ATV

Category: Lajme

  • Rrugë e re që e lidh Prishtinën me Fushë Kosovën

    Rrugë e re që e lidh Prishtinën me Fushë Kosovën

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Kolonat e gjata të trafikut në kryeqytet, pritet që së shpejti të reduktohen.

    Komuna e Prishtinës do të hapë një rrugë të re, e cila do të bëjë lidhjen me Fushë-Kosovën, nëpërmjet nënkalimit në rreth-rrotullimin e Lakërishtës.

    Shtimi i një rruge anësore, sipas njohësit të komunikacionit, Burim Krasniqi, do të jetë zgjidhje për ngarkesën e trafikut në segmentin rrugor më të ngarkuar, atë “Tirana” dhe “Bill Clinton”

    Para afro 7 muajve, përmes hapjes së një rruge tjetër, e cila kalon nëpër tunelin e stacionit të Autobusëve, është mundësuar lidhja e lagjes “Dardania” me atë “Kalabria”.

  • Plagosen tre persona në Laktishtë, policia jep detaje

    Plagosen tre persona në Laktishtë, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka konfirmuar për ATV-në se rreth orës 19:00 tre persona janë plagosur me armë zjarri në lagjen Lakrishtë në Prishtinë.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar zëdhënsja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare  dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë. /atvlive.tv

  • Opozita kërkon alternativa, nëse Qeveria s’e paguan rrymën në veri

    Opozita kërkon alternativa, nëse Qeveria s’e paguan rrymën në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pas një takimi në Bruksel me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me 19 korrik, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se nënshkrimi i kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit për faturimin e rrymës në veri është afër.

    Por, katër muaj pas, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se udhërrëfyesi për energji ka ngecur pikërisht te kjo marrëveshje që KEDS-i duhet ta nënshkruajë me kompaninë serbe, Elektrosever.

    “Në proces janë marrëveshjet komerciale me KEDS-in për shërbimet në katër komunat veriore, si dhe çështje të tjera për ofrimin e qasjes në nënstacionin e Vallaqit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Madje, edhe disa prej pikave që nisën të zbatohen, nuk u çuan deri në fund.

    “ZRRE-ja është informuar se baza e të dhënave është pranuar nga KOSTT-i dhe KEDS-i, mirëpo këto të dhëna nuk i përmbajnë të gjitha elementet që kërkohen për bazën e të dhënave”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

    Përderisa, udhërrëfyesi vazhdon të mos zbatohet, vlera e humbjeve në katër komunat veriore vetëm në pjesën e parë të këtij viti, është mbi 20 milionë euro.

    Teksa barra për mbulimin e humbjeve i bie KOSTT-it, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë tha se ekzekutivi nuk ka ndarë mjete financiare për pagesën e rrymës në veri.

    Nëse Qeveria vendos që rrymën e shpenzuar nga qytetarët e komunave veriore të mos e paguajë më, sipas opozitës, duhet të dilet me alternativa të tjera.

    “Është lehtë me thanë se ne nuk e paguajmë. Por kur e thua një gjë të tillë, atëherë duhet të dilet me një alternativë. Barra i bie KOSTT-it e që faktikisht e ka një gjendje shumë të renduar”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

    “Gabimi është që një çështje teknike është kthyer në politike…”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar nga viti 1999.

    Gjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe prej vitit 2017 nga Qeveria e Kosovës.

  • Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes

    Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc të Shtimes

    Kryeministri, ministrja e Arsimit dhe kryetari i Shtimes, vunë gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Godanc të Shtimes, e cila do të kushtojë rreth 415 mijë euro.

    “Edukimi i hershëm është vendimtar për karakterin dhe tejet i rëndësishëm për karrierën e këtyre fëmijëve, një ditë kur ata do të rriten”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Mirëpo, kjo çerdhe nuk do të jetë e vetmja për këtë komunë, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Deri në fillim të muajit të ardhshëm, do të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Muzeqinë të Shtimes dhe kemi paraparë për vitin e ardhshëm edhe çerdhen në Petrovë, të cilat janë disa nga investimet në këtë komunë”, tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Sipas kryetarit Qemajl Aliu, në katër anët e Shtimes do të ketë çerdhe.

    “Ne kemi fatin me projekte konkrete dhe të studiuara mirë, nga një çerdhe që e kemi gjetur në Komunën e Shtimes, brenda këtij mandati katërvjeçar t’i shtojmë edhe tri çerdhe të tjera”, tha Aliu.

    Punimet e çerdhes së Godancit pritet të përfundojnë brenda dy vjetësh. Çerdhja me kapacitet për më shumë se 70 fëmijë, pritet të funksionalizohet menjëherë. /atvlive.tv

  • Në Kushtetuese, ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

    Në Kushtetuese, ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

    Përgatiti: Nora Luta

    Një tjetër ligj i miratuar në Kuvend do t’i nënshtrohet vlerësimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

    Të premten, në sirtarët e kësaj gjykate është dorëzuar kërkesa nga Partia Demokratike e Kosovës, për të parë nëse Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

    PDK-ja e kishte kontestuar në Kushtetuese edhe shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli.

    Avokati Faton Fetahu ka përmendur të paktën katër nene që, sipas tij, nuk janë në përputhje me Kushtetutën, përfshirë rritjen e numrit të anëtarëve dhe heqjen e imunitetit të tyre.

    Ky ligj nuk është në përputhje me Kushtetutën, sipas LDK-së, e cila ka dorëzuar të njëjtën kërkesë në Gjykatë të premten.

    Ligji është miratuar javën e kaluar në Kuvend, por vetëm me votat e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Përveç LDK-së, e PDK-së, edhe AAK-ja kishte paralajmëruar se do ta dërgojë ligjin në kushtetuese.

  • Ja sa milionë euro do t”i kushtojnë qeverisë pagat e 13-ta për policinë

    Ja sa milionë euro do t”i kushtojnë qeverisë pagat e 13-ta për policinë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Bazuar në pagën mesatare dhe numrin e zyrtarëve policorë, më shumë se 20 milionë euro pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 4 paga të 13-ta, nëse Gjykatat Themelore u japin të drejtë, pas padisë që bënë ndaj Qeverisë.

    Ata paditën Qeverinë për moszbatimin e Udhëzimit Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës.

    Por, 20 milionë euro, sipas ish-ministrit të Brendshëm, Valdet Hoxha, nuk janë aq problem për Qeverinë, meqë pagat nuk do të ekzekutoheshin njëkohësisht.

    Skeptik për ekzekutimin e tyre, megjithatë, është një ish-ministri i Financave.

    “Qeveria nuk është duke i kryer pothuajse asnjë nga obligimet që janë të paraparë me ligj, kështu që këto gjëra që parashihen me udhëzime as që do t’i futë në listë për t’u marrë me të…”, tha ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

    Megjithatë, vendimet e Gjykatës detyrojnë Qeverinë t’i përmbushë obligimet, thotë Hoxha.

    Zyrtarë policorë kanë paditur Qeverinë në periudha të ndryshe kohore dhe në grupe, në disa Gjykata Themelore, pasi nuk i morën pagat e 13-ta.

  • Policia e Kosovës në bashkëpunim me AUV-in ka gjetur dhe asgjësuar rreth 2000 kg mish me afat të skaduar

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me AUV-in ka gjetur dhe asgjësuar rreth 2000 kg mish me afat të skaduar

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Prishtinë, përmes rrugëve operative ka pranuar “Informatë” mbi dyshimin që disa nga prodhuesit e produkteve të mishit, janë duke abuzuar me produktet me afat të skaduar, duke filluar nga shitja e tyre me çmim më të lirë, e deri tek ri-përpunimi i tyre dhe ofrimi për konsum tek qytetarët.

    Më datën 20.10.2023 në konsultim me Prokurorinë Themelore, është realizuar Plani Operativ në bashkëpunim me Inspektoratin e AUV-it me ç’ rast janë kontrolluar disa kompani, në tri lokacione të ndryshme (Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë), ku është bërë kontrollimi i gjithmbarshëm i mallrave/produkteve dhe dokumentacionit përcjellës.

    Në lokacionet e inspektuara/kontrolluara, janë gjetur rreth 2000 kg (dymijë kg) mish dhe produkte të mishit me afat të skaduar, ku një pjesë është asgjësuar ndërsa një pjese iu janë marr mostrat për dërgim në laborator.

    Pas inspektimit të lokacioneve, është përpiluar procesverbal mbi ecurinë e operacionit, ndërsa është iniciuar rasti “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ku nga njësitet e DHKEK-së janë duke vazhduar veprimet operativo-hetimore.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative, dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës pavarësisht funksionit që ata kryejnë.

  • Kërçeli: Ndërtimi i rrugës “A” tani për tani është pezulluar

    Kërçeli: Ndërtimi i rrugës “A” tani për tani është pezulluar

    Shefi i kabinetit të Zyrës së Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ka njoftuar se Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që ndërtimi i rrugës “A” tani për tani është pezulluar.

    Këtë e ka bërë të ditur Kërçeli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më se i duhuri që të ruhet interesi publik”, thuhet në njoftimin e tij.

  • Kurti: Vitin e ardhshëm buxheti për komuna do të jetë 742 milionë euro – mbështetja vetëm sa është shtuar

    Kurti: Vitin e ardhshëm buxheti për komuna do të jetë 742 milionë euro – mbështetja vetëm sa është shtuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti për komunat në vitin e ardhshëm do të jetë 742 milionë euro.

    I pari i qeverisë tha se në vitin 2021 buxheti ishte 547 milionë, sivjet 654 milionë euro, ndërsa vitin tjetër do të jetë 195 milionë më shumë se vitin e parë të qeverisë së udhëhequr nga ai.

    “Pra mbështetja jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo vetëm sa është shtuar. Granti i përgjithshëm për komuna tani është më i larti ndonjëherë. Kemi zgjeruar bashkëpunimin në fushën e mjedisit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal përmes ‘Kartës së Komunës së gjelbër dhe të qëndrueshme’”.

    “Në dhjetor 2021 inauguruam ngrohjen me biomasë në Komunën e Gjakovës. Ndërkaq në proces e sipër është studimi i fizibilitetit për ngrohje qendrore në gjithsej tetë komuna, në mënyrë që qytetarët të kenë ngrohje të qëndrueshme me çmim të përballueshëm”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

    Më tej, Kurti tha se anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare “Open Government Patnership”, e ka rreshtuar Kosovën me shtetet më demokratike në zotimin për qeverisje të hapur, llogaridhënës e gjithëpërfshirës.

    “Miratimi i Ligjit të Performancës do ta rrisë transparencën e komunave ndaj qytetarëve. Kurse lansimi i Platformës E-Komuna ua lehtëson qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale”.

    “Ndër të tjera, në këto dy vjet e gjysmë janë nënshkruar gjithsej 15 nisma për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkombëtar, kemi mbështetur afër 150 projekte të ndryshme kapitale në komuna përmes programeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë për Zhvillimin Rajonal, mbi 1500 të rinj nga 10 komuna të ndryshme kanë përfituar nga programi ‘Komunat për të rinj’, dhe janë ndarë 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë”, shkroi Kurti.

  • Regjistrimi i popullsisë rrezikon të dështojë, ASK-ja kërkon shtyrje të procesit deri në prill të 2024-ës

    Regjistrimi i popullsisë rrezikon të dështojë, ASK-ja kërkon shtyrje të procesit deri në prill të 2024-ës

    Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka thënë se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të 2024-ës, për shkak të sfidave që është përballur ky institucion, raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur gjatë raportimit të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

    Ai ka thënë se si ASK janë duke paraparë që regjistrimin përveç me metodën e tabletave, ta bëjnë edhe me dy metoda të reja duke përfshirë këtu edhe regjistrimin online përmes e-Kosovës.

    “Jemi vone me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, tha ai.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur kryeshefin e ASK-së se si do të bëhet regjistrimi për anëtarët e familjeve që janë në jashtë vendit dhe si do të regjistrohen shtëpitë që janë mbyllur.

    Ai po ashtu ka pyetur Berishën nëse ky proces do të filloj në nëntor, pavarësisht sfidave që i përmendi.

    Berisha tha se për ta është paraparë plotësimi i një formulari të veçantë po ashtu edhe mundësi që ata të regjistrohen edhe online.

    Por sipas tij për diasporën të dhënat nuk do të jenë të sakta 100 për qind.

    “Ata do të regjistrohen me një formularë të veçantë. Regjistrohet si shtëpi e pa banueshme. Ne kemi parapa që ata të regjistrohen edhe online, jemi në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme. Thirrjet për këto do të jenë publike. Ne konsiderojmë që për popullsinë jo rezidente për diasporën tonë nuk do të arrijmë që të jemi të saktë 100 për qind”.

    Berisha duke ju përgjigjur deputetit Hoti tha se kanë dërguar kërkesën për të shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë.

    “Kemi dërguar kërkesën që të shtyhet data e fillimit të regjistrimit. Propozimi dërgohet por vendimi merret nga qeveria”, u shpreh Berisha.

    Hoti tha se është për keqardhje që ky proces të dështoj për shkak të tabletave.

    Kritika për vonesa, pati edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku. Ai tha se këto shtyrje po tregojnë se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet sipas standardeve evropiane.

    “Metoda që ju po e përmendni është vetëm farsë dhe nuk tregon seriozitet as nga Qeveria as nga ju si ASK. Dikush duhet që të jap përgjegjësi për këtë”, tha ai.

    Ndërsa Berisha tha se kanë kërkuar që regjistrimi i popullsisë të fillojë në prill të vitit të ardhshëm.

    Sipas tij me metodën që është paraparë që të filloj regjistrimi i popullsisë me tabletë është e pa mundur që procesi të filloj me 1 nëntor, por sipas tij, ASK është duke shikuar metoda të tjera që të fillojë këtë proces.