ATV

Category: Lajme

  • Azemi i LDK-së: Shteti po i lë në rrezik e baltë ata që mbrojnë vendin

    Azemi i LDK-së: Shteti po i lë në rrezik e baltë ata që mbrojnë vendin

    Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës para Qeverisë së Kosovës.

    Azemi ka thënë se shteti po i lë në rrezik ata që e mbrojnë vendin. Ai shkruan se mësuesit, mjekët, minatorët, zjarrfikësit e policët janë të pakënaqur dhe potencon se pushteti pakënaqësive të tyre po iu përgjigjet më shpërfillje ose duke tentuar t’i shtypë.

    Reagimi i plotë:

    ATA MBROJNË VENDIN, SHTETI I LË NË RREZIK

    Kjo qeveri ka treguar aftësi vetëm në krijimin e pakënaqësive. Të pakënaqur mësuesit, mantelbardhët, minatorët, zjarrfikësit, policët e kush jo tjetër. Kërkesave të krejt këtyre, ky pushtet iu përgjigjet ose me shpërfillje e injorim ose duke tentuar t’i shtypë.

    Sot, para zyreve të këtij ekzekutivi protestuan edhe njësitet më elitare të Policisë së Kosovës. Për herë të parë kjo qeveri i detyroi të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësi. Ata, me punën e guximin e të cilëve zyrtarët më të lartë të shtetit krenohen përditë. Madje, tentojnë që t’i marrin edhe meritat e tyre, edhe kur ata vënë jetën në rrezik. Por, jo edhe të ua paguajnë siç duhet e sa duhet shtesën e rrezikshmërisë. Nuk ua përmbushin kërkesën më bazike. Veç ua përkeqësuan gjendjen. Po i lënë në baltë. Po i lënë midis rrezikut. E turpshme. E papranueshme.

  • A ia vlen njohja “de facto” e Kosovës nga Serbia? Flasin njohësit

    A ia vlen njohja “de facto” e Kosovës nga Serbia? Flasin njohësit

    Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk po e ka synimin primar për njohje reciproke mes të dyja vendeve.

    Pas takimit të fundit në Bruksel të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me pesëshen e liderëve nga Evropa, Kosovës iu kërkua themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbisë njohja “de-facto” e Kosovës.

    Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, shpjegon se termi “de-facto” përdoret për të treguar se një vend, qeveri apo etnitet është funksional dhe ekziston në realitet, por nuk është njohur në mënyrë zyrtare, në këtë rast Kosova nga Serbia.

    “Njohja ‘de-facto’ është një njohje efektive e situatës aktuale në terren, ku s’ka nevojë të ketë një deklaratë formale nga Serbia dhe kjo nga BE-ja dhe ShBA-ja po shihet se mund të jetë një fazë paraprake drejt njohjes ‘de-jure’”.

    “Njëfarë mënyre s’po e zgjidhim problemin, vetëm po ecim një hap drejt problemit përfundimtar, pra kjo është vetëm një fazë, nga këndvështrimi im sepse njohja ‘de-jure’ është njohje zyrtare dhe ligjore e një vendi, një qeverie”, tha Arifi.

    Sipas tij, për palët njohja “de-facto” nuk paraqet obligime ligjore, por është një veprim që vendet mund ta bëjnë në bazë të kujdesit dhe qëndrimit të tyre ndaj situatave aktuale, teksa shtoi se nga njohja “de-facto” është më vështirë të lëvizet drejt asaj “de-jure”.

    “Nga njohja ‘de-facto’ është më vështirë të shkohet drejt njohjes zyrtare apo ‘de-jure’, pasi Serbia do të blinte kohë jashtëzakonisht shumë për ta arritur që ta ndryshonte qëndrimin dhe ta kishim njohjen ‘de-jure’, ligjërisht të obligueshme”.

    “Në një mënyrë edhe vetë Perëndimi po i ikë atij obligimi, marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila i bie eksplicit njohje ‘de-jure’ e Kosovës. Mendoj që vetëm po humbim kohë shumë të vlefshme për Kosovën, por jo për Serbinë. E gjithë kjo humbje e kohës do të jetë reflektojë në dëm të zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha Arifi .

    Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike, Arbnor Sadikun, njohja “de-facto” konsiderohet si hap i parë drejt njohjes ‘de-jure’, e po ashtu paraqet njohje të përkohshme të një shteti.

    Sadiku tha se njohja “de-facto”, në bazë të Konventës së Montevidios është atëherë kur një shtet ka kontroll të mjaftueshëm mbi një territor të caktuar.

    “Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare Publike, me njohje ‘de facto’ nënkuptohet nëse një shtet ka vendosur marrëdhënie normale diplomatike me një qeveri të një shteti të ri. Kjo bëhet në formën që në këtë rast Serbia bën një deklaratë se shteti i Kosovës është efektiv dhe ekziston në praktikë, por jo legal“.

    “Pra, thënë ndryshe, me njohje ‘de facto’ Serbia e njeh realisht Kosovën në praktikë, dhe shkëmben ambasadorët me Kosovën, njeh dokumentet zyrtare, etj. Por, nuk e njeh ‘de jure’ Kosovën përderisa pavarësia e saj nuk pranohet nga Rusia, Kina dhe aleatet e tyre, që i bie se pranon legalitetin e pavarësisë së Kosovës, por, jo legjitimitetin e saj ndërkombëtar, pra, Serbia e njeh realisht, por jo nominalisht Republikën e Kosovës, derisa Kosova të pranohet në OKB”, tha Sadiku,

    Më tej, Sadiku tha se njohja “de-facto” do të ishte diçka e re, ndonëse thuhet se Serbia e ka njohur Kosovën “de-facto” që nga Marrëveshja e Kumanovës, njohje që sipas tij, s’ka ekzistuar më parë, pasi s’ka pasur komunikim normal midis dy vendeve.

    “Në rastin e Kosovës kusht për njohje ‘de-facto’ është zbatimi marrëveshjes së Brukselit, dhe Aneksit të Ohrit, nga Serbia, kurse me njohje ‘de-juro’ nënkuptojmë njohje ligjore të shtetit sovran të Kosovës nga Serbia, dhe pranimin e saj në OKB, me të drejta plota si të gjitha shtetet anëtare të saj”, tha Sadiku.

    Kujtojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimeve në Bruksel që pati me pesëshen evropiane ka thënë se ishte i gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, Aneksit të Ohrit dhe planin e ri evropiano-amerikan për draft-statutin e Asocicaionit.

    Por, sipas tij, kjo gjë nuk u bë, pasi ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i cili refuzoi të hedh firmat në këto dokumente.

  • ​Stacioni Policor në Istog pranon donacion nga KFOR-i

    ​Stacioni Policor në Istog pranon donacion nga KFOR-i

    Stacioni Policor në Istog, sot ka pranuar donacion pёr “dhomёn mike” nga KFOR-i, e cila do tё pёrdoret nga hetuesit e dhunёs nё familje për intervistimin e viktimave të dhunës familjare dhe personave të mitur.

    Donacioni ёshtё dhuruar nga komandanti i brigadёs Perёndimi, kolonel Gabriele Vacca, ndërsa u pranua nga komandanti i Stacionit Policor nё Istog, kapiten Enver Gashi.

    Nё ceremoni ishte prezentë kolonel Shaban Shala, drejtor i Drejtorisё rajonale tё Policisё nё Pejё dhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

    Policia e Kosovës, do të jetё gjithmonё falënderuese dhe mirënjohëse për ndihmën e ofruar si dhe bashkëpunimin e vazhduar në fusha tё ndryshme dhe atё të sigurisë, thuhet në komunikatën për media.

  • ​Arrestohen 51 persona me urdhëresa tё gjykatave gjatë muajit tetor

    ​Arrestohen 51 persona me urdhëresa tё gjykatave gjatë muajit tetor

    Stacionet Policore, pranё Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, gjatё muajit tetor 2023, kanё realizuar urdhëresat e gjykatёs ndaj personave tё kёrkuar.

    Gjatё tetorit janё arrestuar 51 persona tё dyshuar pёr vepra tё ndryshme penale, disa prej tyre janё dёrguar nё vuajtje tё dënimit nё qendrat e paraburgimit, ndёrsa disa janё dёrguar ne seanca gjyqёsore, dhe pasi kanё bёrё pagesën e dënimit (gjobёn) janё liruar.

    Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, do tё vazhdojë me realizimin e urdhёresave tё lёshuara nga gjykatat kompetente, thuhet në një komunikatë për media.

  • Haxhiu: Pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit

    Haxhiu: Pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës (APK) ka lansuar programin e mentorimit për verifikimin e pasurisë të zyrtarëve publikë me ekspertë nga Këshilli i Evropës.

    Programi i mentorimit fokusohet në procesin e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë që kryhet nga APK, në përputhje me Ligjin për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave si dhe Ligjin për APK-në.

    Programi do t’u ofrojë stafit të APK-së mundësinë për tu njoftuar me praktikat më të mira evropiane në verifikimin e aseteve të deklaruara nga zyrtarët shtetëror të Kosovës.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se një shoqëri nuk mund të ketë rrugën e ndritur nëse ata që drejtojnë institucionet apo që janë në nivele të tjera veprojnë kundërligjshëm dhe nga puna e tyre e kundërligjshme krijojnë pasuri marramendëse.

    “Në Kosovë kemi pasur shumë të tillë. Por këta të fundit duhet ta dinë që kjo pasuri e paligjshme apo e pajustifikueshme asnjëherë e tyre nuk do të bëhet, sepse drejtësia herë-do-kur me ta do të merret dhe pasuria e pajustifikueshme do t’i kthehet shtetit me qëllim të përdorimit për shtresat që kanë më së shumti nevojë. Si qeveri, përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi angazhuar që të fuqizojmë legjislacionin kundër korrupsionit dhe të adresojmë secilën shkelje që kemi gjetur,” tha Haxhiu.

    Ndërsa drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky program është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të forcuar kapacitetet e APK-së për të parandaluar korrupsionin.

    “Deklarimi dhe verifikimi i pasurisë është një mjet kyç në përpjekjet për parandalim të korrupsionit. Ky program do të ndihmojë stafin tonë të zhvillojë aftësitë dhe njohuritë që u nevojiten për të hetuar në mënyrë më efektive rastet e shkeljeve eventual dhe rrjedhimisht t’i shërbejmë më mirë popullit të Kosovës,” tha ai.

    Ndryshe, eksperti i Këshillit të Evropës do t’i ofrojë stafit të APK-së mentorim, trajnim kolektiv dhe individual, përgjatë procesit të verifikimit të deklarimit të pasurisë për vitin paraprak.

    Programi i mentorimit do të mbulojë një gamë të gjerë temash që lidhen me verifikimin e pasurisë, duke përfshirë praktikat ndërkombëtare krahasuese lidhur me verifikimin dhe auditimin e deklarimit të pasurisë, hapat për identifikimin e flukseve financiare dhe procedurat për të marrë informacione lidhur me asetet e mbajtura brenda dhe jashtë vendit nga zyrtarët publikë, si dhe procedurat e verifikimit dhe auditimit të deklarimit të pasurisë.

    APK beson që programi i mentorimit do ta ndihmojë atë të bëhet një agjenci më efektive dhe efikase në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, si dhe për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë.

    Programi pritet të ketë një ndikim pozitiv në aftësinë e APK-së për të adresuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut për sa i përket verifikimit të deklarimit të pasurisë të zyrtarëve nga radhët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës.

    Programi i mentorimit realizohet me përkrahjen e Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III) dhe është pjesë e një nisme bashkëpunimi të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga ky i fundit.

  • Dyshime për mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut

    Dyshime për mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut

    Në varrezat e Mitrovicës Veriore aktualisht është duke u zhvilluar një hetim me urdhër të prokurorit të Prokurorisë në Mitrovicë.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin veri, Veton Elshani, ka konfirmuar se hetimi është duke u zhvilluar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore nga Prishtina, ndërsa në vendngjarje janë të pranishme edhe organizata të shumta ndërkombëtare.

    Hetimet janë duke u kryer nga hetues, antropologë, patologë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore të Departamentit të Mjekësisë Ligjore nga Prishtina.

    “Hetimi është duke u zhvilluar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Mitrovicës. Krahas kësaj lokacioni hetimi do të bëhet edhe në vende të tjera, pasi aty thuhet se mbetjet e gjetura këtu janë bartur atje”, tha Elshani.

    Ndërkohë, hetuesit dhe një ekip i njësisë mjeko-ligjore filluan gjithashtu një hetim pranë lumit Ibër, në një vendgrumbullim të egër, ku u hodhën rrënoja, që besohet se janë pjesë e dheut të marrë nga varrezat e vjetra.

  • Rriten çmimet e naftës

    Rriten çmimet e naftës

    Çmimet e naftës u rritën të mërkurën përpara takimit të Rezervës Federale të SHBA-së dhe mes shqetësimeve në rritje të furnizimit me karburant nga sulmet e zgjeruara ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës.

    Nafta e papërpunuar standarde ndërkombëtare Brent u tregtua me 85.72 dollarë për fuçi në orën 07:34 GMT, një rritje prej 0.82% nga çmimi i mbylljes prej 85.02 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të martën.

    Standardi amerikan ‘West Texas Intermediate’ (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 81.11 dollarë për fuçi, 0.11% më shumë nga mbyllja e së martës prej 81.02 dollarë për fuçi.

    Të martën, sulmet ajrore izraelite goditën kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore, duke lënë qindra të vdekur dhe të plagosur, duke thelluar shqetësimet se rrugët e furnizimit me naftë mund të ndërpriten.

    Megjithatë, rritjet e çmimeve u zbutën ndërsa investitorët presin vendimet e politikës monetare të Fed të mërkurën vonë dhe vërejtjet e kryetarit të Fed, Jerome Powell pas takimit, të cilat pritet të mbajnë normën e politikës së lartë për më gjatë se sa ishte parashikuar. /AA

  • Shtyhet regjistrimi i popullsisë, Krasniqi: Kurti i di shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, po frikësohet nga zyrtarizimi i këtyre të dhënave

    Shtyhet regjistrimi i popullsisë, Krasniqi: Kurti i di shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, po frikësohet nga zyrtarizimi i këtyre të dhënave

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas shtyerjes së procesit të regjistrimit të popullsisë, i cili ishte paraparë të fillojë sot.

    Kreu i PDK-së përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryeministri Kurti po e pamundëson këtë, sepse është i vetëdijshëm për numrin e madh të qytetarëve që e janë larguar nga Kosova.

    “Sot është dashur të filloj regjistrimi i popullsisë në Kosovë, edhe pse me vonesë të madhe. Por, siç e kam thënë publikisht me 5 korrik, me 24 gusht dhe shumë herë të tjera deri sot, regjistrimin e popullsisë po e pamundëson Kryeministri Kurti. Përveç që e ka politizuar skajshëm me ndërhyrje partiake Agjencinë e Statistikave të Kosovës, si dhe ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj po frikësohet nga zyrtarizimi i tyre”, ka shkruar ai.

    Krasniqi theksoi se me këtë veprim Qeveria Kurti po bën shkelje ligjore.

    “Përtej paaftësisë qeverisëse, ky (mos)veprim i Qeverisë është edhe shkelje ligjore!”, ka theksuar ai.

  • Bullgaria feston Ditën Kombëtare të Zgjimit

    Bullgaria feston Ditën Kombëtare të Zgjimit

    Sot, Bullgaria shënon Ditën Kombëtare të Zgjimit duke përkujtuar shkrimtarët, studiuesit, arsimtarët dhe luftëtarët e lirisë. Kjo ditë shënohet nga bullgarët në mbarë botën.

    Presidenti Rumen Radev, i cili është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka vizituar gardën e nderit dhe ka mbajtur fjalim me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Zgjimit. “Për më shumë se një shekull, 1 Nëntori na ka kujtuar shembullin e ndritshëm të përfaqësuesve më të denjë të kombit tonë”, tha ai.

    Flamuri kombëtar u ngrit para ndërtesës së Administratës së Presidentit më herët gjatë ditës.

    Në hapjen e mbledhjes së përjavshme të qeverisë, kryeministri uroi bullgarët për Ditën Kombëtare të Zgjimit. “Kjo është një festë që na bashkon përmes emrave të Ivanit të Rilës, Kirilit dhe Metodit, Patriarkut Euthymius, heronjve tanë të Rilindjes dhe Çlirimit”, tha Denkov.

    Duke iu drejtuar kombit në Ditën Kombëtare të Zgjimit, ministri i Arsimit dhe Shkencës Galin Tsokov tha se Bullgaria është ndoshta i vetmi vend në botë që ka një ditë kushtuar shkrimtarëve, studiuesve, arsimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë. Ai theksoi se në këtë ditë është e rëndësishme të mbështeten zgjimin e sotëm: mësuesit, akademikët, studiuesit, artistët dhe zbuluesit e talenteve.

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Mariya Gabriel shkroi në Facebook se nderimi i udhëheqësve shpirtërorë konfirmon përpjekjen tradicionale të popullit bullgar për dije, duke e mbushur me krenari kombëtare dhe vetëvlerësim.

    Sipas saj, në këtë ditë bullgarët nderojnë të gjithë individët e historisë së tyre që me fuqinë e fjalës dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë bullgare.

    Patriarku Neofit i Bullgarisë gjithashtu iu drejtua bullgarëve: “Dita Kombëtare e Zgjimit është një festë e shpirtit të lirë dhe të ndritur bullgar. Një festë e tillë mund ta mbajë vetëm një komb që nuk njeh dorëheqjen, që është i vetëdijshëm për rëndësinë e shpirtit të tij. traditën kulturore dhe shtetërore, si dhe të identitetit të saj midis diversitetit të popujve dhe kulturave të botës ku jetojmë.”

    Dita Kombëtare e Zgjimit i kushtohet veprës së letrarëve, iluministëve, luftëtarëve të lirisë kombëtare, të cilët ruajtën ndër shekuj vlerat shpirtërore dhe morale të kombit. Ndër qindra prej tyre janë Paisiu i Hilendarit, Gregori Tsamblak, Kostandini i Kostenetit, Vladislav Gramatiku, Shën Gjoni i Rilës, Neofit Bozveli, vëllezërit Miladinov Dimitar dhe Konstantin, Georgi Stojkov Rakovski, Vasil Levski, Hristo Vazovi, I. Karaxha, Haxhi Dimitar, Lyuben Karavelov dhe Dobri Çintulov.

    Festa u shënua për herë të parë jo-formalisht në Plovdiv (Bullgaria Jugore Qendrore) në vitin 1909. Në vitin 1923, Mbreti Boris III nënshkroi një ligj që prezantonte Ditën Kombëtare të Zgjimit si një ditë përkujtimi të bullgarëve të shquar. I ndaluar nga regjimi komunist në vitin 1945, ai u rivendos në 1992. /BTA

  • Ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Sylës i konfiskohet telefoni gjatë bastisjes

    Ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Sylës i konfiskohet telefoni gjatë bastisjes

    Ka përfunduar bastisja nga Dhomat e Specializuara në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast i është konfiskuar telefoni.

    Kështu bën të ditur avokati, Artan Qerkini i cili tha se gjatë bastisjeve është konfiskuar vetëm telefoni i Ismail Sylës, derisa shtoi se po ta kishin ftuar këtë të fundit, do ta kishte dorëzuar telefonin, pa pasur nevojë për bastisje.

    Qerkini, bastisjen e quan të kotë, duke potencuar se po cenohet privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore.

    “Është duke u cenuar privatësia e personave pa ndonjë bazë ligjore pa ndonjë logjikë të shëndoshë juridike… Kjo fushatë e bastisjeve tashmë është e njohur për opinionin publik dhe nuk ka asnjë njeri me inteligjencë mesatare jo mbi mesatare do të mbante në shtëpinë e vet diçka inkriminuese duke e ditur se shumë lehtë mund të jetë shënjestër e bastisjeve. Prandaj, mendoj se të njëjtat janë të kota dhe nuk janë në funksion të realizmit të bastisjes, marrë parasysh rrethanat e rasteve konkrete…Asgjë s’është konfiskuar përveç se një telefon, asgjë tjetër, telefonin i përket zotit Syla, zotit Ismail Syla. Asgjë tjetër përveç një telefoni nuk është konfiskuar dhe të jeni të bindur se edhe po ta ftonin zotin Syla që ta dorëzonte atë telefon do ta bënte një gjë të tillë”, tha Qerkini.

    Avokati, Artan Qerkini tha se ish këshilltari Ismail Syla dhe as të tjerët që janë bastisur gjatë kësaj jave, përkundër faktit që nuk e kanë statusin e personit të dyshuar, po bastisen.

    Ai tha se arsyeja e këtyre bastisjeve është se ‘sipas tyre mund të gjenden prova me relevancë për procedurat të cilat janë duke u zhvilluar pranë Dhomave të Specializuara.

    “Po e përsëris se edhe ai siç edhe zoti Behrami e disa të tjerë nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar. Përkundër faktit që nuk e kanë statusin e dyshuar, po batisen. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës. Cila është arsye ..Arsyeja është si edhe në rastet e tjera, sepse sipas tyre mund të gjenden prova me relevancë për procedurat të çilat janë duke u zhvilluar pranë dhomave të specializuara. Kjo është e vetmja arsye, por nuk jepen detaje të tjera se pse ata mendojnë. Unë besoj se ish dashur të jepen edhe ato detaje, se po cenohet një e drejtë kushtetuese privatësia dhe paprekshmëria e banesës”, tha Qerkini.

    Ndërsa dje (e martë) është bastisur shtëpia e Artan Behramit, po ashtu ish-këshilltar i Thaçit si dhe shtëpia e prindërve të tij.

    Bastisjet që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë, ditëve të fundit janë kryer edhe tek shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakajt.