ATV

Category: Lajme

  • Kurti kritikoi opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

    Kurti kritikoi opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ndonëse sesioni vjeshtor në Kuvend ka filluar gati qe një muaj, deputetët nuk e kanë miratuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

    Në seancën e së mërkurës, kur votimi i disa prej këtyre marrëveshjeve ishte në rend të ditës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan votimin. Një ditë pas iu foli kryeministri Albin Kurti.

    Por, të menjëhershme ishin reagimet e opozitës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti kryeministrin shembull më i keq të opozitarit që ka pasur Kosova.

    E LDK-ja u ankua që në kritikat e kryeministrit u përfshi edhe kjo parti, meqë në votimin e së mërkurës mori pjesë.

    Përpos debatit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje provuan edhe mënyra të tjera për t’i bindur opozitarët t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtarë.

    Vlera e shtatë marrëveshjeve ndërkombëtare që presin për ratifikim në Kuvend është mbi 360 milionë euro.

  • Ka vazhduar gjykimi për masakrën e Izbicës, për pjesëmarrjen e së cilës po gjykohet Muhamed Alidemaj

    Ka vazhduar gjykimi për masakrën e Izbicës, për pjesëmarrjen e së cilës po gjykohet Muhamed Alidemaj

    Përgatiti: Nora Luta

    Ishte vetëm 13 vjeç kur i mbijetoi masakrës së Izbicës, në mars të vitit 1999.

    23 vjet pas, Besmir Doqi përjetimet e ditës kritike ku mbetën të masakruar më shumë se 100 civilë, nisë t’i rrëfejë para një trupi gjykues, që po e gjykon Muhamed Alidemajn për krime lufte e pjesëmarrje në këtë masakër.

    Dikush nga forcat paramilitare serbe kishte folur atë ditë shqip, çka e kishte shtyrë Doqin të jetë ende në kërkim të drejtësisë dy dekada pas ngjarjes, në të cilën i humbi katër anëtarë të familjes, përfshirë babanë.

    Dëshmitari është shprehur i bindur se i akuzuari Alidemaj ka qenë i uniformuar e pjesëmarrës në masakër. Bindjen atij dhe banorëve të tjerë u kishte shtuar fakti që vetëm disa shtëpi kishin shpëtuar pa u djegur në fshatin Tushilë.

    Ndonëse, mbrojtja nuk pati pyetje për dëshmitarin, u aktivizua kur ai i dha Gjykatës një emër anonim, që sipas Doqit, do të mund të dëshmonte për të bëmat e Alidemajt. E kjo nxiti reagimin edhe të Prokurorisë.

    Gjykimi ndaj Muhamed Alidemajt do të vazhdojë në nëntor.

  • Gjenden mbetje mortore në Matiqan, dyshohet se janë të luftës së fundit

    Gjenden mbetje mortore në Matiqan, dyshohet se janë të luftës së fundit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kthimi në lokacion për gërmime dha rezultat.

    Pasditen e së enjtes, në varrezat e Lagjes Mat, u gjetën mbetjet mortore që dyshohet se janë të një personi të zhdukur nga lufta. Këtë e konfirmoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ndërkohë, Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, po vazhdonin gërmimet edhe në Bishtazhin të Gjakovës, ku një ditë më parë, u gjetën mbetje mortore që dyshohet se i takojnë po ashtu luftës së ‘99-ës.

    “Pjesët kockore që I kemi gjetur dje, konsiderojmë që janë të një individi, por janë të mjaftueshme që të na japin një identifikim të ri. Ne shpresojmë që sot të gjejmë edhe më shumë, ndoshta edhe trupa të plotë të cilët do t’i dërgojmë për identifikim…”, tha Ditor Haliti, antropolog në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Gërmimet disajavore për gjetjen e të pagjeturve nga tri masakrat e Gjakovës, bazohen në një raport analitik të Kryqit të Kuq.

    “Sipas këtij raporti, ka ekzistu dyshimi se këtu mund të ketë ende mbetje mortore, meqë ky lokacion ishte varrezë masive ku ishin vendosur të vrarët e luftës, e më pas nga këtu ishin dërguar në Serbi në një tjetër varrezë masive…”, tha Haliti.

    Kërkimi që pritet të vazhdojë për të paktën edhe 10 ditët e ardhshme, është i pari nga institucionet e Kosovës.

    Por, si ndodhi që lokacioni në Bishtazhin ishte shndërruar në varrezë masive.

    “Kanë qenë gropa të mëdha ku është nxjerrë zhavorr më herët… Serbët i kanë sjellë viktimat aty…”, tha kryetari i Këshillit Lokal Bishtazhin, Augustin Topalli.

    Paraprakisht kah mesi i muajit korrik, në Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut, ishin gjetur mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës.

  • Bujqit ankohen për ngritjen e çmimeve të naftës

    Bujqit ankohen për ngritjen e çmimeve të naftës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pa derivate nuk kanë nga t’ia mbajnë. Rritja e çmimit të naftës pikërisht në kohën e mbjelljes së grurit, po iu bënë telashe bujqve kosovarë.

    Andaj Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, kërkon masa ndaj atyre që shesin derivate me çmime të larta. Për kërkesën është e njoftuar edhe Ministria e Industrisë dhe Tregtisë.

    “Problemi numër një për neve është rritja e çmimit të naftës, në prag të mbjelljeve vjeshtare, atëherë kur bujqve iu duhet më së shumti nafta. Dhe naftëtarët e dinë se në këtë periudhë kanë shitjen më të madhe të naftës dhe në këtë moment po shfrytëzojnë ngritjen e çmimit të naftës. Kur bujqit nuk kanë zgjidhje pa e përdorë naftën… Kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë publikisht që të marrin masa dhe të mos lejojnë që në këtë periudhë të ngrihet çmimi naftës”, tha Tahiri.

    Megjithatë, bujqit ende nuk i kanë humbur shpresat sa i përket ndihmës nga Qeveria.

    Ndihmesë kishte me qenë me gjetë një mënyrë, një metodë, për fermerët të cilët shfrytëzojnë më pas një lloj benefiti një formë të ndihmës, çfarëdo që të jetë ajo, qoftë me caktimin e çmimit, ose me investime nga qeveria në mënyrë që më i ndihmu bujqit kur ngritën çmimet, nëse nuk kanë mundësi me i stopu ato ose me i caktu një naftëtarëve prandaj ky është problemi”, tha Tahiri.
    Pos derivateve të shtrenjta problem për bujqit është edhe furnizimi me fara jocilësore.

    “Kam pasur dëme në vazhdimësi, sepse kam folur vetëm të drejtën, problemi është që ne pasoja kemi të shumanshme, kemi pasë prej zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, por të njëjtën kohë edhe prej furnitorëve, para një viti e gjysmë, kur një kompani e cila e përfaqëson superioren e Serbisë, na sjell fara në vazhdimësi me vite të tëra, fara fals, dhe askush nuk merr masa për ata. Rasti tjetër këtë vit sjell fara për sumborka dhe në vazhdimësi ka sjell fara fals, tre hektarë e gjysmë i kam mbjellë fara të tilla dhe del spec tjetër i rrumbullakët”, tha Mehdi Bresilla, fermer.

    Sipas bujqve, thatësia që ka mbizotëruar këtë vit në Kosovë do të ndikojë negativisht në rendimentin e grurit.

  • ​Vetëvendosja kundër rezolutës së PDK-së për mbështetjen e Policisë së Kosovës

    ​Vetëvendosja kundër rezolutës së PDK-së për mbështetjen e Policisë së Kosovës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    As këtë herë kërkesat e opozitës nuk gjetën përkrahje nga pozita.

    Një rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për përmirësimin e kushteve të policëve të Kosovës, nuk u përkrah nga mazhoranca.
    Kjo rezolutë pati tri kërkesa.

    Por, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje këto propozime i quajti vetëm fjalë, duke thënë se për rezoluta të tilla duhet konsultime paraprake.

    Por rezolutën e PDK-së e përkrahën partitë e tjera opozitare.

    Por ani pse rezoluta nuk kaloi, debati për këtë temë vazhdoi me kritika për pushtetin.

    Kuvendi në mungesë të votave nuk arriti të miratojë as Propozim-amendamentin Kushtetues, me të cilin parashihej përfshirja e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.

  • Autoritetet kosovare presin ekstradimin e tre të dyshuarve për krime lufte nga Mali i Zi

    Autoritetet kosovare presin ekstradimin e tre të dyshuarve për krime lufte nga Mali i Zi

    Përgatiti: Nora Luta

    Brenda pak ditësh autoritetet malazeze kanë arrestuar tre të dyshuar për krime lufte, të cilët ishin në llupën e institucioneve të drejtësisë kosovare për një kohë të gjatë.

    Pas Zhivko Vuksanoviqit dhe Momçillo Bullatoviqit, të dyshuar për krime lufte në rajonin e Gjakovës dhe Pejës, të mërkurën, është arrestuar edhe 48-vjeçari I.B në qytetin e Herceg Novit.

    Sipas Prokurorisë Speciale, në një përgjigje për ATV-së ata janë arrestuar sipas fletarrestit ndërkombëtar dhe pritet të ekstradohen.

    Nisjen e procedurave të ekstradimit e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë.
    Por për shkak të rrezikut për pengim në procedurë, nuk janë dhënë detaje.

    “Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japim detaje. E rëndësishme që institucionet po punojnë dhe po bashkëpunojnë me autoritetet andej dhe do t’i kryejnë obligimet e tyre sipas legjislacionit”, ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë.

    Ndërkohë, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë arrestimet i sheh si shpresë për familjet që janë në kërkim të drejtësisë. Sipas Bekim Blakajt, gjykimi ndaj tyre duhet të zhvillohet në Kosovë, pasi, sipas tij, ka më shumë besim te gjykatat në Kosovë.

    Mali i Zi ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Kosovën në arrestimin e të dyshuarve edhe për krime lufte.

    Megjithatë, lidhur me arrestimet e fundit ka pasur reagime nga Fronti Demokratik ku njëri nga liderët më pro-rus dhe pro-serb Milan Knezheviq, i ka bërë thirrje qeverisë së Dritan Abazoviqit të mos marrë pjesë në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga Kosova.

  • ​Hapet fushata informuese për lëvizjen pa viza

    ​Hapet fushata informuese për lëvizjen pa viza

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen, pa pasur nevojë për vizë, qysh nga janari i vitit të ardhshëm.

    Megjithatë, duhet pasur kujdes të shtuar kur marrin rrugë drejt këtyre shteteve, në mënyrë që t’i shmangen ndëshkimit.

    Andaj, për t’i informuar qytetarët rreth procedurës e rregullave që parasheh liberalizimi, Qeveria nisi fushatë informuese për qytetarët.

    “Liberalizimi edhe pse do të thotë lëvizje e lirë, duhet të kemi kujdes, sepse ka edhe disa rregulla. Është për vizita afatshkurta, jo për shkollim e për punë. Duhet të keni kujdes, sepse shkeljet e rregullave kur të mblidhen mund të dërgojnë në gjoba dhe në ndalesa për hyrje në Shengen”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Meqë thirrjes për pjesëmarrje në fushatë, nuk iu përgjigjën edhe aq shumë qytetarë, organizatorët u përkujdesën që qytetarët të mund të informohen edhe përmes fletushkave.

    Përtej rregullave, të rinjtë mezi presin që të lëvizin lirshëm për në vendet e Bashkimit Evropian.

    Por dikush që jeton në mërgim, ka një porosi për vendasit.
    Sidoqoftë, fushata për informim rreth lëvizjes pa viza, e nisur në kryeqytet, do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera.

  • Michel flet për Kosovën e Serbinë: Konflikti s’është problem vetëm për ta, por për gjithë kontinentin

    Michel flet për Kosovën e Serbinë: Konflikti s’është problem vetëm për ta, por për gjithë kontinentin

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fjalën e tij në nisjen e takimit të Komunitetit Politik Evropian në Spanjë, foli për konfliktet në Evropë, duke përmendur edhe atë aktual mes Kosovës e Serbisë.

    Ai tha se konfliktet janë problem për gjithë kontinentin dhe jo vetëm për ata që janë të përfshirë, derisa shtoi se ky samit duhet të luajë rol në uljen e tensioneve.

    “Besoj që kjo platformë e Komunitetit Politik Evropian ka një rol të rëndësishëm në uljen e konflikteve dhe ndihmon në zgjidhjen e tyre, në Transcaucasia (Armenia dhe Azerbajxhani) dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sepse konfliktet nuk janë vetëm një problem për ata që janë të përfshirë direkt, por janë probleme për rajonin dhe për kontinentin tonë. Dhe ne duhet të përdorim këtë platformë që të ndërtojmë më shumë besim në mes nesh”.

    Presidentja Vjosa Osmani para se të niste ky takim kërkoi nga vendet europiane që të ndëshkojnë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

  • Shefi i BE-së thirrje qytetarëve: Heqja e vizave veç për turizëm, jo për punë

    Shefi i BE-së thirrje qytetarëve: Heqja e vizave veç për turizëm, jo për punë

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u ka bërë thirre qytetarëve të Kosovës që pas 1 janarit 2024, kur edhe do të ndodhë liberalizimi i vizave, t’i respektojnë rregullat, raporton EO.

    Ai bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë Joern Rohde, atë të Francës Oliver Guerot dhe të Italisë, Antonello De Riu kanë marrë pjesë në fillimin e fushatën informuese për liberalizimin e vizave.

    Szunyog më tej ka shtuar se kosovarët mund ta vizitojnë Evropën e familjarët e tyre, por që nuk kanë të drejtë të punojnë e qëndrojnë gjatë në vendet evropiane.

    “Liberalizimi i vizave do të bëhet me 1 janar të vitit të ardhshëm. Kosovarët do të mund të udhëtojnë në Evropë për të parë bukuritë e saj, qytetet evropiane dhe familjarët e tyre”.

    “Është e rëndësishme që kampanja ka filluar dhe që t’ju shpjegohet njerëzve çfarë është liberalizimi i vizave dhe çfarë nuk është”.

    “Njerëzit duhet ta kuptojnë që ka rregulla. Rregullat duhet të ndiqen. Të gjithë duhet ta kuptojnë se liberalizimi i vizave do të thotë liberalizim i vizave për turistë. Nuk është për qëndrime të gjata, nuk është për punë, as studentë”.

  • Borrell thotë se do të bisedojë së bashku me Osmanin dhe Vuçiqin në Granada

    Borrell thotë se do të bisedojë së bashku me Osmanin dhe Vuçiqin në Granada

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.

    I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrel tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës.”

    Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur, dhe është vrarë një zyrtar policor.

    Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

    Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.

    Aty marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.

    Më herët gjatë ditës ka pasur pritje nga liderët evropianë që Osmani dhe Vuçiq të mund të takohen në margjina të këtij takimi.

    “Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.

    Një një takim të mbajtur më 3 tetor në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.

    Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë të mërkurën se SHBA-ja është duke tentuar të kuptojë më shumë për rastin, para se të vendosë për sanksione eventuale.

    “Mirëpo, është qëndrim i prerë i Qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për krimin e vrasjes së zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës. Ne duhet ta përfundojmë këtë proces, mirëpo do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar se përgjegjësit mbajnë përgjegjësi”.

    Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka mohuar pretendimin./REL