ATV

Category: Lajme

  • Evropianët presin që Osmani dhe Vuçiq të takohen në Granadë të Spanjës

    Evropianët presin që Osmani dhe Vuçiq të takohen në Granadë të Spanjës

    Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.

    Takimi i tretë i tillë organizohet për t’iu dhënë shteteve mundësi për ta zgjeruar dialogun përtej kufijve të bllokut evropian me 27 anëtarë.

    Ky organizim mëton të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.

    Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit – të gjitha pjesë e Komunitetit Politik Evropian – pritet të jenë në qendër të diskutimeve të 5 tetorit.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit, dhe për pasojë është vrarë një polic.

    Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

    Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka mohuar pretendimin.

    Po në shtator, Azerbajxhani e ka nisur një ofensivë ushtarake për ta marrë kontrollin e rajonit të kontestuar në Nagorno-Karabakut, duke nxitur ikjen e rreth 100.000 armenëve të Karabakut.

    Liderët evropianë shpresojnë që liderët e Kosovës dhe Serbisë, dhe Armenisë e Azerbajxhanit do të pajtohen për të biseduar në margjina të samitit.

    Mirëpo, deri më tani presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev raportohet se do ta abstenojë takimin.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe homologët e tij, pritet të diskutojnë edhe për inteligjencën artificiale, sigurinë energjetike dhe tranzicionin në energji të ripërtrishme.

    Të nesërmen, më 6 tetor, liderët e BE-së do të bisedojnë ndaras me fokus në zgjerim dhe migrim.

  • Rama: 10 milionë euro janë destinuar për autobusët e rinj

    Rama: 10 milionë euro janë destinuar për autobusët e rinj

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kanë nënshkruar kontratë me BERZH-in për 10 milionë euro për 30 autobusë të rinj, të cilët pritet të vijnë vitin e ardhshëm në kryeqytet.

    “Ne të gjitha këto jemi duke i bërë paralelisht, edhe jemi duke i ndërtuar shkollat në periferi, jemi tash fillimin duke e kriju infrastrukturën për biçikleta, kemi nënshkru kontratën me BERZH-in për 10 milion për 30 autobusë të rinj të cilët janë në proces të prokurorimit që janë në duar të BERZH-it dhe presin që t’i kemi shumë shpejt, kemi pasë dëshirë që t’i kemi deri në fund të vitit, por kjo po zgjatë deri vitin e ardhshëm për shkaqe prokurorimit, kështu që nuk janë në dorë tonë”, tha Rama.

    Ai përmendi edhe disa nga shkaqet të cilat po shkaktojnë trafik në kryeqytet, për zgjidhjen e të cilave thotë se është duke u punuar.

    “Trafiku ka qenë problem edhe më parë, tash jemi duke punu me e zgjidh problemin e trafikut. Problemi i trafikut për fat të keq nuk mundet me u zgjidhë duke u marrë vetëm me vetura, po them sepse ne kemi aspektin e hapësirës fizike të limituar, për këtë arsye edhe çështjet të cilat krijojnë trafikun, duhet me i kuptu, me i analizu. Problemin e trafikut e krijon zhvillimi i hovshëm i kryeqytetit dhe mungesa të shkollave në periferi, mungesa e infrastrukturave rrugore në qendër dhe të gjitha pjesët e kryeqytetit, që e limitojnë qasjen e të gjitha makinave që vinë në kryeqytet. Në të njëjtën kohë, po ashtu edhe mungesa e infrastrukturës së veçantë për transportin urban”, tha Rama. /atvlive.tv

  • Mandl për samitin e Granadës: Mundësi e mirë për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë

    Mandl për samitin e Granadës: Mundësi e mirë për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë

    Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.

    Deputeti austriak, njëherësh zëdhënës i politikës së jashtme i partisë OVP në Parlamentin Evropian, thotë se ky samit do të jetë një mundësi e mirë për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Presioni, i cili shpesh mund të gjurmohet në Rusinë e Putinit, po rritet në Evropë. Kjo kohët e fundit është bërë e qartë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe gjithashtu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është ajo ku EPC ofron një mundësi për të gjetur zgjidhje. Është mirë që e gjithë Evropa është mbledhur rreth një tavoline, ose më mirë thuajse e gjithë Evropa. Sepse lëvizja për liri e Bjellorusisë nuk është ende e ftuar”, tha Mandl.

    Ky organizim mëton të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.

    Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit – të gjitha pjesë e Komunitetit Politik Evropian – pritet të jenë në qendër të diskutimeve të 5 tetorit.

  • Prifti në Mitrovicë raporton se disa persona janë futur me forcë në një kishë

    Prifti në Mitrovicë raporton se disa persona janë futur me forcë në një kishë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një prift i kishës ortodokse në fshatin Suhadoll i Epërm në Mitrovicë ka raportuar se disa persona kanë hapur me forcë derën e kishës.

    Policia ka filluar ta hetojë rastin, ndërsa nuk raportohet se është marrë diçka nga kisha.

    “Ankuesi mashkull shtetas i Serbisë, prift i kishës ortodokse, në adresën e cekur, ka raportuar se persona të panjohur kanë hapur me forcë derën e kishës. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. Sipas ankuesit nuk mungon asgjë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin, për të cilin rast është informuar edhe prokurori”, thuhet në raportin 24-orësht të PK-së.

    Rasti u iniciua si dëmtim i pasurisë së paluajtshme.

  • Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Dy mijë e 474 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë thuhet se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 21 aksidente me të lënduar dhe 25 me dëme materiale.

    Derisa në 24 orët e fundit janë arrestuar 22 persona dhe 13 janë dërguar në mbajtje.

  • Baerbock në Tiranë, kërkon që Kosova e Serbia t’i ulin tensionet

    Baerbock në Tiranë, kërkon që Kosova e Serbia t’i ulin tensionet

    Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock mbërrin sot në Tiranë. Vizita e ministres gjermane vjen në kuadër të situatës mes Kosovës e Serbisë dhe tensioneve në rritje mes dy vendeve.

    Ministrja gjermane ka planifikuar të takojë homologët nga Prishtina dhe Beogradi, të cilët do të mblidhen sot në Tiranë në kuadër të samitit të Berlinit, shkruan rtsh.al, transmeton KosovaPress.

    “Baerbock do të bisedojë me liderët nga Serbia dhe Kosova dhe do të vazhdojë t’u kërkojë të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Shqipëri,” njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane.

    Takimet në Shqipëri janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, i cili filloi në vitin 2014 për të nxitur bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Samiti do të paraprihet sot nga një takim i ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, përfaqësuesit e BE-së dhe organizatat rajonale.

  • Kontrabanda me armë që rrezikoi sigurinë e shtetit

    Kontrabanda me armë që rrezikoi sigurinë e shtetit

    Kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë nga sulmi në Banjskë, kanë nisur hetime, janë prezantuar sasi të mëdha armatimi si prova dhe janë bërë vlerësime të ndryshme për shkatërrimet që do të mund t’i shkaktonin ato.

    Raketahedhës, granatahedhës, pushkë automatike, automjete ushtarake dhe eksplozivë janë vetëm disa nga armët që policia e Kosovës ka thënë se i ka kapur pas sulmit të 24 shtatorit.

    Se si dhe për sa kohë ka mundur të hyjë në Kosovë ky armatim, ka spekulime dhe vlerësime të ndryshme.

    Kjo ka mundur të bëhet edhe “për një ditë”, thotë ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, për Radion Evropa e Lirë.

    Për institucionet e Kosovës, kontrollimi i kufirit me Serbinë, sidomos në veri, nuk është i lehtë, meqë përgjithësisht “është zonë malore”.

    Ato kanë paralajmëruar se do ta informojnë publikun në lidhje me rrugët që kanë përdorur kontrabanduesit, por kur këto të dhëna “të jenë të disponueshme”.

    Grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

    Cilat rrugë mund të jenë përdorur për futjen e armëve?

    “Banjska si fshat lidhet me një rrugë që nuk është në gjendje të keqe. Është rruga më e shkurtër për të dalë në Novi Pazar të Serbisë”, thotë Huruglica, duke iu referuar rrugës së njohur si Izvor.

    Sipas tij, arsenali i madh i armëve, i kalibrave të ndryshëm, mund të këtë hyrë në Kosovë edhe për një ditë.

    “Ajo rrugë është në gjendje të përballojë transporte edhe me kamionë”, thotë ai.

    Sipas Huruglicës, shkaku lidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar.

    “Shkëmbimi i informacioneve është shumë i nevojshëm kur dy shtete duan ta luftojnë kontrabandën. Në rastin konkret nuk ka bashkëpunim nga pala serbe”, thotë ai.

    Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe vazhdon ta konsiderojë atë si territor të vetin. Kufirin me Kosovën e cilëson vetëm si “vijë administrative”.

    “Serbia nuk është e interesuar ta parandalojë kontrabandën [në Kosovë]. Përkundrazi, ajo e stimulon dhe e rrit atë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

    Pamundësia për ta parandaluar hyrjen e këtij arsenali në Kosovë, “ka vënë në rrezik sigurinë e shtetit”, thotë ai.

    Çfarë thonë institucionet e Kosovës?

    Nga Doganat e Kosovës thonë se armatimi ka hyrë nga “rrugët malore”, por nuk japin më shumë hollësi.

    Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë për REL-in se Dogana e Kosovës është duke ushtruar kontroll në dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe se është duke parandaluar kontrabandën e mallrave.

    Vijën e gjelbër – që përfshin zonat në afërsi të kufijve, ku zakonisht krijohen rrugë ilegale për kontrabandë – Stavileci thotë se është duke e kontrolluar policia e Kosovës, e, sipas nevojës, asistojnë edhe Njësitet e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës.

    I pyetur se si ka hyrë armatimi në Kosovë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se “është e pamundur” që ajo hapësirë përreth kufirit, të monitorohet nga policia “çdo minutë e çdo sekondë”.

    “Terreni është i vështirë, ka rrugë shumë ilegale që janë hapur dhe hapen vazhdimisht nga territori i Serbisë në kufi me Kosovën. [Armatimi] është futur përmes një rruge ilegale. Janë futur grupe – grupe të caktuara – e pastaj janë afruar te fshati Banjskë. Kjo është ajo çka ndodhur në këtë rast”, tha Hoxha.

    Në ditën e sulmit, më 24 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organet e hetuesisë do ta zbulojnë se si është futur arsenali i madh i armëve në territorin e Kosovës, por theksoi se kontrolli i kufirit në veri “nuk është i lehtë”.

    “Vija kufitare e Kosovës në komunën e Leposaviqit me fqinjin tonë verior është shumë e gjatë, është përgjithësisht zonë malore. Te Zveçani është një vendkalim kufitar, i cili është dakorduar [në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë] në Bruksel para shumë vitesh, që të bëhet një vendkalim kufitar i integruar, mirëpo nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e Serbisë”, tha atëkohë Kurti.

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 1 tetor se, deri më tani, është zbuluar pak a shumë se nga ka hyrë arsenali i armëve në territorin e Kosovës.

    Por, “në momentin kur [të dhënat] të jenë të disponueshme për publikun, do t’ju informoj”, tha Sveçla.

    “I gjithë aktiviteti ynë është duke u bërë në koordinim me prokurorinë e Kosovës dhe nuk duam t’i dëmtojmë hetimet”, theksoi ai.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare prej rreth 400 kilometrash. Mbi 60 për qind e asaj vije përfshin komunat e banuara me shumicë serb në veri të Kosovës.

    Dy vendet arritën marrëveshje në vitin 2011 për menaxhim të integruar të kufirit në disa vendkalime kufitare: Jarinjë, Bërnjak, Merdare, Mutivodë, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë.

    Çfarë u tha në Serbi?

    Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

    Ai u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

    Gjykata ia ndaloi daljen nga Serbia dhe e obligoi të paraqitet në stacionin kompetent policor dy herë në muaj.

    Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

    Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, tha Prokuroria.

    Radoiçiq i mohoi këto vepra.

    Kontrabanda e vazhdueshme

    Edhe në muajt përpara sulmit në Banjskë, policia e Kosovës doli disa herë me njoftime për konfiskim armësh dhe municion në veri.

    Në qershor ajo tha se ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme në një veturë me targa të Beogradit – rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit.

    “Të gjitha këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, tha atëkohë ministri i Brendshëm, Sveçla.

    Në fillim të shtatorit u njoftua, po ashtu, për konfiskim armësh nga një shtëpi në pronësi të një serbi në Zveçan.

    Gjatë një debati në Parlamentin britanik, rreth dy muaj më parë, ligjvënësja Alicia Kearns tha se në veri të Kosovës “armët kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas ruhen në objektet e kishave”.

    Këto pretendime, Kisha Ortodokse Serbe i hodhi poshtë, ndërsa autoritetet e Kosovës thanë se janë duke i verifikuar.

    Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2022 u konfiskuan 1.473 armë ilegale zjarri, të llojeve të ndryshme, me rreth 30 mijë municione të kalibrave të ndryshëm.

    Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet me Kodin Penal të Kosovës, i cili parasheh gjobë deri në 7.500 euro, ose dënim me burgim deri në pesë vjet.

    Cila është zgjidhja?

    “Pajisjet e specilaizuara elektronike janë shumë të rëndësishme për të identifikuar kontrabandën dhe për këtë jemi në proces të tenderimit të disa pajisjeve që do ta lehtësojnë punën”, thotë zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

    Ngjashëm shprehet edhe ish-drejtori i këtij institucioni, Huruglica, sipas të cilit, duhet të ketë resurse më të mëdha edhe njerëzore, edhe teknike.

    Ai përmend si opsion edhe vëzhgimin e kufirit me dronë apo helikopterë.

    Sipas ish-drejtorit të policisë, Maliqi, zgjidhja më e mirë për luftimin e kontrabandës, sidomos në veri, do të ishte koordinimi më i mirë i autoriteteve të Kosovës me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe me misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

    “Përveç koordinimit me këta dy mekanizma nevojitet edhe bashkëpunim më i mirë me qytetarët e asaj zone. Duhet ta kemi një komunikimin më të madh me qytetarin dhe ta shtojmë numrin e patrullave [policore]”, thotë ai.

    KFOR-i, i cili është përgjegjës për vijën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, tha për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i ligjit është “prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”. (Rel)

  • Kusari – Lila i reagon Ramës: Veriu i Kosovës ka zot shtëpie

    Kusari – Lila i reagon Ramës: Veriu i Kosovës ka zot shtëpie

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i cili ka thënë se “veriu i Kosovës ndër vite është bërë tokë e askujt”.

    Kusari – Lila ka thënë se veriu i Kosovës ka ‘zot shtëpie’.

    “Të paktën të kuptosh kur diçka e propozuar nuk është në interesin e Kosovës dhe të kthehesh e reflektosh, sikur reflektove për “Ballkanin e hapur”. Kuptoje se, nuk na duhet konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe – veriu i Kosovës ka zot shtëpie, është shtëpi me telashe, por ka titullar”- ka thënë ajo.
    Sipas saj, Rama duhet ta kuptojë përgjegjësinë dhe peshën e fjalëve, kur flet për krizën e Kosovës.

  • ShBA-ja i jep Ukrainës 1.1 milion fishekë të sekuestruar nga Irani

    ShBA-ja i jep Ukrainës 1.1 milion fishekë të sekuestruar nga Irani

    Shtetet e Bashkuara ia kanë dhuruar Ukrainës rreth 1.1 milion plumba të konfiskuar nga Irani vitin e kaluar.

    Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr operacionet në Lindje të Mesme, ka thënë se plumbat janë konfiskuar nga një anije e nisur për një Jemen, në dhjetor.

    Aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë paralajmëruar së fundi se fabrikat e tyre të prodhimit janë në luftë me shpejtësinë e përdorimit të municionit nga ana e Ukrainës.

    Komanda Qendrore amerikane kanë thënë se plumbat iranianë i janë transferuar Ukrainës të hënën.

    Municionet janë bërë pronë e Qeverisë amerikane, sipas një ligji që parasheh se, një aset mund të konfiskohet nëse pronari i saj besohet se është përfshirë në aktivitet kriminal.

    Në këtë rast, pretendimi është bërë kundër Gardës Revolucionare Islamike, degë e forcave të armatosura iraniane, e cila e mbron qeverinë e shtetit.

    Përmes një deklarate, autoritetet amerikane kanë thënë se SHBA-ja është “e përkushtuar të punojë me aleatët dhe partnerët tanë për ta luftuar shpërndarjen e ndihmës vdekjeprurëse iraniane në rajon”.

    Irani i mbështet rebelët Huthi në luftën civile të Jemenit, mirëpo transferimi i armëve për këtë grup ndalohet me një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 2015.

    Lufta civile në Jemen ka nisur më 2014 kur rebelët Huthi e kanë marrë kontrollin e kryeqytetit Sanaa dhe e kanë rrëzuar qeverinë e shtetit. Qeveria e rrëzuar njihet ndërkombëtarisht si autoriteti i Jemenit dhe përkrahet nga koalicioni i udhëhequr prej sauditëve në rajon, si dhe nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe./REL/

  • Arrestohet një person në Lipjan, kanosi me thikë vëllanë e tij

    Arrestohet një person në Lipjan, kanosi me thikë vëllanë e tij

    Është arrestuar një person në Lipjan, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur me thikë vëllanë e tij.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kanosur vëllain e tij me thikë e cila i është sekuestruar, pastaj i dyshuari ka deklaruar se posedon një armë. Njësitë relevante policore kanë kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe sekuestruar një revole jo funksionale me një karikator dhe një fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.