ATV

Category: Lajme

  • ​Të enjten dy seanca, në votim edhe disa marrëveshje ndërkombëtare

    ​Të enjten dy seanca, në votim edhe disa marrëveshje ndërkombëtare

    Të enjten do të mbahen dy seanca plenare, ku deputetët do të votojnë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare. Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku deputeti i LVV-së, Armend Muja shtoi se PDK e ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim. Ai u shpreh se arsyeja e mos-pjesëmarrjes në votim të kësaj partie është sanksionimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja u shpreh se zgjedhjet nuk janë në dobi të opozitës në këtë kohë, por që shtoi se për këtë nuk frikësohet Lëvizja Vetëvendosje.

    “Të enjten do të jenë dy seanca, një seancë e cila në mëngjes do të mbahet me kërkesë të opozitës dhe e dyta do të mbahet sipas rendit të ditës dhe aty do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare. Marrëveshja ndërkombëtare që do të hidhet në votim është mirë që të kuptohet nga publiku, janë dy marrëveshje të financuara nga qeveria gjermane, një marrëveshje për bujqësi për zonën malore me qeverinë gjermane, tjetra është për KOST-in sa i përket riparimit të linjave të fuqisë 110 dhe 220. Një marrëveshje tjetër që hidhet në votim është me Qeverinë e Danimarkës sa i përket përdorimit të burgjeve të Kosovës, një marrëveshje tjetër është linja hekurudhore Prishtinë-Mitrovicë një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

    Muja shtoi se puna e Kuvendit po vështirësohet, meqë opozita nuk po heq dorë nga qëndrimet.

    “Ju e dini që ne kemi pasur vështirësi që gjashtë-shtatë muaj që këto marrëveshje të votohen. Sipas nenit 19 dhe 20 kërkohet shumica që këto marrëveshje të votohen. Mjerisht, për shkak të abstenimit apo mos-votimit nga partitë opozitare, këto marrëveshje nuk kalojnë. Sot ne na u tha zyrtarisht nga Partia Demokratike të Kosovës që arsyeja pse këto marrëveshje nuk i votojnë është për shkak se Kosova është nën sanksione ndërkombëtare. Mendoj që është e padrejtë ndaj qytetarëve, sikurse që ishin sanksionet. Mendoj që edhe logjika e sanksionimit të Kosovës a qenë gabim tashmë, masat ishin të padrejta. Është për keqardhje që një subjekt politik paska marrë pozicionim të tillë, por gjithsesi e sinqertë që ta kuptojmë që pas 6-7 muajve na u tha sinqerisht se pse ato nuk po votohen”, shtoi ai.

    Pas mbledhjes së kryesisë, Muja shtoi se qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës dhe se u takon qytetarëve në veri të vendit që të ndryshojnë kryetarin e komunës.

    “Ne si shumicë parlamentare e kemi bindjen që qeveria i ka plotësuar të gjitha përkushtimet e Bratislavës. Parimisht jemi shumë të interesuar që çdo subjekt politik të merr pjesë në zgjedhje, sikurse edhe qytetarët e atij vendi. Megjithatë, është e fundit që mund të moralizojë për këto çështje Lista Serbe. Unë besoj që sa i përket Listës Serbe kemi disa çështje për të sqaruar, sa i përket atyre çështjeve të mbarëvajtjes ose inicimit të procesit zgjedhor, udhëzimi administrativ është miratuar dhe i takon qytetarëve në rast që ata e duan që ta ndryshojnë kryetarin e komunës, ju takon qytetarëve”, u shpreh ai.

    Teksa komentoi agresionin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, Muja shtoi se forcat e rendit duhet të kërkojnë ekstradimin e Milan Radojiçiqit.

    “Forcat tona të rendit por edhe ato të sistemit gjyqësor duhet të bëjnë përpjekjet maksimale që të kërkojnë ekstradimin e tij, por jo vetëm të atij, të të gjithë pjesëmarrësve është e rëndësishme. Kosova duhet të përkushtohet edhe për urdhërdhënësit politik ata që e kanë mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht. Aty duhet të jetë fokusi, nuk është e mjaftueshme vetëm për një individ, sepse aty kishte një aparat të tërë shtetëror. Vuçiq, Mojsiloviç, Vuçeviq që është ministër i Mbrojtjes, Vulin shef i BIA-s, këto janë figura me rëndësi jetike që t’i përkushtojmë më shumë vëmendje”, shtoi ai./KP

  • Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës

    Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës

    Bërnabiq bojkoton fotografinë familjare të Samitit të Berlinit, shkak flamuri i Kosovës
    Ka përfunduar sesioni i parë i samitit të Procesit të Berlinit.

    Pas kësaj liderët e Bashkimit Evropian së bashku me ata të Ballkanit Perëndimor, kanë bërë fotografinë e përbashkët, mirëpo ka munguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka bojkotuar atë për shkak të flamurit të Kosovës.

    Para atyre kanë performuar një grup vallëtarësh nga të gjitha komunitetet në Shqipëri.

  • Rama kërkon bashkëpunim më të madh: Premtimet e Samitit të Berlinit s’u realizuan plotësisht

    Rama kërkon bashkëpunim më të madh: Premtimet e Samitit të Berlinit s’u realizuan plotësisht

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kërkuar bashkëpunim më të madh të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre jo anëtare.

    Në hapjen e punimeve të Samitit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Rama tha se i njëjti është një moment historik për fqinjësinë e mirë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Megjithatë, Rama tha se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit, i cili ka nisur para nëntë viteve nuk janë zbatuar plotësisht.

    Ai përmendi një deklaratë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel se demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë.

    “Gjatë këtyre 9 viteve kemi dëshmuar takime të panumërta midis nesh dhe palës së BE. Ne edhe u bëmë pionerë të iniciativave tona. Për këto 9 vite kemi përftuar mjaft përvojë duke shkëmbyer pikëpamje dhe duke mësuar që të biem dakord që nuk biem dakord. Më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë. Angela Merkel e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, tha ai.

    Mirëpo ai u shpreh i lumtur me angazhimin dhe hapat konkret të Komisionit Evropian për mbështetjen ekonomike ndaj rajonit ballkanik.

    “Është për t’u përgëzuar Ursula dhe komisioni. Tashmë po marrim hapa për ndryshime kryesore politike dhe ekonomike. Tashmë jemi në pikën kur diskutojmë tregtinë. Procesi është penguar nga çështje afatgjata midis disa vendeve të rajonit. Fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë. Procesi i anëtarësimit i bazuar në merita duhet të vazhdojë për të mirën tonë”, tha ai.

    Ndërkaq, nënvizoi sfidat me të cilat po hasin vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme midis anëtarëve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë, sfidat me të cilat përballen vendet jo anëtare të BE-së nuk është e lehtë. A mund të përballojmë këto ndasi midis vendeve të BE-së dhe vendeve jo anëtare”, tha Rama./kp

  • Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

    Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes në koordinim me SHBA-në

    Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka mbajtur dëgjim publik për projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Deputetë dhe përfaqësues të institucioneve kanë diskutuar për rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të inteligjencës, marrë parasysh kërcënimet e fundit dhe agresionin serb.

    Kryesuesi i grupit punues të këtij projektligji, deputeti Enver Dugolli theksoi se ky institucion do të jetë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Ne e kemi AKI-në që është institucion edhe kushtetues edhe ligjor, inteligjencë kemi tek policia, inteligjencë kemi edhe tek dogana, prandaj tash po e bëjmë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe, është shumë me rëndësi që në këtë fazë të diskutojmë sepse jemi bash në momentin e duhur që ta bëjmë ligjin sa më të mirë dhe sa më të zbatueshëm edhe që të mos ketë më pastaj në zbatim probleme ku shfaqen sa i përket kompetencave, raportimit dhe sa i përket aspekteve tjera profesionale”, deklaroi ai.

    Ai ka pyetur përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes për modelin që është përzgjedhur për krijimin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

    Gjenaral Gëzim Hazrolli tha se në diskutim me partnerin amerikan janë pajtuar që trajnimin e stafit dhe ngritjen e kapaciteteve ta bëjnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Bazuar në një plan që është bërë me lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ne kemi marrë vendim që në vitin e parë ta draftojmë dhe të aprovojmë politikat e zhvillimit të këtij kapaciteti, që është draftuar dhe aprovuar. Viti i dytë ka qenë draftimi i koncept-dokumentit bazuar në legjislaturën që kërkohet për mbarëvajtjen e krijimit të legjislaturës në vend dhe është draftuar dhe miratuar koncept-dokumenti nga Qeveria e Kosovës. Dhe viti i tretë ka qenë planifikim që të draftohet Ligji për ngritjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Në kontekst të kësaj, dua të përmend që gjatë gjithë fazave, grupet punuese kanë qenë të ftuar të gjithë akterët vendor që draft-ligji qysh në fazat e para të ketë imputet e nevojshme”, u shpreh ai.

    Ai shtoi se Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk ka këtë model për informacionin.

    “Sot Ministria e Mbrojtjes dhe FSK ka një kapacitet të inteligjencës, ky kapacitet është i koncentruar në të gjitha nivelet, nivelin taktik-operacional dhe strategjik dhe ne jemi duke prodhuar për çdo ditë ose në vazhdimësi atë sa kemi mundësi që lidershipin tonë ta pajisim dhe ta ndihmojmë me informacion të nevojshëm për marrjen e vendimeve në kohë dhe vendimeve të drejta. Në aspektin e nevojës të përshpejtimit të kësaj, kërcënimet dhe rreziqet globale dhe rajonale dhe në vendin tonë janë për çdo ditë të nivelit ose të aspektit të tillë, që duhet të jemi shumë vigjilent dhe të nevojshëm që të prodhojmë inteligjencë për shkak që kërcënimet janë duke ndryshuar formë dhe impakt në përditshmëri. Dhe jemi të vetëdijshëm që kohëve të fundit kemi pasur ballafaqim dhe kemi pasur kërcënime të tilla, që kanë kërcënuar vendin me një agresion të hapur, që është fushë që duhet ta analizojmë shumë mirë dhe t’i përgjigjemi me kapacitet që ka nevojë”, shtoi ai.

    Këshilltari ushtarak i kryetares së shtetit, Sefer Isufi theksoi se presidentja dhe kryeministri do të interferojnë në përmbajtjen dhe qëllimin që ka agjencioni.

    “Edhe një çështje që është relevante që detyrimisht na interferon në kuadër të këtij ligji nga autoriteti kushtetues i presidentes, është edhe autoriteti që e merr vendimin apo e dekreton drejtorin e këtij agjencioni. Grada e drejtorit është gjeneralbrigade, detyrimisht autoriteti i presidentes dhe kryeministrit interferon edhe në përmbajtjen edhe qëllimin që ka agjencioni. Kështu që ne të gjitha këto çështje do t’i analizojmë, vlerësojmë dhe do t’i adresojmë në kuadër të grupit që do të punojë në vazhdim”, deklaroi ai.

    Mbështetje për këtë projektligj ka dhënë edhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë, ku u tha se do të ndajnë përvojën dhe trajnimet.

    “Sa i përket shqetësimit që është struktura e njëjtë, cikli i informacionit të rrjedhjes dhe grumbullimit por edhe trajtimit njëfarë forme t’i determinon disa struktura që janë më shumë se të domosdoshme. Tash nëse është agjenci, patjetër që duhet të ketë një strukturë të grumbullimit, një strukturë të drejtimit dhe një strukturë të analizimit të informacionit. Kërcënimet nga jashtë, muri i jashtëm është më shumë se i domosdoshëm, qysh dje është dashur ta kemi, por tjetër që disa procese na determinojnë që ta bëjmë apo t’i funksionalizojmë më vonë”, deklaroi ai. /KP

  • Albin Kurti publikon foto me Edi Ramën

    Albin Kurti publikon foto me Edi Ramën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar, disa fotografi nga fillimi i punimeve të Samitit të 10-të të aprocesit të Berlinit, që po mbahet në Tiranë.

    Ai ka pasur një shtrëngim të shkurtër duarsh me nikoqirin, kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

  • Lajçak për Ahtisaarin: Një gjigant shumë i respektuar i politikës së jashtme

    Lajçak për Ahtisaarin: Një gjigant shumë i respektuar i politikës së jashtme

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka reaguar pas vdekjes s ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili kishte qenë i angazhuar në çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

    “I pikëlluar thellë për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Finalndës dhe laureatit të Nobelit, Martti Ahtisaari. Një gjigant shumë i respektuar i politikës së jashtme, i vlerësova pa masë njohuritë, vizionin dhe vlerësimet e tij. Ai dikur tha se paqja është çështje vullneti. Kjo mbetet më e vërtetë se kurrë”, shkruan ai në një postim në platformën X (Twitter).

    Martti Ahtisaari ka vdekur sot në moshën 86 vjeçare.

  • Kush ishte Martti Ahtisaari?

    Kush ishte Martti Ahtisaari?

    Ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari vdiq në moshën 86-vjeçare të hënën, më 16 tetor, në orën 6:40, në Helsinki.

    Ahttisari pati një karrierë të gjatë si ndërmjetës ndërkombëtar i paqes për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare, duke përfshirë Kosovën, Irakun, Namibinë dhe Indonezinë.

    I lindur më 23 qershor 1937, Martti Ahtisaari ishte një politikan finlandez dhe ndërmjetës i njohur.

    Ahtisaari ishte president i Finlandës (1994–2000).

    Duke u vlerësuar karriera e tij e suksesshme në misionet e tij të ndërmjetësimit, Ahtisaari u emërua si i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës.

    Më 24 korrik 2006, i emëruari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, në mënyrë të suksesshme solli në tavolinë udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe Serbisë në takimin e parë të nivelit të lartë për procesin e statutit të Kosovës në Vjenë, po ashtu të quajtur “takimi i elefantëve”.

    Derisa palët detajuan pozitat e qëndrimeve të tyre, takimi u vlerësua si i suksesshëm në kuptimin që i mblodhi për herë të parë udhëheqësit kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit në një vendtakim.

    Në vitin 2007 Ahtisaari bëri një propozim – të pranuar nga Kosova, por u refuzua nga Serbia, plan ky që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

    Në vitin 2008 ai u nderua me çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare.

    I lindur në Viipuri, Finlandë, Ahtisaari u zhvendos së bashku me pjesën tjetër të familjes së tij kur qyteti iu dorëzua Bashkimit Sovjetik në vitin 1940 pas Luftës Ruso-Finlandeze.

    Familja e tij u zhvendos fillimisht në Kuopio në Finlandën jug-qendrore dhe më vonë në veriperëndim në Oulu.

    Ahtisaari u diplomua në Universitetin e Oulu në vitin 1959 dhe në fillim të viteve 1960 punoi në Pakistan në një projekt arsimor për Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar.

    Ai u kthye në Finlandë dhe iu bashkua Ministrisë së Punëve të Jashtme në 1965; tetë vjet më vonë ai u emërua ambasador në Tanzani, një post që e mbajti deri në vitin 1976.

    Ai ishte gjithashtu i dërguar (1975–76) në Zambia, Somali dhe Mozambik.

    Ahtisaari avancoi aftësitë e tij diplomatike si komisioner i Kombeve të Bashkuara për Namibinë (1977–81), një vend i përçarë nga përplasjet e brendshme.

    Ai vazhdoi të përfaqësonte Namibinë si i deleguar gjatë viteve 1980 ndërsa shërbente në disa poste të Ministrisë së Jashtme finlandeze dhe drejtoi ekipin e OKB-së që mbikëqyrte shkuarjen e Namibisë drejt pavarësisë (1989–90).

    Veç këtyre, Ahtisaari ishte një figurë e rëndësishme në bisedimet e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–93).

    Në vitin 1994 Ahtisaari ishte kandidat për presidencën finlandeze dhe vizioni i tij për Finlandën si një pjesëmarrës aktiv në çështjet ndërkombëtare e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet.

    Ahtisaari kërkoi hyrjen e shtetit të tij në Bashkimin Evropian dhe në gjysmën e parë të vitit 1999, Finlanda mori presidencën e radhës të BE-së.

    Ndër tjerash, në vitet 2007–2008 ai ndihmoi në organizimin dhe ndërmjetësimin e bisedimeve në Helsinki midis myslimanëve sunitë dhe shiitë irakianë.

    Në vitin 2021 u njoftua se Ahtisaari vuante nga sëmundja e avancuar e Alzheimerit.

    Përveç çmimit Nobel, Ahtisaari mori edhe çmime të tjera./kp

  • Nis Samiti i Berlinit

    Nis Samiti i Berlinit

    Ka filluar Samiti i Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë.

    Pas pritjes zyrtare liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre rajonal, kryeministri Edi Rama ka hapur sesionin e punimeve, ku gjashtë vendet rajonale, nën kryesimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nënshkruajnë marrëveshjen e re për njohjen e ndërsjellë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluar për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

    Gjatë ceremonisë së pritjes zyrtare kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi të deklarohet për medie, ndërkaq zyrtarë të BE-së përmenden edhe tensionet e fundit Kosovë-Serbi.

  • ​Holanda kërkon uljen e tensioneve në veri

    ​Holanda kërkon uljen e tensioneve në veri

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulen tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai në hyrje të ndërtesës ku ka nis Samiti i Berlinit, është pritur nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, i ka thënë mediave se edhe sot do t’i kërkojë Kurtit uljen e tensioneve.

    “Natyrisht ne kërkojmë uljen e tensioneve. Unë fola gjerë e gjatë me presidentin Vuçiq një javë më parë në Grenada dhe sot kam rastin të flas me kryeministrin e Kosovës në mënyrë që të gjithë të ndihmojmë në uljen e tensioneve”, ka thënë ajo.

  • Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët

    Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët.

    Ajo është shprehur se kjo do të thotë që është kusht që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë qasje fqinjëve të tyre në tregun e tyre.

    “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfundojnë dhe të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët, kjo do të thotë që është kusht që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë qasje fqinjëve të tyre në tregun e tyre”.

    “Pra, po ta kthejë këtë që e thash ndryshe, në rast se ka bllokime dhe të vetmin bllokim që t’i arrinë është vetën tënde sepse të tjerët do të ecin përpara dhe për të ecur përpara kërkohen reforma, reforma të thella edhe për të përmirësuar klimën e biznesit”, është shprehur tutje ajo.