ATV

Category: Lajme

  • Ky është i riu që vdiq në aksidentin në rrugën Ferizaj-Kaçanik

    Ky është i riu që vdiq në aksidentin në rrugën Ferizaj-Kaçanik

    Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur këtë të premte në rrugën Kaçanik-Ferizaj.

    Personi që ka mbetur i vdekur në këtë aksident është i riu Lorent Trena. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai ka ngushëlluar të gjithë të afërmit e Lorentit.

    “Me këtë rast ndajmë ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Kaçanikut, duke bashkëndjerë dhembjen së bashku. Lutemi që raste të tilla asnjëherë të mos përsëriten, ndërsa shpirti i tij hyjnor të pushoj në paqen e paskajshme. ”, ka shkruar Ilazi në Facebook.

  • Për dhjetë muaj mbi 5 mijë vjedhje – Ekspertët e lidhin me kushtet socio-ekonomike

    Për dhjetë muaj mbi 5 mijë vjedhje – Ekspertët e lidhin me kushtet socio-ekonomike

    Gjatë dhjetë muajve të këtij viti, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, janë regjistruar mbi pese mijë vjedhje, raporton Ekonomia Online. Sipas Policisë, në periudhën janar-tetor 2023, kanë ndodhur 3 502 vjedhje, 2 223 vjedhje të rënda si dhe 13 vjedhje grabitqare. 

    Për këtë njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se rritja e numrit të vjedhjeve është bërë një fenomen shqetësues dhe këtë çështje ata e lidhin me kushtet socio-ekonomike në vend. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se numri i vjedhjeve është bërë shqetësues, ai ka thënë se këto vjedhje janë duke ndodhur si shkak i situatës ekonomike në vend si dhe shtimi i numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike.

    “Ky numër është shqetësues por vlen të theksohet se edhe më herët ka qenë shqetësues. Si shembull konkret se sa shqetësuese është ne e kemi rastin në Ferizaj, kur ndodhi plaçkitja atje dhe e pame se për çka janë në gjendje të bëjnë këta grabitës, ose këta kriminel. Duke i parë edhe statistikat e përdorimit të substancave narkotike, delikuentet bëjnë çdo gjë që të arrijnë deri të ajo drogë ose substancat tjera narkotike dhe për këtë janë në gjendje që të plaçkitin dhe të bëjnë vjedhje të rënda, pa i menduar pasojat. Definitivisht se kjo ka të bëjnë edhe me situatën ekonomike”, tha ai.

    Ai bëri thirrje që Policia të jetë me vigjilente dhe të rris numrin e patrullimeve.

    “Delikuenca është rritur në Kosovë dhe ajo çka duhet të bëjë policia në aspektin e sigurisë dhe gjithmonë sipas mendimit tim se policia në bashkësi duhet që të veprojë më shumë, duhet të organizohet më shumë dhe sidomos lagjet kur janë të dyshimta, ndriçimi publik duhet të jetë. Dhe patrullat definitivisht duhet që të shtohen më shumë, jo se nuk ka pasur patrulla edhe më herët, por situata dhe statistikat se po shtohen numrat duhet që të shtohen edhe patrullimet”, tha ai.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, tha se numri kaq i madh i vjedhjeve është duke ndodhur për shkak se {olicia është më shumë e fokusuar në pjesën veriore të vendit, për këtë ai ka thënë se kriminelët po i shfrytëzojnë këto raste.

    “Tani në situatën në të cilën po jetojmë edhe problemet që po paraqiten sidomos situatat konfliktuoze që munden me ardhë deri teke një lufte mesë Serbisë dhe Kosovës, krejt opinioni është i orientuar për këtë çështje të mbrojtjes se sovranitetit të Kosovës. Dhe në këtë situatë gjithsecili mundohet me i shfrytëzuar situatat e veta edhe kjo strukturë e këtyre njerëzve që merren me krime janë permanent edhe ecin ne hap me kohën sepse shfrytëzojnë kohën. Tash ne një numër të madh të policisë i kemi të orientuar edhe i kemi dërguar atje në mbrojtjen e sovranitetin në pjesën e veriut”, tha ai.

    Ai tha se për këtë një kritik të madhe duhet që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi sipas tij, ajo duhet që të jetë vigjilente që të ruaj rendin dhe qetësin brenda krejt territorit të Kosovës, raporton EO.

    “Është një kritik e madhe që duhet me ja drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, pavarësisht se e kemi situatën siç e kemi. Ministria duhet që të jetë vigjilente që të ruaj rendin dhe qetësin brenda krejt territorit të Kosovës. Luftimin e krimit duhet të bëhet në mënyrë permanente, në ato pjesë që ndodh më shpesh ato vepra duhet edhe me u përgjigj. Nga ana e policisë kërkohet që non-stop të është i mbuluar tereni sidomos në ato vende ku shpesh herë përsëriten. Normal që gjithë ndërlidhet me shkaqet ekonomike, institucionet e sigurisë në mënyrë permanente ti përcjellin këto, t’i kenë me vigjilent detyrat e tyre”, tha ai.

  • Vizita e Sekretarit të NATO-s në Ballkan, kjo është agjenda e takimeve

    Vizita e Sekretarit të NATO-s në Ballkan, kjo është agjenda e takimeve

    Nga e diela, Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, do të nis një vizitë në Ballkan, në kuadër të së cilës do të vizitojë edhe Kosovën. Vizita e tij do të përfundojë të mërkurën, më 22 nëntor.

    Këtë vizitë, Stoltenberg do ta fillojë në Bosnjë e Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës. Pas Bosnjës, ai do të vijë në Kosovë.

    Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të qëndrojë në Kosovë të hënën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’ju adresohet trupave.

    Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

    Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

    Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

    Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

  • Palushi kërkon nga Qeveria t’i subvencionojë prodhuesit për pesë vjet: Duhet t’i rrisim pagat që mos të ikin të rinjtë

    Palushi kërkon nga Qeveria t’i subvencionojë prodhuesit për pesë vjet: Duhet t’i rrisim pagat që mos të ikin të rinjtë

    Qeveria e Kosovës duhet që të subvencionojë prodhuesit vendës të paktën për një periudhë pesë vjeçare, i the Ekonomia Online, Shaqir Palushi pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka e cila merret me prodhimin e pijeve të frutave “Relax” dhe pijes energjike “Golden Eagle”.

    Krejt kjo sipas tij, për shkak të krizës të shkaktuar nga pandemia dhe krizave tjera globale që kanë ndodhur viteve të fundit. Ndonëse thotë se ekzekutivi u ka ndihmuar në uljen e tatimeve e taksave, po që këtë nuk e konsideron të mjaftueshme.

    “Përkrahja më e madhe e Qeverisë dhe përgjithësi e institucioneve është vet fakti që tatimet dhe taksat përgjithësi janë të ulëta ndoshta edhe më të ulëta në rajon, por kjo sigurisht që nuk do të mjaftojë aq më tepër për një ekonomi të brishtë çfarë është ekonomia e Kosovës në veçanti sektori prodhues si sektor më strategjik i vendit, unë besoj që Qeveria mund të bëjë shumë më tepër në këtë drejtim duke subvencionuar prodhuesin të paktën për një periudhë pesë vjeçare sidomos në këtë kohë edhe për shkak të krizës të shkaktuar nga pandemia dhe krizave tjera globale që kanë ndodhur viteve të fundit”.

    “Duhej ndoshta të subvencionohet sektori prodhues për një periudhë pra pesë vjeçare në mënyrë që ne të fuqizojmë dhe të i bëjmë ballë edhe kompanive  të cilat pothuajse  kanë monopol dhe të cilat çdo ditë e më tepër janë prezent në tregun e vendit tonë”.

    Palushi tha se sektori ku ai operon nuk ka mungesë të punëtorëve, por pas liberalizimit të vizave pritet të ketë ikje të të rinjve, për çka tha se bizneset duhet të rrisin ngase kjo është arsyeja kryesore që ata po e lëshojën vendin.

    “Kompaninë tonë aktualisht nuk ka ndonjë lëvizje të madhe të punëtoreve dhe nuk ka mungesë të punëtoreve përkundrazi vazhdon të ketë kërkesë për të punësuar, por kjo ndoshta pa marrë parasysh dy fakte, fakti i parë  është që sektori prodhues është pak më i lehtë se sektori qysh është ndërtimtaria apo sektor të tjerë në të cilën sektor ka një mungesa të shprehur e punëtoreve tek ne pra nuk ka mungesë të punëtoreve kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk mund të ketë mungesë të punëtoreve për më tepër kur dihet që nga janari do të bëhet liberalizimi i vizave, unë mendoj që edhe ne si biznes përgjithësi”.

    “Në Kosovë kemi përgjithësi edhe kombëtare mënyrë që bëjnë më shumë duke rritur pagat sepse arsyeja kryesore se të rinjtë sot që largohen nga vendi sigurisht janë pagat, sepse Evropa sot nuk është larg duke marr parasysh infrastrukturën lëvizjen mundësin e shkuarjes atje dhe gjetjes së punëve të reja atje besoj që do të jetë  edhe ky një apel edhe për të gjithë bizneset në Kosovë  që të i rrisin pagat mënyrë që të kem të ruajmë këtë strukturë të punësuarave të cilët janë Kosovarë, sigurisht që bizneset do të bëjnë zgjidhje po zgjidhjet që do bëjnë duke i zëvendësuar punëtoret vendor me ata të huaj të ardhur sidomos nga vendet të Azisë sigurisht që nuk do të jenë as për nga cilësia as për nga gatishmëria e tyre për të kultivuar në zhvillimin e vendit por edhe do të kenë një kosto shtesë ndoshta mund të rrinë tre deri në katër muaj deri sa të ambientohen ose të gjejnë forma tjera”.

    Duke folur për rritjen eventuale të çmimeve, ai tha se nëse ka rritje të kostos së prodhimit kjo është e pashmangshme, por që nuk do të ketë ngritje drastike, raporton EO.

    “Sa i përket rritjes së çmimeve sigurisht bizneset nuk do të operojnë asnjëherë me humbje nëse jemi të detyruar të i rrisim pagat e punëtoreve sigurisht që do të rritet kostoja e prodhimeve përkatësisht produkteve në rritjen e produkteve  do të këtë ndonjë lëvizje të çmimeve, por nuk do të ndonjë rritje drastike sepse pjesëmarrja e pagës në produkt është vendimtare në krahasim me koston të tjera të cilat janë kostoja e lëndës të parë apo shpenzime tjera operative përndryshe tek punëtoret tek lëvizja e të punësuarve një të tillë ndodh pothuajse gjithë vendet e Evropës edhe në Gjermani ka probleme me lëvizjen e punëtoreve sepse njerëzit sot janë shumë të zgjuar shumë me të zgjuara se më parë ata mundësin e parë bëjnë lëvizje ndoshta për një dallim të vogël bënë lëvizje unë vizitoj shpesh në Evropë dhe shohë që edhe atje kanë probleme me staf sepse njerëzit janë vazhdimisht në kërkim më të mirës”.

    Ndër të tjera ai tha se problem mbetet furnizimi i rregullt me energjinë elektrike dhe mosimplementimi i Ligjit për investime strategjike.

    “Një ndër problemet sa i përket prodhues në rend të parë është problemi me furnizim të rregullt me energjinë elektrike ani pse nuk janë probleme të shumë të larta qysh kanë qenë viteve më parë po prapë se prapë vazhdojnë të jenë probleme të cilën e rrisin koston por edhe probleme tjera sidomos Ligji për investitor strategjik do duhej të ishte shumë më shumë fleksibil dhe më i gatshëm që të pranoj edhe investitor lokal përkatësisht vendor mënyrë që kompanitë të rriten dhe të shfytyrojmë këto potenciale të vendit tonë”.

  • Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron se do të ketë zhvillime shumë shpejt

    Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron se do të ketë zhvillime shumë shpejt

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas aktivitetit të tij në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku teksa bëri një përmbledhje të këtyre zhvillimeve tha se diskutimet në Kosovë kanë qenë për çështjet me rëndësi në kuadër të dialogut.

    Duke u nisur nga fillimi i javës që u shënua me vizitën në Beograd, tha se diskutimet me presidentin serb Aleksander Vuçiq dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkvoiq, ishin të fokusuar në vazhdimin e përpjekjeve për të avancuar implementimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.

    Teksa për vizitën në Kosovë, i njëjti u shpreh duke theksuar nevojën urgjente për zgjidhje e marrëveshjes nga të dya palët.

     “Në bisedat tona, unë theksova që implementimi i Marrëveshjes duhet të ketë progres nga të dy palët në përmbushjen e obligimeve të tyre respektive, hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, ka shkruar Lajçak.

    Në këtë përbledhje, Lajçak gjithashtu ka folur edhe për takimet që ka pasur me kryenegociatorët në Bruksel, duke treguar se kanë diskutuar për një numër çështjesh, përfshirë Statutin, planin e zbatimit, energjinë, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.

    Ai ka thënë se është bërë përparim në disa çështje dhe se pret një vazhdim të shpejtë të negociatave duke treguar se ka plan që bisedimet t’i vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

    “Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në axhendën tonë të Dialogut dhe pres një vazhdim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka paralajmëruar Laçjak.

    Emisari i BE-së ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

    “Të mërkurën pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën  të Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Miroslav Lajçak.

  • Aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Ferizaj, një i vdekur e pesë të lënduar

    Aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Ferizaj, një i vdekur e pesë të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbëmë në rrugën Kaçanik-Ferizaj, ku një person ka mbetur i vdekur dhe janë lënduar pesë të tjerë.

    Siç njofton major i Policisë së Kosovës në rajonin e Ferizajt, Qazim Reka, në këtë aksident janë përfshirë tri vetura.

    “Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:10. Në aksident janë përfshirë tri njësi. Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një person, ndërsa janë lënduar pesë të tjerë”, ka thënë Reka.

  • Zhduket një 15-vjeçare, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Zhduket një 15-vjeçare, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës në Pejë kërkon ndihmë nga qytetarët rreth gjetjes së një personi të moshës 15-vjeçare, e raportuar si e zhdukur.

    Bëhet fjalë për Serbeze (Istref) Gashi, e lindur më 6 qershor 2008, në Pejë.

    Policia kërkon nga qytetarët e Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë policinë apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës janë: 192 dhe 080019999 (pa pagesë) 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë dhe e-mail adresa: [email protected]

  • Kurti uron Shqipërinë për kualifikim në Euro 2024

    Kurti uron Shqipërinë për kualifikim në Euro 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Shqipërinë për kualifikimin në Kampionatin Evropian të Futbollit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

    Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo është një festë e madhe që do të vazhdojë edhe në Euro 2024.

    “Shqipëria kalon. Festë e madhe, që do vazhdojë në Euro 2024. Për herë të dytë në histori. Pas Francës, tashmë drejt Gjermanisë. Urime lojtarëve, gëzuar të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.

    Shqipëria siguroi kualifikimin për Euro 2024, pas barazimit me Moldavinë.

  • “Zhbllokimi” i rrugës për faturim të energjisë në veri, i lidhur me asociacionin

    “Zhbllokimi” i rrugës për faturim të energjisë në veri, i lidhur me asociacionin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Gati një vit e gjysmë pas licencimit të Elektroseverit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dha shpresë se javën e ardhshme mund të bëhet hapi zhbllokues drejt nisjes së faturimit të energjisë në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Pas takimit në Bruksel, të enjten, ai tha se nënshkrimi i kontratës ndërmjet Elektrosverit dhe KEDS-it duhet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.

    “Është tepër afër. Faktikisht duhet vetëm të nënshkruhen dokumentet dhe duhet një vendim i ZRRE-së për propozimin për tarifat të cilin ka propozuar Elektroseverit karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë që këto tarifa janë të pranueshme, sepse të njëjtat duhet të përkthehen në MAR-in e KEDS-it gjatë vitit 2024, në atë moment që e marrin këtë dakordim më nuk ka arsye për Elektroseverin që të mos e vendosë nënshkrimin”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

    Pa dhënë detaje, në KEDS thanë se janë në sinkron me institucionet shtetërore.
    Paralajmërimi për nënshkrimin e kontratës, gjë që sipas Udhërrëfyesit për Energjinë do të duhej bërë më së largu 10 ditë nga licencimi i Elektroseverit, shihet në kontekst më të gjerë.
    Teksa përmendi edhe rritjen e interesimit për pajisje me pasaporta dhe me targa të Kosovës në katër komunat në veri, opinionisti Fitim Mulolli vlerësoi se nuk është rastësi që diçka e tillë ndodh në kohën kur Qeveria në parim është pajtuar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Një element tjetër është kërkesa për pagesën e energjisë elektrike. Është një grup indikatorësh që çojnë të besosh se ose ka ndonjë marrëveshje verbale që paralelisht të bëhen këto gjëra, ose kemi një presion të madh nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë dhe serbët në veri që të fillojnë të integrohen si duhet”, tha Mulolli.

    Krahas vlerësimit se asociacioni përbën pikë kritike, opinionisti Bekim Kabashi theksoi se krahas paralajmërimeve për energjinë edhe pajisja me targa, tregojnë se situata po lëviz drejt deeskalimit dhe zbatimit.

    “Tash jemi në fazën e implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është pjesë e kësaj marrëveshje, te neni 10 dhe 7. Dhe, tash nëse flasim për zbatimin e marrëveshjeve të cilat kanë filluar, po shihet një dritë në fund të tunelit për implementimin e tyre, edhe ato janë pjesë e asaj marrëveshje në Bruksel, aneks i Ohrit. Në këtë rast edhe marrëveshja për energjinë elektrike”, tha Kabashi.

    Në Shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, është rreth 320 milionë euro.

    Kjo kosto mund të rritet në rreth 350 milionë, nëse përfshihen humbjet e këtij viti.

  • BE-ja në linjë të njëjtë me Zelenskyn për rrezikun nga ndikimi i Rusisë në Ballkan

    BE-ja në linjë të njëjtë me Zelenskyn për rrezikun nga ndikimi i Rusisë në Ballkan

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pretendimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia po synon nisjen e një lufte midis vendeve të Ballkanit, i ka mbështetur edhe Bashkimi Evropian të premten.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se BE-ja ndan shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Për një kohë të gjatë kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka, që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, tha Stano.

    Stano shoi se për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

    Presidenti ukrainas bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje Ballkanit Perëndimor, pasi Rusia ka plan të gjatë për ta destabilizuar atë. Shqetësim të njëjtë ka edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    “Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi më 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, madje jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Ne e mbështesim planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Nuk duhet të ketë përfitues të fondeve pa i përqafuar vlerat e BE-së”, tha Bislimi.

    Pas deklaratave të presidentit ukrainas, reagoi edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila përsëriti paralajmërimet për nevojën e strategjisë së qartë dhe të përbashkët në Ballkan.