ATV

Category: Lajme

  • Pushteti sërish nuk qëndron në sallë, në seancën e thirrur nga AAK-ja

    Pushteti sërish nuk qëndron në sallë, në seancën e thirrur nga AAK-ja

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ishin të parapara dy seanca, fillimisht ajo plenare në të cilën për shqyrtim ishin disa projektligje të mbetura nga e kaluara, por edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme.

    Derisa punimet e seancës së parë nisën të zgjasin më shumë sesa ishte paraparë, AAK-ja kërkoi që ato të ndërpriten dhe të vazhdohej me seancën e jashtëzakonshme.

    Kërkesën e deputetit Tahiri e kundërshtoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, por përkrahje i dha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

    Mirëpo, me të filluar seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për debat parlamentar, në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik, deputetët e pushtetit lëshuan sallën, përveç deputetëve Eman Rrahmani e Visar Korenica.

    Ndërkohë, në seancën plenare u arrit të votohen disa projektligje.

    U miratua në parim projektligji për artin dhe kulturën, ligji për plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale dhe atij të Kodit Penal.

  • “E përgëzoj”- Rama thotë se Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin

    “E përgëzoj”- Rama thotë se Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e përgëzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për pranimin e propozimit të BE-së për avancim drejt zgjidhjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Rama këtë e ka deklaruar përmes platformës ‘X’ pas takimeve që kryeministri Kurti pati në kuadër të Samitit të BE-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    “E përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të avancuar me vendosmëri drejt zgjidhjes debllokuese të ASM-së (Asociacionit të Komunave me shumicë serbe) përmes instrumenteve të vetë-menaxhimit si kornizë për negociatat e ardhshme”, ka thënë ai.

    “Liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të demonstrojnë lidership dhe të punojnë ngushtë me partnerët tanë perëndimorë për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve, pa vonesa të mëtejshme. Rajoni ynë meriton paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për një të ardhme të përbashkët, më të mirë, në vend të konflikteve, lojërave të fajësimit dhe pengesave që na dëmtojnë të gjithëve”, ka deklaruar ai.

  • Uji i Badocit ende i papijshëm, IKSHPK: S’ka vend për panik

    Uji i Badocit ende i papijshëm, IKSHPK: S’ka vend për panik

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton qytetarët se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije dhe se nuk ka vend për panik.

    Sipas njoftimit, analizat e fundit laboratorike tregojnë se akoma nuk janë arritur standardet e përcaktuara në Udhëzimin administrativ – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.

    “Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim.

    IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se: Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera; Uji nuk duhet tē vlohet para pẽrdorimit për shkak të mundësisë së koncentrimit të manganit; Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund tē pēdoren pēr pije pa pẽrkufizim.

    Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanices qe furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.

  • ​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

    ​Niveli i lindjeve në Itali arrin një rekord të ulët

    Pak më shumë se 393,000 fëmijë kanë lindur në Itali në vitin 2022, që paraqet një rënie prej 1.7% krahasuar me vitin e kaluar, duke e çuar shkallën e lindjeve në një nivel të ri rekord, tha të enjten Istat.

    Tendenca rënëse duket se do të vazhdojë edhe në vitin 2023: sipas të dhënave provizore, në gjysmën e parë të vitit ka pasur një ulje prej 1.9% të lindshmërisë, e barabartë me 3500 foshnja më pak të lindura, gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, tha agjencia kombëtare e statistikave.

    ISTAT shtoi se numri i lindjeve ka rënë pandërprerë prej 15 vitesh. Kontributi në lindshmërinë e popullsisë së huaj në Itali gjithashtu duket se po pakësohet, tha ISTAT.

    Përveç kësaj, agjencia e statistikave tha se 41.5% e fëmijëve të lindur në Itali në vitin 2022, ose 163,317, kanë lindur jashtë martese. Përqindja e fëmijëve të lindur nga prindër të pamartuar është rritur me 33 pikë përqindjeje që nga fillimi i mijëvjeçarit, shtoi ISTAT.

    Kthimi i rënies së natalitetit është një prioritet kryesor i deklaruar për qeverinë e kryeministrit Giorgia Meloni.

    Në projektligjin e buxhetit të vitit 2024, shteti propozon që të mbulohen deri në 3000 euro në vit kontribute të sigurimeve shoqërore për nënat që punojnë me dy fëmijë, ku më i vogli është nën 10 vjeç dhe ato me tre fëmijë e më shumë, me më të voglin deri në 18 vjeç./ANSA/

  • ​Vasilev: Vendimi i Radev e bën atë si mbrojtës të Gazprom, por kjo s’do të ndalojë tarifën e re të transitit të gazit

    ​Vasilev: Vendimi i Radev e bën atë si mbrojtës të Gazprom, por kjo s’do të ndalojë tarifën e re të transitit të gazit

    Ministri bullgar i Financave Assen Vasilev u tha të enjten gazetarëve se presidenti Rumen Radev nuk do ta ndalë zbatimin e ligjit duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese tarifën e re të vendosur për importin dhe transitin e gazit rus drejt dhe përmes Bullgarisë.

    Të gjitha vendet që përdorin rrjetin e transmetimit të gazit duhet të dëshmojnë nëse gazi natyror është rus apo jo, tha ai, duke shtuar se pagesat e para do të bëhen më 14 nëntor.

    Më herët gjatë ditës, presidenti Radev iu referua Gjykatës Kushtetuese tarifën prej 20 BGN për MWh, e cila u miratua përmes rishikimeve të Aktit për Kontrollin mbi Zbatimin e Masave Kufizuese në funksion të veprimeve të Rusisë që destabilizojnë situatën në Ukrainë, i cili hyri në fuqi në 13 tetor.

    Vassilev tha: “Presidenti nuk po mbron interesin kombëtar, të paktën jo siç e shoh unë.”

    Tarifa është në interes kombëtar të Bullgarisë, jo të Federatës Ruse dhe Gazprom. Me këtë vendim Radev u vetëdeklarua si mbrojtës i Gazpromit. Vendimi i tij është kundër politikës së Bullgarisë dhe qeverisë së saj, ky është turp për institucionin presidencial, tha ministri i Financave.

    Ai tha se tarifa nuk e bën gazin më të shtrenjtë për konsumatorët në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Hungari, por e bën atë më pak fitimprurës për Gazprom.

    “Agjencia Kombëtare e të Ardhurave dhe Agjencia e Doganave mund të aplikojnë masa paraprake nëse Gazprom Export vendos të mos paguajë. Ka garanci bankare për kontratat me Gazprom Export. Bullgaria nuk mund të ndalojë transmetimin e gazit natyror,” tha Vasilev.

    Lukoil shënoi një humbje prej 1.822 miliardë leva në Bullgari për periudhën 2009-2020, një fitim prej 170 milionë leva për vitin 2021 dhe një fitim prej 404 milionë leva për vitin 2022, tha Vassilev. Deri më tani këtë vit Lukoil ka paguar taksa në vlerë 154 milionë leva.

    Kompania ka afat deri më 31 tetor për të parapaguar të gjitha kontributet e përkohshme të solidaritetit dhe për të paguar të paktën 90% të taksave. Bullgaria do të marrë nga Lukoil rreth 400 milionë levë, duke përfshirë 154 milionë levë tashmë të paguara. /BTA

  • Konjufca priti në takim ambasadorin e Belgjikës, Grégoire Cuvelier

    Konjufca priti në takim ambasadorin e Belgjikës, Grégoire Cuvelier

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e ri të Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale, bashkëpunimin midis dy vendeve dhe mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij.

    Duke e uruar për detyrën e re në krye të misionit diplomatik belg në Prishtinë, kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e vazhdueshme qe shteti mik i Belgjikës ia ka dhënë Kosovës në shumë fusha, duke e konsideruar të nevojshme vazhdimin e kësaj përkrahjeje edhe në proceset aktuale nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

    Kreu i Kuvendit vuri në dukje agjendën e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, sfidat e kësaj agjende dhe theksoi nevojën e përkrahjes nga vende mike, si Belgjika.

    Duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, ambasadori Grégoire Cuvelier konfirmoi mbështetjen e Brukselit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen.

    Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, marrëdhënieve ekonomike e diplomatike midis dy vendeve.

  • Përfundon takimi i Vuçiqit me zyrtarët evropianë

    Përfundon takimi i Vuçiqit me zyrtarët evropianë

    Pak pas orës 15:00 ka përfunduar takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me zyrtarët evropianë në Bruksel.

    Vuçiq u takua me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, shefin e diplomacisë së BE-së Josep Borell, përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, si dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.

    Paraprakisht, zyrtarët evropianë kanë biseduar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili është larguar menjëherë pas takimit, pa dhënë deklarata për gazetarët.

    Bisedimet e veçanta mes Vuçiqit dhe Kurtit me liderët evropianë zgjatën pak më shumë se një orë.

  • Kurti përfundon takimet me udhëheqësit evropianë

    Kurti përfundon takimet me udhëheqësit evropianë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

    Ai nuk dha ndonjë deklaratë para gazetarëve.

    Takime të ngjashme, aktualisht, po zhvillon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

    “Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

    Kurti dhe Vuçiq po priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

    Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar.

    Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.

    Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

    Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

    Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”. /REL

  • Stafi i AGK-së takohet me stafin e ECPMF-së për programin “Gazetarët në Residencë”

    Stafi i AGK-së takohet me stafin e ECPMF-së për programin “Gazetarët në Residencë”

    Stafi i programit Journalists in Residence – Kosovo vizituan partnerin e programit “Gazetarët në Rezidencë ”, European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në Leipzig të Gjermanisë.

    Vizita e udhëhequr nga Kryetari i Bordi të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, u bë me qëllimin e shkëmbimit të përvojave të implementimit të programit, i cili si i tillë ka nisur në shtetin gjerman, në vitin 2016.

    Gjatë vizitës dyditore në Leipzig, u diskutua për punën e ekipit të programit nga Kosova, si dhe atij nga Gjermania, dhe u shkëmbyen praktikat më të mira për implementimin e programit, si dhe sfidat e sukseset e arritura.

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, ishin të shoqëruar nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, Adem Sylejmani – Koordinator i Terrenit, Liridona Gërxhaliu – Financiere dhe Zyrtarja për Komunikim, Rabije Hyseni.

    Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, program i iniciuar nga ECPMF, e që po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

    Nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve strehim në Kosovë.

  • Nisin hetime penale ndaj Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame

    Nisin hetime penale ndaj Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame

    Para disa ditësh në Deçan u tubuan rreth 70 persona me iniciativë për krijimin e Lëvizjes për Braktisjen e fesë Islame.

    Por disa ditë pas themelimit të kësaj lëvizje është iniciuar hetime lidhur veprimtarisë së saj këtë për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Ne si prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”, tha Nikçi.

    Pas nisjes së kësaj lëvizje doli me një reagim Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës.

    BIK, Dega në Deçan, tha shprehu indinjatë me formimin e lëvizjes, për të cilën tha se “s’ka qëllime të mira për shoqërinë tonë”.

    “Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimin e të ashtuquajturës “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siç u pa e u dëgjua, ajo s’ka qëllime të mira për shoqërinë tonë. Aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mosdurim fetar dhe njerëzor”, tha BIK.