ATV

Category: Lajme

  • Sot është “Halloween”, Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    Sot është “Halloween”, Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    Dita e 31 tetorit shënohet si dita e “Halloween”, apo nata e frikshme, ku njerëzit maskohen në mënyra të ndryshme.

    Me këtë rast, Trafiku Urban ka bërë thirrje për qytetarët që të kujdesen që fëmijët e tyre të mos godasin autobusët me vezë apo gjësende të ndryshme, pasi mund të lëndohen udhëtarët.

    Sot, me rastin e Halloween, ju lutemi të kujdeseni që fëmijët tuaj të mos godasin me vezë apo gjësende të tjera autobusët, pasi kjo mund të rrezikojë udhëtarët dhe sigurinë në rrugë në përgjithësi. “Trafiku Urban” është në shërbim të të gjithëve, andaj ju lusim të mos dëmtoni pronën e përbashkët”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Tutje, ata kanë njoftuar se në të kundërten do të përdoren kamerat e vendosura në autobusë dhe në bashkëpunim me institucionet e rendit do të sigurohen që personat që e dëmtojnë ndonjë autobus, të ndëshkohen.

  • BQK-ja shënon Ditën e Kursimeve – Ismaili u bën thirrje nxënësve të aftësohen për menaxhimin e parave

    BQK-ja shënon Ditën e Kursimeve – Ismaili u bën thirrje nxënësve të aftësohen për menaxhimin e parave

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka shënuar Ditën Botërore të Kursimeve, me nxënësit e mësimdhënësit e Gjimnazit “Gjevdet Doda” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online. Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili, në fjalimi e tij para të pranishmëve tha se, BQK-ja për të tetën vit me radhë këtë ditë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të parave.

    Ai ka sqaruar se BQK-ja ka shpallur edhe një konkurs për ese me titullin “Kursej me mençuri – investoj në të ardhmen time”, për nxënësit e klasave -XII, të cilët kanë afat që brenda një muaji të dërgojnë esetë në e-mail [email protected], dhe nga këto do të përzgjidhen 10 esetë më të mira, për të cilat edhe do të ketë shpërblime.

    “Ju drejtohem sot në Ditën Botërore të Kursimeve, e cila ka për qëllim që të promovoj shprehitë edukative duke promovuar kulturën e kursimeve në botë, veçanërisht në Republikën e Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë ditë për të 8-tin vit me radhë e shënon përmes aktiviteteve të vetëdijesimit, edukative e informuese me qëllim të nxitjes së nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar e kuptuar aftësinë e menaxhimit të duhur të parave. Komisioni Evropian vitin 2024 e ka shpallur Viti i Aftësive, dhe natyrisht përfshihen aftësitë e edukimit financiar, si njëra ndër aftësitë kryesore sociale, menaxhimi i financave personale, në mënyrë që vendimet e qytetarëve pastaj të janë vendime të duhura për të ardhmen”.

    Guvernatori tha se BQK-ja do ta ketë në fokus qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen si dhe edukimin financiar. Ai iu bërë thirrje nxënësve që të kultivojnë një kulturë të mirëfilltë të menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes së ambientit.

    “Edhe BQK-ja do ta ketë në fokus qasjen në financa dhe gjithëpërfshirjen si dhe edukimin financiar, ku do të punojë në këtë drejtim. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me të, ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative, ndryshime mjedisore e sociale, e ndryshime gjeopolitike, janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë, e ne duhet të përgatitemi të përballemi me to. Sot me shumë se kurrë është e rëndësishme e nevojshme që të kultivojmë një kulture të mirëfilltë te menaxhimit e mbrojtjes se financave personale dhe mbrojtjes se ambientit, në mënyrë që në aspektin social e mjedisor divid, si familje apo si shoqëri të kemi stabilitet e qëndrueshmëri”, tha ai.

    Azem Jaha, drejtori i kësaj shkolle, tha se shpreson që kjo ngjarje do të ndikojë tek të rinjtë që të mësojnë si të kursejnë, raporton EO.

    “Shpresoj që sa do pak do të ngulitet në memorien e këtyre nxënësve rëndësia që ka individi ndaj vetvetes për të kursyer. Do ta shiheni se kur të rriteni dhe ti keni të ardhurat e juaja personale do t’i kurseni me shumë. Besoj që do të mësohet ndjenja e kursimit të parave”, tha ai.

    Më pas Guvernatori Ismaili mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedim me nxënësit e pranishëm për rëndësinë e kursimeve.

    31 tetorin çdo vit BQK-ja e shënon me aktivitete edukative me qëllim të informimit e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e përgjegjësinë financiare të kursimeve dhe ndikimin e tyre në të ardhmen.

  • Von der Leyen mbërrin në Beograd

    Von der Leyen mbërrin në Beograd

    Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po qëndron për vizitë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Vuçiq dhe Von der Leyen fillimisht do të kenë një bisedë kokë më kokë në Pallatin e Serbisë me presidentin serb dhe më pas do të ketë një takim me anëtarët e dy delegacioneve. Vuçiq tha mbrëmë se gjatë gjithë ditës do të ketë diskutime me Presidenten e Komisionit Evropian për të gjitha çështjet e rëndësishme për Serbinë.

  • ​Izraeli akuzon Hamasin se fshihet pas palestinezëve

    ​Izraeli akuzon Hamasin se fshihet pas palestinezëve

    Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Peter Lerner, tha për ‘BBC Breakfast’ se “Hamasi fshihet pas palestinezëve”.

    Lerner thotë se është “një tragjedi njerëzore në të dy anët. Kjo është një nga arsyet pse Hamasi duhet të largohet. Të gjithë po vuajnë nga kjo organizatë”, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Ai akuzon Hamasin për vendosjen e “të gjitha aftësive të tyre në arenën civile”, duke përfshirë “dronë shpërthyes në çatitë e shtëpive” dhe “hedhjen e raketave nga jashtë objekteve të OKB-së”.

    Ai gjithashtu thotë se më shumë se 7,000 raketa janë hedhur nga Gaza në Izrael që nga data 7 tetor.

    Më parë, Lerner tha se Hamasi po përdorte spitalet në Gaza si “pozicione komanduese, terrene për skenë dhe mburoja njerëzore”.

  • Osmani ndan 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer: Përkrahja e institucioneve s’do të mungojë

    Osmani ndan 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer: Përkrahja e institucioneve s’do të mungojë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka vizituar Klinikën e Onkologjisë me ç’rast ka ndarë 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Osmani falënderoi stafin e kësaj klinike për punën e tyre. Për derisa garantoi se përkrahja institucionale nuk do të mungojë. E para e shtetit shtoi se me investimet e bëra në këtë Klinikë janë përmirësuar dukshëm shërbimet.

    “Ne jemi sot këtu për t’i dorëzuar 400 pako onkologjike në fund të muajit, i cili njihet si Muaji Rozë për të nderuar ato që fatkeqësisht për t’i nderuar ato që e kanë humbur jetën, por edhe për t’u dhënë mbështetje dhe atyre që po përballen me këtë sëmundje”.

    “Dua t’i falënderoj të gjithë stafin në krye me Dr.Ilirin që po bëjnë një punë të mirë dhe fatmirësisht po bëhen investime dhe po rritet numri i barnave që mbulohet nga institucionet tona, natyrisht ka ende nevojë që të investohen edhe më tutje. Tani me investimet që janë bërë, janë eliminuar shumë pengesa si me aparatura por edhe me shtretër. Diskutuam edhe për kërkesat e tjera të cilat urgjentisht do të trajtohen nga institucionet dhe si presidente do t’i mbështesë maksimalisht”, u shpreh Osmani.

    E drejtori i Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, e falënderoi Osmanin për përkrahjen e vazhdueshme, duke shtuar se si Klinikë po bëjnë punë të jashtëzakonshëm në ndihmë të të gjithë pacientëve të prekur me kancer, raporton EO.

    “Falënderoj presidenten Osmani për këtë ndihmë edhe pse duket simbolike, ka impakt edhe në aspektin psikologjik por edhe atë fizik të pacientëve. Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje”.

    “Vetë fakti se sot është dita e fundit kur përmbyllet muaji rozë, në Kosovë është bërë shumë që të ngritet vetëdija dhe kjo ka kulmuar që ne sot të gjejmë në Kosovë femra të sëmura me kancer të gjirit në faza të hershme”.

  • Haradinaj: Urgjente anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanton paqe e siguri në rajon

    Haradinaj: Urgjente anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanton paqe e siguri në rajon

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar sot kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilmi Berisha.

    Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Amerikë janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit.

    “Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon.

    “Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Ilmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”, është shprehur pas takimit Haradinaj.

  • Ministrja Rizvanolli mungon në Komisionin e Ekonomisë, por përplasja në mes deputetëve vazhdon

    Ministrja Rizvanolli mungon në Komisionin e Ekonomisë, por përplasja në mes deputetëve vazhdon

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvallon ishte paraparë të jetë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku pritej të raportonte lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A. Mirëpo, e njëjta nuk ka ardhur në raportim me arsyeje se ndodhej jashtë shtetit.

    Pavarësisht mosprezencës së ministres, pozita dhe opozita mes përleshjeve kanë mbajtur takimin.

    Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të mbahet takim me sindikalistët edhe tetë përfaqësuesit e Trepçës. Kjo u pranua nga kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, porse jo edhe nga LDK-ja.

    Deputetja nga mazhoranca, Mimoza Kusari-Lila tha se para se të ngriten akuza është e rëndësishme të mbahet një takim me sindikalistët e Trepçës.

    Deputeti, Shala i është kundërpërgjigjur deputetes Kusari Lila duke i thënë se “jeni bërë zëdhënëse e qeverisë por nuk bënë kështu. Mirëpo, i njëjti pranoi të marrë pjesë në diskutim me sindikalistët.

    Se nuk arsyetohet mungesa e ministres Rizvanolli e tha edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj.

    I njëjti ka akuzuar ministren për mostransparencë.

    Ndërkaq, deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se është e papranueshme të marrin pjesë sot në diskutimin me sindikalistët, pasi nuk kanë qenë të njoftuar më herët për këtë.

    Bunjaku tha se mungesa e ministres Rizvanolli nuk arsyetohet me takimin me sindikalistëve.

  • Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën.

    Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

    Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra, raportoi Radio Evropa e Lirë.

    Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

    Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

    Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

    Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

    Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

    Një prej arsyeve që seanca për votimin e Qeverisë u mbajt gjatë natës – që është një praktikë e pazakonshme – ishte që Qeveria të mund të zgjidhej në mëngjesin e 31 tetorit, dhe të mund të mbante mbledhjen e parë për të vendosur për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar që të niste më 1 nëntor, por opozita ka kërcënuar me bojkot dhe ka kërkuar që të shtyhet për gjashtë muaj.

    Spajiq njoftoi se Qeveria e tij do ta shtyjë regjistrimin për një muaj.

    Debati parlamentar nisi pak pas mesnatës dhe fillimisht Spajiq refuzoi të paraqiste programin qeverisës.

    Pasi njoftoi shkurtimisht për përbërjen e Qeverisë, disa deputetë opozitarë e kritikuan atë duke thënë se kjo ishte një përqeshje e Parlamentit dhe shkelje e Kushtetutës, ku thuhet se është obligative që të prezantohet programi.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Andrija Nikoliq tha se kjo ishte një mënyrë e keqe për fillimin e mandatit si kryeministër.

    “Ju keni shkelur Kushtetutën, ligjin dhe treguat ambiciet për të zgjedhur Qeverinë në orët e para të mëngjesit. Ne kemi ardhur për të diskutuar për ekspozenë programit dhe ju nuk e lexuat atë”.

    Spajiq u tha deputetëve opozitarë tha se vendimi për të votuar Qeverinë në mëngjes është që të plotësojë kërkesën e tyre për të shtyrë regjistrimin e popullsisë.

    “Qëllimi im ishte i qartë. Ekspozeja ka qenë publike tash e disa ditë, kushdo që ka dashur ta lexonte, ka mundur ta bënte. Ne e kemi publikuar në rrjetet sociale”, tha ai.

    Pothuajse shumica e debatit u përqendruan në zgjedhjen e Mandiqit në postin e kryeparlamentarit.

  • ​Behramaj: Bastisja e sotme është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë

    ​Behramaj: Bastisja e sotme është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë

    Adil Behramaj-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me bastisjen që po ndodh në banesën e Artan Behramait, duke thënë se bastisja është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik.

    Behramaj ka shkruar në Facebook se stafi i zellshëm i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, po provon t’i gjejë arsyet e dështimit të tyre nëpër shtëpitë tona.

    “Dje shkuan te Bashkimi e Blerimi, sot tek Artani. Të gjithë këta, para se të ishin këshilltarë të presidentit, janë njerëz të dëshmuar në jetën publike dhe institucionale të shtetndërtimit të Kosovës, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Bastisja e sotme tek Artani është vazhdim i gjuetisë kundër fjalës së lirë dhe përpjekje për ta shurdhuar çdo zë kritik. Është vërtet e paprecedent kjo qasje. Është e pabesueshme sesi përndjekja po shihet si drejtësi nga kjo prokurori, e cila as që mërzitet për të drejtat e njeriut. Nëse sjellja e kësaj prokurorie është reflektim i vlerave perëndimore për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, atëherë është tejet e dhimbshme ku qenkan katandisur këto vlera. Në të kundërtën, kjo sjellje nuk do të duhej të tolerohej as nga ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian në Kosovë”, ka shkruar ai.

  • Januzi: Do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore kundër suspendimit, jeta e minatorëve është në rrezik

    Januzi: Do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore kundër suspendimit, jeta e minatorëve është në rrezik

    Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, ka konfirmuar për Ekonomia Online, se vendimin e Menaxhmentit për suspendimin e tij nga puna e ka marrë një hyje të objekti dhe nuk është njoftuar zyrtarisht.

    Për të kundërshtuar vendimin ai tha se do t’i përdorin të gjitha mjetet ligjore. Përderisa sqaroi se gjendja e minatorëve është e rëndë madje jeta e tyre është në rrezik, për çka edhe i bëri thirrje Qeverisë që të bëjë një zgjidhje sa më shpejtë.

    “Këtë vendim e kemi parë në hyrje të Minierës, konkretisht te roja fizike. Neve nuk na është dërguar ky vendim zyrtarisht, sepse në bazë të rregullave ligjore duhet të dërgohet zyrtarisht mirëpo këtë hap nuk e kanë marrë vetëm e kanë publikuar”.

    “Hapat tonë do t’i shqyrtojmë me kohë do t’i përdorim mjetet ligjore të mundshme në të drejtën tonë sepse ne jemi sindikatë jemi organ i pavarur në një formë ne kemi qenë ndërmjetësues. Kemi qenë vetëm ndërmjetësues dhe komunikues, ndërlidhës me minatorët në minierë dhe të gjithë ata që kanë pasur vullnetin për me dialogu me minatorët e për të cilën nuk ka ndodhur nuk ka pasur dialog të mirëfilltë na kanë sjellë në një situatë të rëndë”.

    “Gjendja e minatorëve është jashtëzakonisht shumë e rënd, jeta e tyre është në rrezik un ju bëj thirrje apel që duhet të reflektojmë dhe duhet të bërë një zgjidhje të i nxjerrim ata njerëz nga aty”.

    Ai u shpreh i bindur se greva do të vazhdojë dhe se janë të palëkundura deri në plotësimin e kërkesave të tyre, raporton EO.

    “Minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre dhe shpresojmë të gjejmë një zgjidhje t’i nxjerrim sa më parë ata nga atje. Gjendja e tyre është rënduar”.

    Menaxhmenti i Trepçës ka marrë vendim që t’i suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës, Ibrahim Jonuzin, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator.

    “Punonjësit Ibrahim Jonuzi, Fevzi Ademi, Desat Kerleshi, Eset Meha, punëtorë të Trepça Sh. A. largohen përkohësisht nga puna, duke filluar nga data 27.10.2023”, thuhet në vendimin e menaxhementit.