ATV

Category: Lajme

  • Përmbyllet Panairi “AgroKos”, prodhuesit kërkojnë mbështetjen e institucioneve

    Përmbyllet Panairi “AgroKos”, prodhuesit kërkojnë mbështetjen e institucioneve

    Panairi Ndërkombëtar “AgroKos”, është përmbyllur të premten në Prishtinë. Në këtë Panair kanë marrë pjesë 130 biznese nga shumë vende për të prezantuar produktin e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Esat Berisha, nga “Arti Fruti” nga Prizreni, tha se është për herë të parë në “AgroKos”. Ai thotë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë mbështetje nga institucionet shtetërore.

    “Ne më aroni kem filluar 2017, në panairin ‘AgroKos’, kam pas fate të jam për herë të parë, ma herët nuk kemi pasur mundësi se aronia ka lyp edhe kohë që të zhvillohet, procedurat sikur çdo panair është e thjesht aplikimi nuk është e komplikume, na kanë informuar organizatorët e panairit, deri tash nuk kemi mbështetje të asnjë institucioni”.

    Xhemile Krasniqi nga Shoqata e Bletarëve “Mimfa” nga Obiliqi, thotë se ka pasur fatin që të përkrahej nga komuna, për biznesin e saj, por thotë se kanë nevojë ende për më shumë mbështetje.

    “Synimi im është bletaria më qene se është organizatë joqeveritare tu pa gratë që kanë nevojë për një vetë punësim dhe kjo është ideja ime që kam sot edhe grupin e grave më ushqime tradicionale, është hera e parë që kam marrë pjesë në këtë panair aplikimi nuk ka qenë farë i shtirë meqenëse komuna na ka mbulua shpenzimet i jam mirënjohëse edhe komunës sonë”.

    Bastri Veseli, nga “Leoni Group” nga Prishtina, thotë se vitin e kaluar i ka subvenciono Qeveria ndërsa këtë vite kanë investuar vet në shtim të kapaciteteve, raporton EO.

    “Çdo vite ne marrim pjesë në panairin ‘AgroKos’, mbështetjen prej institucioneve është e kënaqshme, institucionet kanë reflektuar pozitivisht dhe jemi shumë të kënaqur më përkrahjen edhe suportin, gjersa nga Ministria e Tregtisë, Ministria e Bujqësisë nga të gjithë janë enpatik ndaj prodhuesit vendorë, aplikacioni është standard dhe ka kushtet e veta të pagesës, vitin e kaluar na ka subvenciono Qeveria këtë vite jemi me vetë financim”.

    Ndërsa Elita Bytyqi, “Vidasus Voda” nga Gjakova, tha që është hera e dytë e pjesëmarrjes në këtë panair, dhe që aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë.

    “Në kemi çdo vite dëshire me marrë pjesë në panairin ‘AgroKos’ sepse është një që na ka mbështetur më së shumti që nga starti ku vazhdimisht ata na ftojnë ne qe të marrim pjesë për arsye që është një promovim shumë i mirë i produkteve, mbështetja prej ‘AgroKos’ është shumë e madhe, ne kemi filluar të marrim pjesë që nga viti i kaluar, aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë”.

  • Statovci sqaron çështjen e vizave dhe ‘keqinterpretimet’ që iu bënë presidentit Macron

    Statovci sqaron çështjen e vizave dhe ‘keqinterpretimet’ që iu bënë presidentit Macron

    Deputetja Jeta Statvoci, në një intervistë në emisionin “A LIVE” në ATV, ka sqaruar çështjen e liberalizimit të vizave si dhe keqinterpretimet e presidentit francez, Emanuel Macron, pasi ky i fundit i bëri në Tiranë.

    Statovci tha se çështja e liberalizimit të vizave nuk do të ketë ndonjë ndërlidhje me dialogun e as me raportet në mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Së fundmi patëm edhe miratimin e një rezolute në Parlamentin Evropian, e cila një prej pikave që ishte po në kuadër të kësaj rezolute, ishte që çështja e liberalizimit asesi të mos ketë ndonjë ndërlidhje me dialogun dhe raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse për një kohë të gjatë ishte përdorur si element në kuadër të këtij dialogu, mirëpo siç u qartësua edhe vetë nga zyra e presidentit Macron, mirëpo edhe nga institucionet tona, kishte të bëjë më shumë me çështje të interpretimit në sensin që parimisht, edhe në qoftë se ka vullnet individual një shtet, asesi nuk e ka forcën dhe mundësinë që ta implementojë këtë, sepse ky është një proces që e kërkon konsensusin e përgjithshëm dhe çështja e pezullimit parimisht ndodh në raste kur ka ndonjë shkelje të një dakordance paraprake ose rregullave të liberalizimit, atëherë shtetet e caktuara mund ta vlerësojnë nëse ka nevojë që të kalohet në një hallk të pezullimit”, tha Statovci. /atvlive.tv

  • Gazetarja serbe raporton live nga Prizreni, tregon për eksperiencën fantastike të vizitës në krejt Kosovën: Nuk ka vend për frikë

    Gazetarja serbe raporton live nga Prizreni, tregon për eksperiencën fantastike të vizitës në krejt Kosovën: Nuk ka vend për frikë

    Maria Cankoviq gazetarja serbe ka vizituar disa qytete të Kosovës. Ajo bashkë me disa serbë të tjerë kanë shëtitur në Pejë, Prizren, Rahovec e Hoqë të Madhe.

    Me plot emocione dhe e mahnitur nga mikpritja ajo në një lidhje direkte ka treguar gjithë udhëtimin e saj dhe grupit serbë që kryen në Kosovë.

    “Ishim në patriakanën e Pejës, pastaj në Decan, Prizren, Rahovec. Gjumin e kemi bërë në Hoqë të Madhe. Nuk kemi pas asnjë problem aty”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, serbët në Serbi gjithmonë janë dezinformuar se në Kosovë ndodh diçka e keq.

    “Ja po ju them qe kjo nuk qëndron. Do t’ju tregoj që kur shkuam me një grup serbësh, në Pejë na është prishur autobusi qytetari nga Kosova na ndihmoi në organizim duke e angazhuar një autobus tjetër për të na mundësuar shëtitjen”, ka thënë bërë me dije që askush nga Serbia që dëshiron ta vizitojë Kosovën, nuk duhet të ketë frikë.

    “Nuk ka asnjë vend për frikë”, ka thënë ajo.

  • Bërnabiq përfaqëson Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Bërnabiq përfaqëson Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq do të përfaqësojë Serbinë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.

    Është paralajmëruar se seanca mund të jetë e mbyllur për publikun dhe këtë e ka kërkuar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, “por ka pak mundësi që kjo të ndodhë”, shkruan gazeta serbe “Politika”.

    Si arsye për mbylljen e seancës për publikun, Guterres ka theksuar se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin të dukshme në seancën e fundit, më 27 prill, dhe se ato u përdorën këtë për të paraqitur narrativa që nxisin jostabilitetin në rajon.

    Në mënyrë që seanca të jetë e mbyllur për publikun, një vendim i tillë do të kërkonte marrëveshjen e të paktën nëntë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo, sipas gazetës serbe, “nuk është e mundur pa kompromis me Rusinë dhe Kinën”.

  • Kurti për kërkesat e Policisë: Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime

    Kurti për kërkesat e Policisë: Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime

    Kryeministri Albin Kurti tha se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.

    Për këtë kategori ai tha se duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi.

    Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet.

    Madje nga Shtimja ku morri pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdhe, lavdëroi punën e Policisë së Kosovës.

    “Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me prioritet. Duhet të kemi klasifikim që mos të krijojmë pabarazi. Na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që të shkaktojmë zhgënjime e pengesa”.

    “Edhe Ligji i Pagave na pati marrë kohë, por koha shtesë i’a ka vlejtur ngase i kemi minimizuar defektet”.

    “Ju sigurojmë që po bëjmë krejt çka mundem e di. Polica është në nivel të detyrë dhe padyshim që e ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Na jepni edhe më shumë kohë që mos të bëjmë gabime”.

    Çfarë kërkon Policia?

    5 mijë e 623 policë të Policsë së Kosovës, kanë dhjetë kërkesa specifike për shtetin, dhe paralajmërojnë se është koha e fundit që ato të rezlizohen.

    Kërkesat e tyre janë të renditura më poshtë:

    1. Ligji i pagave;

    2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;

    3. Shtesa për punë të veçantë;

    4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;

    5. Shujta mujore;

    6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;

    7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;

    8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;

    9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;

    10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës

  • Biden paralajmëron Putinin: Nëse sulmon aleatët tanë në NATO, do të kemi trupat amerikane në Rusi

    Biden paralajmëron Putinin: Nëse sulmon aleatët tanë në NATO, do të kemi trupat amerikane në Rusi

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërcënuar homologun rus, Vladimir Putin, që të mos prekë as edhe një centimetër të NATO-s, përndyrshe do ta paguajë shtrenjtë.

    “Për 75 vite, NATO ka ruajtur paqen në Europë, ka qenë guri i themelit të sigurisë amerikane. Dhe nëse Putini sulmon një aleat në NATO do të mbrojmë çdo centimetër të NATO-s, siç kërkon traktati. Do të kemi diçka që nuk e duam. E bëjmë të qartë që nuk e duam… nuk kërkojmë të kemi trupat amerikane duke luftuar në Rusi ose duke luftuar kundër Rusisë”, tha Biden gjatë një fjalimi përpara kombit amerikan, pas vizitës së tij në Izrael.

    “Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos dhe vdekje dhe më shumë shkatërrim.

    Ata nuk ndalen dhe kostot dhe kërcënimet ndaj Amerikës dhe botës vetëm sa shtohen”, shtoi presidenti amerikan.

    “Kështu që nëse nuk e ndalojmë oreksin e Putinit për fuqi dhe kontroll në Ukrainë, ai nuk do të kufizohet vetëm te Ukraina. Putini ka kërcënuar duke i kujtuar Polonisë që tokat e saj perëndimore ishin dhuratë nga Rusia. Një prej këshilltarëve të tij kryesorë, një ish-president i Rusisë, ka quajtur Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, provincat baltike të Rusisë. Këta janë të gjithë aleatë në NATO”.

    Biden deklaroi gjithashtu se suksesi i Izraelit dhe Ukrainës në luftërat e tyre është jetik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, Biden kërkoi një angazhim të administratës amerikane për këto dy konflikte, teksa u zotua se do t’i kërkojë Kongresit paketa ndihme miliarda dollarëshe.

    “Nëse agresioni ndërkombëtar lejohet të vazhdojë, konflikti dhe kaosi mund të përhapen në pjesë të tjera të botës. Hamasi dhe Putini përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por ata kanë një të përbashkët. Ata duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”, tha Presidenti Biden.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se kjo ishte arsyeja kryesore pse në ditët në vijim do t’i dërgonte Kongresit një kërkesë urgjente për financim me vlerë 105 miliardë euro.

    Fjalimi i Presidentit Biden vjen një ditë pas udhëtimit në Izrael, ku ai tregoi solidaritet me betejën e këtij vendi kundër Hamasit ndërsa bëri thirrje për më shumë ndihma humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.

  • Konjufca priti në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt

    Konjufca priti në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt.

    Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet aktuale në vend e rajon, marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, si dhe për planet e përbashkëta në funksion të forcimit të mëtejshëm të raporteve dypalëshe.

    Me këtë rast, Kryetari Konjufca e uroi ambasadoren Blitt për detyrën e re dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kanadasë në shtetndërtimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke kërkuar njëherësh vazhdimin e përkrahjes ndaj shtetit tonë në rrugën e integrimeve euroatlantike.

    Ambasadorja Blitt e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë e shtetit të Kanadasë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe avancimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

  • ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    ​PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil

    Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Kushtetuesja interpretimin për ligjshmërinë e Ligjit për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil të Kosovës. Sipas kësaj partie, ndryshimet që janë bërë në këtë ligj, e kanë kapur këtë organ të pavarur. Në konferencë për media, avokati i PDK-së, ka numëruar katër shkeljet, që sipas tij, nuk kalojnë testin e kushtetutshmërisë.

    Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda tha se pushteti po tenton që legjitimojë punësimet politike në këtë këshill.

    “Ne në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli në Gjykatë Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni. Fatkeqësisht ky ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që ka bërë gjykata në atë vendim paraprak, prandaj ne sot e kemi kontestuar prapë ndryshimet në këtë ligj. Ndryshime të cilat, dua të them në emër të PDK-së, që kanë vetëm një qëllim ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, Këshillin e Pavarur për Shërbyer Civil. Në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, i përkrah, nuk i ndalon punësimet politike, partiake të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, tha ai.

    Ai shtoi se PDK nuk do të heq dorë nga respektimi i Kushtetutës, ani pse siç tha ai, po sulmohen nga qeveria.

    “Për më tepër ata duan ta zhveshin këtë organ nga kompetencat e tij kushtetuese, në një rrugë jo kushtetuese. Prandaj, ne si PDK, nuk do ta lejojmë këtë edhe ai premtimi që e kemi dhënë gjithmonë se sa herë kemi dilema për ligjet, do i dërgojmë në Kushtetuese, do të mbahet dhe po mbahet. Po e them në emër të PDK-së, që përkushtimi themelor që duhet të ketë çdo parti politike në Kosovë, është mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai.

    Gruda u pyet edhe në lidhje me vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për mos dekretimin e kryeprokurorit të shtetit

    “A do të shkojë rasti në Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk varet vetëm nga PDK. PDK ka vullnet të plot, kjo varet edhe nga fakti i deputetëve të partive të tjera që duhet të ofrojnë nënshkrime, sepse dihet që kërkohen 30 nënshkrime për ta referuar çështjen. Nëse ato nënshkrime mblidhen dhe do të ketë vullnet nga partitë tjera, PDK do të punojë që ky rast të mbërrijë në Gjykatë Kushtetuese”, u përgjigj Gruda.

    Avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se ka marrë nënshkrimet dhe autorizimin e kësaj partie për të ngritur vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit të KPMShCK-së.

    “Janë katër shkelje serioze të cilat besoj që i kemi argumentuar dhe besojmë që do ta ndjekim edhe procesin në vijim përmes komunikimeve në gjykatë. Dhe jam i bindur që si të tilla nuk e kalojnë dot testin e kushtetutshmërisë. Cilat janë ato? Së pari mazhoranca apo shumica parlamentare zgjodhi që përmes plotësim-ndryshimit që i bëri Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në radhë të parë propozoi zhveshjen nga imuniteti për të gjithë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Çfarë nënkupton është se imuniteti është një instrument kushtetues të cilën kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe ky paraqet instrument kushtetues të mbrojtjes të anëtarëve të këshillit që për vendimet dhe veprimet e tyre të mos dalin para përgjegjësisë penale ose civile, siç ju njihet imuniteti funksional edhe deputetëve, anëtarëve të qeverisë edhe presidentit. Tani imuniteti i tillë me këtë ligj u është hequr”, theksoi Fetahu.

    Sipas tij, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ana e këshillit, pozitat e nivelit të lartë drejtues.

    “Janë mijëra pozita të nivelit të lartë drejtues që kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare po i përjashton nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërisë nga ky institucion, në mënyrë që të mundësojë në procedura të shpejta kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve përmes kapjes dhe nënshtrimit të pozitave kyçe në administratë. E treta është rritja absurde e numrit të anëtarëve të këtij institucioni nga 7 në 15, sikur edhe shpërfaq, pa qenë fare juristë, se kjo rritje e numrit vetëm ka për qëllim që të çojë disa militantë partiakë në këshill, në një institucion të pavarur profesional, në mënyrë që të sigurohet që të ketë mbivotim në proceset dhe çështjet që ngrihen përballë vendimmarrjes së qeverisë”, përfundoi ai.

    Partia Demokratike e Kosovës konsideron se shkelja e katërt që është bërë në këtë ligj, është pezullimi i efektit të zbatimit të vendimeve të këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga ana e palëve në gjykatë. Avokati Fetahu tha se kjo tregon që kur qeveria është në palë në këshill, ai vendim të mos ekzekutohet. /KP

  • KRU “Prishtina”: Autoboti për shpërndarje të ujit është vendosur në Graçanicë

    KRU “Prishtina”: Autoboti për shpërndarje të ujit është vendosur në Graçanicë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se ka vendosur një autobot me ujë në Graçanicë, që nga ora 9:00 e mëngjesit të sotëm (e premte), për të shpërndarë ujë të pijes për qytetarët.

    “Ju njoftojmë se auto boti është i stacionuar në Graçanicë që nga ora 09:00”, thuhet në njoftim.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje të enjten në orët e vona qytetarëve të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit, pasi që analizat e mostrave të ujit në rezultatet laboratorike kanë treguar se ka vlera të rritura të manganit.

    IKSHPK ka bërë të ditur se ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë dhe se mos përdorimi i ujit për pije dhe përgatitje të ushqimit do të vlejë deri në njoftimin e radhës.

  • Shqiptarët në Amerikë protestojnë para OKB-së, kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse

    Shqiptarët në Amerikë protestojnë para OKB-së, kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse

    Të hënën, shqiptarët do të mblidhen para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

    Ata do të protestojnë kundër pjesëmarrjes së presidentit serb në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që është paraparë të mbahet më 23 tetor.

    Përmes kësaj proteste, shqiptarët në Amerikë po kërkojnë që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës dhe sulmin terrorist në Banjskë. Protestën e ka organizuar Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit bashkiak të New Yorkut, me mbështetjen e plot shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane.

    Temë kryesore në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet do të jetë sulmi terrorist në Banjskë. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe për Serbinë medias serbe patën raportuar se i pranishëm në Këshill do të ishte Aleksandër Vuçiq, megjithatë ditë më vonë kanë raportuar se e përfaqëson kryeministrja Ana Bërnabiq.