ATV

Category: Lajme

  • Eurodeputeti gjerman me kritika të ashpra për Borrellin: E vetmja pengesë që ai e përmend, është Asociacioni

    Eurodeputeti gjerman me kritika të ashpra për Borrellin: E vetmja pengesë që ai e përmend, është Asociacioni

    Gjatë ditës së djeshme në Bruksel u zhvilluan bisedime të reja lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

    Në këto bisedime nuk pati takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Të dy këta zhvilluan takime të ndara me liderët evropianë, Olaf Scholz dhe Emanuel Macron e Meloni.

    Pas takimeve Borrell tha se puna po vazhdon dhe se për Kosovën dhe Serbinë s’ka zgjidhje tjetër përveç asaj që del nga dialog.

    Por lidhur me deklaratën e këtij të fundit ka reaguar eurodeputeti gjerman, Reinhard Butikofer.

    Butikofer është shprehur i shqetësuar duke thënë se Borrell po i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë duke mos kujtuar aktin e agresionit serb të 24 shtatorit.

    “Kjo është vërtet interesante: 1. E vetmja pengesë, e cila Borrell përmend, është Asociacioni. A nuk kishte pengesa nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? 2. Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiq refuzoi një gjë të tillë.Pra, pse atëherë bën Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? 3. A i kujtohet Borrellit që Parlamenti Evropian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Pse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer.

  • Të shtëna me armë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, vriten 3 emigrantë

    Të shtëna me armë në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, vriten 3 emigrantë

    Tre emigrantë kanë mbetur të vrarë në një shkëmbim zjarri të ndodhur herët mëngjesin e sotëm në ndërtesat e braktisura të ish-pronës bujqësore “Baçka” në afërsi të vendbanimit Horgosh, në Serbi.

    Ngjarja ka ndodhur në zonën kufitare me Hungarinë, raporton Euronews Serbia. Një emigrant mbeti i plagosur.

    Të shtënat kanë ndodhur jashtë vendbanimit dhe sipas RTS-së, banorët e atij fshati janë të alarmuar dhe që nga mëngjesi i sotëm në rrjetet sociale raportojnë të shtëna të gjata nga drejtimi i zonës kufitare.

  • Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

    Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë 10 ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit. Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

    Këto dhe për ndikimet tjera të rritjes së vlerave të manganit, në një intervistë për KosovaPress tregon koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi.

    Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës dhe se nuk është hera e parë që ndodh një përzieje e ujit me mangan.

    “Vlera e manganit, paraqitja e manganit është një fenomen natyror, i cili lajmërohet në sezonin e pranverës dhe në sezonin e vjeshtës. Nuk është hera e parë që kemi pasur këto lloj telashe, por asnjëherë këtë kohëzgjatje dhe këto sasi të manganit. Këtë vit është pak më shumë. Kjo është paraqitur para një jave, 10 ditë në momentin që kemi marrë informacionet prej laboratorit që janë vlerat e ngritura, normal jemi aktivizuar komplet ekipi i IKSHPK-së, është informuar kompania dhe prej atij momenti jemi në bashkëpunim me kompaninë çdo ditë… Vlerat e larta nuk tolerohen më shumë se 10 ditë brenda një viti, po rasti jonë nuk e ka atë vlerë të lartë edhe pse ka qëndru 10 ditë tashmë”, thotë Nushi.

    Sipas koordinatores së ujit Nushi, vlerat e manganit nuk janë shumë të larta, por nuk preferohet për pije. Ajo tha se mangani ndikon më së shumit te fëmijët e moshave të hershme, por nuk preferohet për pije as te të rriturit pasi simptomat që shkaktohen nga mangani mund të provokojnë edhe sistemin psikik.

    “Mangani është metal esencial, i cili ndodhet çdo kund në natyrë, futet në organizëm me shumë rrugë, futet edhe me ushqim, edhe me ujë edhe prej ajrit mundet… Në një anë të manganit vlerat e gjetura përkundër faktit që janë pak më të larta se udhëzimi administrativ i cili i kërkon, vlerat nuk janë aq sa që të paraqesin rrezik të lartë ose të domosdoshme për organizëm në kushte kur ka vlera të shtuara mbi 1 gram, se standardi është 0.05… Mangani me vlera shumë të larta, të shtuara përkundër faktit se është metal esencial mundet të paraqet probleme në sistemin nervor qendror mirëpo akcent të posaçëm e ka të fëmijët prej 0 deri 5 vjet e kryesisht te foshnjat prej 0 deri 6 muaj të cilat ushqehen me qumësht pluhur, pse është me rëndësi kjo se tek qumështi pluhur ka doza të larta të manganit dhe shtimi i ujit me mangan të lartë mund të provokojë që ky fëmijë të rritet më vonë, meqenëse krejt e kanë këtë kimi tek akumulatorët, mund të provokojnë çrregullime në zhvillimin e tyre psikik, nuk kanë koncentrim e kështu me radhë”, thotë ajo.

    Derisa rekomandimi për mos pirje të ujit qëndron ende, deri në njoftimin e radhës nga IKSHPK-ja, Nushi thekson se mangani mund të largohet me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme.

    “Rekomandimet tona ende qëndrojnë për vet faktin se si autoritet shëndetësor që jemi të thirrur për zbatimin e udhëzimit administrativ ne duhet gjithsesi t’i referohemi udhëzimit administrativ, që ky ujë është i ndjeshëm për fëmijët e vegjël. Mirëpo kur japim rekomandime, atëherë nuk munden me cek 20-vjeçarët nuk munden me pi, ata 30-vjeç, por është rekomandim i gjeneralizuar. Sot p.sh. në vlerat tona kemi ulje te dukshme të manganit shumë në krahasim me ditët e para mirëpo ende është mbi vlerën e redaktuar… Po shpresojmë me ndërrimin e temperaturave bie mangani, po shpresojmë brenda javës, deri në fund të javës duhet të qetësohet situata”, përfundon ajo.

    Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

    Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë të ofruar nga KRU-ja me autobot.

  • Presidentja Osmani mban fjalim para 1300 pjesëmarrësve nga 76 shtete të ndryshme

    Presidentja Osmani mban fjalim para 1300 pjesëmarrësve nga 76 shtete të ndryshme

    Gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prezencë të 76 shteteve dhe rreth 1300 pjesëmarrësve nga të gjitha kontinentet, mbajti fjalim në World Food Prize Foundation.

    Gjatë fjalimit, ndër të tjera, ka përmendur “Darkën e Lamës” dhe ka shpjeguar domethënien e saj.

    Ajo tha se këtë festë e ka rikthyer në Kosovë, presidenti Ibrahim Rugova.

    “Dua të përmend se themeluesi i pavarësisë së Kosovës, presidenti Rugova, ka rikthyer traditën mijëvjeçare, festën që ne e quajmë “Darka e Lamës”. Një mënyrë unike për të shprehur mirënjohjen për bekimet e tokës, kulturat e shquara nga puna e fermerëve tanë. Rast perfekt për të shprehur mirënjohjen tek miqtë dhe partnerët nga e gjithë bota për miqësi e partneritet”, tha Osmani para të pranishmëve.

    Darka e Lamës e njohur edhe si darka e lamijeve, darka e fushës, darka e bereqetit, është një festë dhe ditë tradicionale e shënuar, që në fakt ka të bëjë me kremtimin e përfundimit të të korrurave të drithërave, e të korrave vjeshtore, e shtruar për të festuar vitin e bereqetshëm.

    Këtë vit, presidentja Osmani, këtë organizim e ka shënuar me Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë, në shenjë mirënjohjeje për gratë e burrat në uniformë.

  • Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor, shkaktare Ministria e Financave

    Berisha: S’ka regjistrim të popullsisë më 1 nëntor, shkaktare Ministria e Financave

    Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë arsyet përse kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sërish të shtyhet regjistrimi i popullsisë për vitin tjetër. Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha thekson për KosovaPress se vonesa e procedurave të prokurimit për blerjen e tabletëve, mosrekrutimi i regjistruesve dhe mbikëqyrësve dhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb në pjesën veriore të vendit, janë disa nga sfidat që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk mund të fillojë regjistrimin e popullsisë më 1 nëntor siç ishte paraparë.

    Përveç kësaj shqetësuese mbete edhe mungesa e aplikantëve për pozitat e mbikëqyrësve në procesin e regjistrimit të popullsisë. Përkundër që ishte shtyrë ky proces për dy muaj, ky institucion ka bërë kërkesë tek Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish afati.

    Berisha ka fajësuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për vonesën e hapjes së konkursit për regjistrues dhe mbikëqyrës.

    Zëvëndës kryeshefi Berisha në një intervistë për KosovaPress derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar t shtyhet ky proces, thotë se janë në pritje të vendimit nga Qeveria për propozimin e dhënë për shtyrje.

    “Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë”, deklaron Berisha.

    Ai tha se kanë propozuar që procesi i regjistrimit të fillojë nga viti tjetër dhe në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për motin.

    “Ne kemi dhënë propozim në kërkesën tonë, ndërsa vendimi mbetet tek Qeveria kur vendos. Propozimi jonë është për vitin e ardhshëm, për shkak se muaji dhjetor është muaji i dimrit, kushteve të vështira dhe rekomandimet ndërkombëtare, sikurse nuk preferohet muajve të dimrit, gjithashtu edhe për muajin gusht me temperatura të larta nuk preferohet. Andaj, duhet të ju shmangem dhe të jemi në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare…Pra, më 1 nëntor nuk fillon”, tha ai.

    Berisha thotë se ende nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e mbikëqyrësve dhe regjistrueseve, kjo për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësimin e tyre ende.

    Ndërkaq, sa i përket tabletëve, ai tha operatori i dytë pritet t’i liferoj me datën 2 nëntor, porse shton se nevojitet kohe për regjistrimin e programeve.

    “Jemi në pritje të vendimit, qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë sipas kontratës do t’i liferojë me datën 2 nëntor, mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…02:35 Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor”, shtoi Berisha.

    Në këtë drejtim, sfidë tjetër, Berisha tha se mbetet edhe mundësia e bojkotit të regjistrimit nga komuniteti serb pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore.

    “Qeveria ka qenë tërë kohen e informuar dhe ne për këtë qëllim kemi kërkuar për rishikim të dytë të datës…Përtej këtyre është edhe një sfidë tjetër, mundësia e bojkotit të komunitetit serb në regjistrimin e popullsisë, çfarë nuk do e dëshironim, sepse në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare kërkohet që pjesëmarrja të jetë afërisht 100 për qind e popullsisë në territorin e caktuar dhe një bojkot nga komuniteti serb, do e vëntë në pikëpyetje dhe rezultatet nuk do të ishin valide. Për të mos shkuar tek kjo, kemi kërkuar afat shtesë…Katër komisionet komunale janë pjesë për katër komunat veriore, janë themeluar me vonesë, edhe pse ato janë themeluar në shtator, baza ligjore është që ato kërkohen të themelohen gjashtë muaj para datës së regjistrimit. Çështja tjetër është situata që ndodhi në shtator, e ka komplikuar edhe më tepër, dhe po shpresojmë se gjatë kësaj periudhe do të ketë një arritje, kështu për një datë tjetër së paku te jemi në harmoni me dispozitat ligjore dhe të kemi një pjesëmarrje qind për qind të komunitet serb”, vijoi Berisha.

    Ndërkaq, shqetësuese për këtë institucion mbetet edhe mungesa e aplikimeve.

    “Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrëseve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre të komisioneve…Vonesa e hapjes së konkursit që është hap me 27 shtator, shumë afër të regjistrimit të popullsisë, sepse në bazë të planit të aktiviteteve është planifikuar që me datën 12 tetor të fillojnë trajnimet e anketuesve, regjistruesve dhe mbikëqyrësve. Ndërsa, me 12 tetor ne kemi bërë rishpalljen për aplikim, për brenda shtatë dite rreth 70 për qind kanë aplikuar për pozitat e regjistrueseve dhe mbikëqyrësve. Tek këta të fundit është situata pak më ndryshe për shkak se aplikimet janë të mjaftueshme, përjashtim katër komunat veriore që mungojnë edhe për 12 mbikëqyrës nuk ka aplikime, ndërsa për regjistrues është situatë pak më ndryshe, edhe pse e kemi rihap, përsëri numri i interesuarave është shumë i vogël “, përfundoi Berisha.

    Qeveria e Kosovës pritet që sërish të merr vendim për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në vend.

    Burime të KosovaPress bënë të ditur se pas kërkesës të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekzekutivi i vendit pritet që gjatë kësaj jave të merr vendim ta shtyjë sërish procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

    Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

  • Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori Peters: Një marrëdhënie e fortë SHBA-Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan

    Senatori amerikan nga Michigani, Gary Peters ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

    Peters në një postim në X shkruan se një marrëdhënie e fortë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.

    “Më vjen mirë që u takova me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Një marrëdhënie e fortë midis dy kombeve tona është thelbësore për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, shkruan ai.

    Ndryshe, disa javë më parë bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e SHBA-ve, senatorja Joni Ernst (republikane nga Iowa) dhe senatori Gary Peters (demokrat nga Michigan) i kanë drejtuar letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, edhe për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje.

  • Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike: Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, asnjë llogari për rolin e Beogradit

    Deputetja britanike, Alicia Kearns ka rikujtuar sot se janë bërë një muaj që kur Milan Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ndërkaq ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

    Kearns në një postim në X shkruan se po ashtu kanë kaluar një muaj dhe asnjë përgjegjësi për rolin e Beogradit.

    “Tashmë ka një muaj që Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë llogari për rolin e Beogradit.

    Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut, ata meritojnë drejtësi…”, shkruan Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns.

    Ndryshe, më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

    Në kundërsulm, Policia e Kosovës vrau tre terroristë dhe arrestoi disa tjerë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Milan Radoiçiq që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës serbe dhe person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Tetë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

    Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim-Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Strasburg. /KP

  • Ndalohen 15 migrantë, ishin futur ilegalisht nga Shqipëria

    Ndalohen 15 migrantë, ishin futur ilegalisht nga Shqipëria

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Vërmicë të Prizrenit ka ndaluar 15 migrantë të cilët ishin futur ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë.

    Sipas raportit të Policisë, shtatë nga migrantët ishin nga Siria, katër nga Somalia, tre nga Eritrea dhe një nga Egjipti.

    Bëhet e ditur se të njëjtit kanë deklaruar se në Kosovë janë futur nga tre persona të dyshuar me një furgon deri afër kufirit, dhe pastaj kanë vazhduar në këmbë.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raport.

  • ​Osmani takon kryetarin e bashkisë Des Moines në Iowa

    ​Osmani takon kryetarin e bashkisë Des Moines në Iowa

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pritur në takim nga kryetari i bashkisë Des Moines, T.M Franklin “Frank” Cownie.

    Osmani falënderoi Cownie për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës derisa edhe u njoftua nga afër me ambientet e bashkisë, ku qëndronte edhe një kënd për miqësinë mes Kosovës dhe Iowa-s.

    Bashkë ata vizituan edhe urën e arritjes se grave në Iowa.

    Në qëndrimin në Iowa, presidentja Osmani mori pjesë edhe në ndarjen e çmimit kryesor të Samitit Botëror të Ushqimit.

    Presidentja Osmani të martën ka nisur një vizitë disaditore në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.