ATV

Category: Lajme

  • Përshpejtohet evakuimi nga Gaza pas rihapjes së pikëkalimit Rafah

    Përshpejtohet evakuimi nga Gaza pas rihapjes së pikëkalimit Rafah

    Numri i njerëz që u larguan nga Rripi i Gazës përmes Egjiptit u rrit të martën, një ditë pasi pikëkalimi Rafah u rihap.

    Së paku 500 njerëz, shumica të huaj apo shtetas me dyshtetësi kaluan përmes Rafahut, pikëkalimit të vetëm që nuk është në kufi me Izraelin, sipas burime të sigurisë egjiptiane, raporton Associated Press.

    Evakuimi përmes këtij pikëkalimi ishte pezulluar të shtunën dhe të dielën, pasi një ambulancë që po shkonte drejt Rafahut u godit nga një sulm ajror izraelit.

    Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Egjipti po e vazhdon trysnin për rritjen e ndihmave dhe karburantit, si dhe të sigurisë për ambulancat në Rripin e Gazës.

    Ministria e Jashtme e Jordanisë tha se 262 jordanezë u evakuuan të martën, nga 569 të tillë sa kishin ngecur në Gazë pas shpërthimit të luftimeve atje.

    Kanadaja tha se 59 qytetarë të saj, banorë të përhershëm dhe familjarë, u evakuuan.

    Po ashtu, 19 banorë të Gazës që kishin nevojë për mjekim u lejuan ta kalojnë kufirin. Ata iu bashkuan dhjetëra të tjerëve që janë duke u mjekuar nëpër spitalet e Egjiptit.

    Vendet e tjera shtetasit e të cilëve morën dritën jeshile për t’u larguar nga Gaza të martën ishin, Rumania, Gjermania, Moldavia, Ukraina, Filipinet dhe Franca, sipas autoriteteve kufitare të Gazës./REL/

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj nënës

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj nënës

    Një burrë është arrestuar dje në Prishtinë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë 06.11.2023 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajnë Gjilani, Prishtina, Mitrovica me nga 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 15 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot i vranët. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 4 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë, Durrës dhe Gjirokastër me 20 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, raporton Klan Kosova.

    Seanca pritet të nis në orën 09:00.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

    Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

  • Sot mblidhet Qeveria

    Sot mblidhet Qeveria

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Mbledhja është njotuar të fillojë në ora 09:00.

    Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit për Komunikim Publik.

    Rendi i ditës së kësaj mbledhje nuk është bërë akoma i ditur.

  • Biden i kërkon Netanjahut ‘pauzë’ në ofensivën e Gazës

    Biden i kërkon Netanjahut ‘pauzë’ në ofensivën e Gazës

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, thotë se i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu që të vendos një pauzë në luftimet në Gaza.

    Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar më parë se udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë kishin diskutuar për “pauza taktike” në ofensivën e Izraelit në Gaza për arsye humanitare dhe lirimin e mundshëm të pengjeve.

    Biden u pyet nga një gazetar nëse ai kishte sugjeruar një pauzë tre-ditore, por ai nuk komentoi për gjatësinë e pauzës.

    Uashingtoni, së bashku me shumë fuqi të tjera perëndimore, ka mbështetur qëndrimin e Izraelit se një armëpushim do të ndihmonte ushtarakisht Hamasin, shkruan BBC.

  • Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

    Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet do të miratohen për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

    Po ashtu, pritet që Komisioni Evropian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe të rekomandojë dhënien e statutit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.

    Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave ka hasur në kundërshtime, gjatë takimit të zhvilluar të martën të shefave të kabineteve. Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionarët në takimin e së mërkurës.

    Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

    Rekomandimet dhe raportet që do të miratohen më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

    Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Radio Evropa e Lirë më 7 nëntor publikoi përmbajtjen e disa drafteve në të cilën ka pasur qasje. Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

    Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

    “Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.

    Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

    Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.

    Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.

    “Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët e Kosovës që menjëherë të kthehen në institucione, ndërkaq nga Kosova që të bëjë këtë të mundur. Që nga nëntori i vitit 2022, asnjëra palë nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport.

    Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, Kosova ka hartuar një legjislacion që mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të ndryshojnë kryetarët e komunave.

    Situata në veri të Kosovës u përkeqësua edhe më shumë më 24 shtator, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

    Ndryshe, pas miratimit në kolegjin e komisionarëve, paketën e zgjerimit do ta prezantojë para gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa para deputetëve të Parlamentit Evropian, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

  • Profesionistët shëndetësorë i paraqesin ankesat në komisionin për shëndetësi

    Profesionistët shëndetësorë i paraqesin ankesat në komisionin për shëndetësi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Këta profesionistë shëndetësorë kanë shumë ankesa, të cilat erdhën për t’i paraqitur para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Shëndetësi, edhe pse pati të painteresuar për t’i dëgjuar.

    Megjithatë, kryetarët e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë patën pika të qarta të problemeve që i përmendën në Komision.

    “S’ka mjaftueshëm fizioterapistë në sektorin publik, në theks kujdesi primar shëndetësor. Pavarësisht se jemi fushë e re në mjekësi, duhet të merremi parasysh, sepse po biem ndesh me udhëzimet administrative të cilat e lejojnë ofrimin e shërbimit të fizioterapisë në kujdesin parësor. Sa pacientë e sa të tjerë me nevoja të veçanta kanë nevojë për terapi fizikale, po duhet me udhëtu nëpër spitale, është diskriminim për pacientët”, tha kryetari i Odës së Fizioterapisë së Kosovës, Feim Gashi.

    “Sfidat janë kompetencat e ushtruara nga OSK-ja, mbikëqyrja profesionale jo e mirë, zhvillimi i programit specialistik, për të siguruar shërbime specialistike. Reklamimet e rrejshme nëpër ordinanca private rreth shërbimeve stomatologjike pa i pasë fare ato të licencuara, i kemi pasur këto shqetësime tek inspektorati shëndetësor”, tha kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Blerim Kamberi.

    “Te ne kemi probleme me terminologji profesioniste shëndetësore kur komunat i bojnë oraret për kujdestari i quajnë shitësit. Ne me shkrim kemi me ja u dërgu kërkesat tona për këtë çështje me shkrim”, tha Kadri Bytyqi, Oda e Farmacistëve të Kosovës.

    Pasi dëgjoi ankesat, kryesuesja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, u zotua për përpjekje në zgjidhjen e tyre.

    “Të gjitha kërkesat tuaja që i dëgjuam do t’i shpalosim një nga një për t’iu dhënë fund, për t’iu dhënë një dritë jeshile, që t’i shmangim këto telashe dhe të jemi sa më korrekt në ofrimin e shërbimeve. Nga të gjitha odat e profesionistëve shëndetësorë kërkoj mirëkuptim dhe bashkëpunim”, tha Kollçaku.

    Në këtë takim, po ashtu, është folur edhe për ikjen e mjekëve si çështje kryesore, si dhe për mungesën e strategjive për shëndetësi.

  • Raporti i progresit për Kosovën “përparime të kufizuara”

    Raporti i progresit për Kosovën “përparime të kufizuara”

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Progres të kufizuar ka shënuar Kosova, këtë vit, thotë Komisioni Evropian në raportin e fundit që do të publikohet të mërkurën. Përparim i kufizuar u shënua edhe në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

    “Më negativja është ku nuk ka fare përparim është reforma në administratën publike, që iu bie që ende nuk është e gatshme t’i përmbushë standardet për anëtarësimin në BE”, tha profesori i Politikës së Jashtme, Dritëro Arifi.

    Ngjashëm Komisioni Evropian vlerësim të njëjtë ka edhe sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Është pothuajse i njëjtë dhe ka nuancë më negative, sepse thotë përparim të kufizuar në shumicën e rasteve kur flasim për gjyqësorin, korrupsionin e krimin e organizuar. Pra nuk kanë gjetur përparim dhe kjo është një minus i madh për qeverinë Kurti”, tha Arifi.

    Komisioni Evropian, vëmendje i ka dhënë edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. KE-ja i ka kritikuar Prishtinën e Beogradin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve më 21 tetor 2023, dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja”, thuhet në vendimin e Komisioni Evropian.

    Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes edhe tensionet në veri, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre.

    Raporti i plotë për të gjitha vendet e rajonit dhe të Partneritetit Lindor publikohet të mërkurën, më 8 nëntor.

  • Rizvanolli raporton, kërkesat e minatorëve drejt realizimit

    Rizvanolli raporton, kërkesat e minatorëve drejt realizimit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Sa ishin në grevë nuk shkoi. Por katër ditë pas përfundimit të grevës së minatorëve të Trepçës, ministrja Artane Rizvanolli raportoi para deputetëve të Komisionit për Ekonomi.

    Nga raportimi i ministres u kuptua se Qeveria dhe Bordi aktual i ndërmarrjes janë duke punuar në realizimin e kërkesave të minatorëve.

    “Mund t’ju njoftoj se 92% e pagave janë ekzekutuar sot kryesisht me subvencione nga Qeveria, kurse pjesa tjetër do ekzekutohet pas pranimit të mjeteve nga shitja e koncentratit… Shpallja është hartuar me kujdes dhe pritet që brenda kësaj jave të shpallet konkursi për emërimin e kryeshefit të ri të ndërmarrjes”, tha Rizvanolli.

    Mirëpo, angazhimi i ministres Rizvanolli po vlerësohet i vonshëm nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    “Si ndihesh si ministre që me lejen tuaj i keni ngujuar minatorët për moskomunikim, mosvendim”, tha Lekaj.

    “Nuk e kuptoj si për qëllime politike ditore, ju e bëni këtë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Rizvanolli.

    Ndërkohë, sipas Rizvanollit, 27 milionë euro të taksave të qytetarëve, nga koha e Qeverisë Kurti I, e deri më tash janë dhënë në formë subvencioni për ‘’Trepçën’’. Pjesa dërrmuese e tyre është shpenzuar për rrymë dhe paga.

    “Sa i përket shumës së investime, 27 milionë thashë janë dhënë në katër vitet e fundit, katër milionë kanë qenë për investime kapitale, kurse pjesa tjetër kanë qenë për shpenzime operative siç e thashë”, tha Rizvanolli.

    Kryetari i komisionit për Ekonomi kërkoi sqarime për 20 milionë eurot hua për ‘’Trepçën’’, të miratuara në parim nga Qeveria, që synohej të destinoheshin për investime kapitale.

    Ministrja u shpreh se po punohet në përzgjedhjen e makinerive të duhura.

    Rizvanolli foli edhe për shkarkimin e Bordit paraprak të ndërmarrjes, duke shtuar se kjo u bë për shkak të mungesës së strategjisë konkrete nga ky bord.