ATV

Category: Lajme

  • Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, mbahet seanca fillestare ndaj ish infermiereve

    Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, mbahet seanca fillestare ndaj ish infermiereve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para një viti punonin bashkë në shtëpinë e moshuarve në Pejë, e bashkë por në rrethana të tjera, tri ish-infermieret u paraqitën në gjykatoren e këtij qyteti.

    Aurona Pelajn, Altina Rexhepin e Remzije Kuqin, Prokuroria po i akuzon se kryen dhunë ndaj të moshuarës Minire Bytyqi- Nura, akt të cilin edhe e xhiruan.

    Megjithëse pala e dëmtuar refuzoi, Gjykatësja, megjithatë vendosi që seancën fillestare ta mbyll për publikun.

    Përveç mediave e publikut, disa minuta më vonë nga seanca dolën edhe vajza e viktimës dhe avokati, meqenëse paraprakisht nuk ishin përfshirë si palë në procedurë.

    “Sot u ndjeva shumë keq. Më komod ishin ato (tri të akuzuarat) që kanë ushtru dhunë, sesa unë sot. Nuk e di cka po ndodh në këtë kosovë. Besoj në drejtësi, dhe do vazhdoj të besoj deri në fund”, tha vajza e të dëmtuarës, Xhaneta Nuha.

    “Kjo procedurë besoj se do kryhet pa prezencën tonë, siç duket është e përgatitur mirë…po shkon gjithçka në favor të palës kundërshtare”, tha Meshari Selimaj, avokat i palës së dëmtuar.

    Sidoqoftë, televizoni merr vesh se nga tri të akuzuarat, vetëm Aurona Pelaj e pranoi fajësinë, për ngjarjen e 29 tetorit të vitit 2022, e cila u xhirua nga vet e pandehura Remzije.

    “Me kërkesë të të pandehurës Aurona, e pandehura Remzije, të xhirojë me telefon veprimet e përdorimit të forcës ku ashtu edhe vepron, për çka i njëjti incizim është publikuar në portalet elektronike të mediave, vërehet gjersa e pandehura Altinae kap për dorën e majtë viktimën duke e mbajtur, ndërsa pasi e njëjta e lëshon, e pandehura Aurona vazhdon me përdorimin e forcës ndaj viktimës, duke e kapur me të dyja duart në pjesët e parakrahut, duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë, si dhe duke e goditur tri herë me gjunjë në pjesë abdominale”, thuhet në aktakuzë.

    Tri të pandehurat ishin liruar pasi kishin mbajtur një muaj paraburgim, ndërsa viktima Minire Bytyqi – Nura, sot e asaj dite vazhdon trajtimin dhe qëndrimin në shtëpinë e vajzës, Xhaneta.

  • Bastisjet e Speciales, Behrami: Specialja dëshiron të ngjallë frikë

    Bastisjet e Speciales, Behrami: Specialja dëshiron të ngjallë frikë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Aksionet e bastisjeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar i vazhdoi edhe këtë të martë. Cak i bastisjeve për më shumë se 8 orë, ishte prona e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçit, Artan Behrami. Gjatë aksionit u bastis edhe shtëpia e prindërve të tij.

    Sipas tij, aksioni i Dhomave të Specializuara është aksion politik.

    Derisa, avokati Artan Çerkini bastisjet i quajti veprime të dëshpëruara.

    Çerkini për më tepër tha se ish-këshilltari i Thaçit nuk është i evidentuar si i dyshuar.

    Sipas nënkryetares së PDK-së, bastisjet si këto të ditës së martë janë përndjekje politike.

    Për aksionet ka reaguar edhe ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Adil Behramaj, i cili ka thënë se Gjykata Speciale po provon të gjejë arsyen e dështimit në banesat e tyre.

    Të hënën janë bastisur edhe pronat e dy ish-këshilltarëve tjerë të Hashim Thaçit, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj.

  • Qeveria dërgon në Kuvend Projektligjin për buxhetin e vitit 2024

    Qeveria dërgon në Kuvend Projektligjin për buxhetin e vitit 2024

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Plot 3 miliardë e 314 milionë euro, parashihet t’i ketë shteti në dispozicion për vitin e ardhshëm. Në ditën e fundit të afatit ligjor, Qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2024.

    Me buxhetin e ri, siç tha Ministri i Financave Hekuran Murati, do rritet edhe koeficienti i pagës, siç edhe kishte paralajmëruar më herët qeveria.

    Situate e sigurisë shtyri ekzekutivin që të mendojë më shumë për institucionet e sigurisë, ku edhe ndau më shumë buxhet për to.

    Rritja tha se nuk mungon as në fushat e tjera, përfshirë arsimin, shëndetësinë, e megjithatë edhe investimet kapitale.

    I pyetur për projektet e premtuara, Murati u përgjigj që të gjitha do të përfundohen brenda mandatit të parë të kësaj qeverie.

  • Qeset plastike, ministri Aliu inspekton marketet e mëdha

    Qeset plastike, ministri Aliu inspekton marketet e mëdha

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Jo në shoqërimin e inspektorëve të tregut, por të stafit të tij personal, Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, nisi vizitat nëpër markete të mëdha të Kosovës, për të parë nëse e kanë filluar së zbatuari udhëzimin administrativ për qeset plastike.

    Ai u prit ngrohtësisht nga stafi i njërit nga marketet më të mëdha në Prishtinë, i cili sipas ministrit, ka nisur së zbatuari vendimin e tij për qeset plastike.

    “U siguruam një herë që prodhuesit munden dhe janë duke i prodhuar qeset si duhet. Tash mbetet t’i vizitojmë zinxhirët e marketeve të mëdha, pastaj marketeve të vogla. Barra e këtij udhëzimi administrativ bie te marketet…”, tha Aliu.

    Aliu nuk pret që udhëzimi administrativ të nisë së zbatuari në mënyrë të menjëhershme, por thotë se është i palëkundur në vendimin e tij.

    “E shoh që akoma jo mirë ka filluar të zbatohet, ky është një tranzicion i pakthim”, tha Aliu.

    Paraprakisht, Ministri vizitoi disa fabrika në nivel vendi, që bëjnë prodhimin e qeseve plastike, për të cilat tha se jo të gjitha kanë arritur ta respektojnë në tërësi udhëzimin.

    “Dy prej të cilëve janë më të vegjël të cilët nuk arrijnë me prodhu atë mbi 50 micron, por e prodhojnë këtë qesen e hollë dhe atë nga 25 deri në 50. Dhe tre të tjerat i prodhojnë të gjitha. U siguruam një herë që prodhuesit munden dhe janë duke i prodhuar qeset si duhet”, tha ai.

    Por ky lloj i qeseve plastike ende nuk ka arritur të vihet në përdorim, në disa bizneseve të vogla në kryeqytet.

    “Ne nuk kemi filluar t’i shesim qeset e plastikës ende, ani pse ka nga ata që porsa të dalin nga maketi e hedhin qesen, por po na vjen keq për një produkt t’ju shesim qese”, tha Mustafë Krasniqi, pronar.

    Por pavarësisht njoftimeve të ministrit, qytetarët vazhdojnë të mos pajtohen me vendimin, që qesen duhet ta paguajnë 5 deri në 10 centë.

    “Unë jetoj në Bregun e Diellit, po ka filluar nga pjesa jonë ligji për shitjen e qeseve të plastikës, mua s’po më duket i arsyeshëm ky ligj”, tha Bekim Vitia, qytetar.

    “Për dikë janë shumë 5, 10, 15 centë kur grumbullohen çdo ditë, sepse sa e blen një qese i shfrytëzon për diçka tjetër”, tha Kujtim Lahu, qytetar.

    Përveç rëndësisë së inspektimeve, ministri Aliu kërkoi nga qytetarët që të ngrenë nivelin e ndërgjegjësimit, në mënyrë që të mos i hedhin qeset e plastikës në ambiente të hapura, duke dëmtuar kështu ambientin.

  • Sindikalistët e “Trepçës” në Komision, kërkojnë largimin e kryeshefit të ndërmarrjes

    Sindikalistët e “Trepçës” në Komision, kërkojnë largimin e kryeshefit të ndërmarrjes

    Përgatiti: Armand Hoti

    Deputetët e Komisionit për Ekonomi u mblodhën në pritje të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila pritej të raportonte rreth gjendjes në ndërmarrjen ‘’Trepça’’.

    Ajo nuk erdhi, meqë ishte jashtë vendit, ndërsa Valon Perbreza i cili qe përfaqësues i saj në takim, nuk u mirëprit nga deputetët e opozitës.

    Megjithatë, me ftesë të deputetëve të partisë në pushtet, një grup minatorësh erdhën nga miniera në Kuvend.

    Përfaqësuesit e minatorëve grevistë kërkuan shkarkimin e kryeshefit të ndërmarrjes.

    “Janë ato tri kërkesa që nuk kanë ndryshuar, kërkesa për realizimin e pagës mujore nga data 6 deri me datën 10, llogaridhënia dhe shkarkimi i menaxhmentit, është po ashtu edhe sigurimi shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të mira në punë, minatorët janë të palëkundur në kërkesat e tyre”, tha kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi.

    Kjo kërkesë specifike e minatorëve u përkrah nga opozita.

    “Sido që të jetë, për respektin për juve dhe situatën ndiejmë keqardhje. Kërkesat e juaja janë të arsyeshme dhe esenciale. Ndërsa, sa i përket shkarkimit të menaxhmentit, duhet të japë leje mbreti”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Rexhepi – Bunjaku.

    Megjithatë, greva nuk po konsiderohet aq me vend nga deputetët e shumicës parlamentare.

    “Në këtë grevë ju keni hyrë në ditën kur janë ekzekutuar pagat, plotësisht të vetëdijshëm për faktin që pagat janë vonuar se ka qenë data 24, gjithashtu e dimë që ka humbje të mëdha në “Trepçë”, që tregon se ka nevojë për rishikim përmbajtjesor të produktivitetit brenda dhe secila ditë që po shkon janë afërisht humbje 50 mijë euro”, tha anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari – Lila.

    Në fund, minatorët morën zotimin e deputetëve të partisë në pushtet se do t’i procedojnë kërkesat e tyre në Ministri të Ekonomisë, ku do trajtohen me urgjencë.

  • Von der Leyen në Serbi: Zbatimi i Aneksit të Ohrit është njohje de facto e Kosovës

    Von der Leyen në Serbi: Zbatimi i Aneksit të Ohrit është njohje de facto e Kosovës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ndryshe nga deklarata e prerë në Prishtinë, në Beograd presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, nuk e përmendi njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia.

    Duke shmangur termin terrorist, të cilin e ka përdorur Bashkimi Evropian, Von Der Leyen dënoi sulmin në Basnjkë dhe tregoi çfarë duhet të bëjë Serbia në raport me zotimet për planin e ri, më 26 Tetor në Bruksel.

    “Kemi nevojë për normalizim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sulmi i dhunshëm i 24 Shtatorit në veri të Kosovës, është komplet i papranueshëm, autorët duhet të japin llogari dhe të sillen para drejtësisë. Kjo është absolutisht vendimtare për të dyja, që të angazhohen dhe të shkojnë në rrugën e normalizimit. Lidhur me këtë është e rëndësishme që Serbia ta miratojë statutin e asociacionit, bashkësisë. Kosova duhet ta zbatojë këtë statut. Përveç kësaj, është jetike që Serbia të nisë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbë kohë”, tha Von Der Leyen.

    Duke u thirrur në Kushtetutë, presidenti i Serbisë përsëriti qëndrimin kundër njohjes së Kosovës – teksa u zotua për përmbushje të obligimeve nga dialogu.

    “Më lejoni të jem tërësisht i hapur. Për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje, e kam thënë në disa raste. Nuk jam i turpëruar ta them edhe në prani të Presidentes së Komisionit Evropian. Ne e dimë cilat janë obligimet tona dhe jemi gati t’i përmbushim ato obligime”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Pasi u ankua se Kosova nuk e ka përmbushur marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vuçiq tha se draft-statuti ka bazë të mirë.
    E pyetur se pse në Serbi nuk e përmendi njohjen de-fakto dhe nëse njohja është kërkesë zyrtare e BE-së, përfshirë pesë shtetet jo-njohëse të Kosovës, Von Der Leyen iu referua marrëveshjes së 18 Marsit.

    “Bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm, përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve nga Serbia, dhe kjo në anën tjetër shkon përkrah me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo duhet të përmbushet nga Kosova. Dhe, kjo do të shtronte rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një parakusht i nevojshëm për rrugën evropiane, respektive”, tha Von Der Leyen.

    Pas takimeve në Bruksel, në një deklaratë të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia kërkuan nga Kosova të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit dhe nga Serbia të përmbushë njohjen de-fakto për Kosovën.

  • Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Pas muajsh të tërë të peripecive politike, Parlamenti malazez ka votuar Qeverinë e re e cila varet shumë nga grupe pro-serbe e ruse, të cilat do t’i bashkohen qeverisë, pas një viti bazuar në marrëveshjen e koalicionit. Qeveria e re do të udhëhiqet nga ekonomisti Milojko Spajiq i lëvizjes Evropa Tani. Disa orë pas votimit në Parlament, ish-kryeministri Dritan Abazoviq ia ka dorëzuar detyrën Spajiqit.

    Qeveria e re malazeze, ka 17 ministra dhe pesë zëvendëskryeministra. Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Minoriteteve dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.

    Qeveria është zgjedhur në një seancë që ka zgjatur gjatë tërë natës. Votimi është bërë në orët e mëngjesit të së martës. Pro Qeverisë së 44-të të Malit të Zi votuan 46 deputetë, kundër ishin 19 dhe një abstenoi.

    Spajiq ka thënë se dëshiron që Malin e Zi ta bëjë “Zvicër e Singapor”. Në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësim më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.

    Megjithatë, ka skepticizëm se si do t’i arrijë të gjitha këto kjo qeveri, duke marrë parasysh koalicionin me partitë pro-serbe, të cilat i kundërshtojnë të gjitha këto.
    Mes tjerash, kryetar i Kuvendit është votuar të jetë Andrija Mandiq.

    Mandiqi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – Koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.

    Mandiqi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti, po ashtu, kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

    Mandiq ka raporte të ngushta edhe me presidentin serb dhe atë të Republikës Srpska. Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë derisa mbështet ideologjinë e lëvizjes çetnike. Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007.

    Sidoqoftë me të marrë postin Mandic ka thënë se është i gatshëm të dërgojë mesazhe të reja e të harrojë se çfarë avokonte në të shkuarën.

  • Indikacione që NJSI-ja të protestojë nesër para Qeverisë

    Indikacione që NJSI-ja të protestojë nesër para Qeverisë

    Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës mund të mbajë protestë këtë të mërkurë.

    Në një dokument, në të cilin kishte qasje ATV-ja, figurojnë detajet e përpjekjes së NJSI-së, për të organizuar tubim publik më 1 nëntor, para ndërtesës së Qeverisë.

    Paga dhe shtesat e rrezikshmërisë, janë arsyet që pjesëtarët e kësaj njësie elitare kanë shprehur gatishmërinë për të protestuar.

    Ndonëse, i mbështet kërkesat e tyre, Sindikata e Policisë nuk e ka mohuar e as pohuar mbajtjen eventuale të protestës. Megjithatë, konfirmoi se pakënaqësitë brenda këtij institucioni janë mëdha.

    “Shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të papranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë. Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Sindikatës së Policisë.

    Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve në lidhje me pakënaqësitë e zyrtarëve policorë, ministri i Financave, Hekuran Murati, refuzoi të përgjigjet.

    “Kisha dashtë qe sot me u fokusu vetëm në konferencë, e cila është thirrur për të ju informuar për buxhetin”, tha Murati.

    Faktin që Njësia Speciale Intervenuese detyrohet që pakënaqësitë t’i shprehë në këtë formë, për ekspertë të sigurisë është goditje e rëndë për imazhin e Policisë.

    ATV-ja përmes burimeve ka mësuar se janë duke u zhvilluar bisedime që të gjendet zgjidhje në mënyrë që protesta eventuale të shmanget.

    Ndryshe, pas 9 muajve nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga, pjesëtarët e policisë do t’i marrin shtesat e rrezikshmërisë. Me pagën e nëntorit, varësisht nga kategoria, policët do t’i marrin shtesat nga 45 deri në 150 euro, pos pagës bazë.

  • Murati: 700 milionë € për sigurinë e mbrojtjen, vitin tjetër koeficienti i pagave 110 €

    Murati: 700 milionë € për sigurinë e mbrojtjen, vitin tjetër koeficienti i pagave 110 €

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ku është miratuar buxheti për vitin tjetër, tha se prioritet do t’i kushtohet sigurisë dhe mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.

    Buxheti për këtë kategori ai tha se do të jetë 700 milionë euro, ndërsa koeficienti i pagave pritet të jetë 110 euro.

    “Ky buxhet parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro dhe parashihet të ndikojë te qytetari. Gjithashtu pritet të rritet edhe koeficienti i Ligjit të Pagave, nga 105 euro në 110. Pra paga minimale bruto do të jetë mbi 700 euro”, u shpreh Murati.

    “Prioritet iu është dhënë sigurisë dhe mbrojtjes, ku MPB-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes u është ndarë buxhet mbi 700 milionë euro së bashku këto dy dikastere”.

  • BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    BE-ja i kërkon Qeverisë së re në Mal të Zi t’i përmbushë reformat për anëtarësim

    Bashkimi Evropian (BE) e ka mirëpritur formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi të martën, por i ka bërë thirrje asaj të angazhohet menjëherë për t’i përmbushur sa më shpejt reformat e nevojshme për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

    Të martën në mëngjes, Kuvendi i Malit të Zi, e zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq pas një seance plenare që zgjati tërë natën.

    “Po ashtu, presim nga Mali i zi që ta mbajë rekordin e pathyeshëm të përshtatjes me BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë“, tha BE-ja në një komunikatë për media të martën.

    Mali i Zi i ka mbështetur plotësisht qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë.

    Por, ka pasur druajtje se ardhja në pushtet e partive pro-ruse dhe pro-serbe mund ta vënë në pikëpyetje këtë.

    Dhe pikërisht votimi i Qeverisë së re u mundësua pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Prandaj, BE-ja bëri thirrje që Mali i Zi të mos e ndryshojë politikën e jashtme si një vend që synon anëtarësimin në bllok.

    “Ne ftojmë aktorët politikë në Mal të Zi që të përqendrohen në veprimet me prioritet që kërkohen për të avancuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, të përmbushë kriteret kalimtare në kapitujt 23 dhe 24, sidomos në emërimet e gjykatësve dhe në reformat që tashmë janë vonuar“, tha BE-ja.

    Mandiq, i cili u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

    Ndaj emërimit të tij protestuan mijëra njerëz pranë ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi në Podgoricë të hënën vonë./REL/