ATV

Category: Lajme

  • Norma e papunësisë në Gjermani arrin në 3% në shtator

    Norma e papunësisë në Gjermani arrin në 3% në shtator

    Papunësia ishte 3% në Gjermani në shtator, nga 2.9% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tha të enjten autoriteti statistikor i vendit.

    Rreth 1.3 milionë persona ishin të papunë në vend në fund të shtatorit, me 48,000 persona ose 3.7% në bazë vjetore, tha Destatis.

    Ndërkohë, 46 milionë persona që jetojnë në vend ishin të punësuar në shtator, me 0,6% rritje nga viti në vit./AA

  • ​Haradinaj kujton heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Jeta dhe vepra e tyre motivuan brezat për çlirim

    ​Haradinaj kujton heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Jeta dhe vepra e tyre motivuan brezat për çlirim

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në 34-vjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat.

    “Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj.

    Statusi i plotë i Haradinajt:

    Ndër breza nuk kanë rreshtur përpjekjet e shqiptarëve për liri. Ato ishin të forta e të vendosura.

    Sot, në 34-vjetorin e rënies, kujtojmë e nderojmë dy heronjtë e kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Ata i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës. Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare.

    Lavdia u takon të rënëve në secilën etapë të historisë sonë të lavdishme!

  • Nesër organizohet protestë për Astrit Deharin

    Nesër organizohet protestë për Astrit Deharin

    Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi ka njoftuar se nesër do të mbahet protestë, për shkak siç shkruan ai të neglizhencës së Prokurorisë, në hetimin për rastin e Deharit.

    Protesta do të fillojë nga ora 12:00, përballë objektit të Prokurorisë Speciale, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në Prishtinë.

    “Gjaku i Astritit nuk falet. U bene 7 vjet nga vrasja e Astritit e Prokuroria nuk don ta shef te verteten !”, ka shkruar mes tjerash Gashi.

     

  • Kaos në Kuvendin e Shqipërisë

    Kaos në Kuvendin e Shqipërisë

    Ende pa nisur seanca, disa nga deputetët e “Rithemelimit” kanë shkuar në Kuvend duke krijuar kaos.

    Sikurse duket nga pamjet, kanë marrë karriget që duhet të ulen deputetët e PS dhe i kanë vendosur përmbysur para foltores së parlamentit.

  • Më 9 nëntor do të mbahet ankandi i dhjetë i letrave me vlerë në shumën prej 25 milionë euro

    Më 9 nëntor do të mbahet ankandi i dhjetë i letrave me vlerë në shumën prej 25 milionë euro

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 09 nëntor 2023 do të mbahet ankandi i dhjetë për vitin 2023. Në këtë ankand, do të emetohen Obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 25 milionë euro.

    “Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (3 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.

     

  • QKUK: 172 gra u operuan nga kanceri i gjirit vetëm këtë vit

    QKUK: 172 gra u operuan nga kanceri i gjirit vetëm këtë vit

    Është rritur numri i operacioneve të karcinomës së gjirit, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Torakale, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Bazuar në statistikat e kësaj klinike, vetëm këtë vit, deri më tani, janë kryer 172 operacione të karcinomës së gjirit, kurse tërë vitin 2022, ishin kryer 149 raste.

    Pacientet që kanë nevojë për operacion pas karcinomës së gjirit, nuk kanë nevojë të shkojnë për trajtim jashtë vendit, ngase klinika ka numër të mjaftueshëm dhe profesional të mjekëve dhe stafit që kryejnë të gjitha llojet e operacioneve të gjirit.

    Për operacion, pas karcinomës së gjirit, nuk ka listë të pritjes dhe të gjitha gratë që kanë nevojë për operacion trajtohen me prioritet nga mjekët e klinikës.

  • Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Ndryshe dëshmitari i fundit që ka dëshmuar ka qenë i 31-të i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ai ishte dëshmitari i mbrojtur me shifrën W04753.
    Ndryshe me 5 nëntor bëhen 3 vjet nga arrestimi i ish udhëheqësve të UÇK-së, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Megjithatë procesi gjyqësor është ende në periudhën fillestare, raporton RTKlive.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

    Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

    ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet. Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.

    Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

    Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

  • Osmani e pret ish-kryediplomaten greke që do ta shkruajë raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Osmani e pret ish-kryediplomaten greke që do ta shkruajë raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Presidentja Vjosa Osmani do ta presë në takim raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

    Presidenca njoftoi se takimi do të nisë në orën 10:00 në kabinetin e Presidentes.

    Komiteti për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës e ka caktuar ish-kryediplomaten greke si raportuese për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Detyra e Bakoyannis do të jetë të bëjë raportin, i cili shkon në seancë plenare pasi ta marrë raportin nga dy juristët eminentë që tashmë janë caktuar.

  • Kuvendi i Kosovës sot mban seancë

    Kuvendi i Kosovës sot mban seancë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot nga ora 10:00.

    Në rend dite parashihen të jenë tri seanca, njëra vazhdim me pikat e papërfunduara të seancave të datës 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023.

    Në seancën e dytë parashihet që të bëhet miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

    Derisa në të tretën, në rendin e ditës janë votimi disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe pika të tjera.

    Pikat e rendit të ditës:

    Vazhdimi i Seancës plenare

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023:
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
     II.  Seanca e veçantë:

    1.    Miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës (2023/2880(RSP).

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023: 
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    10. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
    11. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023:

    6. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    11. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    12. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    13. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    14. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    15. Votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare,
    20. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
    21. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
    22. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

  • 34-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

    34-vjetori i rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

    Sot bëhen 34 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.

    Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.

    Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

    Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë me shokë dhe dënohet me katër vjet burg.

    Kështu më 2 nëntor, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga UDB-ja serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, kur edhe bien heroikisht të dy atdhetarët./KosovaPress/