ATV

Category: Lajme

  • Orban kundër kërkesës së Osmanit për t’i vënë sanksione Serbisë

    Orban kundër kërkesës së Osmanit për t’i vënë sanksione Serbisë

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dalë kundër kërkesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sanksionuar Serbinë pas sulmit terrorist, që grupi i udhëhequr nga Milan Radojiçiq kreu në Banjskë, më 24 Shtator. Në një deklarim para takimit jo-formal të liderëve të BE-së në Spanjë, kryeministri hungarez tha se është Kosova ajo që duhet të ndryshojë, teksa vlerësoi se Serbia është faktor stabiliteti në Ballkan.

    “Jo, jo, është qesharake, është e pamundur. Serbët kanë vuajtur nga provokimet e rregullta në dy vjetët e fundit, kështu që duhet ta kuptojmë që kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër. Mos i provokoni serbët. Provokimet çojnë në përgjigje, kjo rezulton në jo-stabilitet. Pa Serbinë, nuk ka stabilitet në Ballkan. Kështu që unë definitivisht argumentoj që të ndihmojmë Serbinë të stabilizojë rajonin”, ka thwnw Orban./atvlive.tv

  • Kurti takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, flasin për hetimet e sulmit të 24 shtatorit

    Kurti takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, flasin për hetimet e sulmit të 24 shtatorit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot gjatë paradites Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-s, Tomáš Szunyog.

    Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, hetimet që po zhvillohen rreth synimeve dhe autorët e këtij sulmi, procesi i Berlinit në prag të samitit të radhës dhe përgatitjet e Raportit të Vendit, ishin temat kyçe të bisedës në takimin e sotëm.

    Ambasadori Szunyog i shprehu edhe një herë ngushëllime kryeministrit, familjes Bunjaku dhe popullit të Kosovës, për heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, rreshterin e Policisë i cili ra në detyrë, në mbrojtje të rendit, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.

    Ambasadori, më tej, e njoftoi kryeministrin Kurti për përgatitjet që Komisioni Evropian është duke i bërë në finalizimin e Raportit të Vendit për vitin 2023, i cili pritet të miratohet në pjesën e parë të muajit nëntor.

  • ​Baerbock: Serbia të reduktojë forcat në kufi, KFOR të tregojë angazhim më të madh

    ​Baerbock: Serbia të reduktojë forcat në kufi, KFOR të tregojë angazhim më të madh

    Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi sot (6 tetor) në Tiranë se tensionet e ditëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës po rrezikojnë edhe Procesin e Berlinit.

    Baerbock i bëri këto deklarata në prononcimin për median në nisje të takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë.

    Ajo theksoi se “duhet të ecim drejt BE-së më shpejt dhe për këtë arsye Procesi i Berlinit është vendimtar lidhur me ndërlidhjen në rajon, bashkëpunimin dhe marrëveshjet e tjera mbi lëvizshmërinë”.

    Megjithatë, sipas kryediplomates gjermane, në themel qëndron siguria.

    “Prandaj, ne nëvizojmë se tensionet e ditëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës po rrezikojnë edhe Procesin e Berlinit. Unë i bëj një thirrje të fortë, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por dhe të SHBA-së, Serbisë e cila duhet të reduktojë forcat që kemi parë së fundmi. Por, edhe NATO nëpërmjet KFOR-it duhet të tregojë një angazhim më të madh në rajon”, theksoi Baerbock.

    Kryediplomatja gjermane po merr pjesë në punimet e samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.

  • Raportohet e zhdukur një grua në Marinë të Skenderajt

    Raportohet e zhdukur një grua në Marinë të Skenderajt

    Është raportuar e zhdukur një grua në Marinë të Skenderajt për të cilën familjarët nuk dinë asgjë nga data 4 e këtij muaji.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se rastin e ka lajmëruar vëllai i bashkëshortit të saj i cili ka thënë se ajo me vete e ka edhe foshnjën e saj gjashtëmuajshe.

    Në raportin e Policisë bëhet e ditur se njësitet kompetente janë duke e hetuar rastin.

    “Më datë 05.10.2023 në stacion te policisë është paraqitur ankuesi mashkull kosovar, i cili ka raportuar se më datën e lartcekur nga shtëpia ka dalë kunata e tij (gruaja e vëllait të tij i cili gjendet në Gjermani) dhe me vete ka marrë foshnjën e saj gjashtë muajsh. Sipas ankuesit deri me tani nuk kanë ndonjë informatë se ku gjendet. Njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Arrestohen tre persona për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike

    Arrestohen tre persona për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë pasditen e së enjtes.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy qese të vogla të mbushura me marihuanë me peshë prej 2.9 gram, tre telefona si dhe 6 mijë e 500 euro, 50 funta dhe 210 franga.

    “Në konsultim me prokurorin kujdestar është bërë bastisje në banesën e të dyshuarve te cilën e kanë marrë me qira dhe gjatë bastisjes kanë hasur dhe konfiskuar: 51 qese të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 115.6 gram, një peshore digjitale, një foli, një grinder, një sasi e madhe me qese të zbrazëta. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

  • Osmani takohet me kryeministrin kroat, e njofton për sulmin ndaj Policisë në veri

    Osmani takohet me kryeministrin kroat, e njofton për sulmin ndaj Policisë në veri

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

    Osmani tha se me Plenkoviqin diskutuan mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

    “E informova për provat mbi aktin e agresionit të Serbisë. Ne e vlerësojmë mbështetjen e qëndrueshme të Kroacisë për vendin tonë, për paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”, tha Osmani.

  • Suedia nis ndihmë shtesë ushtarake në Ukrainë

    Suedia nis ndihmë shtesë ushtarake në Ukrainë

    Suedia do të dërgojë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake, në vlerë të 199 milionë dollarëve, ka thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson.

    Ai ka thënë se pjesa më e madhe e ndihmës përbëhet prej municionit.

    Jonson ka thënë në një konferencë për media se Qeveria u ka kërkuar zyrtarisht forcave të armatosura që të vlerësojnë nëse Suedia do të mund të dërgojnë aeroplanët luftarakë Jas Gripen në Ukrainë.

    Më vonë, Jonson e ka përmendur që për çështje të brendshme të sigurisë, Suedia fillimisht duhet të bëhet vend anëtar i NATO-s, para se të mund të shpërndajë pajisje të tilla.

    Suedia shpreson që do të mund t’i bashkohet aleancës veri-atlantike këtë vjeshtë, dhe të marrin fund procedurat e ratifikimit nga ana e Turqisë dhe Hungarisë.

    Ndihma e re ushtarake do të jetë e 14-ta që Suedia nis në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

    Liderët evropianë janë mbledhur në Granada të Spanjës për të diskutuar rreth përkushtimit për t’i ndihmuar Ukrainës, pas turbulencave të fundit politike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë rritur dilemat në këtë drejtim.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të enjten se Rusia mund t’i sulmojë edhe shtetet tjera brenda pesë vjetëve nëse Evropa zbeh mbështetjen.Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Shtatë të vdekur e mbi 40 të plagosur nga zjarri që përfshiu një ndërtesë banimi në Indinë perëndimore

    Shtatë të vdekur e mbi 40 të plagosur nga zjarri që përfshiu një ndërtesë banimi në Indinë perëndimore

    Shtatë persona u vranë dhe më shumë se 40 të tjerë u plagosën pasi një zjarr masiv shpërtheu në një ndërtesë banimi në shtetin perëndimor Maharashtra të Indisë, thanë autoritetet lokale të premten.

    Zjarri shpërtheu në ndërtesën shtatëkatëshe rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas orës lokale në periferi të Mumbait të Goregaon, sipas Korporatës Komunale Brihanmumbai (BMC), shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    BMC tha se nga 51 të plagosur, shtatë persona kanë humbur jetën nga zjarri dhe katër janë në gjendje kritike. Rreth 35 persona janë ende nën trajtim në spitale.

    Zjarri u shua rreth orës 06:54 sipas orës lokale.

    Zëvendëskryeministri i Maharashtra, Devendra Fadnavis, shkroi në X: “Ne jemi në kontakt me zyrtarët e BMC dhe policisë së Mumbait dhe e gjithë ndihma po ofrohet.”

  • “Contour Globali” e fiton Arbitrazhin 20 milionësh – Gërxhaliu: Do të dëmtohet buxheti, po frikësohen investitorët

    “Contour Globali” e fiton Arbitrazhin 20 milionësh – Gërxhaliu: Do të dëmtohet buxheti, po frikësohen investitorët

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se dëmshpërblimi prej 20 milionë euro që Kosova do të detyrohet t’ia paguajë konsorciumit “Contour Global”, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, është goditje e rëndë për ekonominë e vendit.

    Gërxhaliu i tha Ekonomi Online se kundërshtimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit kishte ngjyrime politike, dhe se ata që e kanë përgatitur këtë skenar kanë pritur se do të fitojnë më shumë. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Kosova dëmtohet në këtë mënyrë nga veprime të papërgjegjshme të politikanëve.

    Ai pohoi se po të realizohej projekti, Kosova jo vetëm që do të siguronte energji për vete, por edhe do të mund të eksportonte. Gërxhaliu thotë se edhe ato pak investime që kanë qenë ta parapara tash do të tkurren për shkak të kësaj gjobe, ngase do të rëndohet buxheti.

    Madje shton se do të frikësohen dhe investitorët seriozë që të investojnë në Kosovë.

    “Ky informacion nuk është befasi për mua ngase më kujtohet që në vitin 2020 kur ka ndodhur një kundërshtim i tillë, kam komentuar që ka pasur ngjyrë politike dhe kam thënë që do të adresohet drejtpërdrejt në Gjykatën e Arbitrazhit. Pritjet e atyre që e kanë përgatitur gjithë këtë skenar kanë qenë që do të fitojnë shumë më tepër… Kosova në këtë drejtim nuk dëmtohet vetëm në aspektin ekonomik po dëmtohet edhe në aspektin integrues, social mbi të gjitha në aspektin emocional”.

    “Nuk është hera e parë, e dini çka ka ndodhur edhe me Telekomin. Ky është vetëm dëshmi e një katrahure që e ka kapluar Kosovën vitet e kaluara që shumë më tepër ka dominuar interesi i grupeve i partive politike sesa interesi i shtetit. Sot kur bota ballafaqohet me krizë energjetike, Kosova kishte pasur mundësi me eksportuar energji. Mirëpo ky është eksperimenti i quajtur Republika e Kosovës. Është koha për reagim është koha kur drejtësia ta thotë verdiktin e vet”.

    “Definitivisht do të jetë një goditje për buxhetin e Kosovës, do të jetë goditje për ekonominë, për qytetarin. Në fund të fundit duhet të kuptojmë që buxheti i Kosovës nuk bëhet nga politikanë po bëhet nga bizneset dhe qytetarët dhe do të ketë tkurrje të investimeve. Vërtet kjo po e dëmton shumë Kosovë, shumë kompani në të ardhmen do të ketë paragjykim se çka mund të ndodh në Kosovë, dhe do të jetë vështirë që të priten investitorë serioz”.

    Përderisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se vendimi do të kontestohet. Pas humbjes së arbitrazhit, Kosova do të detyrohet t’ia paguaj “Contour Globalit” mbi 20 milionë euro.

    Kontrata me “Contour Global” ishte nënshkruar gjatë vitit 2017 për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin planifikohej të ishte investimi më i madh i huaj në vlerë 1.3 miliard euro.

  • Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, me të cilin folën për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.

    Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për agresionin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Theksova domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për aktin e saj terrorist dhe aktin e agresionit kundër Kosovës, i cili paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin”, tha Osmani.

    Kujtojmë se e para e shtetit përveç Ruttes, gjatë ditës së djeshme i ka kërkuar edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit britanik, Rishi Sunak, e liderëve të tjerë evropianë që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës.

    Osmani ka refuzuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përpara se të vendosen sanksione ndaj shtetit serb.