ATV

Category: Lajme

  • Osmani në Spanjë duke diskutuar me Scholz dhe Mitsotakis – Vuçiq shihet i vetmuar

    Osmani në Spanjë duke diskutuar me Scholz dhe Mitsotakis – Vuçiq shihet i vetmuar

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Komunitetin Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.

    Shefja e shtetit të Kosovës brenda sallës ku është mbajtur takimi është parë teksa bisedon me liderë evropianë e të shteteve të ndryshme.

    Osmani ka shfrytëzuar këtë takim për të biseduar edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin e Greqsië, Kyriakos Mitsotakis.

    Në fotografi ku Osmani shihet bashkë me Scholz dhe Mitosktais, në prapavijë duket presidenti serb, Aleksander Vucic, i vetëm.

    Në Samit marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.

    Më herët gjatë ditës ka pasur pritje nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiq të mund të takohen në margjina të këtij takimi.

    “Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.

  • Sunak do t’i bëjë presion Vuçiqit për agresionin në Kosovë

    Sunak do t’i bëjë presion Vuçiqit për agresionin në Kosovë

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, do t’i bëjë presion Serbisë pas agresionit ndaj Kosovës.

    Siç njofton Qeveria Britanike, Sunak gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, do të ketë takime me shumë liderë tjerë evropianë, ku si temë diskutimi do ta ketë situatën e fundit në Kosovë.

    “Në takimet me një varg liderësh, kryeministri do të theksojë edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për siguri më të gjerë evropiane, përfshirë reagimin ndaj situatës në Kosovë dhe në Nagorno-Karabakh. MB-ja këtë javë ka dërguar 600 trupa britanikë për të përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, dhe Kryeministri pritet t’i bëjë presion Serbisë për t’u siguruar se ata që qëndrojnë prapa sulmeve të fundit ndaj policëve të Kosovës do të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

    Në njoftim thuhet po ashtu se kryeministri britanik do t’i nxisë liderët të bashkojnë forcat për të mbrojtur kufijtë e Evropës nga bandat kriminale dhe për të përballuar agresionin rus, në takimin e Komunitetit Politik Evropian [EPC].

  • Kurti lanson fushatën informuese për liberalizimin – e quan proces të vonuar, kërkon kujdes nga qytetarët

    Kurti lanson fushatën informuese për liberalizimin – e quan proces të vonuar, kërkon kujdes nga qytetarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lansuar fushatën informuese për liberalizimin e vizave, raporton EO.

    Kurti tha se liberalizimi i vizave ka qenë një projekt i tejzgajtur dhe i vonuar për kosovarët. Ai tha se qytetarët duhet të kenë kujdes sepse liberalizmi ka edhe disa rregulla.

    “Përgjatë tetorit dhe nëntorit pritet që fushata të zhvillohet në shumë komuna e anembanë. Siç e dini të gjithë sepse edhe e kemi përjetuar ky projekt ka qenë i tejzgajtur dhe i vonuar për qytetaret e Kosovës”.

    “Nga një janari merr fund regjimi i vizave për Kosovës. Liberalizmi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë duhet të kemi kujdes sepse ka edhe disa rregulla. Është për vizita afatshkurta jo për shkollim e për punë. Duhet të keni kujdes sepse shkeljet e rregullave kur të mblidhen mund të dërgojnë në gjoba dhe në ndalesa për hyrje në Shengen”, tha Kurti.

  • Memli Krasniqi, Kurtit: Ti je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë

    Memli Krasniqi, Kurtit: Ti je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Albin Kurti është shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë.

    Krasniqi ia ka kujtuar kryeministrit Kurti që Kosova sot është në sanksione nga ShBA dhe BE, pikërisht për shkak të veprimeve të Kurtit.

    “Ti je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova ndonjëherë dhe sa për që ti i ke mbështetur marrëveshjet, ti as Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, më të rëndësishmen për Kosovën nuk e ke mbështetë”, tha ai.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi vendosjen në rend të ditës të Rezolutës së propozuar nga PDK për fuqizimin e Policisë së Kosovës, Krasniqi tha se qasja e kryeministrit Kurti dhe VV-së nuk ka qenë kurrë konstruktive.

    “Ju vini të kërkoni sot këtu konstruktivitet nga opozita, kur qasja juaj mund të jetë gjithçka, vetëm konstruktive s’ka qenë që nga dita që e keni marrë detyrën e kryeministrit, jo vetëm në raport me përfaqësuesit e qytetarëve që janë nga partitë opoztare, por para së gjithash në raport me qytetarët”, tha ai.

    Krasniqi theksoi se Kosova sot është e sanksionuar dhe e përjashtuar prej programeve të ndryshme ndihmuese të BE-së për shkak të qasjes dhe veprimeve të kryeministrit Kurti.

    “I kemi gati 500 milionë euro që i kemi votu ne deri tash këtu si opozitë bashkë me shumicën në çdo marrëveshje ndërkombëtare. Çka po ndodhë me to? As me i implementu nuk keni fillu, gjysmën prej tyre. Nuk je ti duke u brengosë bash as për punëtorin, as për asnjë kategori në Kosovë. E dëshmuat para pak minutash, gojën plot për policinë, nuk jeni në gjendje me miratu as një Rezolutë, e cila juve ju obligon pastaj me i bë tri veprime”, tha kreu i PDK-së.

  • Bujqit ankohen për rritje të çmimit të naftës dhe cilësi të farës së grurit

    Bujqit ankohen për rritje të çmimit të naftës dhe cilësi të farës së grurit

    Rritja e çmimit të naftës në periudhën e mbjelljes së grurit si dhe cilësia e farës së grurit, janë shqetësimet e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ata vlerësojnë se shteti duhet të marrë masa ndërsa kritikojnë naftëtarët për rritje të çmimit pikërisht në këtë periudhë kur e dinë që kërkesa është në rritje.

    Kryetari i sindikatës, Tahir Tahiri, në një konferencë për media, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë që të merren masa ndaj bizneseve të cilat po ngrisin çmimin e naftës në kohën kur bujqve ju duhet më së shumti.

    Ai tha se problem tjetër te bujqit është thatësira e tokës,

    “Problemi numër një për neve është rritja e çmimit të naftës në prag të mbjelljeve vjeshtare atëherë kur bujqve ju duhet më së shumti nafta. Dhe naftëtarët e dinë se në këtë periudhë kanë shitjen më të madhe të naftës dhe në këtë moment po shfrytëzojnë ngritjen e çmimit të naftës., kur bujqit nuk kanë zgjidhje pa e përdorë naftën…Kemi kërkuar nga ministria e tregtisë publikisht që të marrin masa dhe të mos lejojnë që në këtë periudhë të ngritet çmimi naftës. Problemi tjetër është thatësia e madhe e cila po dominon në Kosovë dhe pjesa dërmuese nuk kanë mundur të bëjnë përgatitjen nuk mund të hyjnë në ara për të bërë lëvrimin, këtu fajtor është klima natyra por ne duhet të cekim si problem, një pjesë të dy hidrosistemeve që kanë mundur të përdoren kanë sepse uji në hidrosisteme nuk e kanë lëshuar ende, sepse aty ku ka hidrosistem bujqit mund me bërë ujitje me krijuar një lagështi edhe me filluar me mbjellje” tha Tahiri

    Tahiri gjithashtu theksoi se Ministria e Bujqësisë duhet të gjeje ndonjë zgjidhje për t’i ndihmuar bujqit.

    “ Ndihmesë kishte me qenë më gjetur një mënyrë një metodë, për fermerët të cilët shfrytëzojnë më pas një lloj benefiti një formë të ndihmës çfarë që të jete ajo qoftë me caktimin e çmimit ose me investime nga qeveria në mënyrë që më i ndihmuar bujqit kur ngritën çmimet, nëse nuk kanë mundësi me stopuar ato ose me i caktu një naftëtarëve prandaj ky është problemi” tha Tahiri.

    Edhe fermeri Mehdi Bresilla tha se ka pasur shumë probleme me cilësinë e farave ndërsa shtoi se furnitorët po sjellin fara jo adekuate për mbjellje.

    “Kam pasur dëme në vazhdimësi sepse kam folur vetëm të drejtën, problemi është që ne pasoja kemi të shumë anshme kemi pas prej zyrtarëve të Ministrisë Bujqësisë por të njëjtën kohë edhe prej furnitorëve para një viti e gjysmë kur një kompani e cila e përfaqëson superioren e Serbisë na sjell fara në vazhdimësi me vite të tëra fara fallc dhe askush nuk merr masa për ata, rasti tjetër këtë vit sjell fara për sumborka dhe në vazhdimësi ka sjell fara falls, tre hektarë e gjysmë i kam mbjell fara të tilla dhe del spec tjetër i rrumbullakët. Ministria e Bujqësisë është dashtë me bashkëpunuar me gjykata dhe njerëzit e tillë me i ndëshkuar, sepse nëse i toleron ata kanë më vazhduar këtë, ne kemi humbje shumë të mëdha subvencionet nuk mund të na mbulojnë ato humbje” tha Bresilla

    Tutje, Bresilla kritikoi edhe shpërndarjen e fondeve nga qeveria.

    “Ministria e Bujqësisë dhe qeveria dhe prokuroria të na dalin në mbrojtje sepse deri tash janë dhënë miliona, edhe kurrë nuk kanë shkuar në vendin e duhur…Miliona ka dhënë qeveria për më i trajtuar fermerët për projekte për zhvillimin e bujqësisë edhe kemi marrë certifikatat…Tash këtë vit po thonë se kanë dalë kritere të reja janë lehtësuar procedurat unë si fermer paguaj dhjetëra, mijëra euro në vit tatime, paguaj punëtorë te rregullt kam qarkullim nuk është kriter as kjo, as kjo kriter vetëm për me fituar njerëzit të cilët janë të lidhur me akterët e zyrtarëve të Ministrisë Bujqësisë, dhe ne dalim viktima këtu sepse bujqësia nuk zhvillohet me përfitues “ shtoi Bresilla.

  • Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Jon Fosse e fiton Çmimin Nobel për Letërsi

    Shkrimtari norvegjez, Jan Fosse e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi këtë vit.

    Akademia Suedeze në Stokholm i ka vlerësuar dramat dhe prozën e tij novatore dhe ka thënë se autori u ka dhënë zë të pathënave.

    Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

    Jon Fosse ka thënë se është “i tronditur dhe disi i frikësuar” që e ka fituar këtë çmim prestigjioz.

    Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve amerikanë.

    Akademia Suedeze ka thënë se Fosse, i lindur më 1959 në Haugesund, në brigjet perëndimore të Norvegjisë, ka krijuar në shumë zhanre letretare, përfshirë novela, koleksione poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime.

    Ai është bërë i njohur si dramaturg me veprën “Nokon kjem til å komme” ( Dikush do të vijë).

    Fosse, 64-vjeçar, i cili shkruan në versionin më të pazakonshëm të dy versioneve zyrtare të gjuhës norvegjeze, ka thënë se e konsideron çmimin si njohje të gjuhës që përdor dhe lëvizje për promovim të saj, duke thënë se Nobelin ia dedikon vetë asaj.

    E njohur si “norvegjishtja e re” dhe e përdorur nga rreth 10 për qind e popullsisë së Norvegjisë, versioni që përdor Fosse është krijuar në shekullin e 19-të në zonat rurale, duke e bërë atë alternativë ndaj gjuhës daneze që është përdorur përgjatë një bashkimi 400-vjeçar me Danimarkën./REL/

     

  • ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesen nga buxheti i shtetit.

    Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, tha se janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje që zyrtarët policorë të kenë kontrolle sistematike në të gjitha institucionet shëndetësore.

    Ai tha se në kuadër të kësaj marrëveshjeje policët do të jenë prioritet si në lista të pritjes ashtu edhe në intervenime të ndryshme.

    Derisa paralajmëroi se marrëveshje të tilla do të bëhen edhe me FSK-në dhe zjarrfikësit.

    “Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi ne nga buxheti i shtetit. Prej kohësh, jo vetëm në këtë rast bashkë me ministrin Sveçla kemi filluar bisedimet sesi ta bëjmë këtë më së miri. Para disa javësh janë takuar drejtori i ShSKUK-së dhe drejtori i Policisë ku janë formuar grupet punuese dhe është duke u bërë një marrëveshje që të gjitha kontrollet sistematike të kryhen brenda institucioneve shëndetësore… Në këtë marrëveshje do të bëhen edhe prioritetizimi në lista të pritjes apo intervenime të tjera të të gjithë zyrtarëve policorë. Po ashtu edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për të gjitha sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet publike do të marrë përgjegjësinë që me prioritet të vendos Policinë si përfitues të parë në bazë të kësaj marrëveshjeje. Menjëherë pas kësaj do të vazhdojmë marrëveshjen njësojë me FSK-në dhe zjarrfikësit dhe të gjithë ata që ruajnë rendin dhe sigurinë në vendin tonë”, theksoi ai.

    Kuvendi aktualisht ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00, ku pritet të vazhdojë shqyrtimi i pikave të tjera që janë në rend të ditës.

  • Rama: Situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme, jam shumë i shqetësuar

    Rama: Situata në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme, jam shumë i shqetësuar

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur para mediave në Granada të Spanjës, duke thënë se situata në veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme.

    Ai tha se aktivitetet kriminale atje janë në përputhje me agjendat politike dhe rreziku është rritur.

    “Jam shumë i shqetësuar sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani është në një pikë ku, vit pas viti, rreziku potencial është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton pakica serbe në shumicë, janë të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm. Pra, është shumë e rrezikshme”, deklaroi Rama.

    Rama u pyet nëse mendon se duhet të merren masa ndaj Serbisë pas agresionit në Kosovë, duke u shprehur me plot bindje se kjo duhet të ndodhë.

    “Jo vetëm që mendoj, por për herë të parë në së paku 10 vjet, Shqipëria nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë vazhdimisht në pajtim të plotë me BE-në dhe ShBA-në në lidhje me nevojën që autoritetet e Kosovës të ecin përpara, të jenë më proaktivë dhe më konstruktivë në dialog, dhe nga perspektiva jonë, të marrin avantazhin më të mirë nga plani franko-gjerman që është marrëveshje shumë, shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare për të vajtuar pjesëtarët e atij grupi kriminal paramilitar që vrau një polic ishte e mjaftueshme për BE-në që të thotë hapur se kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme, nuk është e arsyetueshme dhe është e dënueshme”, deklaroi Rama.

    “Lufta është fjalë e madhe, por para se të bëhet shumë vonë, duhet të merren masa. Jemi duke e përcjellë situatën, është shumë me rëndësi se ka vullnet shumë të fuqishëm nga NATO-ja që ta forcojë KFOR-in në veri sepse kufiri atje është bërë krejtësisht transparent, ndodhin trafikime kriminale të armëve, dhe në të njëjtën kohë shpresojmë shumë se dialogu do të vazhdojë”, u shpreh kryeministri Rama.

  • ​Kurti kritikon opozitën për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare

    ​Kurti kritikon opozitën për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, që nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Ai në Kuvendin e Kosovës tha se vlera e shtatë marrëveshjeve që presin për ratifikim në Kuvend është mbi 360 milionë euro.

    Sipas Kurtit nga kjo qasje e opozitës po humbin më së shumti qytetarët e Kosovës.

    “Vlera e këtyre marrëveshjeve gjithsej që janë në pritje tejkalon shifrën prej 360 milionë euro. Të gjitha këto po presin me votat e dy të tretat e deputetëve…Se marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve pajtohet edhe opozita dhe megjithatë ata nuk po i votojnë. Cila është arsye, të bllokohet qeveria? Vërtet se ju na bëni punën më të vështirë dhe e bëni shtetin të duket joserioz para partnerëve ndërkombëtar por megjithatë qeveria mund të vazhdojë mandatin deri fund. Por me këtë mosvotim humbin qytetarët pasi projektet nuk bëhen…Detyra e opozitës është të tregoj se si mund të bëhet më mirë, jo të bllokojë punën në kurriz të qytetarëve. Nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe po brengosëm për qytetarët kur bllokohet ligji për çmimin tavan. Nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe kur bllokon ligjin për pagën minimale dhe nuk mund të thuash po e bëjë opozitën dhe po brengosem për ekonominë e vendit kur bllokohen marrëveshjet ndërkombëtare për projektet zhvillimore. Nuk bëhet kjo punë kështu, më besoni, këtë po e thotë dikush që ka bërë opozitë parlamentare për një dekadë”, tha Kurti.

  • Shembet dheu në Prishtinë, vetura bie në gropë

    Shembet dheu në Prishtinë, vetura bie në gropë

    Sot në Prishtinë, në lagjen “Bregu i Diellit” është shembur dheu, me ç’rast ATV-ja ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.

    Në këto pamje shihet së paku një veturë të ketë rënë në gropë, derisa nuk dihet ende nëse ka të lënduar nga ky rast.

    Lajmi në përditësim…