ATV

Category: Lajme

  • 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

    63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve janë raportuar për 10 muaj në AGK

    Në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave që nga janari e deri në fund të muajit tetor të këtij viti .

    Në këto 63 raste të raportuara, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.

    ️Sipas të dhënave që posedon AGK-ja, vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova – 2 raste, Prizreni – 4 raste, Mitrovicë e Veriut – 1 rast, Fushë Kosova – 1 rast, Shtime – 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku – 2 raste.

    Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër më 2 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.

    Njëherësh, në kuadër të platformës rajonale, Safe Journalists, AGK-ja së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojë nga kolegët që të raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre në institucionet kompetente.

    Gjithashtu, nesër, 2 nëntor me fillim nga ora 17:00, në Kino Armata, në bashkëpunim me British Embassy Pristina – do të shfaqet dokumentari “Lyra”, për jetën, veprën dhe vrasjen e gazetares, Lyra McKee.

  • Gjendet i vdekur një person në Rahovec

    Gjendet i vdekur një person në Rahovec

    Një person është gjetur i vdekur dje fshatin Opretushë të Rahovecit, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dëshmitarët kanë deklaruar se viktima ka qenë person me të meta mentale.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “Fsh. Opretushë, Rahovec 31.10.2023 – 14:30-22:00. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Sipas dëshmitarëve viktima ishte person me të meta mentale. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Pamje nga bastisja e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Sylës

    Pamje nga bastisja e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Sylës

    Mëngjesin e së mërkurës, Gjykata Speciale e ka bastisur edhe shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Të martën është bastisur shtëpia e ish-këshilltarit tjetër të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

    Ndërsa java nisi me bastisjet në banesat e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt.

    I vetmi i cili ka folur për medie, Artan Behrami ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk mund t’i bastisë 1.8 milionë banorë që kundërshtojnë këtë Gjykatë dhe se veprimet e fundit kanë për synim mbjelljen e frikës, ndërkohë që sipas tij në procesin gjyqësor, Prokuroria nuk po mund të argumentojë asnjë nga akuzat.

  • Minatorët ndërpresin grevën

    Minatorët ndërpresin grevën

    Pas 8 ditësh në grevë, sot minatorët e “Trepçës” e kanë ndërprerë atë. Kështu bëhet me dije nga faqja zyrtare e tyre në Facebook.

    “Minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës”, thuhet në njoftim.

    Sipas tyre ky është “Vendim i duhur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”.

  • 31 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të BE-së

    31 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të BE-së

    Në vitin 1992 u nënshkrua Traktati Maastricht, i cili hapi rrugën për krijimin e BE-së. Me hyrjen e tij në fuqi më 1 nëntor 1993, u krijua BE me 12 vende anëtare: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Britania e Madhe, Portugalia dhe Spanja.

    Traktati i Maastrichtit njihet më shumë si Traktati i Bashkimit Evropian, pasi me të, nisi rruga që do të çonte në vitin 2002 në hyrjen në qarkullim të monedhës së përbashkët evropiane, euro.

    Negociatat për traktatin e Maastrichtit lindën me vullnetin për të realizuar mes shteteve anëtare të Komunitetit, një integrim në sektorin e politikës ekonomike, përmes një përputhjeje të fortë ekonomike të vendeve anëtare, përmes hedhjes në qarkullim të një monedhe të vetme evropiane.

    Në qershor 1992, përmes referendumit, Danimarka i tha “JO” ratifikimit të Traktatit të Maastrichtit. Ndërkohë që në Francë, Traktati i Maastrichtit, i shtruar për referendum merr vetëm 50,4 për qind të votave: një gjysmë fitore dhe një goditje ndaluese për Evropën. Por me gjithë këto vështirësi, Traktati i Maastrichtit eci përpara, u kërkuan zgjidhje politike duke u bazuar në rezultatet e referendumit danez dhe pak nga pak u kapërcye edhe “jo”-ja e francezëve.

    Traktati i Maastrichtit u firmos zyrtarisht nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, në 7 shkurt 1992, në një qytet të vogël të Holandës, prej nga mori dhe emrin, pranë kufirit me Gjermaninë dhe Belgjikën. Por, Traktati i Maastrichtit, menjëherë pas nënshkrimit të tij, nuk pati jetë të lehtë. Pikërisht sepse shënonte një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian, disa vende nuk e pritën mirë, veçanërisht vendet “evropiane”.

    Për nga rëndësia që pati dhe bazat që hodhi, mund të thuhet se ai shkoi shumë më larg se objektivi ekonomik, të cilin kishte përcaktuar në fillim Komuniteti. Ai shënoi një etapë të re të procesit “të një bashkimi të vazhdueshëm më të ngushtë midis popujve të Evropës”, duke e veshur në këtë mënyrë objektivin ekonomik me një frymë politik.

    Me hyrjen e tij në fuqi më 1 nëntor 1993, u krijua Bashkimi Evropian me 12 vende anëtare të Komunitetit, të cilat ishin: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Spanja. Numri i anëtarëve do të shkonte në 15 në vitin 1995.

    Ndryshe, rrënjët e BE-së datojnë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i Etërve Themelues është të siguronin që masakrat dhe shkatërrimi nga Lufta e Dytë Botërore të mos përsëriteshin më kurrë.

    Më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm francez Robert Schuman paraqiti një plan për bashkëpunim të zgjeruar, me të cilin filloi procesi i integrimit të kontinentit të vjetër.

    Në bazë të programit të prezantuar nga Schuman, gjashtë vende (Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda) nënshkruan një marrëveshje në vitin 1951 për të menaxhuar bashkërisht industritë përkatëse të qymyrit dhe çelikut.

    Duke pasur parasysh suksesin e kësaj iniciative, të gjashtë vendet vendosin të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorë të tjerë. Kështu, Traktati i Romës që themeloi Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE) u nënshkrua në vitin 1957, me qëllim të lëvizjes së lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve.

    Në vitin 1973 KEE u zgjerua në tre vende të tjera: Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjashtë vjet më vonë, për herë të parë qytetarët e këtyre vendeve zgjodhën drejtpërsëdrejti anëtarët e Parlamentit Evropian të cilët më parë ishin caktuar nga parlamentet kombëtare.

    Në shkurt 1992 u nënshkrua Traktati për Bashkimin Evropian në Maastricht, i cili përcakton rregulla të sakta në lidhje me monedhat e vetme, politikën e jashtme dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Sipas Traktatit të Maastrichtit, emri i BE-së zëvendëson atë të Bashkësisë Evropiane.

    Në 1995 Austria, Finlanda dhe Suedia u bashkuan me BE. Kështu, shtetet anëtare bëhen 15 dhe përfshijnë pothuajse të gjithë Evropën Perëndimore. Në mars të të njëjtit vit Marrëveshja Schengen hyn në fuqi në shtatë vende. Që atëherë, udhëtarët e çdo nacionaliteti mund të lëvizin në shtetet që bashkohen me ta, pa treguar pasaportën e tyre në kufij.

    Në vitin 2002, në 12 mbërriti kartëmonedha euro. Dy vjet më vonë, tetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia dhe Hungaria) hyjnë në BE, duke i dhënë fund ndarjes së kontinentit të vendosur nga fuqitë e mëdha gjashtëdhjetë vjet më parë. Qiproja dhe Malta gjithashtu i bashkohen Bashkimit dhe, në vitin 2007, shtohen Bullgaria dhe Rumania.

    Në vitin 2009, Traktati i Lisbonës hyri zyrtarisht në fuqi me qëllim që BE të jetë në gjendje të merret me sfidat globale dhe t’i japë kompetenca më të mëdha Parlamentit Evropian.

    Më 1 korrik 2013, Kroacia bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Pas Sllovenisë, është e dyta nga gjashtë ish-republikat jugosllave që të bashkohen me Bashkimin Evropian. Britania e Madhe ndërkaq u tërhoq nga BE-ja përmes procesit BREXIT, duke bërë kështu që BE sot të numërojë 27 vende anëtare.

    Institucionet kryesore të BE-së janë: Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian.

    Parlamenti Evropian

    Zgjidhet çdo pesë vjet nga populli i Bashkimit Evropian për të përfaqësuar interesat e tyre. Detyra kryesore e Parlamentit Evropian është miratimi i ligjeve evropiane në bazë të propozimeve të paraqitura nga Komisioni Evropian. Këtë përgjegjësi Parlamenti Evropian e ndanë me Këshillin e Bashkimit Evropian. Parlamenti dhe Këshilli gjithashtu kanë kompetenca të përbashkëta për miratimin e buxhetin vjetor të BE-së. Takimet kryesore të Parlamentit mbahen në Strasburg (Francë) dhe të tjerat në Bruksel (Belgjikë).

    Këshilli Evropian

    Përbëhet nga Kryesuesit e Shteteve apo Qeverive të Shteteve Anëtare, së bashku me Presidentin e tij dhe Presidentin e Komisionit. Në punët e Këshillit merr pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri. Këshilli Evropian përcakton drejtimin e përgjithshëm politik dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, Këshilli nuk ushtron funksione legjislative. Takimet e Këshillit Evropian mbahen dy herë në çdo gjashtë muaj, dhe thirren nga Presidenti i tij. Në rast nevoje, Presidenti fton Këshillin në takime speciale. Mandati i Presidentit është dy vite e gjysmë, dhe ka mundësi të përtëritet vetëm një herë. Këshilli Evropian zakonisht mban takimet e veta në Bruksel.

    Këshilli i Bashkimit Evropian

    Është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet. Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër të presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike. Presidenca e radhës nuk zbatohet në Këshillin për Politikë të Jashtme i cili kryesohet nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri.

    Komisioni Evropian

    Është organi ekzekutiv i BE-së dhe përfaqëson interesat e BE-së si tërësi. Përpilon propozime për ligjet e reja evropiane të cilat ia paraqet Parlamentit Evropian dhe Këshillit. Vë në praktikë politikat e përbashkëta të BE-së dhe menaxhon fondet dhe programet e BE-së. Komisioni gjithashtu luan rolin e “kujdestarit të traktateve” duke u siguruar që të gjithë të respektojnë traktatet dhe ligjet e BE-së. Mund të veprojë kundër shkelësve të rregullave, duke i dërguar në rast nevoje edhe në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

    Komisioni përbëhet nga 27 komisionarë – një për secilin shtet anëtarë të BE-së. Presidenti i Komisionit zgjidhet nga 27 qeveritë e BE-së dhe miratohet nga Parlamenti Evropian. Komisionarët e tjerë emërohen nga qeveritë e tyre nacionale në konsultim me presidentin që vjen dhe duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian. Ata nuk përfaqësojnë qeveritë e shteteve nga vijnë. Secili prej tyre është përgjegjës për një lëmi të caktuar të politikave të BE-së. Të gjithë ata emërohen në mandat pesë vjeçar.

  • Zbulohen emrat e disa serbëve që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë

    Zbulohen emrat e disa serbëve që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë

    Në nëntor 1999, në fshatin Kishnicë, afër Prishtinës, në shtëpinë e Sabit Krasniqit, u gjet një listë me 20 emra të paramilitarëve serbë.

    Ata kishin vendosur shtabin operativ paramilitarë dhe nga shumë burime dëshmohet se nga kjo bazë shkonin e bënin krime ndaj popullatës civile shqiptare nëpër shumë pjesë të Kosovës.

    Bazuar në listën me emra e mbiemra dhe në adresat e tyre, rezulton se këta paramilitarë janë nga Kosova me përjashtim të njërit që ishte nga Kurshumlija.

    Një pjesë prej tyre, krime kanë kryer edhe në fshatin Kishnicë. Për këto krime kanë dëshmuar Musa Gashi dhe Bajram Gashi, që kanë shpëtuar nga kjo masakër.

    Në listën e gjetur janë këta emra:

    Berisha Ruzhdi – Bekim, rom

    Iliq Stalin – Velko

    Paniq Pavli – Sinisha, Prelloc i Prishtinës

    Cvejiq Lubisha – Lan, Hallaq i Madh – Lipjan

    Vukadinoviq Jovan – Njegosh, Kurshumli

    Andriq Mirko – Drashko, Prishtinë

    Dikiq Branko – Nebojsha, prilluzhë

    Krastiq Rade – Svetisllav, Skullan i Lipjanit

    Selishnik Jelica – Tomisllav, Kishnicë

    Sinisha Jovanoviq, Kishnicë

    Jovan Karaxhiq, Kishnicë

    Goran Trajkoviq, Kishnicë

    Boban Trajkoviq, Kishnicë

    Dejan Trajkoviq, Kishnicë

    Predrag Gjorgjeviq, Kishnicë

    Petar Saveliq, Kishnicë

    Mile Bulajiq, KIshnicë

    Gjorgje Bulajiq, KIshnicë

    Zhivorad Mitiq – Zhiko, Kishnicë

    Dragan Mitiq – Burdo, KIshnicë

    Dragan Miliq, Kishnicë

    Zoran Trajkoviq, Kishnicë

    Mike Iliq, Graçanicë

    Dushan Iliq, Graçanicë

  • Sot ditëlindja e heroit Zahir Pajaziti

    Sot ditëlindja e heroit Zahir Pajaziti

    1 nëntori shënon ditëlindjen e komandantit të UÇK-së dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajazitit.

    Ai është lindur më 1 nëntor 1962 në Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra heroikisht me 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.

    Bashkë me Zahir Pajazitin, u vranë edhe Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

    Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, ish-presidenti Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

  • Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Shuma e kurimeve që qytetarët e Kosovës kanë në banka ka arritur në vlerën prej 5.89 miliardë euro.

    Këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës pikërisht të martën në Ditën Botërore të Kursimeve.

    Kjo vlerë konsiderohet më e larta që është shënuar deri më tani

    “Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro”.

    Rreth 25% e kursimeve janë me afat.

    “Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro). Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro”.

  • Gërvalla takohet me homologun senegalez, e fton për vizitë në Kosovë

    Gërvalla takohet me homologun senegalez, e fton për vizitë në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me homologun e saj senegalez, Ismaila Maidor Fall.

    Gjatë këtij takimi, Gërvalla tha se homologun e saj e falënderoi për mbështetjen që Senegali e ka ofruar në vazhdimësi për Kosovën.

    “Shpreha përkushtimin dhe vullnetin për zgjerimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme”, shkroi Gërvalla.

    Më tej, ajo bëri të ditur se Maidor Fallin e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën.

  • Nis rigjykimi në rastin Veteranët, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Nis rigjykimi në rastin Veteranët, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Përgatiti: Nora Luta

    Agim Çeku, Rrustem Berisha e Shkumbin Demalijaj do ta vazhdojnë përballjen me drejtësinë edhe një herë tjetër, rreth akuzave se jashtëligjshëm aprovuan mijëra aplikacione për njohjen e statusit të veteranëve.

    Përveç tyre, edhe nëntë të akuzuarit e tjerë erdhën të martën në sallën e gjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku pas disa dështimeve u arrit të mbahet shqyrtimi fillestar.

    Në rigjykim fajësinë për keqpërdorim me listat e veteranëve e mohuan 12 të akuzuarit.

    Megjithatë, prokurori special, Valdet Gashi, në fjalën hyrëse tha se të akuzuarit, në bashkëkryerje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si anëtarë të Komisionit Qeveritar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, sipas tij, vazhdon të rritet çdo ditë.

    Ndërkohë, mbrojtja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka kontestuar kohën e kryerjes së veprës penale, siç është e përshkruar në aktakuzë.

    E Shukri Buja, i cili në seancën e kaluar nuk u paraqit në seancë, e ndaj të cilit gjykata paralajmëroi urdhëresë për shoqërim, këtë herë nuk u pajtua me avokatin e caktuar nga Gjykata, meqë ai nuk e kishte përzgjedhur një.

    Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro, e janë rreth 19 mijë e 500 persona që pretendohet se përfituan rrejshëm statusin e veteranit.

    Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat Çekun e të tjerët, por nga prilli i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk kishte arritur të mbahet asnjë seancë deri tash.