ATV

Category: Lajme

  • Linjat e trafikut urban ndërrojnë qarkullimin

    Linjat e trafikut urban ndërrojnë qarkullimin

    Përgatiti: P. Krasniqi/ E. Aliu

    Rrugët që i përshkonin deri para dy ditësh, autobusët e Trafikut Urban nuk i kanë më të njëjta, ngase nga e hëna ka hyrë në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndryshimin e linjave të autobusëve.

    Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket qarkullimit të autobusëve.

    Mirëpo, sipas iniciuesit kryesor të këtij projekti, Gent Sejdiu, kjo do të ndikojë pozitivisht në shumë aspekte për kryeqytetin, vetëm nevojitet kohë për adaptim.

    “Natyrisht që kemi bërë faza parapërgatitore, e kemi analizuar mirë këtë ndryshim të linjave 1, 1A, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C, pasi përderisa të njëjtën rrugë përshkonin dy-tri linja të njëjta, tashmë është bërë koordinim i tyre, çdo stacion i fundit që mund t’i lë qytetarët autobusi, kanë larg qendrën vetëm 10 minuta”, tha Sejdiu.

    Në kuadër të ndryshimit të linjave, vazhdimisht priten edhe plane të tjera për transportin publik.

    Njëra prej linjave të reja e cila tashmë është funksionalizuar është linja numër 19, Prishtinë – Kishnicë.

  • “Më të forta se frika”, një tjetër aktivitet për parandalimin e kancerit të gjirit

    “Më të forta se frika”, një tjetër aktivitet për parandalimin e kancerit të gjirit

    Përgatiti: Sara Shehu

    “Më të forta se frika” është motoja e organizimit të radhës, në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese për parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.

    Drejtoresha e organizatës “Have Hope Kosova” tha se mbetet ende shqetësues fakti që gratë interesohen për mamografi vetëm gjatë muajit tetor.

    “Realisht gratë interesohen më shumë për mamografi gjatë muajit rozë, por ne fushata vetëdijesuese kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë në të gjithë muajt, për rritjen e vetëdijesimit që gratë t’i kushtojnë vëmendje më shumë kontrolleve të mjekut, sesa një grimi në përditshmëri, andaj interesimi duhet të rritet edhe muajve të tjerë”, tha Arnisa Osmani nga OJQ “Have Hope Kosova”.

    Ndërsa, duke bërë thirrje për kujdes, anëtarja e bordit të kësaj organizate, Saranda Bujupi-Ramaj, tha se këtë vit aktiviteti është organizuar për gratë që vdiqën nga kanceri në gji.

    “Ne mendojmë për përkrahjen e grave me kancer, por këtë vit po i kujtojmë më shumë edhe ato gra që vdiqën nga kjo sëmundje. Mbështesim gratë të cilat po luftojnë, u bëjmë thirrje pa masë që të mos anashkalohen kontrollet”, tha Saranda Bujupi-Ramaj, anëtare e OJQ “Have Hope Kosova”.

    Derisa në Klinikën e Onkologjisë në QKU, për shtatë muaj janë regjistruar mbi 270 raste me kancer të gjirit, nga 1 tetori, institucionet e vendit dhe organizata të ndryshme joqeveritare, kanë realizuar aktivitete të ndryshme vetëdijesuese për këtë sëmundje.

  • “Bistro X21, kafeneja ku do të punojnë persona me nevoja të veçanta

    “Bistro X21, kafeneja ku do të punojnë persona me nevoja të veçanta

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Po e përgatit kafenë e parë.

    Por, këtë punë Qëndresa do ta bëjë edhe ditëve në vazhdim, në kafenenë e cila u hap në qendrën e Down Syndrome Kosova në Mitrovicë.

    “Unë jam shankiste këtu, do të përgatis kafe. Jam shumë e lumtur”, tha Qëndresa Sylejmani, anëtare në DSK në Mitrovicë.

    Bashkë me Qëndresën do të punojë edhe shoku i saj me down syndrom, Gentrit Ahmeti.

    “Unë do të punoj si kamerier. Kam me shërbye pije, ushqim…”, tha Gentrit Ahmeti, anëtar në DSK në Mitrovicë.

    Hapja e lokalit dhe punësimi i personave me Down Syndrom po vlerësohet pozitive për këtë kategori të shoqërisë.

    “Kjo do t’iu shërbejë atyre për t’u pavarësuar….”, tha kryetarja e DSK-së, Sebahate Hajdini.

    Qendra down syndrom Kosova në Mitrovicë, numëron rreth 100 anëtarë.

  • Hoxha: Luftrat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim, por ata që luftojnë për kauzë të drejtë

    Hoxha: Luftrat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim, por ata që luftojnë për kauzë të drejtë

    Sot bëhet një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku.

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani lidhur me këtë ngjarje.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në këtë dokumentar flet për vazhdimin e betejës deri në largimin e sulmuesve, për çka thotë se i gjithë operacioni ishte i koordinuar me KFOR-in dhe EULX-in.

    Ai tutje se Policia e Kosovës lufton për një kauzë të drejtë.

    “Të gjitha informacionet ua kemi përcjellë KFOR-it pashtu edhe shefit të misionit EULEX, gjeneralit Barbano (Giovanni Pietro Barbano) Ka qenë koordinim i mirë. Gjithë operacioni është kry nga planifikimi, ekzekutimi nga Policia e Kosovës. Luftat dhe betejat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim. Por, ata të cilët luftojnë për kauzë të drejtë dhe njëkohësisht kanë zemër gjatë luftimeve”, u shpreh Hoxha./atvlive.tv/

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, Kosovës do t’i garantojmë siguri qoftë edhe me jetën tonë”

    “Jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, Kosovës do t’i garantojmë siguri qoftë edhe me jetën tonë”

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, derisa ka vlerësuar lartë aktin heroik të rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin terrorist në Banjskë, thotë se janë të përgatitur që t’i përgjigjen çfarëdo lloj sulmi.

    “Ne jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, si të kësaj natyre, por edhe tjera. A mund të ketë pasoja, edhe mund të ketë. Por ne jemi të përkushtum si Polici e Kosovës që t’i garantojmë Kosovës siguri, qoftë edhe me jetën tone”, thotë ai. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • Hoxha: Akti heroik i Afrim Bunjakut ishte pikë kthese për Kosovën si shtet

    Hoxha: Akti heroik i Afrim Bunjakut ishte pikë kthese për Kosovën si shtet

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në këtë dokumentar, ka vlerësuar lartë aktin heroik të rreshterit Afrim Bunjaku, si dhe të kolegëve të tij që i rezistuan ballafaqimit me terroristët.

    “Akti heroik që e ka ba heroi Afrim Bunjaku, është pikë kthese në të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës si shtet. Ky veprim i tij dhe i policëve tjerë, kanë bë kthesë epokale që është parandalu një plan famëkeq ogurzi për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, tha Hoxha. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri”, Qalaj zbulon planin e terroristëve për sulmin në Banjskë

    “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri”, Qalaj zbulon planin e terroristëve për sulmin në Banjskë

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, ka zbuluar se plani i terroristëve ishte vrasja e pelegrinëve, për të fajësuar pastaj institucionet e Kosovës.

    “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri. Aty atë ditë ka pasur shumë pelegrinë që kanë ardhë në Kosovë.. Është teori e imja, që kanë pasur plan t’i vrasin një numër të pelegrinëve dhe punonjësve dhe pastaj ti fajësojnë institucionet e Kosovës. Dhe çka mund të presësh nga kriminelët – vetëm viktima”, tha ai.

    Ai thotë se nuk e beson asnjëherë që Serbia mund ta aneksojë Veriun.

    “Kosova ka institucionet e sigurisë. Mos të harrojmë partnerët EULEX-in dhe KFOR-in sidomos. Mirëpo mos të harrojmë që është edhe FSK-ja dhe mbi të gjitha – populli i Kosovës, dhe kurrë Policia nuk do të ishte vetëm”, vlerëson Qalaj. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • Qalaj për operacionin e 24 shtatorit: Ka qenë meritë e Afrim Bunjakut dhe e policëve që u ballafaquan me terroristët

    Qalaj për operacionin e 24 shtatorit: Ka qenë meritë e Afrim Bunjakut dhe e policëve që u ballafaquan me terroristët

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në këtë dokumentar vlerëson se operacioni i 24 shtatorit, ka qenë meritë e heroit Afrim Bunjaku dhe i policëve që u ballafaquan me terroristët për disa orë të tëra.

    “Puna më e madhe, më e guximshme, ajo që për mu ka qenë ngjarja kryesore, ka qenë konfrontimi i policëve të rendit me terroristët serbë, dhe pastaj mbështetja që u është bërë nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë të Kufirit. Duhet me e ditë që ata për disa orë i kanë mbajtë luftimet”, thotë Qalaj.

    Ai përmend se ballafaqimi i policëve nuk ka qenë i lehtë, duke pasur parasysh se terroristët kanë qenë të stërvitur.

    “Zolla është armë ushtarake. Dhe në këtë rast grupet paramilitare terroristët të cilët jam I bindur se kanë qenë pjesë e strukturave zyrtare të Serbisë, kanë qenë të stërvitura edhe për përdorimin e këtyre raketave të dorës. Realisht ka qenë fat i madh që nuk janë qëlluar automjetet e Policisë së Kosovës”, tha Qalaj. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu askush”, Shala zbulon si i motivonte kolegët heroi Afrim Bunjaku

    “Mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu askush”, Shala zbulon si i motivonte kolegët heroi Afrim Bunjaku

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, përmes rrëfimit të policit Fahri Shala, i cili mori komandën në natën kritike pas rënies së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Shala, në rrëfimin e tij për këtë dokumentar, tregon se sa herë që bënin plane për ndonjë aksion, heroi Afrim Bunjaku i motivonte kolegët me një thënie të cilën e përdorte shpesh.

    “Kur është bërë plani për me pasë aksione, Afrimi e ka pasë gjithmonë një thënie: “Neve mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu nuk mundet askush”. Me këtë motiv edhe kemi vazhdu”, rrëfen Shala. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • Polici që zëvendësoi heroin Afrim Bunjaku rrëfen si u rezistuan gjuajtjeve me zollë e artileri të rënda nga terroristët

    Polici që zëvendësoi heroin Afrim Bunjaku rrëfen si u rezistuan gjuajtjeve me zollë e artileri të rënda nga terroristët

    Polici Fahri Shala, i cili zëvendësoi heroin Afrim Bunjaku pas rënies së këtij të fundit në natën kritike të sulmit në Banjskë, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, rrëfen se si u rezistuan gjuajtjeve me zollë e artileri të rënda nga terroristët.

    Ai tregon se luftimet mes tyre dhe terroristëve kanë vazhduar për një kohë bukur të gjatë.

    “Në bazë të gjuajtjeve i kemi ni që janë tu u afru (sulmuesit). Rrethi ka qenë duke u afru. Kena vazhdu me gjujtë edhe për një kohë bukur të gjatë. Atëherë kam kërku nga kolegët që me më asistu, që me u tërheq nga kamionët. Atëherë kolegët më kanë mbulu me zjarr, dhe jam tërheq. Kena kërku asistencë me na tërheqë nga autoblindat, se ndryshe ka qenë vështirë të tërhiqemi, se ka pasë gjuajtje pa ndërprerje. Kah ana e djathtë i kemi pasë 10 metra larg. Armët I njoh, aq afër ka qenë sa kanë gjujtë edhe me revole”, tregon Shala.

    Ai thotë se kanë qenë të sulmuar me zollë, mortajë e armatime të tjera të rënda.

    “Vija e zjarrit horizontalisht ka qenë shumë e gjatë. Nga mesi I fshatit deri në fund. Na kanë gjujtë, me zollë, mortajë, e shumë tjetër armatim i rëndë. Ndërkohë, e kemi vërejtë që po vjen një autoblindë edhe është ndalë në fillim ku ka qenë njësiti i trafikut, mbrapa veturave tona. Ju kemi dhënë shenjë se ku jemi, për me ardh me na tërhiq. Është nisë në drejtimin tonë, por prap e kemi pasur problem me hypë në autoblindë, se ka pasë gjuajtje të mëdha. Jemi përgjigjë sërish me armë, derisa kemi hyrë një nga një brenda”, rrëfen rreshteri Fahri Shala. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme: