ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me intervale me diell dhe vranësira gjatë pasdites.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjilani dhe Ferizaj me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 27 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në vendin tonë parashihet të ketë një mot të ngjashëm.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjilani me 10 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 26 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot kryesisht të kthjellët.

    Temperaturën minimale do e ketë Berati me 5 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Elbasani me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Apelon IKShPK-ja: Uji nga Badoci të mos përdoret për pije dhe gatim

    Apelon IKShPK-ja: Uji nga Badoci të mos përdoret për pije dhe gatim

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit që të mos e përdorin atë për pije dhe përgatitje të ushqimit.

    Ky institut tha se bazuar në rezultatet laboratorike, në ujë janë gjetur vlera të shtuara të manganit, një element kimik që është metal i ngurtë.

    Nëse ky element kimik gjendet në ujë, mund të shkaktojë erë dhe shije të keqe dhe po ashtu shkakton telashe në sistemin e kanalizimit.

    IKShPK-ja ka listuar të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në Badoc.

  • AAK-ja mban sot konferencë për media

    AAK-ja mban sot konferencë për media

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet nga , shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

    “Sot, më datë 20 tetor, në ora 12:00, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri mban konferencë për media. Konferenca mbahet në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca do të pret në takim deputeten britanike Alicia Kearns.

    Takimi do të fillojë prej orës 13:00.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është ndër zërat më të fuqishëm britanikë në mbrojtje të ligjshmërisë së Kosovës në pjesën veriore, që në muajin korrik kishte publikuar disa të dhëna shumë shqetësuese në lidhje me kriminalitetin serb në këtë pjesë të vendit.

    Kearns kishte thënë se Ushtria Britanike e angazhuar në KFOR ka siguruar të dhëna se Kisha Ortodokse serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, dhe këtë po e bën përmes auto-ambulancave.

    “Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i quajmë ashtu siç janë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët (Regjimenti Mbretëror, shën.red.) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona marrin vesh këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja – çfarë befasie – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, tha Alicia Kearns, deputete në Palamentin e Britanisë.

  • Katër të dyshuarve lidhur me tenderin milionësh në MPB iu zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Katër të dyshuarve lidhur me tenderin milionësh në MPB iu zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh të dyshuarve Adem Sopa, Bardhyl Behluli, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Marrje e dhënie ryshfeti”.

    Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve A.S, B.B, N.S dhe G.H iu është ndërprerë dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, konfirmoi Gashi.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë me 4 korrik 2023, kishte parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Adem Sopës, Bardhyl Behlulit, Naim Selmanit dhe Gëzim Hotit nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe dhënje ryshfeti.

    Të njëjtën, Themelorja e kishte aprovuar, duke ua caktuar nga 30 ditë paraburgim katër të dyshuarve të lartcekur. E njëjta masë të dyshuarve më 2 gusht 2023, iu vazhdua edhe për dy muaj.

    Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se të arrestuarit Adem Sopa dhe Bardhyl Behluli dyshohen për kryerjen e veprave “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Marrje ryshfeti, ndërkaq, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

    Gjithnjë sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit e përpiluar nga prokurori Zejnulla Gashi thuhet se i dyshuari Adem Sopa në cilësi të zyrtarit të prokurimit në Ministrin e Punëve të Brendshme (MPB) ka keqpërdorur informata për ndërtimin e objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

    Sipas kësaj kërkese, thuhet se i dyshuari Adem Sopa ka ndihmuar të dyshuarin tjetër Naim Selmani për ta bërë plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimin për ndërtimin e AKK-së, duke i përshtatur specifikat për të cilat operatorët tjerë ekonomikë nuk kishin dijeni.

    Tutje, thuhet se pasi që janë përshtatur specifikat për kompaninë “Arbëri” me pronar të dyshuarin tjetër Naim Selmani, e njëjta edhe fiton tenderin në vlerën prej 2 milionë e 193 mijë e 504 euro e 85 centë dhe krejt kjo pasi Adem Sopa ka raport shoqëror me pronarin Naim Selmani, ku ky raport dëshmohet me fotot dhe raportet e policisë.

    Për të pandehurin e dytë Bardhyl Behluli, në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se, në cilësinë e menaxherit të kontratës për ndërtimin e objektit të AKK-së ka pranuar shumën prej 2 mijë eurosh nga i dyshuari tjetër Gëzim Hoti.

    Këto 2 mijë euro, sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Gëzim Hoti i ka marrë nga i dyshuari Naim Selmani për t’ia dërguar pikërisht të dyshuarit Bardhyl Behlulit.

    Gjithashtu për të dyshuarin Bardhyl Behluli, del se më 12 janar 2023, ka udhëtuar për pushime në qytetin e Stambollit së bashku me të dyshuarin Gëzim Hoti, Admir Selmanin dhe Refik Bajramin dhe që shpenzimet del se janë paguar nga i pandehuri Naim Selmani. I gjithë ky favor sipas Prokurorisë dyshohet se i është bërë të dyshuarit Bardhyl Behlulit që t’ia mundësojë pronarit të kompanisë “Arbëri” Selmani të bëjë ndryshime në kundërshtim me masën e projektit konkretisht të pjesë së izolimeve.

    Për të pandehurin Naim Selmai, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësi të pronarit të kompanisë “Arbëri” përmes të dyshuarit tjetër Gëzim Hoti ka dërguar shumën prej 2 mijë eurosh menaxherit të kontratës të dyshuarit tjetër Bardhyl Behluli.

    Tutje, i dyshuari Naim Smajli thuhet se vazhdimisht prej muajit dhjetor të 2022-ës e deri në janar të vitit 2023 ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve, duke u dakorduar me të njëjtat kompani për lëshim të faturave fiktive.

    Kurse, për të dyshuarin Gëzim Hoti në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësinë e punonjësit në kompaninë “Arbëri” ka pranuar t’i marrë të hollat nga Naim Selmani dhe t’ia dërgojë të dyshuarit tjetër Brdhyl Behlulit.

    Tutje, për të dyshuarin Gëzim Hoti thuhet se vazhdimisht nga muaji dhjetor 2022 e deri në janar 2023, sikurse i dyshuari tjetër Selmani ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve për lëshimin e faturave fiktive.

    Andaj, mbi këto baza prokurori përpilues i kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit Zejnulla Gashi ka propozuar që t’iu caktohet katër të dyshuarve paraburgimit prej një muaj, që të mund të zhvillohet një proces i rregullt dhe pa pengesa.

  • Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë të shtunën në Kosovë, ndërsa në fokus të takimeve do të kenë planin që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se ardhja e tyre ka të bëjë edhe me ndryshimin e formatit të dialogut, derisa theksojnë se BE-ja duhet të ketë veprime të qarta kundrejt Serbisë.

    Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, pritet që pesëshja e madhe të vijë të shtunën në Kosovë, më pas edhe në Serbi, me përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

    E analistët në Kosovë, thonë se përpjekjet e tyre duhet të kenë një ndikim më të madh, pasi siç theksojnë, formati i deritanishëm i dialogut nuk ka prodhuar asgjë.

    Analistja Arta Tahiri tha se arsyeja e ardhjes së tyre ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si do të ndryshojë formati i dialogut.

    “Në mënyrë kronologjike nëse i shohim ngjarjet, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës, kur dialogu i formatit të zbatuar deri më tani nuk ka prodhuar sukses, gjithmonë ka ardhur një fazë tjetër kur është kërkuar me ngulm një format “merre ose lëre”, që është përdorur si shprehje për dy vende, në mënyrë që pastaj ajo marrëveshje që serviret në tavolinë të jetë e zbatueshme patjetër për të dyja palët. Nëse vazhdon kjo frymë e negociatave, ku kërkohet lëshim nga ana e Kosovës, por gjithashtu një qasje tjetër nga Serbia, atëherë kjo do të shkojë në pafundësi dhe nuk do të sjellë rezultate konkrete. Prandaj, mendoj që kohët e fundit me situatën e krijuar dhe me qasjen e udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës duhet patjetër që të vihen pikat mbi “I” për të kuptuar se cili do të jetë ky format dhe cila do të jetë forma e prerë nëse duan zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve fqinje siç janë Kosova dhe Serbia”, tha ajo.

    Ndërsa, profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se emisarët nuk kanë se çfarë kërkojnë në Kosovë, përderisa nuk tregojnë veprimet e qarta kundrejt Serbisë.

    “Serbia është dëshmuar e përfshirë drejtpërdrejt në një akt, i cili synimin e ka pasur rrënimin e sistemit politik të Kosovës. Pra, një akt agresioni e që Serbia qëndron prapa grupeve terroriste, pra është e përfshirë, Serbia është grupi terrorist. E nëse Bashkimi Evropian e kapërcen këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë, unë besoj fuqimisht se ata thjesht nuk janë të interesuar për marrëveshje, por janë të interesuar për menaxhim krize. Fatkeqësia është se ata po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

    Ai ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan për herë të fundit më 14 shtator, takim i cili dështoi për t’u pajtuar me plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve./rtk

  • Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Ministri i Financave, Hekuran Murati do të raportojë sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Sipas njoftimit, raportimi i ministrit do të nisë nga ora 14:00 në sallën C-203 të Kuvendit të Kosovës.

  • PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës do të dorëzojnë sot edhe një lëndë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kështu kanë njoftuar nga kjo parti përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky dorëzim do të bëhet në ora në ora 11:00.

    Teksa pas kësaj, do të ketë edhe prononcim për media.

    “Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nesër (e premte), nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media”, thuhet në njoftim.

  • Biden e krahason Hamasin me Putinin: Nuk do t’i lejojmë të fitojnë

    Biden e krahason Hamasin me Putinin: Nuk do t’i lejojmë të fitojnë

    Presidenti amerikan, Joe Biden po e krahason grupin e Hamasit me presidentin rus Vladimir Putin. Në një adresim për popullin amerikan, ai ka thënë se nuk do të lëjojë që Hamas dhe Putin të fitojnë.

    “Hamasi dhe Putin përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por ata e ndajnë këtë të përbashkët: të dy duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”.

    “Putini mohon se Ukraina ka, ose ka pasur ndonjëherë, shtetësi të vërtetë”, tha Biden, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Biden i drejtohet drejtpërdrejt popullit amerikan: “Unë e di që këto konflikte duken të largëta – dhe është e natyrshme të pyesim, pse kjo ka rëndësi për amerikanët?”

    “Duke siguruar që Izraeli dhe Ukraina të kenë sukses, është jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës.”

    “Nëse nuk e ndalojmë oreksin e Putinit për pushtet dhe kontroll në Ukrainë, ai nuk do të kufizohet vetëm në Ukrainë.”

    Biden e përfundon fjalimin e tij duke folur për udhëtimin e tij të fshehtë në Ukrainë nëpërmjet Polonisë, të cilin e bëri në fillim të këtij viti për të treguar mbështetje për Zelenskyn dhe Ukrainën.

    “Ne jemi më të fortë se kurrë më parë. Amerika është ende një fener për botën. Megjithatë.”

    “Ne nuk mund të lejojmë që politikat e vogla partizane dhe të zemëruara të pengojnë përgjegjësinë tonë si një komb i madh.”

    “Nuk do të lejoj që Hamasi dhe Putini të fitojnë”, thotë ai.

  • Pas tetë muajve në arrest shtëpiak, Dejan Pantic lirohet me dorëzani

    Pas tetë muajve në arrest shtëpiak, Dejan Pantic lirohet me dorëzani

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale terrorizëm, ndodhet në liri.

    Pantiqit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 6 shtator, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës më atë të dorëzanisë, duke paguar shumën prej 30 mijë eurosh.

    “Me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit Ljubomir Pantovic, Gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, në mënyrë që me datën 05.09.2023 Gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK-ja ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P., të zëvendësohet me masën e dorëzanisë, sipas nenit 177, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022, në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe kishte qëndruar në paraburgim tri javë.

    Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës, megjithatë, sipas avokatit Ljubomir Pantoviç, hetimet ndaj tij janë duke vazhduar.

    “Sipas meje, është rast unik që arresti shtëpiak të zgjatë 8 muaj. Dejan Pantiq e ka respektuar me përpikëri këtë masë, askund nuk lëvizte pa përcjellje të policisë. Dy herë iu lejua të shkonte te mjeku pa përcjellje. Sidoqoftë gjykata e ka pranuar kërkesën tonë dhe u lirua me kaucion, meqë procedura ndaj tij vazhdon ende. Është i qasshëm tani për gjykatën e prokurorinë e të gjitha palët relevante”, tha Pantoviç.

    Pantiq dyshohet edhe për sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri.

    Zyra, e cila vazhdon edhe pas më shumë se tetë muajve të jetë e demoluar, ishte sulmuar në prag të organizimit të zgjedhjeve në 4 komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin kundërshtuar nga qytetarët serbët, e bojkotuar nga Lista Serbe.

    Sulmi i armatosur kishte ndodhur në kohën kur aty është dashur të vendosen anëtarët e KQZ-së për të kryer detyrat e tyre zyrtare.

    Katër ditë pas, ishte arrestuar Dejan Pantiq. Arrestimi i tij kishte shkaktuar pakënaqësi te banorët lokalë serbë, të cilët bllokuan për 19 ditë rrugët në veri.

    Ndërsa, në fund të dhjetorit për shkak të gjendjes shëndetësore, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.