ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja Osmani nga Granada: S’ka takim me Vuçiqin pa sanksione ndaj Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pa u vendosur fillimisht sanksione ndaj tij, raporton Ekonomia Online.

    “Nuk ka arsye që të takohemi para se të vendosen masa ndaj Vuçiqit. Sanskionet së pari, pastaj mund të flasim”, ka thënë ajo.

    Ajo i ka bërë thirrje Spanjës që të rreshtohet krah vendeve evropiane që kanë dënuar sulmin terrorist në Kosovë, sepse mbështetja e një agresori, duke iu referuar Serbisë, nuk e ndihmon paqen dhe stabilitetin në Evropë.

    Osmani e ka cilësuar sulmin ndaj Kosovës si një sulm ndaj gjithë Evropës.

    “Mbështetja e një agresori, për të cilin ka prova të qarta që nga 24 shtatori, nuk do ta ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj që Spanja do t’i bashkohet vendeve të tjera në Evropë që mendojnë të vendosin masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm, jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj paqes dhe stabilitetit të gjithë Evropës”.

    Kështu është shprehur ajo, para mediave në hapje të samitit të Komiteti Politik Evropian në Granada të Spanjës.

  • Ndikimet klimatike, Ismaili: BQK-ja po punon për të forcuar stabilitetin financiar

    Ndikimet klimatike, Ismaili: BQK-ja po punon për të forcuar stabilitetin financiar

    Për herë të parë në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës ka organizuar Forumin për Financim të Qëndrueshëm, me ç’rast u theksua nevoja për investime të gjelbra në vend dhe ndihmë më të madhe për sektorin privat. Aty u tha se BQK është duke punuar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend.

    Me pjesëmarrjen e mbi 140 personaliteteve nga e gjithë bota, u trajtuan disa nga sfidat që kanë hasur bankat këtë vit.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili tha se BQK do të punojë për të ndërtuar kapacitetet e brendshme për zbutjen e ndikimeve klimatike.

    Ismaili tha se BQK është duke punuar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend.

    “Veprimet nga BQK për t’u ballafaquar me ndryshimet mjedisore dhe klimatike në përputhje me rregullore të BE-së dhe standardet për të kuptuar plotësisht ekspozimin e bankave nga rreziqet klimatike duke përdorur skenarë të ndryshme të rreziqeve. BQK do të punojë për të ndërtuar kapacitetet e brendshme, duke rritur bashkëpunimin me institucionet vendore dhe përgjegjëse për zbutjen e ndikimeve klimatike. Në këtë drejtim, edukimi financiar ose pjesëmarrja në forume të tilla për të rritur ekspertizën dhe njohuritë në këtë fushë të rreziqeve klimatike është pjesë e planeve. Këto efekte ndikojnë me të madhe për të reduktuar rreziqet tona të kaluara, tërheq investimet dhe kalon rrezikun nga sektori tradicional”, tha Ismaili.

    Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankare të Kosovës, Petrit Balija ka adresuar disa sfida që kanë hasur bankat në Kosovë këtë vit.

    Sipas Balijes, BQK ka treguar një përkushtim të madh për të tejkaluar sfidat dhe ka ofruar mbështetje për bizneset për të tejkaluar inflacionin.

    “Ky forum ka caktuar disa qëllime ambicioze dhe trajton sfida të mëdha të cilat besoj se do të përmbushen falë bashkëpunimit të mirë. Viti 2023 ka qenë një sfidë si për bankën në tregun vendor dhe rajonal e më tej. Një nga sfidat ka qenë inflacioni. Duke dëmtuar fuqinë blerëse ka ngadalësuar kursimet dhe ka dëmtuar sektorin privat. Në një ambient të tillë, detyra e kreditimeve bëhet më komplekse, bankat duhet të gjejnë baraspeshën e duhur mes ofrimit të kredive për të siguruar rritjen ekonomike, dhe për të menaxhuar rreziqet nga një klimë e paqëndrueshme. Inflacioni bashkë me faktorë të tjerë ekonomikë ka krijuar një gjendje ku fondet janë rritur dhe banka është shtyrë të rrisë kamatat për të tejkaluar inflacioni dhe kjo ka qenë sfidë si për banka ashtu edhe për huazuesit. BQK ka treguar një përkushtim të madh për të tejkaluar dhe ka ofruar mbështetje për bizneset për të tejkaluar inflacionin. Sektori bankar ka luajtur rol të rëndësishëm për të mbështetur ekonominë duke ofruar mbështetje financiare për bizneset… Falë përkushtimit të BQK-së dhe IFC-së jemi anëtarësuar në SBFN”, tha ai.

    Menaxheri rajonal për Ballkanin Perëndimor (IFC), Nicolas Marquier tha se sektori privat luan rol kritik në këtë mes, derisa shtoi se janë të përkushtuar që t’i dalin në ndihmë këtij sektori.

    “Ndryshimet klimatike kanë impakt në Ballkanin Perëndimor, ndryshimet e temperaturave, çështjet ekonomike, pushtimi rus i Ukrainës, COVID kanë shtuar këto sfida. Inflacioni dhe çështjet e huamarrjes janë rënduar. Këto kanë bërë që të kuptojmë se sektori privat luan rol kritik në këtë mes. Ngjarja e sotme është një mundësi për të diskutuar këtë dhe për të përshpejtuar hovin tonë. Jemi të dedikuar në zhvillimin e sektorit privat. Në vitin fiskal 2023 kemi 6.7 miliardë financim në lidhur me klimën dhe 8 miliardë të tjera nga burime të dyta që të përfshijmë bankat qendrore në të gjitha këto përpjekje, që të sjellim edhe investitorë. Qëllimi jonë është që të mbështesim projekte financiare të qëndrueshme me 30 për qind deri në viti 2030. Ky financim shkon për projekte të gjelbrat dhe të qëndrueshme. Bankimi i mundësuar nga IFC është dëshmi e përkushtimit tonë. Bashkëpunimi është jetik, BQK ka rol kritik si ndërmjetës në fushën e bankave në Kosovë”, tha Marquier.

    Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se vazhdojnë t’i mbështesin palët me rëndësi në Kosovë. Në këtë drejtim, ai shtoi se duhet të ndihmohet më shumë sektori privat në mënyrë që t’i kontribuojë agjendës së qëndrueshme sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive.

    “Jemi të gjithë dëshmitar të ndryshimeve klimatike dhe impaktin që ka kjo në të ardhmen tonë. Rreziku që i kanoset tokës sonë sigurisht se prek të gjithë kompanitë, bankat dhe këto asete tona ndryshojnë rregulloret e shumta… Është me rëndësi që përpjekjet tona të jenë gjithëpërfshirëse. Transparenca sa i përket impaktit mjedisor i lejon investitorët që të marrin vendime në mënyrë efikase dhe t’i qasen sektorit financiar duke shmangur çfarëdo keqkuptimi në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Praktikat e financave të qëndrueshme do të bëhen dikur një domosdoshmëri… Qëndrueshmëria është më rëndësi për sektorin privat, kompanitë, bizneset dhe mjedisin duhet që të ndihmohet sektori privat që të përshtatet me realitetin e ri. Në promovojmë investime të qëndrueshme. Vazhdojmë të mbështesim palët me rëndësi në Kosovë”, tha ai.

    Forumi për Financim të Qëndrueshëm organizohet nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës, Rrjeti për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, anëtare e grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike.

  • Parlamenti Evropian më 19 tetor voton rezolutën për raportet Kosovë-Serbi

    Parlamenti Evropian më 19 tetor voton rezolutën për raportet Kosovë-Serbi

    Parlamenti Evropian do të votojë rezolutën për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë në seancën e dytë plenare të tetorit në Strasburg më 19 tetor.

    Debati për dokumentin rreth zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-Serbi u mbajt në seancën e së martës, një ditë pasi socialdemokratët nga Parlamenti Evropian kërkuan që debati të shndërrohet në rezolutë.

    Në një debat të ashpër, deputetët kërkuan qetësimin e situatës dhe ndëshkimin e Serbisë pas agresionit në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Masat e propozuara ndaj Serbisë nisin nga pezullimi i takimeve në nivelin më të lartë, deri te pezullimi i plotë i financimit nga programi IPA3 dhe projektet e mëdha të infrastrukturës.

    Draft teksti i Rezolutës do të publikohet ndërkohë.

  • “Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj”

    “Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj”

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se e vetmja zgjidhje në raport me Serbinë është imponimi i sanksioneve për armatim, ndaj Serbisë.

    Sipas Mehajt, duhet të përshpejtohen procedurat për anëtarësim të Kosovës në NATO, gjithashtu.

    “Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj Kosovës” ka shkruar mes të tjerash Mehaj.

    Postimi i plotë:

    Unë konsideroj se e vetmja zgjidhje për Kosovën në raport me Serbinë, është që të imponohen sanksionet për armatim ndaj Serbisë. Të përshpejtohen procedurat për PFP për Kosovën drejtë anëtarësimit në NATO. Të themelohet një bazë ushtarake e përhershme e ShBA-ve në Kosovë, sikurse në Poloni apo Gjermani. Dhe të përshpejtohet procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e UE-së.

    Sikur të kishte vepruar Kosova, me një akt të tillë shtetëror – terrorist sikurse Serbia, do të kishte pasur pasoja me dekada ndaj Kosovës. Rrjedhimisht është e domosdoshme për popullin e Kosovës me pa veprime të qarta të partnerëve që ndajnë të njëjtat vlera demokratike me Kosovën dhe popullin e saj. Ne jemi dhe do të mbesim më proamerikanët në Europë, madje duke konkuruar që të jemi si shtet si Kosovë edhe më proamerikan se sa Texasi..

  • PDK-ja me rezolutë për përkrahjen e Policisë – mbështetet nga LDK-ja e AAK-ja, kundër VV-ja

    PDK-ja me rezolutë për përkrahjen e Policisë – mbështetet nga LDK-ja e AAK-ja, kundër VV-ja

    Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar rezolutë për përkrahjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që pas sulmeve në Banjskë, të përkrahjet Policia e Kosovës.

    Në rezolutën e prezantuar nga Tahiri, përfshin buxhetimin shtesë për pension të parakohshëm, shtesat e rrezikshmërisë dhe sigurimi shëndetësor.

    “Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu sic ishim unikë para një jave, të jemi unik ëqë pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmbanë tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës”.

    “Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë”, ka thënë Tahiri.

    Mirëpo, këtë propozim të PDK-së e ka kundështuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.

    Mbështetje i kanë dhënë edhe dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

  • Zelenskyy në Spanjë për ta rritur mbështetjen për Ukrainën

    Zelenskyy në Spanjë për ta rritur mbështetjen për Ukrainën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka arritur të enjten në qytetin spanjoll Granadë, për të marrë pjesë në një samit me liderë evropianë, teksa i rrit përpjekjet për të siguruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, që po përballet me pushtimin rus.

    Lufta e Rusisë në Ukrainë hyn shpejt në muajin e 20-të, por mbështetja ndaj Kievit ka nisur të zbehet në disa shtete.

    Zelenskyy dhe 46 udhëheqës tjerë shtetërorë pritet të takohen të enjten në Granadë, në kuadër të një takimi të thirrur nga Komuniteti Politik Evropian – një forum unik prej 27 vendeve anëtare dhe 20 shteteve tjera të Evropës dhe Kaukazit.

    “Synimi ynë i përbashkët është që të garantojnë siguri dhe stabilitet për shtëpinë tonë evropiane”, ka shkruar Zelenskyy në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    “Ne jemi duke punuar së bashku me partnerët për ta përmirësuar arkitekturën evropiane, sidomos sigurinë rajonale. Ukraina ka propozime substanciale në këtë drejtim”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se prioriteti kyç i Ukrainës është përmirësimi i mbrojtjes së saj ajrore, para nisjes së motit të ftohtë.

    Infrastruktura e energjisë së Ukrainës është goditur rëndë nga Rusia dimrin e vitit të kaluar, duke i përballur miliona ukrainas me situata shumë të vështira.

    Zelenskyy ka arritur në Spanjë, teksa raportohet se tre civilë janë vrarë në Ukrainë si pasojë e bombardimeve ruse në 24 orët e fundit – një në rajonin Donjeck dhe dy në qytetin Herson.

    Përgjatë natës, forcat ruse dhe ukrainase e kanë sulmuar njëra-tjetrën me dronë, të cilët kanë shkaktuar dëme infrastrukturore në qendër të Ukrainës dhe probleme me energjinë në një rajon kufitar rus.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Vdes njëri nga dëshmitarët, Haga lejon familjen të deshmojë kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Vdes njëri nga dëshmitarët, Haga lejon familjen të deshmojë kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Trupi gjykues në çështjen Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka miratuar kërkesën e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, për të lejuar tre anëtarë të ngushtë të familjes së njërës prej viktimave, e cila ka ndërruar jetë së fundmi, që të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor.

    Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), bëhet e ditur se pas pranimit të tri viktimave të reja në procesit gjyqësor ndaj Thaҫit dhe të tjerëve, numri i tyre në këtë proces ka arritur në 143.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

    Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

    Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të, i cili përfundoi dëshminë më 27 shtator.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • ​Kanosi zyrtarin policor, arrestohet një person në Pejë

    ​Kanosi zyrtarin policor, arrestohet një person në Pejë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti ka kanosur një zyrtar policor. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Pejë pasi polici e kishte ndaluar të dyshuarin dhe kishte kuptuar që i njëjti ishte duke drejtuar automjetin pa patentë shoferë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, patentë shoferi i personit në fjalë ishte sekuestruar më parë andaj zyrtari policor i kishte kërkuar që dikush tjetër të drejtonte veturën e tij.

    Kjo ishte kundërshtuar nga personi i dyshuar dhe i njëjti kishte kanosur zyrtarin policor.

    “Pas verifikimit nga zyrtari Policor, rezulton se i dyshuari e ka tё ndaluar drejtimin e automjetit pёr shkak se patentë shoferin e ka nën masën mbrojtëse (sekuestruar), ndaj tё njëjtit ёshtё shqiptuar gjoba dhe ёshtё kërkuar qё veturën ta drejtoj dikush tjetёr. I dyshuari nё shenjё revolte nuk ka pranuar qё dikush tjetër ta drejtoj veturën e tij dhe fillon tё bërtas dhe kanos viktimën (zyrtarin Policor). Personi i dyshuar ёshtё arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48- orё”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • Qytetarët njoftohen për liberalizmin e vizave, këto janë rregullat në zonën Shengen

    Qytetarët njoftohen për liberalizmin e vizave, këto janë rregullat në zonën Shengen

    Qytetarët në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të enjten dhe të premten do të kenë mundësi që të mësojnë më shumë rreth liberalizmit të vizave, raporton Ekonomia Online.

    Mendi Sejdiu, këshilltar politik i zv.kryeminsitrit Besnik Bislimi, tha se qëllimi i kësaj ngjarje është marrja e informacioneve të nevojshme për të kuptuar plotësisht të drejtat në lidhje me udhëtimin në zonën Shengen.

    Sipas tij, liberalizimi i vizave ka edhe rregullat që duhet të respektohen, si të mos tejkalohen 90 ditë brenda 180 ditëve, të keni pasaportë valide, qëllim të udhëtimit, mjete të mjaftueshme financiare, e gjithashtu liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë pune apo studime.

    Shkeljet e rregullave të liberalizimit të vizave, mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vjet.

    Nga data 1 janar 2024, qytetarët do të gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në zonën Shengen.

  • A fitohet më shumë në Prishtinë apo në Londër? Përparim Rama tregon se si i ka paguar 2 milionë euro borxhe për një vit

    A fitohet më shumë në Prishtinë apo në Londër? Përparim Rama tregon se si i ka paguar 2 milionë euro borxhe për një vit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar pyetjen e gazetarit se a më shumë fitohet në Kosovë apo në Londër, ai ka treguar përvojën e tij të të bërit biznes në Kosovë.

    Rama ka treguar se i posedon 16 milionë euro asete dhe 5 apo 6 milionë euro borxhe, duke shtuar se asetet që i posedon ia mbulojnë borxhet.

    Madje, ka treguar edhe mënyrën se si i mbulon borxhet nga asetet që i ka.

    “Unë mundem me i shit ato 16 milionë asete me më mbet mua 8 milionë edhe me i hjek krejt borxhet, por mënyra e të investuarit nuk është e meçme sepse unë i kam lëshuar me qira pronat e mia që e paguajnë atë borxh”, ka thënë ai. /atvlive.tv

    Për të mësuar si i pagoi 2 milionë euro borxhe për një vit, shikoni videon më poshtë: