Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.
Në faqen zyrtare të DHSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.
Gjatë ditës së djeshme e vazhdoi dëshminë dëmitari i 30-të, ai është ish-pjesëtar i UÇK-së. Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.
Dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin belg, Bruksel, mbrëmjen e së hënës, ka thënë policia.
Personi i armatosur u largua nga vendi i ngjarjes dhe është ende i lirë, i është thënë BBC-së.
Mediat lokale thanë se viktimat ishin suedezë. Suedia po luan kundër Belgjikës në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024, megjithëse është e paqartë nëse viktimat ishin në qytet për ndeshjen.
Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një burrë që flet arabisht, i cili thotë se e kreu sulmin në emër të Zotit.
Burri në klip shton se ka vrarë tre persona.
Zyra e Prokurorit Federal ka konfirmuar se e ka parë videon, por nuk mund të konfirmojë se ai është personi i armatosur.
Videoja dhe pamjet e tjera të sulmit janë duke u verifikuar nga policia, raporton BBC.
Një zëdhënëse e zyrës së prokurorit tha se një hetim ishte hapur, por nuk spekuloi mbi motivin e autorit të armatosur.
Mediat belge raportuan se personi i armatosur, i cili përdori një pushkë automatike, u largua nga vendi i ngjarjes.
Sulmi thuhet se ka ndodhur në orën 19:00 me kohën lokale në qendër të Brukselit.
Për të tretën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca në procesin gjyqësor ndaj shtatë të akuzuarve për rastin e 400 kg kokainë, që ishte gjetur brenda një kamioni që po transportonte mish nga Brazili.
Ndaj të akuzuarit Kadri Sheqirit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest, për të cilin në seancën e kaluar kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.
Por, ai nuk u paraqit as të hënën, që sipas mbrojtjes shkak mund të jetë shëndeti i tij mendor.
Mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë ishin kundër propozimit të Prokurorisë për urdhërarrest, megjithatë pretendimet e avokatit Besnik Berisha, prokurori special Valdet Gashi i quajti paragjykime.
Nga Brazili, një kamion me sasi të lëndës narkotike – kokainë, kishte përfunduar në qytetin e Lipjanit, i cili, më 17 maj të vitit 2021, gjatë një operacioni antidrogë, në bashkëpunim mes policisë së Shqipërisë, asaj italiane, Policisë së Kosovës dhe shërbimit antidrogë të SHBA-së, kishte rezultuar me sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e personave.
Një vit më vonë u ngrit aktakuza, sipas së cilës, Izet Sheqiri, pronari i kompanisë “MC FOOD”, i cili ndodhet në paraburgim ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin.
Përveç tij, në paraburgim ndodhen edhe Kadri Ibrahimi dhe Faton Vrajolli, ndërsa Fehmi Bytyqi është në arrest shtëpiak.
Ndërsa, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina kishin pranuar fajësinë dhe njëri ishte dënuar me 7, e tjetri me 6 muaj burgim.
Bodrumi i kësaj ndërtese u shfrytëzua si depo e armëve, deri të shtunën.
Por jo më, pasi Policia në vazhdën e aksioneve, sekuestroi krejt çka gjeti, e që ishte një sasi goxha e madhe e armatimit.
Bodrumi ku fshiheshin armët, siç merr vesh televizioni, është në pronësi të njërit prej anëtarëve të grupit terrorist që sulmuan policinë, më 24 shtator në Banjskë.
Aty policia gjeti granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe në Zveçan.
Fare pranë banesës së Djordjevicit, në një rrugë më poshtë, ndodhen edhe zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor, që u sulmua me bombë në dhjetor të vitit të kaluar, pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet në veri.
Shenjat nga sulmi i 6 dhjetorit vërehen ende jashtë e brenda zyrave të KKZ-së.
Edhe materiali zgjedhor ka mbetur brenda, por aty më nuk punon askush. Përveç zyrave, sulme më të vogla atë natë pati edhe ndaj Policisë e Gazetarëve që po raportonin nga atje.
E hëna në lagjen e Velkjo Djordjevicit, që besohet se ka ikur në Serbi, ishte e qetë teksa askush nga fqinjët nuk pranoi të fliste për të.
Megjithatë, televizioni kuptoi se ai më herët kishte punuar në Burgun e Mitrovicës. Ndërsa, kohëve të fundit shihej të vinte më rrallë në Mitrovicë dhe kryesisht natën.
Për armatimin e konfiskuar së fundmi ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në llogarinë e tij në platformën X, teksa ka thënë se ato tregojnë nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia.
Për 10 muaj, 74 raste të dhunës seksuale janë ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Duke e konsideruar si një nga krimet më të rënda, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se pavarësisht reformave në këtë drejtim, shqetësues mbetet numri i lartë i këtyre rasteve.
“Për fat të keq të dhënat e fundit në Kosovë tregojnë për një rritje të rasteve të dhunës seksuale. Nëse i marrim statistikat nga janari deri shtatori, në vitin 2023, janë 74 raste të ekzaminuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Të dhënat gjithashtu tregojnë një numër në rritje të konsiderueshme të fëmijëve, që janë të mbijetuar të kësaj forme të dhunës krahasuar me numrin e të rriturve”, tha Haxhiu.
Numri i lartë i rasteve, sidomos ndaj të miturve, sipas Haxhiut, duhet të jetë alarm që organet e rendit të bashkëpunojnë më shumë dhe të ndërmarrin masa.
“Gjatë këtyre dy viteve mandat, kemi iniciuar dhe kemi zbatuar një seri reformash ligjore e financiare, të cilat adresojnë ngacmimet, por edhe dhunën seksuale dhe fuqizojnë politikat e parandalimit”, tha Haxhiu.
Për ndikimin e dhunës seksuale te fëmijët, ka folur Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.
“Ndikon si në familje në vetvete duke pasë parasysh që kemi raste nga mosha 8 vjeçare…”, tha Rushiti.
Këto deklarime u bënë gjatë lansimit të projektit “Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të Miturve – Viktima të Dhunës Seksuale”, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Ish-nënkryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, është ulur sërish në bankën e të akuzuarit.
I dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Gjilanit, Mirkoviq do të ketë një tjetër ballafaqim me drejtësinë, tani në Gjykatën e Prishtinës, për një tjetër vepër penale, cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Mirkoviqin se kishte siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Sipas aktakuzës, ai bashkë me kryetarin e Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, i kishin kërcënuar qytetarët serbë të kësaj komune se do t’i largonin nga puna, duke iu kërkuar që të votojnë Listën Serbe, dhe partinë e Ardiana Hoxhiqit.
Por të hënën, në shqyrtimin fillestar Mirkoviq e ka mohuar fajësinë.
Aktakuza ndaj Mirkoviqit është ngritur më 14 gusht të këtij viti.
Sipas aktakuzës, në janar të vitit 2021, gjatë periudhës kohore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, Mirkoviq në cilësinë e nënkryetarit të Komunës, bashkë me kryetarin dhe persona të tjerë, ndikuan në vullnetin zgjedhor të qytetarëve serbë të kësaj komune, duke i kërcënuar, duke i kanosur e duke ushtruar presion.
Xhevdet Aliu, shtëpiak në shkollën fillore “Enver Hadri”, në Smrekonicë të Vushtrrisë, doli në punë edhe të dielën për t’i larguar mbeturinat që mbetën nga rinovimet që po kryhen aty.
Por, mesdita e së dielës ishte krejt e pazakontë për të, pasi që thotë se u sulmua fizikisht nga njëri nga punëtorët e operatorit ekonomik që po kryen punimet.
Menaxhmenti i shkollës e, po ashtu, edhe komuna e dënuan sulmin, derisa shpresojnë që raste të tilla të mos përsëriten më.
Por, krejt këto akuza po i hedh poshtë pronari i kompanisë, që po i kryen punimet në shkollën e Smrekonicës. Madje, Isa Haxha krejt këtë situatë e quan inskenim.
Ndërkaq, ATV-ja, gjatë ditës ka kontaktuar edhe zëdhënësin e policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti, i cili përmes telefonit, tha se i dyshuari është marrë në pyetje në stacionin policor të Vushtrrisë, por ai pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Të enjten do të mbahen dy seanca plenare, ku deputetët do të votojnë edhe për disa marrëveshje ndërkombëtare.
“Marrëveshja ndërkombëtare që do të hidhet në votim është mirë që të kuptohet nga publiku. Janë dy marrëveshje të financuara nga qeveria gjermane, një marrëveshje për bujqësi për zonën malore me qeverinë gjermane, tjetra është për KOST-in, sa i përket riparimit të linjave të fuqisë 110 dhe 220. Një marrëveshje tjetër që hidhet në votim është me Qeverinë e Danimarkës sa i përket përdorimit të burgjeve të Kosovës, një marrëveshje tjetër është linja hekurudhore Prishtinë-Mitrovicë, një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.
Mirëpo, që sot PDK-ja ka treguar se si do të veprojë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Qëndrimi ynë është debati rreth marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk është një debat doktrinar, por problemi me marrëveshje ndërkombëtare, është që nuk ka të bëjë as a e votojnë apo nuk e votojnë, problemi është që Kosova është nën sanksione. Dhe meqë Kosova është nën sanksione, ato të holla nuk vijnë fare në Kuvend të Kosovës. Dhe kjo është e vërteta që Qeveria do të duhej që t’ua thotë qytetarëve të Kosovës. Ky vend vazhdon të mbetet nën sanksione edhe pas 24 shtatorit, andaj ne kemi pritur që Qeveria të kryejë punën e saj dhe është gjendje që të bindë partnerët tanë që t’i vendosin sanksione Serbisë, pas një akti të agresionit dhe sulmit terrorist”, tha deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke kritikuar Qeverinë, përmendi se 2024-ta do të jetë vit i eksodit.
“24 shtatori ka qenë një sulm terrorist ndaj Kosovës, sovranitetit tonë, i sponsorizuar nga Serbia. Këtë as nuk duhet ta përdorë Qeveria, as nuk duhet ta përdorim ne. Sepse është detyrë e jona, është detyrë e një deputeti që ta mbrojë sovranitetin. Ajo që ne si Aleancë na dhemb, është totalisht neglizhenca e Qeverisë, në raport me temat që janë kruciale për vendin tonë. Ekonomia e Kosovës është para një bllokade, nuk është vështirë për ta kuptuar. Humbja e shpresës në sektorin publik kurrë s’ka qenë më e madhe, duke u nisur prej policëve dhe gjithë të tjerëve. Jemi të brengosur për janarin e vitit 2024 që do të jetë vit i eksodit”, tha Tahiri.
Në seancën e fundit, marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë arritur të votohen në mungesë të kuorumit.
Martti Ahtisaari politikani shumë vjeçar dhe Presidenti i Finlandës në periudhën 1994 – 2000, i cili qe edhe ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, vdiq në moshën 86 vjeçare.
Presidenti aktual i Finlandës, Sauli Niinistö, e cilësoi Ahtisaarin si President i kohëve të ndryshimit dhe njeriu që shpiu Finlandën në epokën globale dhe atë të BE-së.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohëve të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, tha Niinistö.
Dokumenti i njohur si Pakoja e Ahtisarit, ishte bazë për zgjedhjen e statusit të Kosovës, pasi Kosova, duke qenë protektorat ndërkombëtar që nga viti 1999, paraprakisht kishe plotësuar disa standarde të funksionimit demokratik dhe të drejtave të komuniteteve.
Dokumenti në fjalë është po thuajse në tërësi i adoptuar në Kushtetutën e Kosovës përfshi pjesën e garancive dhe privilegjeve për komunitetin serb në Kosovë.
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu shpreh dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të Martti Ahtisaarit dhe e kujton një moment vendimtar.
“Kur ai ka qenë afër përfundimit të projektit të tij, pra afër propozimiz gjithëpërfshirës më ka pyetur se ‘’a do të pranonit që Kosova të jetë e pavarur por e mbikëqyrur ndërkombëtarisht për një periudhë të caktuar?’’. Nuk kam hezituar të shkojë në të gjitha shkronjat për të dhënë përgjigjen. Menjëherë kam thënë po”, tha Sejdiu.
Përkundër modaliteteve për statusin e Kosovës që pala serbe pat ofruar në kuadër të procesit të Vjenës, sipas presidentit Sejdiu, ato nuk ishin opsion për ish-diplomatin Ahtisaari.
“Në përplasjet që kem pas me ta është thënë që Kosova nuk mundë të pavarësohet Kosova është pjesë e Serbisë…pastaj kanë qenë shumë formula që kanë dhënë edhe të tjerë çështja Honkongut e të tjera, modele të llojllojta por ne kemi pasur një formulë, Ahtisari ka pasur një formulë”, tha Sejdiu.
Disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Martti Ahtisaari u nderua me çmimin Nobel për paqe.
Për këto 15 vjet, disa herë janë dhënë ide që Pakoja e Ahtisaarit të hapet, ose që të negociohet zgjidhje e tipit Ahtisaari+, mirëpo, sipas ish Presidentit Sejdiu, Kushtetuta e Kosovës mund të ndryshohet për shkak të dinamikave të brendshme politike, po assesi jo si pasojë e dialogut ose negociatave me akterë të jashtëm!
Gjatë angazhimit të tij diplomatik, Marti Ahtisari kontribuoi në zgjidhjen e konflikteve në Evropë, Afrik dhe Azi. Ai qe personalitet i rëndësishëm edhe në bisedimet për paqe në Bosnje dhe Hercegovinë.