ATV

Category: LAJME

  • Shiroka-Pula takohet me drejtorin e AKI-së, në fokus siguria kombëtare

    Shiroka-Pula takohet me drejtorin e AKI-së, në fokus siguria kombëtare

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Gjatë takimit, Ajeti e ka uruar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit, Ajeti e ka informuar presidenten për situatën aktuale të sigurisë kombëtare.

    Po ashtu, në takim është diskutuar për koordinimin ndërmjet institucioneve të sigurisë, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Nobeli për Paqe i shkon gjyqtares nga Afrika e Jugut

    Nobeli për Paqe i shkon gjyqtares nga Afrika e Jugut

    Gjyqtarja nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2026, në një vendim që vjen pas presionit të vazhdueshëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta fituar këtë çmim.

    Në arsyetimin e vendimit, Komiteti Norvegjez i Nobelit vlerësoi punën e Pillayt në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kontributin e saj në drejtësinë ndërkombëtare.

    “Një fije e përbashkët lidh punën e saj të hershme në mbrojtje të Nelson Mandelës dhe të tjerëve që u ngritën kundër aparteidit, me shërbimin e saj si gjyqtare në disa prej çështjeve kryesore gjyqësore ndërkombëtare të kohës sonë”, thuhet në deklaratën e komitetit.

    Çmimi Nobel për Paqe është i pesti që ndahet këtë javë, pas çmimeve për letërsi, kimi, fizikë dhe mjekësi.

    Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kishte ushtruar presion të madh ndaj Komitetit Norvegjez të Nobelit, duke shpresuar se do të shpërblehej me këtë çmim. Megjithatë, mosdhënia e tij kishte nxitur reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, e cila e kishte akuzuar komitetin se po vendoste “politikën mbi paqen”, shkruan “The Independent”, transmeton Klankosova.tv.

    Çmimi i vitit të kaluar iu nda aktivistes venezueliane për demokraci, Maria Corina Machado, e cila më pas ia dorëzoi simbolikisht çmimin Trumpit, në shenjë të vlerësimit për përkushtimin e tij ndaj lirisë.

    Në zhvillimet ndërkombëtare, lufta e nisur nga administrata amerikane kundër Iranit ka shkaktuar shqetësime për ekonominë globale dhe ka rritur paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, Papa Leo XIV ka kritikuar luftën dhe u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të rifillojnë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre.

    Ndër kandidatët e përmendur si favoritë për Nobelin e Paqes këtë vit ishin edhe Dhomat e Reagimit Emergjent të Sudanit, rrjete lokale vullnetarësh që ofrojnë ndihmë jetike për popullsinë, në një kohë kur financimi ndërkombëtar për operacionet humanitare në vend është zvogëluar.

  • Reshje shiu në vend, Policia apelon për kujdes në trafik

    Reshje shiu në vend, Policia apelon për kujdes në trafik

    Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik gjatë ditëve me reshje shiu, mjegull dhe rrugë të lagështa.

    Përmes një fotografie të publikuar në Facebook, Policia ka dhënë udhëzime për ngasësit, duke apeluar për respektimin e rregullave të trafikut dhe përshtatjen e sjelljes në timon me kushtet atmosferike.

    “Mjegulla, shiu dhe rrugët e lagështa kërkojnë kujdes të shtuar. Gjatë gjithë këtij sezoni, ndryshimi i motit kërkon ndryshim të sjelljes në timon”, thuhet mes tjerash në apelin e Policisë.

  • I akuzuari për aksidentin ku vdiq Laurent Krasniqi thotë se nuk është në gjendje të deklarohet për fajësinë

    I akuzuari për aksidentin ku vdiq Laurent Krasniqi thotë se nuk është në gjendje të deklarohet për fajësinë

    Shemsi Llugaliu, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku vdiq Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Këtë deklarim e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi.

    Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast ka nisur sot, nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti.

    Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit dhe se do të deklarohet pasi të përfundojë ajo.

    Prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata e ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e seancës, duke theksuar se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë.

    Laurent Krasniqi, 29-vjeçar, i cili ishte bërë i njohur përmes reklamave dhe videove humoristike në mediat sociale, ka vdekur mbrëmjen e 2 shtatorit në një aksident komunikacioni.

    Në këtë rast, palën e dëmtuar, Xheneta Krasniqi, e përfaqëson avokati Fanol Krasniqi.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • I ofroi 5 euro ryshfet policit në Vërmicë, prangoset i dyshuari

    I ofroi 5 euro ryshfet policit në Vërmicë, prangoset i dyshuari

    Një person është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për dhënie ryshfeti.

    Sipas raportit policor, i dyshuari gjatë prezantimit të dokumenteve personale dhe të kamionit, kishte vendosur një kartëmonedhë prej 5 eurosh brenda dokumenteve.

    I dyshuari është intervistuar nga organet kompetente dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Prishtinë: Nën ndikim të alkoolit, rrahu nënën e motrën, arrestohet i dyshuari

    Prishtinë: Nën ndikim të alkoolit, rrahu nënën e motrën, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar pas dyshimeve se nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe motrës së tij, pas mesnatën e së enjtes në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, viktimat dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Bashkimi Evropian reagon sërish për shkak të ligjit mbi Dhomat e Specializuara

    Bashkimi Evropian reagon sërish për shkak të ligjit mbi Dhomat e Specializuara

    Bashkimi Evropian ka deklaruar se ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

    Në deklaratën me shkrim të lëshuar lidhur me ndryshimet e këtij ligji, Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës që t’i përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Sipas BE-së, mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve duhet të garantohen.

    Reagimi i sotëm me shkrim vjen një ditë pasi BE-ja shprehu shqetësim të thellë për votimin në Kuvend.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian shpjegoi gjithashtu pse nuk reagoi as kur u paralajmërua se ligji mund të ndryshohej, as pas leximit të parë.

    “Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë. Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova”, tha Christian Wigand, zëdhënës i BE-së.

    BE-ja përsërit se ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor dhe insiston se mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.

    “Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, theksojnë nga Brukseli.

  • Gripi te fëmijët, këto janë këshillat që ekspertët ua japin prindërve

    Gripi te fëmijët, këto janë këshillat që ekspertët ua japin prindërve

    Me nisjen e sezonit të gripit, prindërit duhet të marrin disa masa për t’i mbrojtur fëmijët dhe për të qenë të përgatitur nëse ata sëmuren, ka shkruar ABC News.

    Gripi mund të jetë më serioz se një ftohje e zakonshme, sidomos te fëmijët nën 5 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

    Ekspertja e sëmundjeve infektive, doktoresha Jeanne Marrazzo, ka dhënë disa këshilla për prindërit.

    Vaksina e gripit mbetet mbrojtja kryesore

    Shoqata e Sëmundjeve Infektive të Amerikës dhe organizata të tjera mjekësore, përfshirë Akademinë Amerikane të Pediatrisë, rekomandojnë vaksinimin kundër gripit për të gjithë personat mbi 6 muajsh, përfshirë fëmijët dhe prindërit.

    “Shumica dërrmuese e rasteve më të rënda, përfshirë shtrimet në spital dhe vdekjet nga gripi, ndodhin te fëmijët që nuk janë vaksinuar”, ka thënë ajo.

    Sipas Marrazzos, vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira për fëmijët. Në vitet e rënda të gripit janë regjistruar rreth 150-180 vdekje të fëmijëve dhe më shumë se 90 për qind e tyre nuk ishin të vaksinuar.

    Fëmijët nga 6 deri në 23 muaj mund të marrin vaksinën e gripit me injeksion. Për fëmijët nga 2 deri në 8 vjeç ekziston edhe mundësia e vaksinës në formën e spërkatësit për hundë.

    Megjithatë, vaksina me spërkatës për hundë nuk rekomandohet për fëmijët me sistem imunitar të dobësuar apo për disa fëmijë me probleme të caktuara shëndetësore, ndaj prindërit duhet të konsultohen me mjekun.

    Fëmijët mbi 9 vjeç mund të marrin vaksinën me injeksion, spërkatësin e hundës ose një lloj tjetër vaksine kundër gripit.

    Çka duhet të keni në shtëpi?

    Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve t’i lajnë duart rregullisht dhe të mbulojnë gojën kur kolliten ose teshtijnë.

    Simptomat e gripit mund të përfshijnë temperaturë, të dridhura, kollë, dhimbje fyti, hundë të zëna ose rrjedhje hundësh, dhimbje muskujsh dhe trupi, dhimbje koke, lodhje, si dhe të vjella ose diarre.

    Ekspertja këshillon që në shtëpi të ketë ilaçe të përshtatshme për fëmijët për uljen e temperaturës, si acetaminofeni ose ibuprofeni, sipas udhëzimit të mjekut dhe dozës së përshtatshme për moshën.

    “Përveç trajtimit të temperaturës, kujdesi kryesor është mbështetës. Duhet të siguroheni që fëmija të marrë mjaftueshëm lëngje. Nëse dyshoni se ka grip, është mirë që të mos qëndrojë pranë pjesëtarëve të tjerë të familjes”, ka thënë ajo.

    Kur duhet kontaktuar mjeku?

    Prindërit duhet të kontaktojnë pediatrin nëse kanë shqetësime për gjendjen e fëmijës, veçanërisht nëse simptomat përkeqësohen.

    Kujdes i veçantë duhet treguar te fëmijët shumë të vegjël, sidomos nën 1 vjeç, si dhe te fëmijët me sëmundje të tjera, përfshirë astmën, sëmundjet e mushkërive, kancerin ose probleme të tjera serioze shëndetësore.

    “Nëse keni një fëmijë shumë të vogël, veçanërisht nën 1 vjeç, nuk duhet ta neglizhoni situatën. Duhet të siguroheni që është mirë”, ka thënë doktoresha.

    Ekspertja thekson se edhe fëmijët me probleme serioze shëndetësore ose ata që marrin trajtime të veçanta, si dializa, duhet të monitorohen më nga afër dhe të kenë kontakt me mjekun.

  • “Nuk kam asgjë për të deklaruara”, tha udhëtari por Dogana ia gjen mbi 30 mijë euro në veturë

    “Nuk kam asgjë për të deklaruara”, tha udhëtari por Dogana ia gjen mbi 30 mijë euro në veturë

    Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar tentativën për futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

    Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur të fshehura 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftim.

    Dogana rikujton se sipas Nenit 33 të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë, është i obliguar të deklarojë me shkrim shumën e mjeteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor. /Telegrafi/

  • Tragjedi në Ukrainë: Bombat ruse godasin dy autobusë, 30 të vrarë e 18 të plagosur

    Tragjedi në Ukrainë: Bombat ruse godasin dy autobusë, 30 të vrarë e 18 të plagosur

    Të paktën 30 persona janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur pasi një sulm rus goditi dy autobusë publikë në qytetin e Kramatorskut, në rajonin lindor të Donetskut, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase.

    Sulmi ndodhi rreth orës 10:00, teksa autobusët po transportonin pasagjerë. Sipas autoriteteve, besohet se ata u goditën nga bomba ajrore të drejtuara me precizion të lartë.

    Këshilli i Qytetit të Kramatorskut tha se transporti publik është pezulluar pas sulmit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve.

    Sulme ruse janë raportuar edhe në Kiev, ku dy persona u gjetën të vdekur pas një sulmi me dron në një ndërtesë, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Më herët, kryebashkiaku Vitali Klitschko kishte njoftuar për një viktimë dhe 11 të plagosur në sulmet ruse.

    Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 142 dronë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 126 prej tyre.