ATV

Category: Lajme

  • Milan Radojiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet shkuarja në Kosovë

    Milan Radojiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet shkuarja në Kosovë

    Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.

    Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit.

    Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

    Me vendimin e 4 tetorit, atij i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.

    Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

    Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.

    Ai akuzohet për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator./REL/

  • Gjykimi për vrasjen në tregun e Mitrovicës, dëshmitari tregon si kishte nisur konflikti

    Gjykimi për vrasjen në tregun e Mitrovicës, dëshmitari tregon si kishte nisur konflikti

    Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, dëshmitari Lulzim Rustemi, shoku i të akuzuarit Shefki Asllani ka treguar se si mosmarrëveshja blerës- shitës ka dërguar deri në vrasjen e tani të ndjerit V.L në tregun e Mitrovicës.

    Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri tek konflikti fizik, ku së pari V.F. tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Ndërsa, si pasojë e të shtënave të të akuzuarit Asllani janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
    Rustemi ka treguar që të akuzuarin Asllani e ka shok dhe se me të njëjtin zakonisht të shtunave ka shkuar në tregun e Mitrovicës.

    Ai ka treguar se ditën kritike së bashku kanë shkuar në treg për të blerë fidanë dhe se aty e kanë takuar të ndjerin V.L i cili kishte qenë duke shitur fidanë.

    Sipas Rustemit, gjithçka kishte filluar kur i akuzuari Shefkiu kishte kërkuar që të blejë fidanë të fikut dhe diskutimit mes tyre dhe të ndjerit V.L. rreth çështjes se rritjes së fikut në Kosovë.

    “Shefkiu tha qetu paska lajthi të egër nuk më kujtohet çmimi sa pare i ka thanë, edhe ndërkohë i ka vërejtur edhe fidanë të tjera limon edhe fiq, edhe u drejtu i tha paske edhe fiq. Ai u përgjigj tha, po kom, ky e pyeti tha a bëhet fiqi në Kosovë a, Shefkiu. Ai i tha bahet bahet qysh s’bahet, mu drejtu, edhe mua Shefkiu më tha a bëhet fiqi në Kosovë, a din si habitshëm kur nuk e din a bahet a s’bahet. Unë ju përgjigja në Shqipëri e di që bëhet, për Kosovë s’paskam ni” ka thënë dëshmitari Rustemi.

    Dëshmitari ka treguar se si situata ka nisur të tensionohet mes të akuzuarit dhe të ndjerit V.L., pasi i ndjeri i ishte drejtuar me fjalët “ti po lexojshe shumë”.

    “Ai ju drejtu Shefkiut me fjalët “ti po lexojshe shumë”, deri në atë moment gjithqka u kanë në suaza shitës- blerës, asgjë e pazakontë për mua, deri në momentin kur ju ka drejtu Shefkiut “ti po lexojshe shumë”, Shefkiu iu përgjegj “nuk të intereson a lexoj apo jo shumë, pazari është punë qejfi, në pëlqeftë e blej mos më pëlqeftë nuk e blej”. Në këtë moment u afrua shitësi në drejtim të Shefkis dy-tre hapa, ju afrua afër, shumë afër. Atëherë duke parë që nuk është diçka në rregull, edhe meqenëse jam zyrtar policor e kam nxjerr ID ju kam prezentu si polic dhe i kam thanë që ski nevoj mu ba nervoz pazari është punë qejfi, edhe shitësi më ka thënë nuk po më intereson kjo letër hiq”, ka thënë tutje Rustemi.

    Tutje, dëshmitari Rustemi ka treguar se nga i ndjeri V.L. ishin kërcënuar në mënyrë verbale dhe se për këtë e kishte njoftuar policinë.

    “Se pse u largu ai nuk e di, në atë moment tha “pritni qetash ju kallzoj juve” edhe ka vrapu në drejtim të daljes së tregut. Atëherë unë e kam nxjerr telefonin edhe kam thirr 192, policinë… Ai e bëri një kërcnim verbal “pritni se ju kallzoj juve”. Ai kur u largu tha “pritni qetash ju kallëzoj unë juve”. Unë e kam përfundu telefonatën, u kthy shitësi me gjithë një person tjetër rreth 30-40 vjeçar, s’ mund e përcaktoj sa”, ka thënë Rustemi.

    Dëshmitari ka treguar se i ndjeri V.L. pasi ishte larguar dhe përsëri ishte kthyer me një person rreth moshës 30-40 vjeç dhe se në dorë kishte parë se kishte gërshërë dhe duke tentuar që të shmangej kishte parë të akuzuarin Shefkiu të gjakosur në anën e majtë të kokës dhe se këto momente i kishte dëgjuar dy krisma të kishte gjuajtur me armë personi i moshës 30-40 vjeç.

    “Kam arrit 4-5 hapa me ik prapa mu shmang, në momentin kur e kam kthy kokën e kam parë Shefkin të gjakosur në anën e majtë në kokë. Edhe i kam dëgjuar 2 krisma. Masanej, e kam parë kur ju ka gjujt me armë ai personi 35-40 vjeç Shefkiut edhe në atë moment si të them e bojshin luftë me armë cili me marrë armën Shefkiut”, ka thënë dëshmitari Rustemi.

    Rustemi tha se ka kuptuar që Shefkiu kishte armë në dorë momentin kur i kishte dëgjuar dy krisma, derisa për të ndjerin V.L tha se ka rënë në tokë.

    Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit Rasim Imeri, i cili ka treguar se nuk ka parë kur i akuzuari Shefkiu ka gjuajtur me armë në drejtim të të ndjerit, por se kishte vërejtur se të akuzuarit Shefkiu po i rridhte gjak nga koka.

    Imeri ka thënë se i ndjeri kishte poseduar gërshërë në dorë pasi të njëjtat i kishte mjet të punës.

    Po ashtu, ai ka treguar nga i akuzuari Shefkiu dhe personit që e shoqëronte iu kishte kërkuar që të largoheshin, por se të njëjtit nuk e kishin dëgjuar.

    Seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës do të mbahet më 4 tetor 2023.

    Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren.

    Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi të markës “XDM” dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

    Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.

  • Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se nuk shtetas shqiptarë në radhët e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në Itali.

    Nga ky dikaster kanë shprehur pikëllimin për këtë ngjarje, derisa kanë uruar shërim të shpejtë të të lënduarve të këtij aksidenti tragjik.

    “Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre të Italisë. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik”, thuhet në reagimin MEFA-së.

    Kujtojmë se në aksidentin e mbrëmshëm në Mestre të Italisë humbën jetën mbi 20 persona ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.

  • SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

    SHBA: E dimë se sulmi ishte i koordinuar e i planifikuar mirë, të gjithë të përfshirët të sillen para drejtësisë

    Departamenti amerikan i Shtetit thotë e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”

    Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën dhe nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

    “Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

    Milan Radoiçiq u arrestua dje në Serbi, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bashkëpunojë për verifikimin e të gjitha fakteve lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe aktivitetin terrorist të grupit të udhëhequr prej mikut të tij, i cili iku për t’u strehuar në Serbi.

    Bashkimit Europian ka kërkuar që Beogradi të bashkëpunojë pa kushte në hetimet që do t’i bëjë Policia e Kosovës, ndërsa institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sulm.

    Për terroristët që arritën të iknin dhe që Vuçiq tha se do të japin llogari në Serbi, u ofrua strehim dhe për tre prej tyre që u vranë, u shpall ditë zie kombëtare.

  • Kevin McCarthy shkarkohet nga pozita e liderit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Kevin McCarthy shkarkohet nga pozita e liderit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Kevin McCarthy, nuk do të jetë më udhëheqës i Dhomës së Pëfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ai u shkarkua pas një votë besimi.

    Kjo është hera e parë në histori që një zyrtar shkarkohet nga kjo pozitë.

    216 votuan pro dhe 210 kundër.

    Deri tek shkarkimi i tij erdhi pasi ai arriti një marrëveshje me demokratët e Senatit për t’i financuar agjencitë qeveritare, raportojnë mediat amerikane përcjell Klankosova.tv

    Ende nuk dihet se kush do ta pasojë 58 vjeçarin në këtë pozitë.

    Kongresi i ka rreth 40 ditë për ta arritur një marrëveshje që shmang mbylljen e Qeverisë amerikane.

    Procedura për shkarkimin e Kevin McCarthyt, u nis nga republikani Matt Gaetz, aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

    Ai e ka akuzuar udhëheqësin e deritanishëm për arritjen e një marrëveshjeje sekrete me Shtëpinë e Bardhë për ta vazhduar financimin për Ukrainën, teksa është negociuar shmangia e mbylljes qeveritare në fundjavë.

    Kjo u hodh poshtë nga McCarthy.

  • Bugajski për sulmin terrorist në veri: Edhe Moska dikur refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime

    Bugajski për sulmin terrorist në veri: Edhe Moska dikur refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime

    Analisti Janush Bugaiski ka folur në një intervistë për Euronews Albania, ka komentuar sulmet e 24 shtatorit në Veri, si dhe raportet Kosovë-Serbi.

    Tha se sulmi terrorist ne veri, ia kujton mënyrën se si Moska refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime e cila çoi në aneksimin e Krimesë dhe rezultoi që sigurisht që ishin të përfshirë që prej fillimit.

    Zoti Bugaiski, çfarë mendimi keni për ngjarjen që tronditi Kosovën mëngjesin e 24 shtatorit, sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës?

    Nuk do e quaja thjesht një sulm terrorist, mendoj se ishte një sulm shtetëror nga Serbia kundër Kosovës. Qartazi, sulmi u orkestrua nga qeveria serbe, nga shërbimi i sigurisë së Serbisë dhe qëllimi ishte të provokonte më tej tensionin dhe paqëndrueshmërinë dhe mendoj se ishte një provë për veprime të mëtejshme. Mendoj se është pjesë e një motivi përshkallëzimi që mendoj se Vuçiçi do e përdorte herë pas here për të minuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Edhe disa ditë pas sulmit, Milan Radoiçiç i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër organizimin e këtij sulmi por refuzoi përfshirjen e Beogradit zyrtar. Është kjo një përpjekje për të mbrojtur presidentin serb nga ky sulm?

    Më kujton mënyrën se si Moska refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime e cila çoi në aneksimin e Krimesë dhe rezultoi që sigurisht që ishin të përfshirë që prej fillimit. Deklarata të tilla nuk gënjejnë askënd. Të dhënat tregojnë se shërbimet e inteligjencës së Serbisë, shërbimet e sigurisë së Serbisë, paratë serbe dhe pajisjet luftarake të Beogradit nga Serbia janë duke përshkallëzuar krizën në rajon dhe janë të përqendruar kryesisht në Kosovë.

    Se fundmi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se Kosova ka mandat për hetimet dhe Serbia duhet të bashkëpunojë. Mendoni se Serbia do të ketë vullnet? Pra për të bashkëpunuar me Kosovën?

    Nuk e mendoj. Në cilat terma do të bashkëpunojnë? Nëse ata refuzojnë çdo lloj përfshirjeje në ato që janë duke ndodhur në Kosovë, qartazi ata janë duke u përpjekur të krijojnë konflikt, konflikte etnik. Po përpiqen të tregojnë sikur minoritetet janë duke u shtypur. Duan të destabilizojnë vendin. Mendoj se të gjitha këto hetimet duhet të kryhen nga ndërkombëtarët. Duhet të kryhen nga NATO-ja, nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kjo është mënyra e vetme ti shkojmë në fund gjësë dhe të zbulojmë kush fshihet nga pas. Përndryshe mendoj që thjesht po humbasim kohën.

    BE-ja ka deklaruar se është në pritje të rezultateve të hetimit për të pasur një panoramë të gjerë të ndodhive. Çfarë rrezikon Serbia? Do të ketë sanksioni ndaj saj?

    Në rastin më të mirë po, do të ketë sanksione ndaj çdo veprimi të ndërmarr nga ana e Vuçiç, përfshirë këtu sulmin ndaj trupave të NATO-s përpara disa muajsh. Megjithatë asnjë masë nuk është marre në të vërtetë. Madje ka ndodhur e kundërta. Vuçiçi është lavdëruar dhe ka marrë përfitime nga më të ndryshmet nga BE-ja. Fatkeqësisht BE-ja nuk është mjaftueshëm serioze për të marre masa serioze kundër një shteti, kundër një qeverie e cila po destabilizon rajonin. Pra, unë nuk pres ndonjë sanksion të madh nga BE-ja

    Si e shikoni qasjen e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell në këtë proces. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka akuzuar ato se mbajnë anën e Serbisë.

    Ose mbajnë anën e Serbisë ose është kthyer në një lloj rutine. Dalin me mocione, bëjnë deklaratat e duhura, udhëtojnë, udhëtojnë shumë në të dyja kryeqytetet dhe në fund të ditës jo vetëm që nuk kemi asnjë rezultat por kemi të kundërtën e progresit, kemi regres. Pra mendoja që në fakt asnjë prej tyre nuk duhet të shërbeje më si i dërguar pasi kanë dështuar në punën e tyre. Nëse do ishin në çdo pozicion tjetër do të ishin zëvendësuar. Nëse pas gjithë këtyre viteve nuk mund të normalizoni dhe të krijoni marrëdhënie dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë atëherë politika juaj ka dështuar.

    Dhe si e shikoni zhvillimin e dialogut tani? Ka dështuar BE-ja dhe do të nevojitet një format tjetër dialogu midis Kosovës dhe Serbisë?

    Pasi Vuçiçi deklaroi se Serbia kurrë nuk do ta njoh Kosovën, gjë të cilën e tha para pak ditësh, do të thotë se gjatë regjimit të Vuçiçit nuk ka për të pasur një normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve, pra çfarë kuptimi kanë diskutimet? Mund të zgjidhni çështje të tjera siç janë zgjidhur sipas procesit të Brukselit gjatë viteve, por çështjet thelbësore thjesht nuk mund ti përballojë BE-ja. Mendoj se formati duhet të jetë i gabuar në këtë rast. Diplomatët e përfshirë si dhe formati kanë dështuar, kështu që ato duhen rishikuar dhe duhet të ketë më shumë presion ndaj Serbisë që të zbatoje marrëveshjet dhe të ece nëse jo drejt njohjes zyrtare, të paktën të mos bllokojë rrugën e Kosovës për njohje në vende të tjera si dhe anëtarësimin e saj në organizata të tjera.

  • Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur Filipinet

    Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur Filipinet

    Një tërmet me magnitudë 6.2 goditi Filipinet veriore të mërkurën, thanë autoritetet.

    Tërmeti u raportua në qytetin Calayan të provincës Cagayan, Agjencia shtetërore e Lajmeve Filipine citoi të ketë thënë Instituti Filipine i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisëm shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Lëkundjet, me epiqendër 22 kilometra (13 milje) në veriperëndim të ishullit Dalupiri, goditën rajonin rreth orës 11:35 të mëngjesit (0335 GMT).

    Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo humbje jetësh.

  • E dhimbshme: Ky është i riu nga Shtimja që vdiq tragjikisht në rrugën Prishtinë-Ferizaj

    E dhimbshme: Ky është i riu nga Shtimja që vdiq tragjikisht në rrugën Prishtinë-Ferizaj

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ku një person ka ndërruar jetë.

    Ai është i riu Aziz Qerkini nga komuna e Shtimes.

    Komuna nga e cila vinte i riu pas rastit tragjik i ka shprehur ngushëllime familjes Qerkini.

    “Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, familjes Qerkini i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të ndjerin Aziz Qerkini që humbi jetën sot në një aksident tragjik”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Për aksidentin ka folur edhe Policia.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se në aksident ishin të përfshira dy automjete, një kamion dhe veturë, të cilat ishin në lëvizje, dhe si pasojë e kësaj një person nuk ka mundur t’i përballojë plagët, duke ndërruar jetë.

  • Seanca për Kosovën në PE, eurodeputetët kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

    Seanca për Kosovën në PE, eurodeputetët kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

    Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

    Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.

    Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq – ish-kryetari i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjet e Beogradit zyrtar – por Kosova ngul këmbë se shteti serb qëndron pas sulmit.

    Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

    Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se sulmi “brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”

    Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiqit me Beogradin zyrtar “janë më se evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

    “BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Eurodeputeti holandeze Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

    “Vuçiqin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.

    Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputet bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

    Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.

    Komisioneri për çështje humanitare, Janez Lenarçiq foli në emër të Komisionit Evropian në mungesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili ishte në udhëtim zyrtar.

    Ai e kritikoi Serbisë për veprimet pas sulmit të 24 shtatorit, e cila i lartësoi tre sulmuesit serbë që u vranë pasi e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta.

    “Retorika nga Beogradi pas ngjarjeve të 24 shtatorit është shumë shqetësuese. Sikur edhe mbajtja e zisë për sulmuesit e vrarë. Edhe rritja e pranisë ushtarake në jug të Serbisë është shqetësuese“ tha ai.

  • Mandl: Vuçiq do përshkallëzim, njerëzit në Kosovë janë të frikësuar

    Mandl: Vuçiq do përshkallëzim, njerëzit në Kosovë janë të frikësuar

    Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell bashkë me anëtarët e tjerë të Komisionit, të cilët nuk morën pjesë në seancën e sotme në Parlamentin Evropian.

    Sipas Mandl, Komisioni ka dështuar me politikën e vetë në Ballkanin Perëndimor.

    “Komisioni nuk duhet t’i kthehet punës së vet të përditshme, sikur çdo gjë është në rregull. Duhet t’ia bëjë të qartë regjimit të Vuçiqit dhe të gjithë të tjerëve në atë anë, se njerëzit në Kosovë s’mund të provohen e duhet të ketë deeskalim”, tha Mandl.

    Më pas, ai shtoi se kosovarët janë të frikësuar pasi sjellja e Serbisë u kujton luftën, teksa ajo çka dëshiron Vuçiqi është vetëm përshkallëzimi.

    “Pas ngjarjeve të fundit njerëzit në Kosovë janë të frikësuar. Kujtimi i luftës dhe mizorisë është i pranishëm. Me udhëheqësit serbë, Komisioni Evropian nuk duhet t’i kthehet punës si zakonisht. Liderët e Kosovës mund të mos lejojnë të provokohen. Përshkallëzimi – çfarë dëshiron Vuçiq. Depërshkallëzimi – ajo që meriton bota” shtoi Mandl.