ATV

Category: Lajme

  • Stoltenberg: Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me kujdes

    Stoltenberg: Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me kujdes

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe t’i kthehen dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian.

    Stoltenberg theksoi në konferencën për media dje, se trupat e NATO-s në Kosovë së fundmi janë përforcuar me disa qindra ushtarë nga Italia, Bullgaria, Rumania dhe Britania e Madhe.

    “Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me shumë kujdes dhe po rrisim prezencën tonë sidomos në veri. Mesazhi kryesor është që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë dhe të përmbahen nga retorika nxitëse”, tha Stoltenberg.

    Ai tha se Beogradi dhe Prishtina duhet t’i kthehen dialogut nën patronazhin e BE-së.

    “Unë mendoj se është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm të shihet se BE-ja dhe NATO-ja po punojnë krah për krah dhe se trupat e shtuara të NATO-s në Kosovë po mbështesin përpjekjet e shtuara diplomatike të BE-së”, tha Stoltenberg.

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon, sot nga ora 09:30, procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

    Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes, Mark Shala, ka vazhduar dëshminë edhe ditën e djeshme, të dytën ditë me radhë, ku pyetjet parashtruan Zyra e Prokurorit të Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e viktimave.

    Gjatë seancës kur është marrë në pyetje dëshmitari Shala nga ZPS-ja, avokati mbrojtës ka paraqitur disa herë kundërshtimet e tij lidhur me mënyrë se si janë formuluar pyetjet.

    Këtë dëshmitarë pritet që sot ta marrë në pyetje trupi gjykues.

    Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Osmani: Autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Kosovës të vihen para përgjegjësisë

    Osmani: Autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Kosovës të vihen para përgjegjësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni zyrtare nga Guverantorja e Iowa-s, Kim Reynolds.

    Presidentja Osmani, theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.

    Në një adresim para të pranishmëve, Osmani tha se nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

    Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.

    Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.

    U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i bujqësisë Faton Peci.

    Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator.

    Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë.

  • OKB bën thirrje për armëpushim në Gazë

    OKB bën thirrje për armëpushim në Gazë

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pretendoi se ka pasur shkelje të ligjit ndërkombëtar teksa Izraeli sulmon nga ajri Gazën dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.

    “Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar që ne po shikojmë në Gazë. Më lejoni të jemi i qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Guterres gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, pa përmendur në mënyrë eksplicite Izraelin.

    Guterres, që personalisht ka vizituar pikëkalimin mes Egjiptit dhe Gazës, në përpjekje për të mundësuar që ndihma të arrijë në Gazë përmes pikëkalimit Rafah. Këtë pikëkalim u lejuan që ta kalonin tre autokolona me ndihma.

    “Por, kjo sasi e ndihmës është si një pikë ujë në oqean. Për më tepër, furnizimet me karburante të OKB-së në Gazë do të harxhohen brenda ditësh. Ajo do të jetë një fatkeqësi e re”, tha Guterres.

    “Për të lehtësuar vuajtjet epike, për të bërë që ndihma të arrijë më lehtë dhe më sigurt, për të lehtësuar lirimin e pengjeve, unë përsëris thirrjen time për një armëpushim të menjëhershëm humanitar”.

    Militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor nisën sulme të koordinuara ndaj Izraelit duke vrarë të paktën 1.400 palestinezë dhe duke marrë mbi 220 pengje, kanë thënë autoritetet izraelite.

    Mbi 5.700 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga bombardimet hakmarrëse të Izraelit, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në territorin që udhëhiqet nga Hamasi.

  • Vdes ushtari italian i KFOR-it në aksidentin në Pejë

    Vdes ushtari italian i KFOR-it në aksidentin në Pejë

    KFORi ka konfirmuar se viktima e aksidentit në rrugën Prishtinë – Pejë është një ushtar Italian në kuadër të misionit paqeruajtës.

    Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 tashmë i ndjeri ndërroi jetë.

    “Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Në lidhje me aksidentin tragjik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

    “Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë”, thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas njoftimit, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.

  • Ura mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, larg përfundimit

    Ura mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, larg përfundimit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Çdo ditë kalon në anën tjetër të Liqenit artificial të Mitrovicës, ani pse përballet me rrezik. Akoma më të vështirë e ka, kur moti është i lig.

    “Është rrezik me kaluar nga kjo pjesë, për fëmijë është më rrezik, për shkak që mund të rrëzohen dhe të bien në ujë, më bjen çdo ditë me kalu në këtë pjesë dhe është rrezik”, tha Ibrahim Peci, qytetar.

    Por, nuk është i vetmi që kalon çdo ditë këtë urë.

    “Kjo urë është e nevojshme për të përfunduar, për moshatarë, për shkak që po duhet të ecim kilometra më shumë, nuk e di ku është problemi pse janë ndërprerë këto punime, me rregullu këtë urë është mirë për shkak që po duhet të kalojmë mbi hekura”, tha Avni Sejdijaj, qytetar.

    “Unë shpesh vij në këtë pjesë, por që më duhet mu kthy me ecë më shumë për shkak që është rrezik, e po duhet që të ecim rreth e rrotull, e këtu punët i fillojnë, por që nuk i përfundojnë me kohë”, tha Selim Putoku, qytetar.

    Derisa qytetarët janë lodhur nga pritja, Drejtori i Infrastrukturës në komunën e Mitrovicës ka premtuar se ura mbi liqenin artificial do të duhej përfunduar deri në fund të vitit.

    “Punimet janë ndalur përkohësisht, derisa jemi pajisur me pëlqim nga departamenti ujor, pra nga ministria, presim që ura të përfundojë në një afat kohor brenda këtij viti, do të mundohemi që punimet të përfundojnë sa më shpejtë, pasi që tani kushtet atmosferike fillojnë të ndryshojnë”, tha drejtori i infrastrukturës në Mitrovicë, Granit Tmava.

    Punimet në urën mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, kanë filluar vitin e kaluar, derisa projekti kushton rreth 220 mijë euro dhe është financuar nga Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

  • Punimet në ndërtimin e “Rrugës A”, janë duke vazhduar

    Punimet në ndërtimin e “Rrugës A”, janë duke vazhduar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Aktvendimi i Gjykatës Komerciale, i cili aprovon si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, më 19 prill 2023, lidhur me “Ndërtimin e Rrugës A – Pjesa e Parë”, është publikuar më 23 tetor.

    Vendimin për pezullimin e punimeve, kompania e kontraktuar, “Sallahu Shpk” e ka vlerësuar të njëanshëm, meqë siç thotë Gjykata Komerciale, nuk e ka përfshirë në proces si palë e interesuar gjatë trajtimit të lëndës. Kompania pretendon se çështja nuk ka marrë epilog, andaj punimet janë duke vazhduar.

    “Nga faktet e prezantuara, përveç zbatimit të gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, në Arsyetimin e Aktvendimit KA 181/23, shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, u ka falur besimin provave dhe të dhënave të pavërteta – të rrejshme dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente. Konsiderojmë se Gjykata nuk i ka trajtuar të gjitha aspektet e lëndës, rrjedhimisht vendimin e konsiderojmë të njëanshëm. Njëherësh jua bëjmë me dije se për shkak të evidentimit të gabuar të fakteve, ne do t’i drejtohemi me Kërkesë Gjykatës Komerciale, për të na përfshirë në proces si palë e interesuar gjatë trajtimit të lëndës nga Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale, si dhe Ankesë ndaj Aktvendimit të lartcekur”, thuhet në reagimin e “SALLAHU SHPK”.

    Megjithatë, sipas juristëve, punimet duhet të ndalen.

    Sidoqoftë, “Rruga A” konsiderohet si një prej projekteve me rëndësi të madhe për kryeqytetin.

    Teksa ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema” ishte paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.

  • Për të pestën herë dështon konstituimi i komisionit hetimor për rezervat

    Për të pestën herë dështon konstituimi i komisionit hetimor për rezervat

    Ka kaluar më shumë se 1 muaj prej kur Kuvendi votoi për themelimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore. Ndonëse ky komision ka vetëm 6 muaj mandat, ai ende nuk ka arritur të mbajë asnjë mbledhje në mungesë të kuorumit.

    Mbledhja e radhës, e paraparë për këtë të martë, e cila ishte e pesta me radhë, sërish dështoi në mungesë të deputetëve të pushtetit.

    Kurse, për deputetët e opozitës, mungesa e tyre po konsiderohet si urdhër nga kryeministri.

    Deputetët e pushtetit janë duke e bojkotuar këtë dhe punën e komisioneve të tjera për shkak se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare. Takimi i radhës i këtij komisioni do të mbahet të enjten nga ora 09:30. /atvlive.tv

  • Monitoruesit e drejtësisë mirëpresin vendimin e Gjykatës Themelore

    Monitoruesit e drejtësisë mirëpresin vendimin e Gjykatës Themelore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Monitoruesit e sistemit të drejtësisë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka anuluar tërësisht vendimin e Qeverisë Kurti, sipas të cilit, pagat e gjyqtarëve e prokurorëve uleshin.

    “Bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ref. AGJ 1584 /2020, i cili ka përcaktuar se zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv, është një shembull se burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar. Nuk ekziston një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen, por se ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare, andaj ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar financiare”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Këtë vendim Qeveria e kishte marrë më 23 nëntor 2022. E, në vazhdën e reagimeve që ngjalli vendimi, Shoqata e Prokurorëve vendosi ta paditë Qeverinë. Tani nga kjo shoqatë shpresojnë që njësoj si Gjykata Themelore do të veprojnë edhe gjykatat e shkallëve më të larta.

    “Shoqata e Prokurorëve e ka pritur mirë vendimin e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore, duke besuar se edhe në shkallët e tjera vendimet do të kenë epilog si ky”, thuhet në reagimin nga Shoqata e Prokurorëve.

    Edhe pse pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdojnë të mbeten të njëjta bazuar në vendimin paraprak, atë të Qeverisë Haradinaj nga viti 2017, me ç’rast, bashkë me rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë, u rritën edhe të gjyqtarëve e të prokurorëve, megjithatë situata pritet të ndryshojë pas miratimit të Ligjit për Pagat në muajin shkurt. Por edhe ky ligj po shqyrtohet në Kushtetuese, i cili, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se është anti-kushtetues.

    Megjithatë, prokurorët e gjyqtarët në vitin e parë të fillimit të zbatimit të Ligjit për Paga, nuk i marrin me ulje. Vetëm në vitin e dytë të fillimit të zbatimit të tij do t’i marrin me 50% të shtesës tranzitore.

  • Lista serbe e ndërron kryesinë, por jo qasjen

    Lista serbe e ndërron kryesinë, por jo qasjen

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Saktësisht një muaj pasi ish-nënkryetari i saj, Milan Radojicic, udhëhoqi sulmin terrorist në Bansjkë, Lista Serbe ndryshoi strukturën udhëheqëse.

    Pas 10 vjetëve që nga themelimi i partisë, kryetari Goran Rakiq liroi pozitën për t’ia lëshuar atë pasardhësit, Zlatan Elek, që njëherësh është edhe Drejtor i Spitalit të Mitrovicës së Veriut.

    Edhe pse mori detyrën e re, nuk foli për të, meqë me nxitim iku në punën e parë.

    “Tanimë duhet të kthehem në spital, por jeni të bindur se do të komunikoj me media shumë, por sot më falni që duhet të pranoni vetëm një komunikatë më vonë”, tha kryetari i ri i Listës Serbe, Zlatan Elek.

    Për ndryshimet në Listën Serbe, qytetarët e Mitrovicës së Veriut nuk e kishin idenë.

    Megjithatë, jo vetëm kryetarin, Lista Serbe ndërroi edhe nënkryetarët e emëroi njerëz edhe në disa pozita të tjera.
    Siç njoftuan përmes një komunikate, aty u zgjodhën pesë nënkryetarë të rinj, njëri prej tyre Dragisha Miloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit.

    Pavarësisht ndryshimit në udhëheqësi, qasja e Listës Serbe mbetet e njëjtë. Siç tha edhe vetë kryetari i ri, të gjitha vendimet do të merren në koordinim me Beogradin.