ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i për situatën në Veri: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës

    KFOR-i për situatën në Veri: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës

    Misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.

    Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”.

    Më tej kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.

    200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.

    “Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.

    Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.

    “Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.

    Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.

    Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

    “Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.

    Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.

    “Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.

    Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.

    Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.

    Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.

  • Pozhari paralajmëron fund të trishtë për Radojçiqin: Mund të vritet në Serbi

    Pozhari paralajmëron fund të trishtë për Radojçiqin: Mund të vritet në Serbi

    Analisti, Xhevdet Pozhari, ka paralajmëruar një “fund të trishtë” për kryekriminelin serb, Milan Radojçiq, i cili u lirua nga paraburgimi në Serbi.

    Në një postim në Facebook, ai thotë se Radojçiq mund të vritet në formë mafioze, e të njëjtin më pastaj ta “vajtojë” presidenti serb, Aleksander Vuçiq, duke e konsideruar “hero”.

    Postimi i plotë:

    E paskan liru Radoiçiçin. Nuk ka hesap Vuçiqi me rreziku me ja nxjerrë të palarat. Atij i duhet heshtja.

    Dimri afër. Shtohet numri i aksidenteve! Edhe Radoiçiçit mund t’i dështojnë frenat. Dhe, më pas Vuçiqi të del ta “vajtojë” – vdiq heroi ynë!

  • Fshati Lebanë për pesë muaj pa ujë të pijshëm, shkak dëmtimi i një gypi

    Fshati Lebanë për pesë muaj pa ujë të pijshëm, shkak dëmtimi i një gypi

    Si pasojë e dëmtimit të një gypi që furnizon me ujë të pijshëm, banorët e fshatit Lebanë të Komunës së Prishtinës tash e një kohë, po përballen me mungesë të ujit.

    Kryetari i Këshillit Lokal në Lebanë, Gani Dobratiqi në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “A LIVE”, tha se për pesë muaj banorët e këtij fshati kanë mungesë të ujit të pijshëm, për çka tha se ky problem po ua vështirëson jetesën.

    “Është muaj I pestë që ballafaqohemi me mungesë të ujit të pijshëm. Kemi biseduar me kompaninë e ujësjellësit, na kanë thanë me bo një kërkesë por tash e një javë s’kemi asnjë përgjigje nga ta. Po ashtu kemi bisdeuar edhe me Komunën por të njëjtit ia kanë hedhë fajin kompanisë së ujësjellësit dhe anasjelltas”, tha ai.

    “Kërkojmë që me urgjencë të rregullohet ky problem pasi nëse dikush nuk ndërmerr ndonjë masa, atëherë do të na detyrojnë që ne të marrim masa konkrete të atilla, si greva “, shtoi tutje ai.

    Përveç kësaj, Dobratiqi përmendi edhe disa problem të tjera që banorët e këtij fshati po përballen tash e sa kohë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Çollakaj: Serbia do të vazhdojë përpjekjen për ta destabilizuar Kosovën

    Çollakaj: Serbia do të vazhdojë përpjekjen për ta destabilizuar Kosovën

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në emisionin A LIVE në ATV, tha se tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

    Mirëpo, sipas tij, tani Kosova është në avantazh edhe në kuptimin politik ndërkombëtar, por edhe në atë operativ.

    “Tendencat për të destabilizuar Kosovën dhe për t’u hakmarrë nga ana e Serbisë, do të vazhdojnë. Serbia nuk pushon me kaq. Ka me u përpjekë në forma dhe mënyra të ndryshme për me sfidu seriozisht prapë sigurinë në Kosovë, mirëpo tani ne jemi në avantazh në kuptimin edhe politik ndërkombëtar por edhe në kuptimin operativ, sepse Policia e Kosovës u tregu shumë me aftë dhe të gjitha institucionet tjera të Republikës së Kosovës kanë kry punën e tyre dhe ato që nuk shihen kanë kry punën e tyre maksimalisht mirë dhe ky ishte rezultati që Serbia në këtë rast përmes këtyre njerëzve të këtij grupi terrorist u poshtërua dhe u përkule, iu dhanë një theçafje, shkoni nga keni ardhë, sepse kjo tokë mbrohet nga njerëzit të cilët jetojnë aty”, tha Collakaj. /atvlive.tv

  • Gati 4 milionë euro shpenzime të Kuvendit, deputetë ankohen për mungesë të kushteve për punë

    Gati 4 milionë euro shpenzime të Kuvendit, deputetë ankohen për mungesë të kushteve për punë

    Në komisionin për për Buxhet, Punë dhe Transfere, U.D i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi ka prezantuar raportin e shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 për pesë kategori.

    Sipas Loshit shpenzimet e Kuvendit janë në shumën 3 milionë e 880 mijë e 950 euro ose 35.74 për qind e realizmit të buxhetit për 2023.

    Gati 4 milionë euro shpenzime të Kuvendit të Kosovë, deputetë e opozitës dhe mazhorancës ankohen për mungesë kushteve për punë.

    Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka adresuar kritika ndaj anëtarëve të administratës së Kuvendit. I njëjti ka kërkuar përgjigje lidhur me pajisjet elektronike në Kuvend për votim, i cili shtoi se tash e disa vite nuk janë funksionale.

    “Statusi i pajisjeve të Kuvendit që nuk janë funksionale tash e një kohë po krijon probleme gjatë votimit, shpeshherë edhe zërimi nuk është në rregull. Çka nuk po funksionon me pajisjet e zërimit, nuk është në funksion të plotë sistemi apo vetëm pjesa e votimit. Duhet dikush ta marrë përgjegjësinë pse sistemi nuk funksionon pothuajse për tri vjet. Nuk mund t’i pranojë arsyetimet, nuk ka mundësi mos me pas një operator që e kryen një punë teknike”, tha Korenica.

    Për këtë, Loshi tha se ka probleme teknike dhe se përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit.

    “Sa i përket pajisjeve ka probleme disa vite, kur një pjesë e mikrofonave nuk janë funksional. Nuk ka përkrahje, nuk prodhohen më këto pajisje, nuk ka në treg, prodhuesi ka mbyll sa i përket atij lloji. Në të dy rastet ka probleme teknike, për atë qëllim është planifikuar buxheti për blerjen e pajisjeve të reja. Ky projekt është në procedurën e realizimit. Përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit”, tha Loshi.

    Ndërkaq deputeti nga PDK, Mergim Lushtaku tha se shpenzimet e kryetarit të Kuvendit duken të jenë të goxha të jashtëzakonshme, derisa kërkoi edhe shpjegime për to.

    “Mbi 51 mijë euro janë shpenzuar për kryetarin dhe kabinetin e tij për shëtitje brenda dhe jashtë vendit për dreka dhe darka. Duket goxha një shpenzim i jashtëzakonshëm, a ka pasur planifikime. Është një shpenzim i jashtëzakonshëm, a ka pasur planifikime aq të mëdha për një periudhë kaq të shkurtër”, tha Lushtaku.

    Për këtë Loshi tha se sa i përket këtyre shpenzimeve vendos Kryesia e Kuvendit.

    “Çdo shpenzim i kryetarit, e nënkryetari, deputetit për udhëtim zyrtare brenda dhe jashtë për akomodim bëhet me vendim të Kryesisë. Çdo shpenzim administrate, Kuvendi e zbaton, ka për detyre dhe obligim t’i zbatoj vendimet. Vendimet e Kryesisë janë të detyrueshme për zbatim nga administrata e Kuvendit”, tha Loshi.

    Ankesa pati edhe nga deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

    Lekaj po ashtu ngriti sërish shqetësimin për zyrat e deputetëve. Sipas tij takimet e punës po bëhen në kafene për shkak të mungesës së zyrave.

    “Është kërkesë që të kemi zyra. Sa keni tentuar që të gjeni hapësira që të akomodohen deputetet? Kërkesa është e kamotshme, por s’është realizuar, vetëm një zyrë dhe jo t’i bëjmë takimet në kafene, jemi në këtë gjendje”, tha Lekaj.

    Lidhur me këtë, Loshi tha se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje për këtë çështje.

    “Për momentin nuk është që ka një objekt ose zgjidhje të caktuara për këtë çështje”, tha Loshi.

  • Eurodeputeti holandez: Vuçiq po luan me zjarrin, BE të vendos sanksione

    Eurodeputeti holandez: Vuçiq po luan me zjarrin, BE të vendos sanksione

    Eurodeputeti holandez Thijs Reuten, ishte shumë kritik ndaj presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

    Reagimi i tij vjen si pasojë e agresionit serb në Kosovë të datës 24 shtator ku në fshatin Banjskë të Zveçanit, si pasojë e një sulmi të armatosur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    Reuten tha se Vuçiq po luan me zjarrin.

    Ai tha se për të bëmat në veri Serbia duhet të ketë pasoja.

    “Komision, Këshill, merrni masa”, tha ai.

    Këto deklarime eurodeputeti holandez i bëri gjatë seancës së Parlamentit Evropian, ku u diskutua për situatën në veri.

  • “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    “The Guardian”: Ka përpjekje për aranzhim të një takimi Osmani – Vuçiqi në Granada

    Një takim mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë mund të ndodhë të enjten në Granada të Spanjës.

    Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar se ka përpjekje që të aranzhohet një takim mes Vjosa Osmanit dhe Aleksandar Vuçiqit.

    Osmani e Vuçiq do të marrin pjesë në samitin në Granada të 51 liderëve evropianë. Samiti do të mbahet të enjten.

    “Burime thonë se ka përpjekje për të aranzhuar takim mes tyre përkundër armiqësisë politike mes dy vendeve”, ka shkruar “The Guardian”.

    Osmani të martën në një intervistë për “CNN” ka thënë se Kosova është nën sulm. Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u inkurajua të sulmonte shkaku i mungesës së drejtësisë në dialog.

    “Ata duan të vazhdojnë planin e tyre të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë, t’i lejojnë Putinit të hapë fronte të reja kundër perëndimit në Ballkan Perëndimor. Ne jemi duke punuar me aleatët dhe partnerët dhe kjo nuk do të ndodhë”, tha Osmani.

  • Pesë të plagosur nga të shtënat në Universitetin Shtetëror Morgan në SHBA

    Pesë të plagosur nga të shtënat në Universitetin Shtetëror Morgan në SHBA

    Pesë persona u plagosën nga të shtënat të martën mbrëma në kampusin e Universitetit Shtetëror Morgan në Baltimore, qyteti më i populluar në shtetin amerikan të Maryland, raportojnë mediat lokale.

    Komisioneri i policisë Richard Worley tha se viktimat – katër meshkuj dhe një femër – janë mes moshës 18 dhe 22 vjeç dhe se lëndimet e tyre nuk ishin kërcënuese për jetën, sipas NBC News.

    Katër nga pesë janë studentë në universitet, tha shefi i policisë së kampusit Lance Hatcher, përcjell AA, transmeton KosovaPress.

    “Besohet se ka pasur tre persona që kanë qëlluar në turmë, asnjë nuk është kapur ose nuk është identifikuar në këtë moment,” tha Ryan Dorsey, anëtar i këshillit të qytetit të Baltimores, në “X”.

    Universiteti vendosi të anulojë të gjitha ligjëratat të mërkurën.

  • “Serbët e veriut do ta paguajnë çmimin”: Një reagim i ashpër në Serbi pas lirimit të Radoiçiqit

    “Serbët e veriut do ta paguajnë çmimin”: Një reagim i ashpër në Serbi pas lirimit të Radoiçiqit

    Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe organizator i sulmit terrorist në Banjskë, është liruar sot nga paraburgimi, që sipas avokatit serb Ivan Niniq, është tregues se një person, Aleksandar Vuçiqi, “në të njëjtën kohë është zjarrvënës dhe zjarrfikës”.

    Ai shton se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi e tolerojnë sjelljen e tij dhe se qytetarët e Serbisë, veçanërisht serbët në veri të Kosovës, do ta paguajnë çmimin për gjithçka.

    Milan Radoiçiq është liruar sot nga mbajtja. Ky vendim pasoi më pak se 24 orë pasi MPB-ja serbe njoftoi se ai ishte arrestuar dhe se i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Avokati Ivan Niniq e sheh të gjithë rastin si konfirmim se presidenti i Serbisë qëndron prapa këtij procesi.

    “Këtu është vetëm një njeri në të njëjtën kohë: regjisor, skenarist, kostumograf, zjarrvënës dhe zjarrfikës. Pjesa tjetër janë kukulla dhe mish për top. Realiteti është ky, dhe çmimin do ta paguajmë të gjithë, sidomos serbët në veri të Kosovës. Perëndimi dhe BE-ja tolerojnë gjithçka, sepse kjo është pikërisht ajo që u duhet! ‘Aca Serb 5:0’”, ka shkruar Niniq në rrjetin social X në reagim ndaj lajmit për lirimin e Radoiçiqit nga paraburgimi.

  • Hapet pika kufitare në Bërnjak, Jarinja mbetet e mbyllur për qarkullim

    Hapet pika kufitare në Bërnjak, Jarinja mbetet e mbyllur për qarkullim

    Pas 11 ditësh kur ndodhi sulmi terroristë në Banjskë, është hapur pika kufitare në Bërnjak për qarkullim. Ndërsa, pika tjetër kufitare në veri, në Jarinje vazhdon të mbetet e mbyllur.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

    Sipas Elshanit hapja e pikës kufitare me Serbinë, në Bërnjak ka ndodhur rreth orës 8:00 sot (e mërkurë).

    Kjo pikë kufitare, bashkë me Jarinjën, janë mbyllur për qarkullim më 24 shtator, pas sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.