ATV

Category: Lajme

  • Dhunim seksual ndaj dy vajzave, arrestohen dy persona në Podujevë

    Dhunim seksual ndaj dy vajzave, arrestohen dy persona në Podujevë

    Dy persona janë arrestuar dje në Podujevë nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat dhunim dhe sulm seksual, ndaj dy viktimave femra kosovare.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në mbrëmjen e 6 tetorit në Podujevë, ku njëra nga viktimat është dërguar në ekzaminim gjinekologjik, ndërsa dy të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Sulmi në Banjskë, çka thonë qytetarët, udhëheqësit e institucioneve dhe ekspertët e sigurisë

    Sulmi në Banjskë, çka thonë qytetarët, udhëheqësit e institucioneve dhe ekspertët e sigurisë

    Qytetarët e Mitrovicës kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Banjskë të Zveçanit, dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim, të paktën jo në formatin çfarë është zhvilluar deri tani.

    Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, potencuan se ndërmjetësuesit e deritashëm të dialogut, Borell dhe Lajçak, duhet të shkarkohen sepse kanë qenë të njëanshëm.

    Udhëheqësit e institucioneve lokale dialogun e shohin si formë të vetme të zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa për ekspertët e sigurisë, asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sepse do të ketë strategji tjetër të sigurisë dhe vigjilencë të paparë deri tani nga ana e institucioneve shtetërore.

    Sami Zeka, qytetar nga Mitrovica, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë prej fillimit ka qenë i pakuptimtë.

    Sipas tij, avantura e Borellit dhe Lajçakut në këtë dialog është dashur të ndërpritet para shumë kohësh, për shkak të njëanshmërisë së tyre ndaj Serbisë.

    Derisa nuk ndryshojnë forcat politike në Serbi, shtoi ai, Kosova gjithnjë duhet të ndihet e rrezikuar nga ndonjë sulm i ngjashëm prej fqinjit verior.

    Nazmi Fejza, një mitrovicas tjetër, bënë të ditur se tashmë kemi një situatë të re, dhe se dialogu nuk ka më kuptim të zhvillohet sipas standardeve të deritashme.

    Ai përveç ndërmjetësuesve Borell e Lajçak, konteston edhe kredibilitetin e kryetarit serb, Vuçiq në këtë dialog.

    Fejza theksoi se Rusia së bashku me Serbinë po duan që kufiri mes shteteve të tyre dhe BE-së e SHBA-së, të jetë pikërisht ura e Ibrit në Mitrovicë, andaj ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në këtë drejtim.

    Ai u shpreh i bindur se Serbia do të tentojë që në forma të ndryshme ta sulmojë sërish Kosovën.

    Ndërkaq, Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dialogun e sheh si formë të vetme të zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, ngjarjet e fundit në veri të vendit, dëshmojnë më së miri politikat serbo-ruse që kanë ndaj Kosovës.

    Ai tha se Serbia do të përpiqet në çdo mënyrë që të krijojë tensione dhe ta destabilizojë, sidomos veriun e Republikës së Kosovës.

    Në anën tjetër, Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë, ka bërë të ditur se asgjë më nuk do të jetë njëjtë sikur para 24 shtatorit, sa i përket vëmendjes së sigurisë nga ana e institucioneve shtetërore.

    Ai tha se Kosova ka mësuar shumë nga kjo ngjarje, andaj do të ketë strategji tjetër dhe vigjilencë të paparë nga ana e shtetit, përballë sulmeve të mundshme në të ardhmen.

    Ndryshe, Parlamenti Evropian ka diskutuar dy ditë më parë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, si dhe situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.

    Aty pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë.

    Disa deputetë bënë thirrje për sanksionim të Serbisë dhe hetime ndërkombëtare në mënyrë që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës të vihen para drejtësisë. Disa madje kërkuan që këtij shteti t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Një rezolutë e veçantë për situatën në Kosovë pritet të votohet në seancën e radhës që do të mbahet gjatë muajit tetor.

  • Përbën rrezik për sigurinë e Kosovës, arrestohet i dyshuari në Pejë

    Përbën rrezik për sigurinë e Kosovës, arrestohet i dyshuari në Pejë

    Një person është arrestuar në Pejë nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim.

    Sipas policisë, ai është arrestuar dje në Pejë dhe dyshohet për përgatitjen e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Reuten: Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë

    Reuten: Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, duke folur për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist në veri, tha se është e qartë cila palë po destabilizon situatën, duke kërkuar nga BE-ja që ta ndëshkojë Serbinë.

    “Pavarësisht kritikave të shumta për muaj të tërë nga ana e Parlamentit, sanksione janë vendosur vetëm ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor të destabilizimit dhe provokimeve që kemi parë prej kohësh”, deklaroi Thijs Reuten.

    Reuten ishte i qartë në kërkesën e tij, duke thënë se Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë.

    “BE duhet të braktisë politikën katastrofale të pajtimit me Vuçiqin, sepse nuk po funksionon. Sa herë Vuçiq është kthyer nga Brukseli në Beograd dhe me krenari ka treguar se nuk ka firmosur gjë, Komisioneri Varhelyi i ka shkuar në derë me 600 milionë euro! Kjo duhet të marrë fund!”, tha ai, në një intervistë me Alice Taylor në podcastin e Inside Albania.

    Për Reuten, është me rëndësi rikthimi në tryezën e dialogut, por vetëm pasi të jenë ndalur provokimet.

    “Çdo gjë që ndodhi, jo vetëm gjatë javës së shkuar por edhe në muajt pas Marrëveshjes së Ohrit, hyn në listën e gjatë të provokimeve. Duhet krijuar atmosfera e duhur që palët të ulen në një tryezë sërish dhe të punojnë për normalizimin”, nënvizoi Reuten.

    Eurodeputeti holandez kritikoi edhe marrëdhënien e afërt mes Serbisë dhe Rusisë.

    Sipas tij takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd, vetëm një ditë pas sulmit të Banjskës, është tregues se presidenti serb nuk e merr seriozisht Bashkimin Evropian.

  • Izraeli publikon pamjet e sulmit ajror në Rripin e Gazës

    Izraeli publikon pamjet e sulmit ajror në Rripin e Gazës

    Ministria izraelite e Mbrojtjes ka publikuar një video të një sulmi ajror në Rripin e Gazës, ku objekte të ndryshme janë goditur me raketa.

    Dyshohet se brenda objekteve të goditura nga izraelitët, ishin fshehur pjesëtarët e Hezbollahut, të cilët konsiderohen si organizatë terroriste nga Izraeli.

    Më shumë se 480 izraelitë dhe palestinezë kanë vdekur deri më tani.

  • Shkon në 300 numri i izraelitëve të vrarë, ndërsa i palestinezëve në 256

    Shkon në 300 numri i izraelitëve të vrarë, ndërsa i palestinezëve në 256

    Numri i izraelitëve të vrarë ka shkuar në 300, ndërsa i palestinezëve në 256.

    Izrealitët janë vrarë në sulmin e Hamasit në Izrael.

    Kurse, palestinezët u vranë në Rripin e rrethuar të Gazës, raporton Al Jazeera.

    Ishin militantët e Hamasit që lëshuan mijëra raketa në drejtim të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe mësynë nga shumë drejtime duke kryer masakër mbi civilët dhe ushtarakët, duke regjistruar të paktën 250 viktima.

    Qeveria e Izraelit tha se Hamasi filloi luftën, angazhoi ushtrinë dhe mblodhi rezervistët duke paralajmëruar një kundërofensivë të pashembullt, pasi sipas tyre, Hamasi hapi “portat e Ferrit”.

    Hakmarrja ndaj Hamasit nuk vonoi. Një breshëri raketash goditën pozicionet e dyshuara të Hamasit në Gaza duke lënë pas të paktën 232 viktima dhe mijëra të plagosur.

    Grupi Hamas tha se e ka ndërmarrë sulmin pas përdhosjes së xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së pushtuesve ndaj civilëve të pambrojtur palestinezë. Ata kanë kapur dhjetëra robër, civilë dhe ushtarakë të lartë izraelitë. Përmes pengjeve të kapur synojnë të lirojnë gjithë palestinezët e burgosur në Izrael.

    Ndërsa kryeministri Netanjahu u ka bërë thirrje militantëve të mbrojnë jetën e pengjeve dhe se do të arrijnë në çdo vend që fshihen për t’i liruar. Kreu i qeverisë ka ftuar opozitën të krijojnë një qeveri emergjente për të menaxhuar krizën.

  • Mbyllet për disa orë një pjesë e magjistrales Podujevë- Prishtinë

    Mbyllet për disa orë një pjesë e magjistrales Podujevë- Prishtinë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se sot do të realizohet punime teknike në ndërrimin e një valvule në fshatin ” Llugë” të Podujevës.

    Në njoftim thuhet se dalja për Prishtinë në Albanik do të mbyllet në orën 08:00, ashtu që të krijohen kushte për punë për ekipin e makinerisë.

    “Do të ketë çrregullime në sistemin e furnizimit me ujë në fshatrat Albanik-Prishtinë. Punimet zgjasin rreth tre orë.”

  • Von Cramon: Ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, duhen miratuar nga Këshilli

    Von Cramon: Ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, duhen miratuar nga Këshilli

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka konfirmuar se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, në përgjigje të sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Kështu ka deklaruar Von Cramon në një intervistë me Alice Taylor në podcastin Inside Albania.

    Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon.

    Për von Cramon, Vuçiç duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.

    “Vuçiç është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, shtoi ajo.

  • Ministri Vitia për ATV-në: Numri i policëve brenda QKUK-së do të shtohet

    Ministri Vitia për ATV-në: Numri i policëve brenda QKUK-së do të shtohet

    Përgatiti: Sara Shehu

    Vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, në hapësirat e QKUK-së janë raportuar 128 raste të konflikteve fizike, vjedhje e shkelje të ndryshme, tregojnë të dhënat e Policisë.

    Sipas nënkryetarit të Shoqatës Sindikale të QKUK-së, incidentet e tilla ndodhin për shkak të keqmenaxhimit nga institucionet relevante.

    “Problemi është tek institucionet, këto raste nuk do të ndalen derisa të gjendet një model se si të komunikojë familjari i pacientit me mjekun. Në Urologji në vitin e kaluar kemi pas një therje të një infermieri nga një familjar, pasi sipas familjarit komunikimi ka qenë jo i denjë. Po ashtu, në klinikën e Radiologjisë kemi vizita ambulantore, dhe ka raste të ndryshme kur ballafaqohemi me familjarë që për shkak se u themi me ble barna, sepse institucioni nuk mund t’i sigurojë, përdorin një metodë të keqe të sjelljes. Pra mungesat elementare duke filluar nga barnat e kushtet po i sjellin këto incidente brenda QKUK-së”, tha nënkryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Agron Kryeziu.

    Përpos sulmeve ndaj stafit mjekësor, në zënkat nëpër korridore të klinikave shpesh është përfshirë edhe stafi i sigurisë. Janë së paku 270 punëtorë të cilët mbajnë rendin, por sipas njohësve të sigurisë puna e tyre pa kamera është më e komplikuar.

    “Sa i përket mosmonitorimit të kamerave të sigurisë në QKUK, unë mendoj se është një problematikë me të cilën do të duhej të merrej menaxhmenti i ri i SHSKUK-së. Sepse nuk duhet të lejohet që në disa pjesë të mos ketë kamera të sigurisë”, tha Drizan Shala, njohës i sigurisë.

    Sipas SHSKUK-së, vetëm 50% e hapësirës monitorohet nga kamerat.

    E për të evituar cenimin e sigurisë në çfarëdo forme brenda institucionit më të madh të shëndetit publik në vend, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se planifikohet shtimi i numrit të policëve brenda hapësirave të QKUK-së.

    “Për kapacitetet e sigurisë, rreth dy javë më herët kam biseduar me Xhelal Sveçlën dhe drejtorinë e Policisë, kam kërkuar ndihmë në aspektin e sigurisë dhe ndihmave të tjera për nivelin e rregullsisë në QKUK. Pra kam kërkuar shtimin e numrit të policëve brenda oborrit të QKUK-së. Kështu tentojmë me këtë plan të minimizojmë konfliktet dhe kanosjet që po ndodhin brenda QKUK-së”, tha Vitia.

    Sipas të dhënave të Policisë, numri i incidenteve të dhunshme gjatë këtij viti, ishte më i lartë krahasuar me vitin 2022, kur u shënuan vetëm 26 raste.

  • Nxënësit e shkollës fillore “Eqrem Çabej” në Mitrovicë nuk kanë sallë për edukatë fizike

    Nxënësit e shkollës fillore “Eqrem Çabej” në Mitrovicë nuk kanë sallë për edukatë fizike

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Sallë të edukatës fizike nuk kanë.

    Kështu nxënësit e shkollës fillore “Eqrem Çabej” në Mitrovicë, detyrohen që orën ta mbajnë në oborrin e shkollës.

    “Mungesa e sallës së edukatës fizike është mungesë e madhe, në sezonën e dimrit për shkak të vërshimeve orën e humbim dhe shumë shpesh orën duhet ta mbajmë në klasë”, thotë një nxënës.

    “Ne e kemi shumë problem mungesën e sallës së edukatës fizike, për shkak që orën duhet ta mbajmë në oborr të shkollës por edhe në klasë dhe ky ambient ku ne e mbajmë orën nuk është adekuat për shkak të kushteve që ofron”, tha Enea Emini, nxënëse.

    Ndërkaq, drejtoresha e kësaj shkolle tha se për realizimin e projektit shkollës i nevojitet ndihma e Komunës.

    “Shpresoj që komuna na ka premtuar që do ta bëjnë një sallë të mirë, për shkak që është problem edhe për nxënësit edhe për mësimdhënësit. Me të vërtetë është vështirë edhe për nxënës sepse gjatë stinës së dimrit është shumë ftohtë”, tha drejtoresha e shkollës, Hevzije Sadiku-Alidemaj.

    ATV-ja ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës lidhur me këtë çështje por nuk ka marrë përgjigje as pas dy javësh.