ATV

Category: Lajme

  • Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

    Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

    Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Abrisë 25 vjet më parë nga forcat serbe.

    “25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit, pamëshirshëm dhe egërsisht ua mori jetën, duke masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, fëmijë, pleq, gra e të rinj nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeçe”, ka shkruar Osmani.

    Osmani kujtoi edhe dëshmorët që ranë në këtë ditë, duke luftuar për liri.

    “Në këtë ditë kujtojmë edhe heroizmin e dëshmorëve të UÇK-së, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë. Le t’i kujtojmë të gjithë ata që humbëm me dashuri e respekt, dhe le të punojmë së bashku që autorët e krimit të vihen para drejtësisë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, ka shkruar Osmani.

  • Plagoset një person në Prishtinë

    Plagoset një person në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë që raportohet të ketë ndodhur të hënën mbrëma në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë, pas një mosmarrëveshjeje, një i panjohur ka shtënë me armë zjarri drejt një burri duke i shkaktuar lëndime në dorë.

    “Viktima mashkull kosovar është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi që dyshohet se ndaj të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale i dyshuari mashkull i panjohur ka shtënë me armë zjarri dhe si pasojë ka pësuar lëndime në dorë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Rusia: Gjakderdhja në veri të Kosovës, pasojë direkte e politikës së Kurtit

    Rusia: Gjakderdhja në veri të Kosovës, pasojë direkte e politikës së Kurtit

    Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se “gjakderdhja e fundit në veri të Kosovës është pasojë direkte e politikave” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

    Në uebfaqen e MPJ-së ruse, Zakharova është cituar të ketë thënë se “ka kërcënim të vazhdueshëm për spastrim etnik në Kosovë”.

    “S’ka dyshim që gjakderdhja është pasojë direkte e kursit të të ashtuquajturit ‘kryeministër’ Albin Kurti, me qëllim të nxitjes së luftës dhe spastrimit etnik të kësaj pjese të territorit”, thuhet në deklaratën e saj.

    Aty shtohet se përpjekjet e Kurtit “për të përshkallëzuar situatën për të shkaktuar presion nga Perëndimi mbi lidershipin serb, në mënyrë që Beogradi ta njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës, është lojë e vazhdueshme me zjarrin, që, siç po shihet, është shumë e shtrenjtë dhe sjell tërë rajonin e Ballkanit në rrezik”.

    Zakharova ka akuzuar edhe Policinë e Kosovës për “operacione sistematike ndaj komunitetit serb”.

    Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

  • Tre pjesëtarët e grupit që kryen sulm terrorist arrijnë në gjykatë, prokuroria kërkon paraburgim

    Tre pjesëtarët e grupit që kryen sulm terrorist arrijnë në gjykatë, prokuroria kërkon paraburgim

    Tre pjesëtarët e grupit serb që të dielën kanë kryer sulm terrorist në veri, kanë arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seanca

    Seanca ndaj tyre pritet të nisë në ora 10:00.

    Ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit.

    “Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Sveçla në BBC tregon si ndodhi sulmi terrorist ndaj policisë, pyetet edhe nëse Kosova do të kthehet në dialog

    Sveçla në BBC tregon si ndodhi sulmi terrorist ndaj policisë, pyetet edhe nëse Kosova do të kthehet në dialog

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shpjeguar në BBC se si ndodhi ngjarja e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku nga një sulm terrorist.

    Sveçla tregoi se ishin njësi normale të policisë që po bënin punën e tyre të zakonshme kur u përballën me sulmin terrorist.

    BBC pati një pyetje për ministrin Sveçla rreth mundësisë së përkeqësimit të situatës dhe nëse Kosova do të kthehet në tavolinën e dialogut.

    “A frikësoheni nga rikthimi i dhunës së tmerrshme të të 90-ave apo ka një rrugë kthimi në tavolinën negociuese”, pyeti BBC.

    “Ka një rrugë kthimi në negociata. Padyshim që ajo që duam të bëjmë është që të sigurojmë që të gjithë të ndihen të sigurt dhe ne sigurojmë sundim të ligjit dhe siguri për secilin qytetar, pavarësisht etnisë”, u përgjigj Sveçla.

  • ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për tre terroristët, pas pak nis seanca në Gjykatë

    ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për tre terroristët, pas pak nis seanca në Gjykatë

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre prej terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale.

    Sipas Prokurorisë, kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

    Seanca do të mbahet sot e martë, nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

  • Nëna 26-vjeçare është diagonstikuar me leukemi, ka nevojë për ndihmë

    Nëna 26-vjeçare është diagonstikuar me leukemi, ka nevojë për ndihmë

    Qendresa Llapashtica-Ismajli, 26-vjeçe, nënë e dy fëmijëve, është diagonstikuar me leukemi akute dhe për shërimin e sëmundjes kërkohen 130 mijë euro, të cilat ajo dhe familja e saj nuk ka mundësi t’i përballoi.

    Bashkëshorti i saj, Erduan Ismajli, ka publikuar një thirrje për ndihmë në shërimin e Qëndresës.

    Ismajli, në një njoftim në rrjetin social Facebook, ka thënë se bashkëshortja e tij aktualisht ndodhet në një spital në Turqi.

    Ai ka publikuar diagnozën e sëmundjes me të cilën vuan Qëndresa, nënë e dy fëmijëve (dy vjeç dhe dy muajsh).

    “Familja jonë nuk i ka mundësitë financiare për përballimin e shpenzimeve të mjekimit të Qëndresës, ndaj apelojmë te të gjithë të vënë dorën në zemër që të na ndihmojnë me aq sa kanë mundësi që Qëndresa të ngrihet në këmbë dhe të vazhdojë jetën me familje”, tha ai.

    Numri i xhirollogarisë IBAN brenda dhe jashtë vendit:
    XK051501001029410783
    SWIFT code: RBKOXKPR
    Raiffaisen Bank Kosova

    Numrat kontaktues:
    +38348141120
    +38349402508

  • Marsh paqësor për solidarizim me familjen e Heroit Afrim Bunjaku

    Marsh paqësor për solidarizim me familjen e Heroit Afrim Bunjaku

    Me moton “Stop diskriminimit të qytetarëve, solidarizim me familjen e Heroit të Kosovës – Afrim Bunjaku, i vrarë në veri”, është paralajmëruar që sot do të organizohet takim motivues i një Marshi Paqësor.

    Bëhet e ditur se organizimi mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, me fillim nga ora 11.00.

  • Lista Serbe shpall 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

    Lista Serbe shpall 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

    Lista Serbe përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka shpallur tre ditë zie në komunat e Kosovës të banuara me popullatë shumicë serbe, për shkak të vrasjes së tre terroristëve, të cilët të dielën në mëngjes sulmuan me armë zjarri policinë e Kosovës.

    “Datat 26, 27 dhe 28 shtator shpallen ditë zie në komunat me shumicë serbe për shkak të vdekjes së qytetarëve tonë në ngjarjen tragjike në Banjskë”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.

  • Humaniteti i Policisë së Kosovës, kujdeset për qytetarët e Banjskës. U dërgon rreth 100 pako ushqimore!

    Humaniteti i Policisë së Kosovës, kujdeset për qytetarët e Banjskës. U dërgon rreth 100 pako ushqimore!

    Policia e Kosovës vazhdon të tregohet e kujdeseshme ndaj popullatës civile në Republikën e Kosovës, pa dallim etnike.

    Humaniteti i forcës së sigurisë është treguar edhe me kujdesin ndaj qytetarëve të Banjskës.

    Pjestarët e PK-së u kanë dërguar rreth 100 pako ushqimore banorëve të kësaj ane veriore.