grup.

    Edhe ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, tha se sulmi është kryer nga një grup profesionistë e i armatosur rëndë, duke e cilësuar terroristë sulmin e tyre ndaj Policisë së Kosovës. Vrasja e Policit të Kosovës u dënua  ashpër nga i gjithë faktori ndërkombëtarë.

  • Kolgeci: Gjendja e policit Alban Rashiti është stabile, do të lirohet për në shtëpi

    Kolgeci: Gjendja e policit Alban Rashiti është stabile, do të lirohet për në shtëpi

    Gjendja e policit të plagosur në veri, Alban Rashiti është stabile dhe i njëjti gjatë ditës do të lirohet për në shtëpi, raporton EO.

    Këtë e ka konfirmuar drejtori i Kirurgjisë Torakale, njëherësh edhe doktori i cili e pranoi në spital, Nazmi Kolgeci.

    Sipas tij, pacienti është operuar dhe ka marrë trajtimet e nevojshme në Klinikën e Kirurgjisë, në QKUK.

    “Për fat të mirë gjendja është e mirë dhe ne për pak presim ta lirojmë prej spitalit. Dje unë kam qenë në kujdestari dhe e kam pranuar policin, i cili ka ardh me lëndime me armë zjarri, në regjionin e krahun e majtë dhe regjionin e toraksit të majtë”.

    “Pas pranimit e kemi bërë edhe intervenimin kirurgjik, ku është bërë heqja e predhës metalike që ka qenë në anën e majtë të gjoksit”.

    “Trajtimi kryesor është trajtimi kirurgjik, pastaj është bërë trajtimi me medikamentozë që është akoma duke vazhduar deri tash kur po flasim”.

  • Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, mbledhja e Kryesisë, e paraparë për sot, anulohet.

    Kjo është bërë sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, për shpalljen e zisë shtetërore në Republikën e Kosovës, ditën e hënë.

    Kuvendi ka hequr nga njoftimet edhe dy komisione të cilat janë paraparë të mbahen sot.

  • Roth i thotë Vuçiqit: Vrasja e njerëzve është krim i tmerrshëm

    Roth i thotë Vuçiqit: Vrasja e njerëzve është krim i tmerrshëm

    Ish-ministri gjerman për Europën, Michael Roth i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke i thënë se vrasja e njerëzve është një krim i tmerrshëm.

    “Për mua nuk ka rëndësi se nga vijnë viktimat dhe autorët. Nuk më interesojnë fare kombësitë apo etnitë. Edhe kosovarët edhe serbët meritojnë të jetojnë në paqe, siguri, dinjitet, liri dhe kufij të sigurt”, ka shkruar ai në X.

  • Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku

    Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku që u vra dje në Zveçan nga një sulm terrorist i serbëve.

    Kjo mbledhje do të nisë në orën 12:30, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.

    “Nën patronatin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, të rreshter Afrim Bunjaku, organizohet mbledhje komemorative, ku do të marrin pjesë familja e rreshter Afrim Bunjakut, personalitetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë”.

  • Maliqi: Sulmuesit synonin inskenimin e një masakre ku do të vriteshin pelegrinët dhe murgjit serbë

    Maliqi: Sulmuesit synonin inskenimin e një masakre ku do të vriteshin pelegrinët dhe murgjit serbë

    Analisti politik Shkelzen Maliqi vlerëson se terroristët e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, si duket e kanë pas qëllimin e inskenimit të masakrës në Manastirin Banjska, ku viktimat do të ishin pelegrinët nga Vojvodina dhe murgët serbë, për ta akuzuat pastaj policinë e Kosovës si terroriste dhe kështu nxitur rebelimin e serbëve më veri dhe arsyetuar intervenimim ushtarak për gllabëritjen e Veriut të Kosovës.

    Sipas tij, ky nuk është skenar i panjohur.

    “Kështu ka qenë e organizuar masakra në kazermën e Paraqinit ku u vranë në gjumë pesë ushtarë të armatës jugosllave dhe si vrasës u akuzua shqiptari Aziz Kelmendi, i cili u gjet i vramë në një pyll afër kazermës dhe u tha se e ishte vetëvrarë. Pas rastit të Paraqinit Sllobodan Milisheviqi morri pushtetin e plotë në Serbi dhe nisi projektin e shkatërrimit të Jugosllavisë për ta krijuar Serbinë e madhe”, tha ai.

    Sipas Maliqit, i ngjashëm ka qenë edhe rasti i vrasjes së 5 të rinjëve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, për të cilin vetë presidenti Vuçiq ka pranuar publikisht se ka qenë i organizuar nga shërbimet sekrete serbe për ta paraqitur si krim të UÇK-së dhe shpallur atë .organizatë terroriste dhe jo çlirimtare. Prindëritë e viktimave në rastin Panda prej kohësh kërkojnë nga Vuçiq që të tregojë në prokurori të vërtetën se kush janë vrasësit e të rinjëve serbë, por ai po i shmanget premtimit se do ta bën këtë, me gjasa u bë pishman se e ka përmend fare.

    “Banjska mundët të jetë rast që të ndriçohen edhe strategjia e inskenimit të krimeve makabre për të arritur kthesa historike jo vetëm si atë në Paraqin dhe Pejë por edhe në disa raste të ngjashme në luftën e Bosnjës, p.sh. Vrasjen me snajper të qiftit të dasmorëve serb në Sarajevë pas të cilit akt filloi lufta dhe rrethimi gati katërvjeçar i Sarajevës”

    Nëse kjo sipas Maliqit vërtetohet në hetimet, e informatat dhe gjurmët çojmë në atë drejtim, policia dhe inteligjenca kosovare, me gjasa në bashkëpunim me atë perëndimore, do të arrijë një fitore të madhe në demaskimin e kësaj ligësie makabre me rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

  • Një formacion paraushtarak ishte aktiv: Rashiq zbulon se kush ishin terroristët serbë në veri

    Një formacion paraushtarak ishte aktiv: Rashiq zbulon se kush ishin terroristët serbë në veri

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka folur për ngjarjen në veri të Kosovës, të ndodhur të dielën.

    Rashiq theksoi se nata në Banjskë të Leposaviqit ka kaluar e qetë, pavarësisht se ngjarja tensionuese ka ndodhur dje.

    “Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Dje ka qenë në punë një lloj formacioni paraushtarak që veproi në një mënyrë që, së pari, për mendimin tim është absolutisht jonormale dhe se ndodh një vrasje e një polici dhe më pas që manastiri dhe rrethinat e tij përdoren për veprime të mëtejshme, dhe besoj se kjo nuk na ndodh kurrë ne besimtarëve serbë. E gjithë kjo e bën edhe më absurde këtë ngjarje. Është e sigurt që hetimet për autorët do të vazhdojnë, ju e dini që ishin rreth tridhjetë të tillë”, tha Rashiq dhe shtoi se shumica e serbëve jetojnë në jug dhe shumë prej tyre kanë frikë se situata mund të përshkallëzoi.

    Rashiq theksoi se terroristët serbë që vranë policin Afrim Bunjaku dyshohet të jenë të paguar.

    “Besohet se janë paguar për këtë, nuk e di se kush e ka organizuar, por jam i sigurt se nëse ka ndodhur kështu, jam i sigurt se autoritetet e rendit në Serbi do ta dinin”, ka thënë ai.

    Sipas asaj që ka thënë Rashiq, ata dyshohen të kenë marrë pjesë në trajnime nga policia ushtarake dhe strukturat e sigurisë në Serbi.

    Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës.

    Presidentja Osmani, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës.