ATV

Category: Lajme

  • Reagon BE-ja pas deklaratës së Zelenskyt se Rusia do të nxisë luftë në Ballkan

    Reagon BE-ja pas deklaratës së Zelenskyt se Rusia do të nxisë luftë në Ballkan

    Bashkimi Evropian ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jostabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Bashkimi Evropian ndan shqetësimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjes se a e ndan BE-ja shqetësimin e shprehur nga Zelensky se Rusia do të tentojë të provokojë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jostabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai ka shtuar se pikërisht për këtë arsye BE-ja ka shtuar ndihmën për partnerët në vendet e Ballkanit Perëndimor që të përballen me këto kërcënime.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në komentet për mediat afrikane më 15 nëntor se Ukraina ka prova të synimeve të Rusisë për të nisur një luftë midis vendeve të Ballkanit.

    “Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. (Së pari kemi pasur) Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky.

    Stano nuk ka dashur të flasë për hollësitë e informatave që kanë apo nëse Zelensky ua ka përcjellë informatat e tij, por ka shtuar se “BE-ja është e vetëdijshme se çfarë po tenton të bëjë Rusia në Ballkanin Perëndimor”.

    “Ne nuk i komentojmë informatat, të cilat i shkëmbejmë me partnerët. Sidomos jo kur është fjala për diçka specifike si kjo. Por, ne kemi informata dhe i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë për një kohë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë tenton të bëjë Rusia. Prandaj, jemi në kontakt me partnerët edhe në Ballkan për këtë”, tha ai duke shtuar se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

    Paralajmërimet e Zelenskyt për mundësinë që Rusia të provokojë konflikt në Ballkanin Perëndimor i kanë komentuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë një takimi të enjten mbrëma në Zagreb. Ata kanë thënë se “përgjigja më e mirë për të stabilizuar në mënyrë afatgjatë rajonin e Ballkanit Perëndimor nga ana e BE-së do të ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian për ta integruar edhe këtë rajon”.

    Plenkoviq, ndërkaq, ka përmendur edhe sulmin e fundit të, siç e ka quajtur ai “grupit paramilitar serb“ në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, si dëshmi se si mund të eskalojë situata në rajon. /REL/

  • Kriza e banesave në Gjermani: Numri i apartamenteve do të jetë gjysma e objektivit të qeverisë

    Kriza e banesave në Gjermani: Numri i apartamenteve do të jetë gjysma e objektivit të qeverisë

    Numri i lejeve për ndërtimin e njësive të banimit në Gjermani ka rënë ndjeshëm edhe në shtator, sipas të dhënave të zyrës së statistikave, e cila njoftoi rreth gjysmën e numrit të apartamenteve të reja për këtë vit nga sa kishte planifikuar qeveria.

    Në shtator, autoritetet miratuan ndërtimin e 19.300 njësive të reja banimi, 29.7 për qind më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi Destatis.

    Në gusht, numri i lejeve ishte 31.6 për qind më i ulët se vitin e kaluar.

    Në nëntë muajt e parë të këtij viti është miratuar ndërtimi i 195.100 banesave të reja, 28.3 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Shifra tregon se numri i apartamenteve të reja këtë vit mund të jetë afërsisht gjysma e planit të qeverisë prej 400 mijë njësi të reja banimi, të cilat duhet të zgjidhin problemin e mungesës së banesave.

    Pavarësisht kërkesës së madhe, më pak apartamente po ndërtohen, ndoshta për shkak të kushteve të pafavorshme të financimit pas rritjes së normave të interesit dhe kostove të larta të ndërtimit, të cilat ishin 6.4 për qind më të larta në gusht se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, vlerësojnë statisticienët.

  • Stoltenberg më 20 nëntor viziton Kosovën

    Stoltenberg më 20 nëntor viziton Kosovën

    Nga data 19 deri më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Të dielën, më 19 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës.

    Të hënën, më 20 nëntor, Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Stoltenberg do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

    Në të njëjtën ditë, sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë diskutime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Konferenca e përbashkët për shtyp e Stoltenberg me presidenten Osmani do të mbahet në ora 16:10 (CET).

    Stoltenberg gjithashtu do të vizitojë kampin Nothing Hill të KFOR-it të NATO-s, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş dhe do t’u drejtohet trupave. Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

    Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

    Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

    Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

    Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

  • Ushtria izraelite thotë se vrau shtatë militantë në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite thotë se vrau shtatë militantë në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite tha të premten se ka vrarë të paktën shtatë militantë në dy përleshje të ndara në Bregun Perëndimor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – pranoi se një numër i ushtarëve të tij u vranë në mes të dhunës në rritje.

    Që prej sulmeve të grupit ekstremist palestinez, më 7 tetor, në pjesën jugore të Izraelit, ka pasur rritje dramatike të numrit të përleshjeve në Bregun Perëndimor, ku ushtria izraelite ka shtuar inkursionet duke synuar grupet militante.

    Forcat izraelite kryen një operacion gjatë natës në mes të së enjtes dhe të premtes në një kamp refugjatësh në Xhenin, një qytet në veri të Bregut Perëndimor, i konsideruar prej kohësh qendër e aktivitetit luftarak.

    “Në total, të paktën pesë terroristë u vranë,” tha ushtria përmes deklaratës.

    Diku tjetër, në jug të Bregut Perëndimor, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se dy persona u vranë “nga plumbat e ushtrisë izraelite” në hyrje të qytetit të Hebronit.

    Ushtria izraelite tha se “dy sulmues mbërritën me një automjet në një kryqëzim ngjitur me Hebronin dhe qëlluan mbi ushtarët që po vepronin në zonë.”

    “Ushtarët u përgjigjën me zjarr dhe vranë sulmuesit”, përpara se të kapnin një armë, u tha në një deklaratë, duke shtuar se nuk kishte viktima izraelite.

    Në Xhenin, Hamasi, grupi radikal palestinez, tha se tre nga luftëtarët e tij ishin vrarë në sulm – inkursioni i tretë i madh izraelit në zonë në po aq javë.

    Të premten në mëngjes, gazetarët e AFP-së panë një kortezh funerali për tre persona, i ndjekur nga dhjetëra vajtues dhe militantë që qëllonin në ajër.

    Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah, tha gjithashtu se tre persona u vranë në sulmin në Xhenin dhe 15 të tjerë u plagosën, katër prej tyre në gjendje kritike.

    Ushtria izraelite tha se “një celulë e armatosur terroriste që qëlloi ndaj forcave izraelite të sigurisë u godit nga një avion [ushtarak].”

    Në deklaratë gjithashtu thuhet se “terroristët që qëlluan dhe hodhën mjete shpërthyese ndaj forcave të sigurisë u neutralizuan.”

    Ushtria tha se “terroristët dhe personat e armatosur u larguan nga zona me automjete dhe ambulanca në drejtim të zonës së spitalit Ibn Sina në Jenin me qëllimin për t’u fshehur atje. Sipas ushtrisë një automjet u ndalua në hyrje të spitalit.

    Ai publikoi pamjet që dukej se tregonin armët duke u hequr nga një automjet jashtë një spitali.Izraeli vazhdimisht thotë se militantët e Hamasit në Rripin e Gazës po përdorin spitalet si bazë për sulmet e tyre, një akuzë që grupi islamik e mohon vazhdimisht.

    Sipas Izraelit, persona të armatosur të Hamasit, grupit ekstremist palestinez, gati gjashtë javë më parë dolën nga Gaza dhe vranë 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe kapën rreth 240 pengje.

    Si hakmarrje për sulmet, Izraeli filloi bombardimet dhe një ofensivë tokësore kundër Hamasit, grupit radikal palestinez, në Gaza, për të cilën autoritetet në territorin e drejtuar nga ky grup thonë se kanë vrarë të paktën 11.500 njerëz, kryesisht civilë.

    Një inkursion javën e kaluar në Xhenin rezultoi me 14 vdekje të palestinezëve – sipas ministrisë së Shëndetësisë – në sulmin më vdekjeprurës në Bregun Perëndimor që prej të paktën vitit 2005, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara./REL/

  • ​Kremlini mohon pretendimet se Rusia është gati për luftë bërthamore

    ​Kremlini mohon pretendimet se Rusia është gati për luftë bërthamore

    Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia ishte e gatshme të niste një luftë bërthamore si “çmenduri e papranueshme”.

    Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, iu referua komenteve si “akuza të çmendura” më herët sot. Ai tha se ishte pjesë e asaj që ai e quajti thuajse-luftë që po zhvillohej kundër Rusisë nga Perëndimi.

    Komentet vijnë pasi forcat ruse raportohet se ngarkuan dje një raketë balistike ndërkontinentale të pajisur me një mjet rrëshqitës Avangard me aftësi bërthamore në një vend lëshimi në Rusinë jugore.

    Një mjet rrëshqitës me aftësi bërthamore është një lloj koke rakete (seksioni përpara i një rakete) që mund të manovrojë dhe të rrëshqasë me shpejtësi hipersonike.

    Mjeti me rrëshqitje hipersonike Avangard u prezantua nga Vladimir Putin në vitin 2018. Në atë kohë, ai pretendoi se ishte zhvilluar si një përgjigje ndaj zhvillimit të SHBA-së të një gjenerate të re armësh.

    Sipas ministrisë ruse të mbrojtjes, në pronësi të kanalit televiziv Zvezda, raketa balistike u shfaq duke u transportuar në një vend lëshimi, u ngrit ngadalë në pozicion vertikal dhe më pas u ul në një bosht në rajonin e Orenburgut pranë Kazakistanit. SHBA dhe Rusia janë fuqitë më të mëdha bërthamore në botë./Sky News

  • Islandë: Pamjet e helikopterëve tregojnë çarje gjigante të tokës

    Islandë: Pamjet e helikopterëve tregojnë çarje gjigante të tokës

    Korrespondentja e BBC-së Jessica Parker ka fluturuar në një mision me Rojet Bregdetare Islandeze mbi Gadishullin Reykjanes, ku është përqendruar aktiviteti vullkanik i fundit.

    Shkencëtarët thonë se zona mund të përballet me dekada të paqëndrueshmërisë së shtuar vullkanike.

    Frika e një shpërthimi të afërt çoi në evakuimin e qytetit të Grindavik, i cili është fundosur pjesërisht me më shumë se një metër.

    Mendohet se magma po kalon nën një çarje të mëparshme, shekullore, të dukshme që shihet në fotografitë ajrore.

    Buldozeri më i madh i Islandës po shkon drejt qytetit të vogël të peshkimit për të ndërtuar mbrojtje për të ndaluar llavën nga një vullkan që shkatërron ndërtesat kryesore.

    Një nga atraksionet turistike më të famshme të vendit, Laguna Blu aty pranë, do të qëndrojë e mbyllur deri në fund të këtij muaji.

  • Policia arreston 53-vjeçarin në Prizren, kërkohej nga Gjykata

    Policia arreston 53-vjeçarin në Prizren, kërkohej nga Gjykata

    Njësitet policorë të Stacionit Policor në Prizren, kane arrestuar një person ku njëjti kërkohet ne bazë të urdhëresë se gjykatës, i cili ishte ne arrati.

    Me 16.11.2023, në Prizren është arrestuar i kërkuari H.P 53 vjeçar, m/r/k, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar Urdhëresë, i njëjti shoqërohet ne stacionin policor Prizren.

    Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave policore, sipas urdhëresës së gjykatës, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në kohë zgjatje prej 4 vite e 6 muaj burgim.

  • ​Bashkëpunimi rajonal, fokusi i tryezës ndërparlamentare të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut

    ​Bashkëpunimi rajonal, fokusi i tryezës ndërparlamentare të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut

    Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur një tryezë ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky diskutim u tha se është dëshmi për bashkëpunimin e tri shteteve për demokraci dhe siguri.

    Parlamentarëve iu kërkua të angazhohen që t’i bindin qeveritarët e tri vendeve që të jenë më të unifikuar në kërkesat ndaj Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër u potencuan sfidat e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, ku u theksua se ka tentativa për destabilizim, siç u tha që regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë në rajon.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

    Pjesë e këtij diskutimi parlamentar ishin edhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi tha se Ballkani Perëndimor po përballet me tentativa destabilizuese, që regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë rajoni.

    Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nënvizoi nevojën që vendet bashkëpunuese në rajon të ketë një unifikim më të madh karshi kërkesave ndaj Bashkimit Evropian.

    Pjesë e kësaj tryeze, krahas përfaqësuesve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ishin edhe përfaqësues nga Parlamenti i Bullgarisë, Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Në fund të diskutimit u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi. /KosovaPress/

  • Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Bislimi: Asociacioni nuk është diskutuar në Bruksel, vlerësimin e fundit e jep Kushtetuesja

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë. Bislimi ka shtuar se ekzekutivi nuk punon me shqetësime, por në bazë të analizave, për më tepër, sipas tij draftin e Asociacionit të propozuar nga emisarët euro-amerikanë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese dhe jo analistët në studio televizive dhe as politikanët.

    Bislimi tha se në takimin e së enjtes në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk është diskutuar për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi, siç ka thënë ai, pozicioni i Kosovës është bërë i qartë që më 26 tetor nga kryeministri Albin Kurti, në takim me liderët evropianë.

    “Tek pika e Asociacionit ne nuk kemi diskutuar për arsye se kemi thënë se pozicioni është i qartë dhe është prezantuar nga kryeministri Kurti më 26 tetor. Rrjedhimisht gjithkush që iu thotë që në Bruksel është shkuar për të diskutuar për Asociacionin, vetëm ka bërë dezinformim pasi nuk është diskutuar fare…Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, tha Bislimi.

    Duke folur për mundësitë e zgjedhjeve të parakohshme në veri, Bislimi tha se kanë pranuar të shmanget kërkesa që në kuadër të nënshkrimeve për peticion të nevojitet edhe numri i telefonit të nënshkruese, pas shqetësimeve të BE-së.

    “Për zgjedhjet në veri ne vetëm kemi diskutuar komplikimet e mundshme të cilat pala ndërkombëtare ka mundur t’i konstatojë nga hapat që kemi ndërmarrë deri tani. Më konkretisht ata kanë pasur shqetësimin se në formularët ku do të plotësohet peticioni është kërkuar edhe numri i telefonit të nënshkruese dhe kanë menduar se kjo nuk është konfrom rregullave për mbrojtjen e privatësisë. Ne kemi treguar gatishmërinë që ky element i formularit të shmanget…Kërkesa për me gjetur mekanizëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk ka ardhur nga kryeqendra, por nga vet qytetarët serb nga komunat e veriut. Ne pastaj ju kemi treguar instrumentin që ata duhet të përdorin për këtë preferencë që kanë. Ju takon atyre që të vendosin se në cilën ditë apo përmes cilës OJQ apo parti politike do të fillojnë procesin”, theksoi Bislimi.

    Krahas kësaj, Bislimi tha se zbatimi i marrëveshjes për energji është tepër afër.

    “Është tepër afër, faktikisht vetëm duhet të nënshkruhen dokumentet. Po ashtu duhet një vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për propozimin për tarifat që i ka propozua elektroserveri karshi KEDS-it. Në atë moment që ZRRE-ja thotë se këto tarifa janë të pranueshme për arsye se të njëjtat duhet të përkthehen në marrjen e KEDS-it gjatë vitit 2024. Në atë moment që ata marrin këtë dakordim nuk ka arsye për Elektroserverin që të vendos nënshkrimin”, tha ai.

    Këto komente Bislimi i bëri pas pjesëmarrjes në tryezën ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • KE-ja propozon liberalizimin edhe për serbët e Kosovës me pasaporta të zyrës koordinuese të Serbisë

    KE-ja propozon liberalizimin edhe për serbët e Kosovës me pasaporta të zyrës koordinuese të Serbisë

    Komisioni Evropian, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka propozuar që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

    Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese), Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

    Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.

    Në propozimin e vet, Komisioni Evropian argumenton se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen.

    Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.

    Komisioni e ka dhënë këtë propozim ndërsa tash vendimi duhet të merret nga Këshilli në bashkëpunim me Parlamentin Evropian. Komisioni Evropian në propozimin e vet ka theksuar se situata aktuale rreth bartësve të pasaportave të Serbisë që lëshon zyra koordinuese në Beograd, është diskutuar edhe me autoritetet e Serbisë dhe ato të Kosovës.

    “Më 16 nëntor Komisioni Evropian ka miratuar propozimin që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të lëvizin pa viza në BE. Kjo propozohet edhe për bartësit e pasaportave që i lëshon Drejtoria koordinuese në Beograd. Tash vendimi është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme dhe të drejtat e njeriut Kristijan Viegand.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit që vjen.

    Ndërsa, vendimi që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të lëvizin pa viza, do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së. /REL