ATV

Category: Lajme

  • Kosnett: Kosova u trajtua si një fëmijë i padisiplinuar, ekzistonte një tendencë për t’u frustruar me të

    Kosnett: Kosova u trajtua si një fëmijë i padisiplinuar, ekzistonte një tendencë për t’u frustruar me të

    Përpjekjet për të tërhequr Serbinë në krahët e Perëndimit në vend të Kinës dhe Rusisë nuk kanë dhënë rezultate dhe është koha për të nisur një qasje të re, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnett.

    Kossnett, i cili ishte ambasador nga viti 2018 deri në vitin 2021, tha në një intervistë për mediumin “Euractiv” se gjatë 15-20 viteve të fundit të përpjekjeve për të ndërmjetësuar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ekzistonte një lloj tendence për t’u frustruar me Kosovën dhe për ta trajtuar atë si “fëmijë të padisiplinuar, që duhet të bëjë siç është thënë”.

    “Kjo, e kombinuar me idenë se Serbia është më e rëndësishmja në rajon dhe ne duhet ta “fusim në vathën evropiane dhe jo ta shtyjmë në krahët e Rusisë dhe Kinës”, nuk ka qenë qasja më e mençur”, shtoi ai.

    “Unë mendoj se Serbia qartazi është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk ka treguar ende ndonjë rezultat”, tha ai.

    Kossnett, tani bashkëpunëtor i lartë për programin e mbrojtjes dhe sigurisë transatlantike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, shtoi se është koha që Evropa dhe Perëndimi duhet të jenë më realistë për këtë.

    Kossnett tha se do të ishte një manifestim i rëndësishëm i solidaritetit evropian dhe perëndimor të “njohësh realitetin që Kosova ekziston” dhe faktin “që është shtet”.

    “Mendoj se kjo do të ishte kohë e mirë për SHBA-në dhe Bashkimin Evropian që t’i bëjnë një thirrje të fortë atyre vendeve evropiane që janë anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë”, tha ndër të tjera Kossnett.

  • OKB-ja strehon 400 mijë palestinezë në shkollat dhe ndërtesat e saj në Gaza

    OKB-ja strehon 400 mijë palestinezë në shkollat dhe ndërtesat e saj në Gaza

    Më shumë se 400 mijë palestinezë janë strehuar në shkollat dhe ndërtesat e OKB-së në të gjithë Rripin e Gazës.

    “Të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara po privohen nga dinjiteti bazë njerëzor. Ky është një turp total”, tha agjencia e OKB-së në Palestinë, në X (ish-Twitter).

    “Ne si UNRWA mbajmë zi për humbjen e 14 kolegëve”, shtuan ata.

  • ​Gjithçka gati për Samitin e Berlinit

    ​Gjithçka gati për Samitin e Berlinit

    Tirana është gati. Kryeqyteti shqiptar do të jetë sot nikoqir i samitit të Procesit të Berlinit, ku janë mbledhur krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe të gjithë liderët rajonal, raporton kp.

    Pjesë e samitit është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili krahas takimeve të përbashkëta, do të ketë takim bilateral edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

    Në bazë të agjendës samiti do të nis në orën 11:00 ku do të bëhet pritja e liderëve nga nikoqiri, kryeministri Edi Rama.

    Më pas do të hapet sesioni i punës ku pritet që udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës pritet të nënshkruajnë ujdinë për njohjen e ndërsjelltë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluara për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

    Po ashtu do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën.

    Ndërkaq nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pritet të jepet propozimi për “Planin e rritjes” i cili ka fokus zgjerimin dhe përafrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

    Ndërkaq pasditen e sotme do të jetë konferenca e përbashkët për medie e kryeministrit Edi Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.

  • 26 vjet nga rënia e dëshmorit Adrian Krasniqi

    26 vjet nga rënia e dëshmorit Adrian Krasniqi

    Sot mbushen 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit gjeneral Adrian Krasniqi gjatë një sulmi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në stacionin e policisë serbe, në Kliçinë në afërsi të Pejës, e cila ishte një pikë strategjike e forcave policore dhe ushtarake serbe.

    Adrian Krasniqi, i lindur më 11 tetor 1972, është ushtari i parë i rënë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai ishte student i Fakultetit Ekonomik të UP-së dhe njëra nga celulat e para të UÇK-së me gradën e komandantit të logjistikës në nivel të SHP të UÇK-së, ndërsa gradën gjeneralmajor e mori pas vdekjes.

    Ishte ndër luftëtarët e guximshëm që i dhanë goditjen regjimit serb në kohën kur gjithçka mohohej dhe kur çdo e drejtë njerëzore ishte e parealizueshme gjatë okupimit gati 90-vjeçar të Kosovës nga pushtuesit serb, e cila rezultoi me çlirimin e vendit më 12 qershor 1999.

    Policia serbe kishte publikuar një video me rastin e këtij sulmi të UÇK-së.

  • ​Tirana e veshur me flamujt e BE-së, këngë e valle popullore në Samitin e Berlinit

    ​Tirana e veshur me flamujt e BE-së, këngë e valle popullore në Samitin e Berlinit

    Kanë mbetur një orë që nga fillimi i punimeve të Samitit të Berlin, i cili për herë të parë po mbahet jashtë vendeve të BE-së, konkretisht në Shqipëri.

    Tirana është veshur me flamujt e Bashkimit Evropian. Teksa mësohet se veç takimeve zyrtare liderët evropianë do të priten me disa element surprizë, tradicionalë, si këngë e valle popullore.

    Piramida do të jetë mjedisi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, që nisin në orën 11 të mëngjesit të 16 tetorit e përfundojnë në orën 19:30. Në hyrje të piramidës është vendosur edhe tabela e Samitit ku do të realizohet fotoja e përfaqësuesve të BE-së, me mikpritësin Edi Rama.

    Samiti do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të këshillit të BE-së, Charles Michel.

    Më tej do të ketë dy forume pune me tematikë integrimin e rajonit në tregun unik me BE dhe sfidat e mundësitë për investime e rritje në Ballkan. Në drekën e punës të planifikuar në orën 14 do të diskutohet mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

    Pasditja e të hënës do të jetë edhe më ceremoniale me hapjen zyrtarisht të piramidës e cila do të shoqërohet me vizita në godinë e shfaqje të një video të transformimit të piramidës.

    Në agjendë planifikohet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der leyen; që pas samitit të BE-së, në 6 dhjetor e shndërrojnë sërish Tiranën si kryeqytetin evropian me Samitin e Berlinit.

    Në samit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.

  • ​Sot ditëlindja e Enver Hoxhës, çfarë dihet për fëmijërinë e tij

    ​Sot ditëlindja e Enver Hoxhës, çfarë dihet për fëmijërinë e tij

    Enver Hoxha ishte djalë i një familjeje modeste gjirokastrite. Ai besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës. Pavarësisht se 16 tetori ishte festa e ditëlindjes së tij, kërkimet dokumentare për të janë të rrëmujshme.

    Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën, janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. Regjistri i bashkisë Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75 shënimet për lagjen “Teqe-Meçite-Hazmurat”, shënon se Enver Hoxha, ka lindur më 12 maj 1908.

    Shënimi sqaron se prindërit e tij janë Halil (babai) dhe Gjylo (nëna)”. Në Liceun e Korçës, Hoxhës i janë shënuar dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor (vitet 1929 e 1930).

    Në Francë, figuron me ditëlindje 3 tetor ndërsa gazeta “Bashkimi” 1946 vendoste si ditëlindje 3 shtatorin. 16 Tetori, ditëlindja që ai festonte vetë u bë publike në gazetën Bashkimi më 16 tetor 1947. Por këto të dhëna s’kanë luajtur ndonjë rol në biografinë e tij. Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.

    Ai kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir, i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tre motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen.

    Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë.

    Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.

    Në tetor 1930, Enver Hoxhës iu dha një bursë nga qeveria e Zogut për të studiuar biologji në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë.

    Në korrik të vitit 1936, Enver Hoxha kthehet përfundimisht në Shqipëri. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij.

    Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

    Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij. Pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

  • Mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 406 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 22 aksidente me të lënduar dhe 23 me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit janë arrestuar edhe shtatë persona dhe shtatë janë dërguar në mbajtje.

  • Vdes Martti Ahtisaari

    Vdes Martti Ahtisaari

    Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, është ndarë nga jeta, në moshën 86-vjeçare.

    Njoftimi u bë nga Presidenca finlandeze.

    Ahtisaari ishte njeriu kyç që ndërmjetësoi në bisedimet për statusin e Kosovës, e cila u kurorëzua me pavarësinë e bazuar në planin e tij.

    Ahtisaari ishte fitues i Çmimit Nobel për Paqe, në vitin 2008.

    Ahtisaari shërbeu në pozitën e presidentit të Finlandes nga viti 1994 deri në vitin 2000.

    Gjatë karrierës, Ahtisaari shërbeu edhe në disa pozita të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të këtij vendi si dhe në OKB.

    I pikëlluar për vdekjen e 86 vjeçarit u shpreh edhe presidenti aktual i Finlandes Sauli Niinisto.

    “Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, tha ai.

    Së fundi, ai ishte mënjanuar nga jeta publike, pasi vuante nga sëmundja e Alzheimerit.

  • Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz

    Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz

    Sot në Tiranë, do të mbahet Samiti i Berlinit.

    Aty do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

    Është paralajmëruar edhe një takim mes tij dhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz.

    Ndërkaq të dielen kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se në këtë samit nuk do të diskutohet rreth agresionit të Serbisë mbi Kosovë, të kryer më 24 shtator.

    Ai tha se hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, dhe se nuk është një samit i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme lidhur me çështjen e Banjskës, por janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE-së.

  • U vetaksidentua duke punuar me traktor, vdes një person në Novobërdë

    U vetaksidentua duke punuar me traktor, vdes një person në Novobërdë

    Dy persona janë vetaksidentuar teksa punonin me traktor, ku njëri ka humbur jetën, ndërkaq tjetri ka pësuar lëndime trupore.

    Bëhet e ditur se vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkaq i lënduari është dërguar në emergjencën e Gjilanit.

    “Është raportuar se dy viktima meshkuj kosovarë derisa kanë qenë duke punuar me traktor dyshohet se kanë humbur kontrollin dhe kanë shkaktuar vet-aksident dhe si pasojë kanë pësuar lëndime me ç’rast njëri nga ta ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër në emergjencën e Gjilanit”.

    “Lidhur me rastin vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupat e pajetë të viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport.