ATV

Category: Lajme

  • Aksident me fatalitet në Koshare të Ferizajt, një i vdekur

    Aksident me fatalitet në Koshare të Ferizajt, një i vdekur

    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur para pak çastesh në fshatin Koshare të Ferizajt.

    Sipas informacioneve të para, rreth orës 12:15 është pranuar njoftimi për një aksident ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore.

    Si pasojë e përplasjes, një person mashkull rreth 60 vjeç ka humbur jetën. Vdekja e tij është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Hetimet lidhur me shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar”.

  • E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së nga Jabllanica e Madhe

    E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së nga Jabllanica e Madhe

    Është ndarë nga jeta ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tafilaj.

    Brigada 133 “Adrian Krasniqi”, ka dhënë lajmin e hidhur përmes një postimi në Facebook.

    Në njoftim bëhet e ditur se veterani do të varroset këtë të hënë në varrezat e fshatit Jabllanicë e Madhe.

    “Ngushëllime familjes dhe shokëve të Brigadës 133 Adrian Krasniqi!”, thuhet në njoftim.

  • “Ata që ju thonë ndryshe, ju gënjejnë” – Deliu reagon pas raportit që renditi Kosovën ndër më të varfrat

    “Ata që ju thonë ndryshe, ju gënjejnë” – Deliu reagon pas raportit që renditi Kosovën ndër më të varfrat

    Ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me raportin e WorldAtlas, i cili e renditi Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Evropë, pas Moldavisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra shkroi se kjo gjendje është pasojë e keqqeverisjes, paaftësisë dhe mungesës së vizionit për shtetin dhe qytetarët, derisa tha se qytetarëve po u servohen narrativa të rreme.

    “Kosova sot është ndër vendet më të varfra në Evropë. Një realitet i dhimbshëm që nuk erdhi rastësisht, por si pasojë e keqqeverisjes, paaftësisë dhe mungesës së vizionit për shtetin dhe qytetarët. Ata që ju thonë ndryshe, ju gënjejnë”, ka shkruar ajo.

    Sipas Deliut, për herë të parë pas luftës, shumë qytetarë ndihen të pasigurt dhe pa perspektivë në vendin e tyre.

    “Familjet po e kanë gjithnjë e më të vështirë jetën, ndërsa të rinjtë po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen në Kosovë. Një shtet nuk mbahet me propagandë e përçarje, por me punë, zhvillim, stabilitet dhe përkujdesje për qytetarin. Kjo gjendje duhet të ndryshojë sa më shpejt, para se pasojat të bëhen shumë të rënda për vendin tonë. 7 qershori është data”, shkroi ish-deputetja e PDK-së.

  • Haxhiu reagon pasi KPK shpalli konkursin për Kryeprokuror të Shtetit

    Haxhiu reagon pasi KPK shpalli konkursin për Kryeprokuror të Shtetit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka shpallur konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.

    Haxhiu, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë.

    Postimi i saj i plotë:

    Përshëndes shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë.

    Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional.

    Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndërtohet pikërisht përmes proceseve të drejta, transparente dhe të bazuara në meritokraci.

  • Kosova e dyta më e varfër në Evropë, Murati: Kemi përparim, në qeverisjet e kaluara ishim të fundit

    Kosova e dyta më e varfër në Evropë, Murati: Kemi përparim, në qeverisjet e kaluara ishim të fundit

    Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025 të publikuar nga Platforma WolrdAtlas, Kosova renditet e dyta si vendi më i varfër në Evropë, pas Moldavisë.

    Lidhur më këtë ka folur ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, duke thënë se në qeverisjet e kaluara Kosova ka qenë e fundit, duke shtuar se Kosova tash ka shënuar ngritje.

    “Po të ishte gazetaria si duhej do ta kishte shpërfaq gjithë trendin si ka qenë, pra Kosova ka qenë e fundit kur ne kemi marrë qeverisjen dhe tash kemi ngritje më lartë në atë tabelën e rangimit. Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shku duke u rrit, pra vendet tjera i kanë ik Kosovës, kurse tash lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë t’i kalojmë edhe shtetet e tjera”, ka thënë Murati.

    Sipas tij, Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera.

    “FMN-ja aty ka raporturar të ardhurat për kokë banori të bazuar në fuqinë blerëse. Unë nuk po bëj vlerësime, unë vetëm e thash që nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera, pra kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet tjera nëse vazhdohet ky trend”, ka deklaruar Murati. /Ekonomiaonline

  • Osmani: Unaza e Brendshme e Prishtinës e bën shtetin më funksional dhe jetën e qytetarëve më të lehtë

    Osmani: Unaza e Brendshme e Prishtinës e bën shtetin më funksional dhe jetën e qytetarëve më të lehtë

    Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka thënë se me Unazën e Brendshme të Prishtinës, qytetarët e kryeqytetit po fitojnë një zgjidhje të madhe për trafikun dhe qarkullimin që prek gjithë Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se ky investim strategjik e bën shtetin më funksional, ekonominë më dinamike dhe jetën e qytetarëve më të lehtë.

    “Përgëzime për kryetarin Përparim Rama dhe të gjithë ata që u angazhuan në përfundimin e këtij projekti”, ka shkruar ajo.

  • Amnesty: Irani ekzekutoi mbi 2 mijë persona vitin e kaluar

    Amnesty: Irani ekzekutoi mbi 2 mijë persona vitin e kaluar

    Irani ka ekzekutuar një numër “tronditës” prej 2.159 personash më 2025, u tha në raportin e Amnesty International të publikuar më 18 maj. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, numri i ekzekutimeve ka tejkaluar rekordin e vitit 1981 të regjistruar në këtë shtet.

    Amnesty International tha se të paktën 2.707 persona u ekzekutuan në mbarë botën vitin e kaluar, edhe pse dënimet me vdekje të shqiptuara në Kinë nuk janë përfshirë në këtë shifër.

    Organizata me seli në Londër tha se “mijëra ekzekutime” janë kryer në Kinë, shtetit që përdor më së shumti dënimin me vdekje. Megjithatë, sipas Amnesty detajet janë të paqarta për shkak të “sekretit shtetëror” mbi të dhënat në Kinë.

    Amnesty tha se shifra globale për vitin 2025 – që përfshijnë ekzekutimet në Arabinë Saudite, Kuvajt, Egjipt, Jemen, Singapor dhe Shtetet e Bashkuara – paraqet rritje për më shumë se dy të tratat krahasuar me shifrën e përgjithshme më 2024.

    “Ky trend ishte më i theksuar në shtetet ku autoritetet kanë forcuar kontrollin mbi pushtetin, duke kufizuar hapësirën civile, duke heshtur disidencën dhe duke treguar shpërfillje ndaj mbrojtjeve të vendosura nga ligjet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në deklaratë.

    Në veçanti, “rritja tronditëse e ekzekutimeve të regjistruara në Iran” erdhi në kohën kur autoritetet “intensifikuan përdorimin e dënimit me vdekje si mjet shtypës politik dhe të kontrollit”, veçanërisht pas luftës së qershorit të vitit 2025 me Izraelin.

    Amnesty dhe grupe të tjera për të drejtat e njeriut kanë thënë se Teherani po intensifikon përdorimin e dënimit me vdekje pas protestave masive antiqeveritare në janar dhe luftës që më pas shpërtheu ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

    Organizata tha se 2.159 ekzekutime janë regjistruar në Iran më 2025 dhe kjo shifër “përbën shifrën më të lartë që nga viti 1981” që është regjistruar në këtë shtet. Po ashtu, kjo është shifra më e lartë e regjistruar në një shtet të vetëm që nga ai vit.

    Për shkak të vështirësisë për marrjen e informacioneve konkrete, grupe të tjera kanë ofruar shifra të tjera sa u përket ekzekutimeve në Iran.

    Organizata joqeveritare Të Drejtat e Njeriut Iran – organizatë me seli në Norvegji – më herët gjatë vitit tha se të paktën 1.639 persona ishin ekzekutuar në Iran vitin e kaluar.

    Teherani e ka pranuar se ka ekzekutuar 30 persona deri më tani gjatë këtij viti.

    Arabia Saudite vitin e kaluar kreu të paktën 356 ekzekutime, që është shifër më e lartë sesa rekordi i regjistruar më 2024 prej të paktën 345 ekzekutimesh, tha Amnesty.

    Ekzekutimet në Kuvajt u rritën nga gjashtë më 2024 në 17. Në Egjipt, nga 13 numri i ekzekutimeve u rrit në 23. Në Jemen, shifrat vjetore u rritën nga 38 në të paktën 51.

    Ndërkaq, në SHBA, Amnesty tha se ka pasur një “rritje të paprecedent” të ekzekutimeve në Floridë – ku janë regjistruar 19 dënime me vdekje – duke bërë që numri i përgjithshëm të arrijë në 47, që paraqet shifrën më të lartë që nga viti 2009. /REL

  • Rama vizitë 4-ditore në Korenë e Jugut, zbardhet agjenda

    Rama vizitë 4-ditore në Korenë e Jugut, zbardhet agjenda

    Kryeministri shqiptar Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, (17–21 maj), i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe delegacioni.

    Vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.

    Në mbërritjen e tij në Seul, Rama do të jetë i ftuar në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi, shkruan Tch.

    Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean, ndërsa Kryeministri do të zhvillojë edhe takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung, Lee Jae-yong.

    Në ceremoninë hapëse te Konferencës prestigjioze të Lidershipit Aziatik, kryeministri shqiptar do të mbajë një fjalë përshëndetëse përkrah personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre edhe Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Minseok.

    Më pas Rama do të jetë i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.

    Agjenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri. Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).

  • Abdixhiku kujton Agim Kikajn në 9 vjetorin e vdekjes: Figura e tij patriotike, politike e njerëzore është unikate

    Abdixhiku kujton Agim Kikajn në 9 vjetorin e vdekjes: Figura e tij patriotike, politike e njerëzore është unikate

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën e veprën e ish-deputetit Agim Kikaj, në 9 vjetorin e vdekjes.

    Abdixhiku shkroi se ndarja e tij nga jeta ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit.

    “Sot, përkujtojmë dhe nderojmë Agim Kikajn, jeta dhe vepra e të cilit ishte e mbushur me plotë sfida dhe sakrifica në rrugën e mundimshme për liri dhe pavarësi. Ai ishte angazhuar herët në veprimtarinë atdhetare e politike; në orët e rënda për vendin iu bashkua vargut të veprimtarëve të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Figura e tij patriotike, politike dhe mbi të gjitha njerëzore është unikate.

    Për gjatë jetës së tij shërbeu si kryetar komune në Podujevë, deputet për disa mandate, derisa vdekja e papritur na goditi të gjithëve pasmesnatën e datës 18 maj 2017.”

    Ndarja e Agim Kikajt ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit tonë. Kosova humbi një njeri të mirë, një figurë të jashtëzakonshme që i shërbente ndërtimit të institucioneve demokratike tonat dhe kishte për synim fuqizimin e tyre.”

    Në fund, ai tha se Kikaj do të kujtohet “me çiltërsinë, modestinë dhe afërsinë me njerëzit që e rrethonin; të gjithë e kujtojmë me nostalgji për batutat dhe humorin e tij.”.

    “Lavdi jetës dhe veprës së Agim Kikaj!”

  • G7 mbledhje ne Paris, pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe Iran

    G7 mbledhje ne Paris, pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe Iran

    Ministrat e financave të shtatë vendeve pritet të zhvillojnë diskutime të rëndësishme lidhur me konfliktet në Iran dhe Ukrainë gjatë takimit të G7 që po mbahet në Paris të Francës.

    Lajmin e ka konfirmuar komisioneri evropian për ekonomi, Valdis Dombrovskis, i cili tha se situata e sigurisë globale dhe ndikimi ekonomik i krizave aktuale do të jenë në qendër të agjendës së takimit, raporton The New York Times.

    Një ndër temat kryesore do të jetë edhe nevoja për rihapjen sa më të shpejtë të Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani vendosi ta mbyllë këtë rrugë strategjike ujore pas konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Zyrtarët e G7 konsiderojnë se mbyllja e kësaj pike kyçe detare po ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.

    Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se do t’u kërkojë vendeve partnere që të vazhdojnë me sanksione të ashpra ndaj Iranit, me synimin për të ndaluar financimin e asaj që ai e quajti “makineria e luftës” së Iranit.

    Kujtojmë që G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në takim marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.