ATV

Category: Lajme

  • Në aksionin e inspektimeve në regjionin e Prizrenit, AUV mbyll 5 lokale ‘Fast Food’ dhe inicion 6 kundërvajtjeje

    Në aksionin e inspektimeve në regjionin e Prizrenit, AUV mbyll 5 lokale ‘Fast Food’ dhe inicion 6 kundërvajtjeje

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me date 16.10.2023, në regjionin e Prizrenit ka zhvilluar aksion kontrolli mbi lokalet e gastronomisë qe shërbejnë ushqime të shpejta ( Fast Food).

    Në këtë aksion janë përfshirë komuna e Prizrenit dhe Malishevës, përmes 6 ekipeve inspektuese të udhëhequra nga Koordinatori i zyrës regjionale të AUV-së në Prizren, kanë arritur të realizojnë 28 inspektime të detajuara sipas urdhrit të Ministrit të MBPZHR-së dhe Drejtorit Ekzekutivë të AUV-së.

    Nga 19 inspektimet në Prizren dhe 9 inspektimet në Malishevë janë mbyllur 5 lokale, ndërsa janë iniciuar 6 lëndë kundervajtëse. Në dy raste janë shqiptuar gjoba mandatorë.

    Po ashtu, janë asgjësuar 4 kg mish produkte mishi, 33 kokrra vezë dhe 1 kg salcë (sosë).

    Aksionet do të vazhdojnë në gjithë territorin e vendit.

    Secili subjekt qe vendos ne treg produkte ushqimore në kundërshtim me rregullat ligjore do të sanksionohet.

  • Mungoi në samitin e Procesit të Berlinit, Macron shkon nesër në Tiranë

    Mungoi në samitin e Procesit të Berlinit, Macron shkon nesër në Tiranë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri të martën më 17 tetor. Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Presidenca e Shqipërisë e publikoi agjendën e vizitës së Macron:

    08:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Interpretohet himni kombëtar francez; Interpretohet himni kombëtar shqiptar; Kryhet kalimi para truprojës së nderit;

    Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive. Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve. Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare. 08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.

    Presidenti Emmanuel Macron shtyu ardhjen e tij në Tiranë, dhe shkak të për këtë është bërë një sulm terrorist në Arras (Francë) ku mbeti i vrarë një mësues dhe nga situata në Lindjen e Mesme,

    Presidenti francez pritej të mbërrinte në Shqipëri për të marrë pjesë në samitin e 9-të të procesit të Berlinit, i cili mbledh së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve evropiane për të nxitur dialogun politik, bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon, si dhe afrimin me Bashkimin Evropian.

  • Blinken rikthehet në Izrael në përpjekje për të shmangur zgjerimin e konfliktit

    Blinken rikthehet në Izrael në përpjekje për të shmangur zgjerimin e konfliktit

    Shtetet e Bashkuara thonë se presin rihapjen e një pikë kalimi kufitar mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare, por nuk dihet ende se kur do të ndodhë kjo.

    Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, u rikthye sot në Izrael, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur zgjerimin e konfliktit në rajon.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po qëndron sërish në Izrael, për herë të dytë brenda 4 ditësh, pas një turi takimesh me udhëheqësit arabë të rajonit në përpjekje për të parandaluar shndërrimin e luftës në një konflikt më të gjerë në rajon.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunonin me Egjiptin, Izraelin dhe Kombet e Bashkuara për t’u siguruar që ndihmat të mbërrijnë në Gazë, në mbështetje të atyre që kanë nevojë, raporton VOA.

    “Gjatë ditëve te fundit kam udhëtuar në Izrael, Jordani, Bahren, Katar, Emiratet e Bashkuara Arave dhe Egjipt. Secili prej këtyre partnerëvë ndan të njëjtën pikëpamje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, ruajtjen e jetëve të pafajshme dhe për t’u ofruar ndihmë atyre që kanë nevojë në Gazë”, shkroi zoti Blinken përmes një postimi në rrjetin social “X”.

    Blinken u takua këtë të hënë me Presidentin e Izraelit Isaac Herzog. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mathew Miller, Sekretari Blinken i rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar Izraelit ndihmën e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

    Një ditë më parë, duke folur në Kajro, pas takimit me presidentin e Egjipitit, Sekretari Blinken tha se është me shumë rëndësi mënyra se si Izraeli ushtron të drejtën për t’u mbrojtur.

    “Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Hamasit dhe të sigurohet, që kjo të mos ndodhë më kurrë. Por siç e thashë në Tel Aviv dhe siç e ka thëne edhe Presidenti Biden, mënyra se si Izraeli e bën këtë ka shumë rëndësi. Duhet të jetë një mënyrë që përputhet me parimet tona të përbashkëta për jetën dhe dinjitetin njerëzor dhe duke marrë të gjitha masat paraprake për të shmangur lëndimin e civilëve”, tha zoti Blinken.

    Ndërsa më shumë se 1 milionë palestinezë mund të largohen për shkak të rrezikut nga konfliktit, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar thirrjet për mbrojtjen e të pafajshmëve.

    “Ne jemi në komunikim me parterët izraelitë. Jemi në kontakt me Kombet e Bashkuara për të ndihmuar në furnizimin me ushqim, ujë dhe mjekime për qytetarët në Gaza, për ata palestinezë që nuk kanë lidhje me terroristët barbarë që kryen sulmet”, tha për rrjetin “ABC”, Jake Sullivan, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

    Sulmet e ndërsjella vazhduan edhe gjatë fundjavës në kufirin e Izraelit me Libanin, ku vepron grupi militant Hezbollah, që mbështetet ng Irani.

    Sentaroti republikan Lindsey Graham, që pritet të vizitojë rajonin në ditët në vazhdim se bashku me një grup senatorësh demokratë dhe republikanë, lëshoi një paralajmërim ndaj Teheranit dhe aleatëve të tij, që synojnë të luajnë një rol më aktiv në konflikt.

    “Nëse Hezbollahu, që bën lojën e Iranit, kryen sulme masive ndaj Izraelit, do ta konsideroja si kërcënim ekzistencial për Shtetin e Izraelit. Do të paraqisja një rezolutë në Senat për të autorizuar veprime ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në të njëjtën kohë me Izraelin për ta nxjerrë Iranin jashtë nga biznesi i naftës. Iranit i them, nëse e përshkallëzon këtë luftë, aty do të na kesh”.

    Si pasojë e sulmeve në zonat kufitare në veri të Izraelit, nga grupi militant i Hezbollahut, që vepron nga Libani, autoritetet izraelite njoftuan evakuimin e banorëvë nga 28 fshtatra.

  • AUV: Helmimi i 30 personave në Mitrovicë u shkaktua nga majoneza

    AUV: Helmimi i 30 personave në Mitrovicë u shkaktua nga majoneza

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se pas hulumtimeve që kanë bërë ka rezultuar se majonezi ka qenë shkaku që disa persona janë helmuar në Mitrovicë para disa ditësh.

    AUV thotë se lokali vazhdon të jetë i mbyllur dhe se kanë iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës të biznesit, transmeton Telegrafi.

    “Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis. Salmonella Enteritidis u izolua në mostra të ushqimit (majonez dhe majonez me përshutë) dhe në mostra humane. Staphylococcus aureus u izolua në strishot e marra nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin si dhe nga kapësja e ushqimit”, thuhet në njoftm.

    AUV thotë se “më datë 6 tetor 2023 pas orës 18:00, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e QKMF në Mitrovicë, pacient si raste të dyshimta në helmim me ushqim me shfaqje të simptomave: temperaturë, ethe, dhimbje barku, mundim, vjellje, dhembje të muskujve dhe kokëdhimbje. Kryesisht persona (nxënës të shkollave fillore, gjimnazit, shkollës ekonomike dhe shkollës së mesme të muzikës e cila gjendet afër lokalit “Fast Food On Top”).

    Në mesin e të helmuarve në një lokal të ushqimit në Mitrovicë edhe 10 nxënës, policia jep detaje
    “Të gjithë pacientët kishin konsumuar ushqim në “Fast Food On Top” më datë 5 dhe 6 Tetor, 2023 para dite dhe pasdite (hamburgerë me pleskavicë, dyner, chicken burger, majonez, ketchup dhe sallatë ruse). Pas njoftimit, Inspektorët Sanitarë të AUV-së në Mitrovicë menjëherë kanë dalë në vend ngjarje bashkë me ekipin e QRSHP-ës dhe Policisë”, thekson AUV.

    Tutje, në njoftim thuhet se inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta “Fast Food On Top”, Rr. Skënderbeu, Mitrovicë. Fillimisht është ndaluar puna e lokalit sipas legjislacionit në fuqi.

    “Janë marrë katër (4) mostra të ushqimit (hamburger, mishi i pulës, dyner, majonez dhe sallatë ruse) Ato janë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik në QLT – IKShPK. Janë marrë katër (4) strisho të mjeteve të punës: nga pjata e servimit të ushqimit, nga shkopi i dynerit, nga tavolina para frigoriferit, nga kapësja e ushqimit. Një strisho nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin”.

    AUV thotë se “në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis. Salmonella Enteritidis u izolua në mostra të ushqimit (majonez dhe majonez me përshutë) dhe në mostra humane. Staphylococcus aureus u izolua në strishot e marra nga duart e personit që ka përgatitur dhe shërbyer ushqimin si dhe nga kapësja e ushqimit”.

    “Është iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës të biznesit individual (ka kryer kundërvajtje nga neni 16, paragrafi 1 nënpagrafi 1.1 që sanksionohen sipas nenit 40 paragrafi 1.3, të Ligjit Nr. 08/120 për Ushqimin). Subjekti afarist vazhdon te jete i mbyllur deri ne eliminimin e te gjitha mangësive të evidentuara në urdhëresat me proces inspektues”, njofton AUV.

  • Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

    Kurti në Samitin e Procesit të Berlinit: Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia

    Kryeministri Albin Kurti të hënën në Samitin e Procesit të Berlinit ka thënë se Kosova ende vazhdon të kërcënohet me invazion nga Serbia.

    Kurti në fjalën e tij, ka thënë se aktet e tilla nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar.

    “Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë ai.

    Siç është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se qytetarët në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti.

    “Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, thuhet të është shprehur më tej Kurti.

  • Apeli lë në paraburgim tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Apeli lë në paraburgim tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, duke vërtetuar vendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilat secilit prej të dyshuarve iu kishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, rezulton se është marrë më 3 tetor 2023.

    “Refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve, Vladimir Tolic avokat Milos Delevic, Blagoje Spasojevic avokat Ljubomir Pantovic, Dushan Maksimovic avokat Dejan Vasic, ndërsa aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PPPS.nr.44/2023 të datës 25.09.2023 dhe të datës 26.09.2023, Vërtetohen”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator 2023 të dyshuarit Vladimir Toliq ia kishte caktuar paraburgimin.

    Ndërsa, më 26 shtator 2023, kjo gjykatë ua kishte caktuar paraburgimin edhe dy të dyshuarve tjerë Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

    Aksioni në Bajsnkë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës (24 shtator 2023) ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, Policia kishte vrarë tre terrorist ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radojiçiq, ku kishte theksuar se Radojiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

  • ​KOK-ut i dorëzohet organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024

    ​KOK-ut i dorëzohet organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024

    Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) i është dorëzuar edhe zyrtarisht organizimi i Platformës Evropiane të Sportit 2024 (ESP 2024), e paraparë të mbahet në tetor të vitit të ardhshëm në Prishtinë.

    Dorëzimi për presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, është bërë në Lisbon të Portugalisë, nga Carlos Paula Cardoso, president i Federatës Konfederatës Portugeze të Sportit.

    Në fjalimin e tij, presidenti Krasniqi, duke falënderuar drejtuesit e ENGSO-s për besimin, theksoi se ekipi i KOK-ut është i përkushtuar dhe i nderuar për të ofruar një përvojë të paharrueshme për të gjithë anëtarët e ENGSO-s, në mënyrë që ESP 2024 të mbahet mend për organizimin shembull dhe mikpritjen e ngrohtë.

    Pikërisht në kryeqytetin portugez, për tri ditë është mbajtur Platforma Evropiane e Sportit 2023, në të cilët u zhvilluan punëtori të ndryshme, që kishin të bënin me: barazinë në sport, qeverisjen e mirë dhe qëndrueshmërinë në sport.

    Presidenti Krasniqi, që shoqërohej edhe nga zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili, njëherit anëtare e komisioneve: Barazia përmes sportit dhe komisionit këshillues të Bashkimit Evropian në ENGSO, dhe Marigona Mehmeti, e përfshirë në projektin “Sporti si vlerë”, pati mundësinë të prezantojë projektet e fituara të KOK-ut në Erasmus Plus, sfidat dhe sukseset e KOK-ut, duke përmendur edhe marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

  • Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut: “Nevojë urgjente” për armëpushim në Gaza

    Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut: “Nevojë urgjente” për armëpushim në Gaza

    Ekziston një “nevojë urgjente” për një pauzë në armiqësitë për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

    “Ka pasur përpjekje shumë të mëdha diplomatike për ta bërë këtë. Sekretari i Përgjithshëm është vazhdimisht në lidhje me të gjitha palët që janë të përfshira, dhe shumë shtete të tjera anëtare po bëjnë gjithashtu atë që munden. Ne kemi nevojë për siguri në mënyrë që dërgesat e ndihmave të jenë në gjendje të ndodhin”, tha zëdhënësja e UNHRO Ravina Shamdasani për CNN të hënën.

    Gaza po përballet me një krizë kritike humanitare, me mungesë të ujit, energjisë elektrike, ushqimit, karburantit dhe ilaçeve.

    “Ne kemi parë spitale që janë detyruar të evakuohen. Mjekët këmbëngulin se ata do të qëndrojnë me pacientët që janë në njësinë e kujdesit intensiv dhe njësitë neonatale, ku ishte e pamundur të zgjedhësh nëse do të braktisje pacientët apo të qëndrosh me ta dhe të rrezikosh. vdekjen. Qasja në ujë, qasja në ushqim, evakuimi i detyruar i qindra mijëra njerëzve në Gazën jugore ka krijuar një situatë shumë, shumë të vështirë humanitare edhe në Gazën jugore”, tha Shamdasani.

    Ajo tha se ka një sasi të konsiderueshme ndihme që presin në kufi për të hyrë.

    “Mijëra vdekje potenciale mund të ndodhin nëse këto ndihma nuk kalojnë.”

    “Kalimi i Rafahut” midis Gazës dhe Egjiptit është i vetmi vendkalim i mbetur për furnizime, por ai ka qenë i mbyllur gjatë pjesës më të madhe të javës së kaluar, ku as vendasit dhe as shtetas të huaj nuk mund të kalonin./CNN/

  • Hajdari në Forumin Botëror (WIF): Kosova një vend me potencial për investime të huaja

    Hajdari në Forumin Botëror (WIF): Kosova një vend me potencial për investime të huaja

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me një delegacion nga Kosova, me ftesë të ministrit të Shtetit për Tregti të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani bin Ahmed Al Zeyoudi, është duke marrë pjesë në “Forumin Botëror për Investime”, i cili po mbahet në Abu Dhabi.

    Ministrja Hajdari, në takimet e zhvilluara me homolog nga vendet e ndryshme të botës, përmendi mundësitë dhe potencialin e madh që ka Republika e Kosovës për investimet e huaja dhe ndërmarrësi, duke theksuar se përkundër sfidave, Kosova ka shënuar trend pozitiv të rritjes ekonomike.

    “Tutje, Ministrja Hajdari potencoi se përgjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të madh në klimën e të bërit biznes, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e interesimit për investimet e huaja”, ciothet Hajdari në komunikatë.

    Sipas njoftimit, ministrja Hajdari ftoi homologët e saj për vizitë në Kosovë, për të parë mjedisin e të bërit biznesit dhe mundësitë e shumta që mund të shfrytëzohen, duke u zotuar se investitorët e huaj do të gjejnë mbështetje të plotë institucionale.

    Ky është edicioni i tetë i Forumit Botëror për Investime, që mbahet çdo dy vjet, ndërsa bën bashkë zyrtarë të lartë të shtetit të mbi 160 vendeve, duke përfshirë edhe investitorë potencial dhe liderë të ndërmarrësisë.

  • Tahiri: 2024 do të jetë vit i eksodit

    Tahiri: 2024 do të jetë vit i eksodit

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri deklaroi se janari i vitit 2024 do të jetë vit i eksodit. Ai kritikoi qeverinë e vendit, ku tha se po i neglizhon temat që janë të rëndësisë së lartë për Kosovën.

    Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë theksoi po ashtu se pati një debat të gjerë rreth asaj se cili është roli i shumicës dhe opozitës në mbarëvajtjen e Kuvendit.

    Ai para gazetarëve u shpreh se Kosova është në një bllokadë dhe se Bashkimi Evropian po vazhdon me sanksionet.

    “Pozicioni im në këtë mbledhje ishte i thjesht, opozita i ka instrumentet e veta demokratike të garantuara me Kushtetutë, 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, 40 nënshkrime për Komisione hetimore, pyetjet parlamentare dhe puna e komisioneve funksionale. Të gjitha këto nuk mund t’i ndajë as Albin Kurti, as Vetëvendosje dhe as askush. Dhe është mirë që seanca e radhës e jashtëzakonshme të ndodhë të enjten. Ajo që mund të ju them zyrtarëve publik, mbi 80 mijë që janë në administratën shtetërore është se GP i AAK-së të martën do të cakton në ora 13 seancën për diskutimin e koeficientit, rritjen e tij nga 105 në 129”, deklaroi ai.

    Tahiri shtoi se janari i vitit të ardhshëm mund të jetë një vit i eksodit.

    “24 shtatori ka qenë një sulm terrorist ndaj Kosovës, sovranitetit tonë, i sponsorizuar nga Serbia. Këtë as nuk duhet ta përdor qeveria, as nuk duhet ta përdorim ne. Sepse është detyrë e jona, është detyrë e një deputeti që të mbrojë sovranitetin. Ajo që ne si Aleancë na dhemb është totalisht neglizhenca e qeverisë në raport me temat që janë kruciale për vendin tonë. Ekonomia e Kosovës është para një bllokade, nuk është vështirë për ta kuptuar. Humbja e shpresës në sektorin publik kurrë s’ka qenë më e madhe, duke u nisur prej policëve edhe gjithë të tjerëve. Jemi të brengosur për janarin e vitit 2024 që do të jetë vit i eksodit”, përfundoi ai.

    Shefi i deputetëve të AAK-së shtoi se mbajtja e Samitit të Berlinit në Tiranë, është lajm i mirë për gjithë shqiptarët.