ATV

Category: Lajme

  • Bajrami: Kurti e ka gojën plot zhvillim e lulëzim ekonomik, qytetarët të zhytur në kredi

    Bajrami: Kurti e ka gojën plot zhvillim e lulëzim ekonomik, qytetarët të zhytur në kredi

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se, pavarësisht deklarimeve për zhvillim dhe lulëzim ekonomik gjatë gjashtë viteve të fundit, Kosova po përballet me varfëri të thellë.

    Ajo iu referua të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, si Banka Botëroredhe Fondi Monetar Ndërkombëtar duke thënë se situata ekonomike nuk përputhet me premtimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

    Sipas postimit të saj në Facebook, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Kosova ka rreth 10 për qind varfëri ekstreme sipas pragut ndërkombëtar prej 3 dollarësh në ditë, nivel që, sipas Bajramit, e rendit vendin ndër më të prekurit në rajon krahasuar me shtetet fqinje.

    “Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm WorldAtlas, që u komentua shumë dje, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja. Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon”, shkroi Bajrami.

    Ajo ka përmendur edhe rritjen e çmimeve, duke thn se inflacioni dhe shtrenjtimi i artikujve bazikë kanë ndikuar në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve, ndërsa sipas saj, shumë familje po përballen me vështirësi ekonomike dhe varësi nga kreditë.

    “Zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë. Rritja e buxhetit nuk është domosdoshmërisht zhvillim, sidomos kur një pjesë e saj vjen nga rritja enorme e çmimeve. Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë. Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi. Ndërkohë, vendi është futur sërish në proces zgjedhor për një arsye të vetme: sepse Kurti i do të gjitha. Fatkeqësisht, diskursi që ai ka mbjellë qe gjashtë vjet ka të bëjë vetëm me pozita, vetëm me karrige”.

    “Sot, më shumë se kurrë, duhet të ketë ballafaqim programesh e idesh: si të dilet nga varfëria, si të zhvillohet sektori privat, si të nxitet prodhimi vendor, çka me kapacitetet energjetike dhe si t’u japim të rinjve perspektivë, që ikja nga Kosova të mos jetë zgjedhja e tyre e vetme. Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë”, shkroi ish-deputetja e LDK-së.

  • KPK shpall konkurs për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    KPK shpall konkurs për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e së hënës ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Shpallja e konkursit u bë me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Konkursi do të jetë i hapur 15 ditë pune.

    Paraprakisht, anëtari Milot Krasniqi mori fjalën, duke thënë se procesi për Kryeprokuror të Shtetit është bllokuar tash e katër vite qëllimisht. Ai parashtroi pyetje se pse tash po zhvillohet kaq urgjent dhe se pse Këshilli po bie nën ndikimin e pushteteve të tjera.

    Krasniqi tha se Këshilli për këtë process duhet të tregojë integrietit dhe të mos zhvillojë procese nën ndikim të dikujt.

    Tutje, Krasniqi tha se para publikut do të parashtrojë disa pyetje se kujt i pengoi dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, dhe se a duhet me domosdo të kemi Kryprokurorin që e duan pushtetet tjera.

    Anëtari Krasniqi tha se nëse gjatë procesit të kaluar për Kryeprokuror të Shtetit ka pasur shkelje, atëherë sipas tij, ka pas mjete dhe insitucione kompetente për t’i dhënë përgjigje pretendimeve për shkelje.

    Më tej, Krasniqi deklaroi se ish-presidentja Vjosa Osmani mori rolin e arbitrit kur nuk dekretoi Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, duke shtuar se nuk ka vendim por vetëm një njoftim për mosdekretim, e të cilin tha se nuk e ka si anëtar i KPK-së.

    Po ashtu, Krasniqi tha se në Këshill ka mbërritur një letër nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu duke kërkuar që të shpallet konkursi, meqë rast tha se një qasje e tillë është e papranueshme dhe se nënkuptohet si ndërhyrje në punën e KPK-së.

    Krasniqi shtoi se në rast se shpallet konkurs, do të krijohet precedent i keq.

    “Do të krijohet një praktikë precednt i keq që të mos dekretohet Kryeprokurori i Shtetit vetëm pse nuk po i pëlqen emri”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, vetë kryesuesi Arian Gashi tha se nuk përfshihet në diskutime që përfshihen aspekte të pushteteve të tjera, duke shtuar se kjo pozitë tash e një kohë është me ushtrues detyre.

    Më pas, mori fjalën Krasniqi duke thënë se kush është Presidenti që të përfshihet në diskutime se kur ta shpallin konkursin duke kërkuar që të mos ndikohet.

    Krasniqi kërkoi që procesin ta zhvillojnë të vetëm, duke mos kërkuar që të përzihet dikush tjetër.

    Kurse, Gashi tha se e vetmja pozitë që nevojitet dekret prej Presidentit të shtetit është ajo e Kryeprokurorit të Shtetit dhe se pa një dekret të Presidentit nuk mund të kemi Kryeprokuror të Shtetit.

    Ndërkaq, anëtari tjetër Visar Krasniqi tha se është e pakuptimtë kërkesa që të mos shpallet konkurs, ku tha se mungesa e Kryeprokurori të Shtetit është pengesë dhe se ka qenë kërkesë edhe nga partnerët që të shpallet ky konkurs.

    Krasniqi tha se e kupton se dikush edhe mund të jetë emicional, por se duhet të vijojnë me proceisn që sistemit t’i japin Kryeprokurorin e Shtetit, andaj i njëjti bëri thirrje që të ushtrohen detyrat që Këshilli ka.

    Në fund, me pesë vota për, u votua për shpalljen e konkursit.

  • Sulmet kibernetike ndaj Osmanit e Abdixhikut, LDK-ja i drejtohet organeve policore

    Sulmet kibernetike ndaj Osmanit e Abdixhikut, LDK-ja i drejtohet organeve policore

    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, të hënën i është drejtuar Policisë së Kosovës, lidhur me sulmet ndaj kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani.

    Ai ka deklaruar se ka dorëzuar një kërkesë në departamentin e krimeve kibernetike lidhur me këto sulme që po bëhen ndaj binomit Abdixhiku-Osmani.

    Sipas Manajt, LDK-ja po kërkon ndaljen e ofendimeve dhe sulmeve që, sipas tij, janë drejtuar kryesisht ndaj Abdixhikut dhe Osmanit, duke u bërë thirrje partive politike që t’i kthehen debatit normal politik dhe diskutimeve me argumente.

    Ai i cilësoi sulmet ndaj figurave të LDK-së si të papranueshme dhe kërkoi nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë masa.

    “Sulmet kundër figurave edhe të LDK-së janë sulme të papranueshme prandaj e ftojmë Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat dhe që kjo fushatë zgjedhore të jetë fushatë e drejtë në mënyrë që opinioni publik mos të dezinformhohet prej këtyre lajmeve që janë të pavërteta, shpifje dhe fotografi që mund të jenë edhe me inteligjencë artificiale”, ka thënë ai.

  • Zgjidhet drejtori i ri i QKUK-së, spitalit të Vushtrrisë dhe Ferizajt

    Zgjidhet drejtori i ri i QKUK-së, spitalit të Vushtrrisë dhe Ferizajt

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka shpallur rezultatet përfundimtare të konkursit publik për pozitat drejtuese në disa institucione shëndetësore.

    Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët që kanë dalë të parët në listat përfundimtare konsiderohen të përzgjedhur për udhëheqjen e këtyre institucioneve.

    Kështu, për pozitën e drejtorit të QKUK-së është përzgjedhur Mentor Zejnullahu, i cili ka grumbulluar gjithsej 86.3 pikë.

    Për Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri është përzgjedhur Besim Muzaqi me 75.7 pikë, ndërsa për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj është përzgjedhur Ilir Hamdiu me 75.3 pikë.

    SHSKUK ka bërë të ditur se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Komisionin e Ankesave të institucionit.

  • Dhjetëra mijëra mërgimtarë u regjistruan për të votuar më shumë se në zgjedhjet e dhjetorit, Daka shpjegon arsyet

    Dhjetëra mijëra mërgimtarë u regjistruan për të votuar më shumë se në zgjedhjet e dhjetorit, Daka shpjegon arsyet

    Diaspora e Kosovës do të jetë e para që do të përcaktojë vullnetin e saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Për zgjedhjet e parakohshme, votuesit jashtë vendit që kanë zgjedhur të votojnë me postë do të jenë në gjendje ta përfundojnë këtë proces nga 25 maji deri më 6 qershor.

    Ndërkohë, kushdo që dëshiron të marrë pjesë ka kohë vetëm këtë të diel, deri në mesnatë, të regjistrohet.

    Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor, deri në orën 10:00 të mëngjesit të së dielës, mbi 117,000 kërkesa për regjistrim janë pranuar përmes platformës elektronike, nga të cilat mbi 99,000 janë miratuar, ndërsa 7,621 të tjera janë refuzuar dhe mbi 10,000 janë në pritje të shqyrtimit.

    “Nga 99,498 aplikime të miratuara, 22,955 qytetarë të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në misionet diplomatike, 2,590 janë regjistruar për të dërguar një pako fletëvotimi në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 73,953 janë regjistruar për të dërguar një pako fletëvotimi në një kuti postare jashtë Kosovës.”

    Kjo shifër tregon interes më të lartë, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, deri më tani mbi 22 mijë të regjistruar më shumë se herën e kaluar.

    Gjermania kryeson me numrin më të madh të votuesve të regjistruar, mbi 49 mijë, ndërsa Zvicra ka mbi 23 mijë votues të regjistruar.

    “Vendet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermania (49,102), Zvicra (23,456), Franca (4,193), Suedia (3,750), Austria (3,165), Mbretëria e Bashkuar (2,370), Italia (2,206), SHBA (2,070), Belgjika (2,024), Sllovenia (1,400), Norvegjia (1,154) dhe Finlanda (1,010).”

    Interesi i shtuar i diasporës për të votuar nga jashtë kësaj radhe, sipas ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, vjen sepse herën e fundit emigrantët ishin tashmë në Kosovë.

    “Në dhjetor të vitit të kaluar, diaspora ishte tashmë këtu. Ata nuk kishin nevojë të regjistroheshin sepse votuan fizikisht dhe nuk kishin të drejtë të regjistroheshin si votues jashtë Kosovës. Ky numër që tani duket i madh është fakti që diaspora zgjodhi të votonte me postë dhe jo fizikisht”, deklaroi Daka për RTV Dukagjini.

    Afati i shkurtër për organizimin e zgjedhjeve, sipas Dakës, nuk është i mjaftueshëm që KQZ-ja të eliminojë problemet që kanë lindur me votimin nga jashtë gjatë zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

    “Janë zbuluar shumë pengesa, si dhe dyshime në lidhje me mënyrën se si janë transportuar votat, ose si janë transportuar ato nga diaspora, ose nga ambasadat. Dhe kjo ka ulur besimin e publikut dhe të opinionit publik në rregullsinë e të gjithë këtij procesi.”

    Votimi në misionet diplomatike do të organizohet më 6 qershor 2026, një ditë para hapjes së qendrave të votimit në Kosovë.

  • Hamza: Kosova po rrëshqet drejt varfërisë, duhet kthesë urgjente për shtetin dhe qytetarët

    Hamza: Kosova po rrëshqet drejt varfërisë, duhet kthesë urgjente për shtetin dhe qytetarët

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas raportimeve të fundit për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik në Evropë, duke ngritur shqetësimin për gjendjen sociale dhe ekonomike në vend.

    Hamza ka deklaruar se Kosova është renditur ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila ndodhet në gjendje lufte, para saj.

    “Kosova u rendit ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila është në gjendje lufte, para nesh. Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë”, ka shkruar Hamza.

    Sipas tij, kjo gjendje po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe familjeve kosovare, të cilat po përballen me vështirësi ekonomike, rritje çmimesh dhe mungesë perspektive për të ardhmen.

    Ai ka kritikuar qeverisjen e viteve të fundit, duke thënë se fokusi i pushtetit ka qenë në përçarje dhe propagandë, në vend të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

    “Viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës”, ka theksuar ai.

    Kreu i PDK-së ka bërë thirrje për një kthesë të madhe politike dhe shoqërore, duke kërkuar rikthim te bashkëpunimi, puna, zhvillimi dhe partneriteti me aleatët ndërkombëtarë.

    Hamza ka shtuar se Kosovës i duhen institucione serioze që punojnë për mirëqenien e qytetarëve, stabilitetin e shtetit dhe krijimin e një jete më të mirë për familjet kosovare.

    “Ky vend meriton më shumë. Dhe unë besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur, para se të bëhet tepër vonë”, ka përfunduar Hamza.

  • Cana: Kurti i frikësohet Ardian Gjinit, prandaj e zgjodhi Gjakovën për hapje të fushatës

    Cana: Kurti i frikësohet Ardian Gjinit, prandaj e zgjodhi Gjakovën për hapje të fushatës

    Psikologia e njohur Edona Cana ka reaguar lidhur me prezantimin e listës zgjedhore në Gjakovë, duke thënë se përzgjedhja e këtij qyteti nuk ka qenë rastësi, por bart një simbolikë të veçantë politike.

    Sipas Canës, Gjakova është zgjedhur pasi, siç shprehet ajo, “është qyteti ku ende dhemb”, duke aluduar në sfidat dhe mungesën e zhvillimit në vitet e fundit.

    Ajo ka vlerësuar lart kandidatin e Aleancës për kryeministër, Ardian Gjinin, duke theksuar se ai vjen pikërisht nga Gjakova dhe se, pavarësisht “luftës hibride, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike”, ka arritur të fitojë mandatin e tretë në krye të komunës.

    Cana ka shtuar se Aleanca në Gjakovë vazhdon të jetë forca me numrin më të madh të votave, duke argumentuar se qytetarët nuk kanë harruar izolimin, mungesën e investimeve dhe bllokadat që, sipas saj, i janë bërë qytetit në vitet e fundit.

    Në fund të reagimit, ajo ironizoi edhe prezantimin politik të kundërshtarëve, duke thënë se “kishte shumë ‘lista fituese’, pak subjekt politik”, duke lënë të kuptohet se emri i partisë po zbehet në komunikimin publik.

  • Në përqafimin e vajzave, Osmani falënderon për urimet që mori për ditëlindje

    Në përqafimin e vajzave, Osmani falënderon për urimet që mori për ditëlindje

    Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka festuar dje ditëlindjen e 44-të.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani falënderoi të gjithë për urimet që mori, krahas një fotografie ku shfaqet e përqafuar me dy vajzat e saj.

    “Dhe kur dita të fillon e të mbaron me këtë përqafim, nuk ka më asgjë që mundet me të lëkundë. Ju faleminderit të gjithëve për urimet e përzemërta dje për ditëlindje!”, shkroi Osmani.

  • Deda: Kosova nuk di të komunikojë me BE-në, s’ka shanse për anëtarësim kështu siç është sot

    Deda: Kosova nuk di të komunikojë me BE-në, s’ka shanse për anëtarësim kështu siç është sot

    Komentatori politik Ilir Deda foli për situatën politike në Kosovë dhe perspektivën e vendit drejt integrimit evropian.

    Duke komentuar mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, Deda tha se problemi kryesor mbetet mungesa e komunikimit dhe qasjes serioze ndaj institucioneve evropiane.

    “Po i heqim politikat reale që janë, Kosova nuk di me fol me Bashkimin Evropian, nuk di me Komisionin dhe ky problem është prej kohës së UNMIK-ut e deri sot. Është problem që nuk zgjidhet me akteri të sotëm politikë”, deklaroi ai.

    Sipas Dedës, vetëm një ndryshim në qasjen politike dhe vendimmarrjen qytetare mund t’i hapë rrugë një të ardhmeje më të mirë për vendin.

    “Kur të vendos populli ynë, mundet me pas një të ardhme më të mirë, por kështu qysh jemi sot, unë ta garantoj që s’ka shans Kosova mu anëtarësu në BE”, u shpreh ai. /Gazeta10

  • Shtetasi polak arrestohet në Gjakovë, dyshohet se theu xhamin e një lokali

    Shtetasi polak arrestohet në Gjakovë, dyshohet se theu xhamin e një lokali

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të “Asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”, që ka ndodhur në Gjakovë.

    Sipas policisë, më 16 maj 2026 rreth orës 05:00, ankuesi ka raportuar se kur kishte shkuar për ta hapur lokalin e tij zejtar, kishte vërejtur se një xham i lokalit ishte thyer.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas shikimit të kamerave të sigurisë kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin, një mashkull shtetas polak, i cili më pas është arrestuar.

    Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i është bërë alkooltesti, ku ka rezultuar se kishte 1.78 promil alkool në gjak.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.