ATV

Category: Lajme

  • Fillon rigjykimi për rastin e njohur si ‘Veteranët’, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Fillon rigjykimi për rastin e njohur si ‘Veteranët’, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Ka filluar sot rigjykimi në rastin e njohur si Veteranët. Gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, 12 të akuzuarit, përfshirë Agim Çeku, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demalijaj, e Shukri Buja janë deklaruar të pafajshëm, raporton ATV.

    Mbrojtja e tyre ka kundërshtuar fjalën hyrëse të Prokurorisë Speciale, duke thënë se nuk ka asnjë provë të vetme që dëshmon fajësinë e tyre. Megjithatë, Prokuroria Speciale është e bindur se gjatë këtij procesi gjyqësor do të prezantohen prova materiale, por edhe do të dëgjohen dëshmitarë se të pandehurit, duke qenë të informuar mirë, në kundërshtim me ligjin, kanë aprovuar aplikacione për njohjen e statusit të veteranëve, duke ndikuar në rritjen e numrit të tyre.

    Prokurori special, Valdet Gashi, ka thënë se të akuzuarit gjatë procesit të njohjes dhe verifikimit të aplikacioneve, në bashkëkryerje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si anëtarë të Komisionit Qeveritar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, dëm ky që, sipas Gashit, vazhdon të rritet çdo ditë.

    Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.

    Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim me listat e veteranëve Çekun e të tjerët, por nga marsi i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk kishte arritur të mbahet asnjë seancë. /atvlive.tv

  • Tentoi t’i korruptonte policët, arrestohet në Jarinjë një shtetas i Serbisë

    Tentoi t’i korruptonte policët, arrestohet në Jarinjë një shtetas i Serbisë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Serbisë në pikën kufitare të Jarinjës pasi ka tentuar t’u japë ryshfet për të kaluar kufirin me kamion, përkundër që rimorkioja ishte me librezë të skaduar qarkullimi.

    Sipas njoftimit, ai kishte tentuar të jepte një shumë të parave, e pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti është iniciuar si “dhënie e ryshfetit”.

     

  • Hapet thirrja për grante në Programin për Zhvillimin Rural në vlerë 24.6 milionë euro

    Hapet thirrja për grante në Programin për Zhvillimin Rural në vlerë 24.6 milionë euro

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se është hapur aplikimi për grante në Programin për Zhvillim Rural.

    Peci bëri të ditur se vlera e këtij granti është 24.6 milionë euro, ku do të mbështeten disa kategori.

    “Këtij Programi do mbështeten sektorë të prodhimit, agro-përpunimit e zhvillimit rural me qëllim të ngritjes dhe zgjerimit të kapaciteteve të bujqve tanë”, tha Peci.

    Tutje, ai bëri të ditur se thirrja për aplikim do të qëndrojë e hapur për 30 ditë nga dita e sotme.

  • ​Vdes edhe personi i dytë që lidhet me vrasjen në Vushtrri

    ​Vdes edhe personi i dytë që lidhet me vrasjen në Vushtrri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vdekur edhe një person nga sulmi me armë që ndodhi të dielën në Vushtrri.

    Viktima e dytë po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa gjendja e tij ishte e rëndë.

    Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Raportohet se mbrëmë në QKUK më Prishtinë, ka vdekur edhe viktima e dytë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia e Kosovës ka bërë me dije gjatë ditës së djeshme se numri i të arrestuarve për rastin në Vushtrri ka arritur në pesë.

    Në rastin e së dielës që ndodhi pasdite në rrugën “Mehmet Konjuhi” në Vushtrri, mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë u plagosën.

  • Regjistrimi i veturave me targa ilegale, Qeveria zgjat afatin deri më 1 dhjetor 2023

    Regjistrimi i veturave me targa ilegale, Qeveria zgjat afatin deri më 1 dhjetor 2023

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë, duke zgjatur afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, e të tjera, deri me 1 dhjetor 2023.

    Sipas Qeverisë, ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS.

    “Vendim i ri, po ashtu parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat ilegale, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Franca arreston një oligark rus nën dyshimet për shkelje të sanksioneve

    Franca arreston një oligark rus nën dyshimet për shkelje të sanksioneve

    Oligarku rus, Alexey Kuzmichev, është arrestuar dhe po merret në pyetje në Francë në lidhje me dyshimet për shmangie të tatimeve dhe pastrim parash, si dhe për shkeljen e sanksioneve ndërkombëtare, tha Zyra e Prokurorit për Financa më 31 tetor.

    Një ditë më herët, autoritetet kanë kryer bastisje në shtëpinë e Kuzmichevit në Paris dhe në rajonin Var.

    Kuzmichev vazhdon të jetë i ndaluar nga autoritetet dhe ende ndaj tij nuk janë ngritur akuza. Avokatët e tij ende nuk janë deklaruar për rastin.

    Zyrtarët doganorë francezë vitin e kaluar konfiskuan jahtin “Le Pettie Ourse” të Kuzmichevit. Konfiskimi i jahtit prej 27 metrash ishte pjesë e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian për shkak të lidhjeve të oligarkut me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Ky veprim nxiti një betejë ligjore midis autoriteteve dhe Kuzmichevit, i cili është një prej aksionarëve të bankës ruse, Alfa Bank.

    Kuzmichev po ashtu në gusht të këtij u fut në listën e sanksioneve amerikane për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës./REL/

  • Përurohet “Murali”, u dedikohet të prekurave me kancerin e gjirit – synohet vetëdijesimi për kontrolle të rregullta

    Përurohet “Murali”, u dedikohet të prekurave me kancerin e gjirit – synohet vetëdijesimi për kontrolle të rregullta

    Ndërmarrja Publike Banesore të martën ka përuruar “Muralin” ndërgjegjësues për kancerin e gjirit, me rastin e Muajit Rozë, raporton Ekonomia Online. Në ceremoninë e përurimit u tha se murali do të shërbejë si mesazh i fuqishëm i vetëdijesimit për kancerin e gjirit si dhe për rëndësinë e zbulimit të hershëm. Në të njëjtën kohë paraqet një formë të solidarizimit me personat që janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me të si dhe familjet e tyre duke përhapur shpresë, forcë dhe mbështetje.

    Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahataçiu, tha se morali i dedikohet grave që i kanë mbijetuar kësaj sëmundjeje.

    “Ne jemi bërë bashkë për Prishtinë dhe jemi bërë përballë kësaj sfide. Për ta lënë një trashëgimi siç është ky morali këtu në qendër të Prishtinës, si një shenjë për të gjitha gratë që e kanë tejkaluar këtë sfidë”, tha ajo.

    Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Artan Berisha, tha se murali nuk paraqet vetëm një vepër arti, por është simbol i shpresës, unitetit dhe forcës.

    Sipas tij, kjo sëmundje mund t’i prek të gjithë, prandaj edhe murali është dëshmi e vendosmërisë sonë për t’u përballur me këtë sfidë.

    “Sot, jemi mbledhur për të përuruar një iniciativë të NPB-së që tregon angazhimin ndaj një kauze të rëndësishme  ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit. Ky mural para nesh nuk paraqet vetëm një vepër arti, por është simbol i shpresës, unitetit dhe forcës”.

    “Ai përfaqëson fuqinë e ndërgjegjësimit, edukimit dhe mbështetjes si dhe ndikimin që një komunitet mund t’a ketë kur është i bashkuar me një qëllim të përbashkët. Kanceri i gjirit na prek të gjithëve, drejtpërdrejt ose tërthorazi, dhe ky mural është dëshmi e vendosmërisë sonë për t’u përballur me këtë sfide”.

    “Prandaj, përderisa përurojmë këtë mural, ne sot nderojmë guximin e të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre, kujtojmë ata që i kemi humbur dhe shfaqim angazhimin tonë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur përparimin e vazhdueshëm në këtë drejtim”.

  • Arrestohen katër persona pasi e rrahën një tjetër në Dragash

    Arrestohen katër persona pasi e rrahën një tjetër në Dragash

    Katër persona janë arrestuar pasi që dje e kanë sulmuar një tjetër fizikisht në Dragash.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se gjatë përleshjes është dëmtuar dera e hyrjes së një objekti.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Çitaku e quan përndjekje politike e persekutim bastisjen e shtëpisë së Artan Behramit

    Çitaku e quan përndjekje politike e persekutim bastisjen e shtëpisë së Artan Behramit

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur përndjekje dhe persekutim, bastisjen e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami.

    “Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim. Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di. Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike”, ka shkruar ajo.

  • Bastiset shtëpia e ish këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami

    Bastiset shtëpia e ish këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami

    Pas bastisjeve të djeshme, Gjykata Speciale po vazhdon aksionet edhe sot, cak i bastisjes është një tjetër këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

    Një ditë më parë, Behrami ka kritikuar Gjykatën Speciale se po dënon vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë fashiste.

    Po ashtu, Behrami kritikoi edhe për bastisjen gjatë ditës së djeshme të shtëpive të Blerim Shalës, ish-këshilltar i Thaçit dhe Bashkim Smakajt, ish-këshilltar i Thaçit që ka shërbyer edhe si shef i AKI-së.

    Postimi i plotë i Behramit:

    Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët.

    Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle.

    Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!

    Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviqit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë.

    Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim!

    Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet!

    Tani kjo qasje e prokurorisë është një dëshmi e qartë se ka një tendencë për të njollosur të gjithë shqiptarët që kanë dhënë kontribut për liri dhe shtetndërtim.

    Unë dhe kolegët e mi që kemi pasur nderin të bashkëpunojmë me presidentin Thaçi, nuk frikësohemi nga trokitjet e kësaj prokurorie në dyert e shtëpive tona.

    Ata nuk kanë policë për të bastisur të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë prokurorë për të akuzuar të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët, që mbrojnë luftën çlirimtare të Kosovës!