Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, kanë vizituar në Hagë ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe ish-kryetarin e kuvendit, Kadri Veselin.
Krasniqi tha se i gjetën të gjithë ish-krerët e UÇK bashkë ballëlartë dhe me Kosovën në mendje e zemër që sipas tij, vazhdon t’i frymëzojë, t’i mbajë të fortë e krenarë secilin.
“Dyert e hekurta, korridoret e gjata e muret e larta, çdo ditë e më shumë po e humbasin betejën kundrejt zemrave, besimit dhe kurajos së çlirimtarëve tanë”, tha Krasniqi.
Tutje, Krasniqi tha se do të jenë me ta dhe pranë tyre deri në ditën e shumëpritur të triumfit të drejtësisë “sepse, dielli do të lind përsëri”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po pastrohet e intervenohet në zona të ndryshme të Prishtinës, pas reshjeve të shiut të cilat shkaktuan tollovi në kryeqytet.
Rama ka thënë se po punojnë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme e të mirëmbajtura.
Po pastrohet e intervenohet në zona të ndryshme të Prishtinës, pas reshjeve të pandërprera të shiut të cilat ranë e shkaktuan jo pak tollovi në kryeqytet. Po punojmë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme e të mirëmbajtura”, ka shkruar Rama.
Me ftesë të Ambasadës së Belgjikës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në shënimin e 157-vjetorit të Festës së Mbretit belg.
Kjo festë ka filluar së shënuari nga viti 1866 dhe është një ditë ku nderohet Mbreti i belgëve dhe historia e Mbretërisë së Belgjikës dhe popullit të saj.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se Belgjika mbanë një vend dhe rol të veçantë për popullin tonë, duke qenë shtëpi e qindra e mijëra atdhetarëve, të cilët kanë punuar pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
E në këtë përpjekje për liri, Belgjika u shfaq si një aleat i palëkundur. Ajo ishte njëra nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështetja e saj vazhdon edhe sot e kësaj dite, teksa punojmë bashkë për përmbushjen e synimeve të vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, veçoi kryeministri.
15 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kryeministri tha se po dëshmojmë thellim të lidhjeve politike, kulturore, ekonomike, e sigurisë, teksa nënvizoi se Belgjika ka qenë mbështetës krucial i Kosovës në integrimin ekonomik, duke kontribuar në finalizimin, me sukses të procesit të liberalizimit të vizave dhe dhënë asistencë të vlefshme për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Si shembull të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, kryeministri e mori avancimin e prezencës së saj diplomatike në Kosovë. Në shtator të këtij viti, Belgjika ka hapur ambasadën e plotë në Kosovë dhe ka emëruar Gregoire Cuvelier si ambasadorin e saj të parë në Republikën e Kosovës.
Krahas lidhjeve diplomatike, kryeministri Kurti foli edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin ndërmjet bizneseve belge dhe ato nga Kosova, të cilat po japin rezultate premtuese.
Për fund, ne këtë ditë të shënuar për Mbretërinë e Belgjikës, ai i shprehu urimet e tij Mbretit Philippe, Mbretëreshës Mathilde, Princeshës Elisabeth, Princit Gabriel, Princit Emmanuel dhe Princesësh Eleonore.
Nesër Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thirrur Kuvendin e X-të (dhjetë) Zgjedhor të kësaj partie më 19 nëntor, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i kësaj partie dhe kryesia e re.
Në zgjedhjen e parë, Lumir Abdixhiku kishte mandat të shkurtër dyvjeçar, ndërsa tash kërkon mandatin e plotë katërvjeçar si kryetar i partisë së dytë më të madhe opozitare, shkruan Reporteri.net.
Këto zgjedhje në këtë parti, kishin ardhur pas dorëheqjes së Isa Mustafës – si marrje e përgjegjësisë për rezultatin e dobët në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Abdixhiku kishte arritur që në garën me Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën të marrë besimin më të madh të delegatëve të kësaj partie.
Ndryshe, edhe Faton Bislimi e ka shpallur kanditaturen e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke thënë se oferta e tij është për rikthimin e LDK-së te vlerat themeltare dhe idealet kombëtare të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka zhvilluar një aksion në katër lokacione në komunat veriore të Kosovës në mëngjesin e së shtunës.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se ata kanë asistuar Doganën dhe se janë bastisur katër lokacione. Sipas tij, gjithçka ka shkuar në rregull, derisa lidhur me atë se a ka të arrestuar, ka thënë se do të deklarohet Dogana.
“Ne kemi asistu Doganën gjatë bastisjeve në veri të Mitrovicës. Për më shumë se sa janë arrestuar, ata prononcohen. Katër lokacione janë bastisur, çdo gjë ka shkuar në rregull. Kanë përfunduar bastisjet”, ka thënë Elshani.
Përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të publik dhe privat janë shprehur të zhgënjyer me mospërgjigjen ndaj kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Sipas tyre, ata nuk e kanë pritur këtë raport me Qeverinë, por kanë qenë të bindur për një bashkëpunim të frytshëm, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se gjatë kohës sa VV-ja ka qenë në opozitë gjithmonë kanë gjetur përkrahje, ndërsa tani kanë edhe mungesë të komunikimi me Qeverinë për t’i adresuar problemet e tyre. Krerët e sindikatave po paralajmërojnë greva e protesta nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.
Ali Sefaj, përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë, i tha Ekonomia Online, se kanë pritur qasje dhe bashkëpunim më të mirë nga ana e ekzekutivit, por ka ndodhur krejt e kundërta.
Madje ai thotë se Qeveria i ka i stimuluar punëdhënësit që t’i shkelin të drejtat e punëtorëve.
“Thjeshtë është e habitshme për faktin se këta janë Qeveri socialdemokrate e gjatë krejt opozitës kanë pasur mirëkuptim e mbështetje për të gjitha kërkesat e sindikatës veçmas edhe për kërkesat e punëtoreve apo edhe të minatorëve, është e habitshme si ka mundësi njeriu të ndërroj gjatë rrugëtimit tij kaq shumë. Ne si sindikata kemi pritur krejt një qasje tjetër kemi pritur një bashkëpunim kemi pritur adresim të kërkesave dhe njëkohësisht kemi pritur angazhim të inspektorëve në mënyrë që të respektohen maksimalisht të drejtat e punëtoreve dhe të penalizohen abuzuesit apo ata që i shkelin të drejtat e punëtoreve e që në këtë rast ka ndodhur krejt e kundërta, Qeveria i ka stimuluar secilin punëdhënës qe të i shkel të drejtat e punëtoreve dhe të ju ofroj qasje të kufizuar sindikatave”.
Ai tha se zhgënjimi më i madh ndaj Qeverisë ka qenë arroganca dhe mos komunikimi në adresimin e kërkesave e çështjeve që sipas tij, kanë merituar trajtimin e institucioneve.
“Më së shumti na ka zhgënjyer arroganca që e ka pas dhe mbyllja mos komunikimi në adresimin e kërkesave dhe çështjeve cilat ne kem besuar që meritojnë trajtim, është hera e parë që Qeveria e Kosovës mbyllet dhe nuk ka dialog social për t’i adresuar shumicën e kërkesave dhe shfuqizimi i disa kontratave kolektive sektoriale apo disa kontratave sektoriale dhe mungesa e kontratës kolektive dhe veçmas mos gatishmëria për bashkëpunim me akterët të tjerë që të caktohet paga minimale mbi kërkesat e sindikatave dhe punëtoreve”.
Edhe Nexhat Lluminca, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut tha se kanë kërkuar ngritje të pagave që nga viti 2018, por që nuk janë përfillur thirrjet e tyre.
“Kemi kërkuar ngritje të pagave që punëtorët e KEK-ut që nga viti 2018 nuk kanë pasur ngritje të pagave. Në kohën e fundit tregu i punës ka ndryshuar në Kosovë dhe pagat e KEK-ut më nuk janë paga atraktive më nuk janë paga të lakmueshme nga qytetarët e Kosovës dhe kjo bën një hendikep të punëtorëve të KEK-ut sepse nuk kanë motiv të mjaftueshëm kur e shohin që për punën e njëjtë mund të paguhen shumë më shumë në sektorin privat apo në vende tjera, edhe ne kemi shumë punëtor që kanë filluar ta lirojnë vendin e punës”.
Ai më tej shtoi se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre mund të ketë greva e protesta, raporton EO. Llumnica i ka quajtur legjitime kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, për çka tha se nuk do të kërkojmë më diskutime, por veç realizmin e tyre.
“Ne nuk kemi nevojë me biseduar me dikon, ne kemi nevoja me i realizuar kërkesat e punëtorëve pra kërkesat e drejta dhe të ligjshme. Ne e kemi pagesën për fundjavë për punëtoret me ndërrime që edhe pse të gjitha Gjykatat e kanë dhënë në favor të punëtoreve ajo ende nuk është duke aplikuar vetëm ata të cilët e kanë marr me përmbarues. Nëse nuk realizohen kërkesat do të veprojmë sipas statutit sindikal ajo do të thotë protesta grevë e deri në realizimin e këtyre”.
Ndërsa Jusuf Azemi Kryetarë në Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) tha se përtej kërkesave që i kanë pasur nuk kanë realizuar asnjë takim me krerë të institucioneve dhe se kanë hekur dorë nga mundësia për takim, raporton EO.
“Me Kryeministrin dhe Ministrinë e financave asnjëherë deri më tani për kundër shumë kërkesave që i kemi pasur që nga ardhja e tyre në pushtet nuk kemi pasur asnjë takim dhe tani kemi hequr dorë nga kërkesat tona që takohemi më ta, sepse në bazë të dhënave që po kemi edhe me institucionet tjera dialogu me ta kanë problem jo vetëm ne si sindikata po ndoshta kanë probleme ende me të mëdha me partner të tjerë të cilët janë të obliguar që të komunikojnë me Qeverinë e Kosovës”.
Flamuri kombëtar përfaqëson dhe simbolizon një komb i cili dizajnohet me kuptime specifike për ngjyrat dhe simbolet e tij, të cilat gjithashtu mund të përdoren veçmas nga flamuri si simbol i kombit.
Dizajni i një flamuri kombëtar ndonjëherë ndryshohet pas ngjarjeve të rëndësishme historike. Djegia ose shkatërrimi i flamurit të një shteti, mund të cilësohet si një akt shumë simbolike por megjithatë për kombin e atij cilësohet akt vandal.
Të gjurmosh origjinën e saktë të çdo flamuri nga e gjithë bota mund të jetë e vështirë pasi shumë prej tyre nuk kanë histori konkrete, disa nga flamujt më të vjetër kanë histori që bazohen në legjenda, të cilat mund të mos jenë të sakta historikisht.
Për më tepër, flamujt shpesh pësojnë disa ndryshime dhe është e rrallë që flamuri i një vendi të duket i njëjtë me atë që ishte kur u përdor për herë të parë, përkundër këtyre sfidave, është përpiluar një listë nga ‘oldest.org’ që përfaqëson më së miri atë që besohet gjerësisht se janë flamujt më të vjetër në botë.
Në ranglistën e pesë flamujëve më të vjetër në botë, kjo listë fillon me shtetin e Zvicrës, flamuri i të cilës daton nga viti 1470, por ndoshta edhe më herët, megjithatë zyrtarisht është miratuar në vitin 1889.
Ky flamur përbëhet nga ngjyra e kuqe, dhe me një kryq të bardhë, historia e flamurit zviceran mund të gjurmohet në tre legjenda të ndryshme: Legjioni Theban, gjatë shekullit të 12-të dhe Arma Christi në shekullin e 13-të.
Në vendin e katërt si një nga flamujt më të lashtë, ndodhet Shqipëria, ku viti i parë në të cilin është përdorur është viti 1443, megjithatë mendohet që edhe më herët, zyrtarisht flamuri kombëtar shqipëtar u vendos në 1912, pas shpalljes së pavarsisë.
Ngjyra e kuqe dominante, të vendosur sipër shqiponja e zezë dykrenare, simbolizon të gjithë popullin shqiptarë.
Imazhet e një shqiponje të zezë dykrenare në një sfond të kuq u përdorën nga familjet fisnike të Shqipërisë që nga mesjeta, këto familje huazuan shqiponjën dykrenare nga flamuri i Perandorisë Bizantine. Dizajni i flamurit modern të Shqipërisë gjurmohet drejtpërdrejt në stemën e Shtëpisë së Kastriotit.
Gjergj Kastriot Skënderbeu përdori një flamur të kuq me një shqiponjë të zezë dykrenare kur drejtoi një revoltë kundër Perandorisë Osmane që rezultoi në pavarësinë e Shqipërisë.
Në vendin e tretë rënditet Letonia, ku besohet se viti 1279 ishte viti i parë i përdorur, derisa u miratua zyrtarisht në vitin 1918.
Ngjyrat kryesore, e kuqe me brez të hollë të bardhë, flamuri Letonez duket i ngjashëm me shumë prej flamujve më të vjetër në botë, të cilët gjithashtu kanë një skemë ngjyrash të kuqe dhe të bardhë. Ndërsa askush nuk e di me siguri se kur u përdor për herë të pare. Flamuri kuqezi në Letoni, ka prova historike që tregojnë se flamuri mund të ishte përdorur qysh në shekullin e 13-të.
Pozita e dytë i takon, shtetit të Austrisë, ku është dokumentuar zyrtarisht se në vitin 1230 është përdorur për herë të parë, ndërsa më pas është zyrtarizuar në vitin 1918.
Ngjyrat kryesore: Tribanda e kuqe dhe e bardhë, po ashtu flamuri austriak shpeshë herë ka qenë edhe një nga pretendentët kryesorë për flamurin më të vjetër në botë, ku besohet se Tribanda e kuqe dhe e bardhë, mund të jetë përdorur në vitin 1105, dhe bazohet në dinastinë mesjetare Bebnberg.
Flamuri më i vjetër në botë sipas, oldest.org është ai i Danimarkës, ku për herë të parë është përdorur nga Vikingët e atëherëshëm në 1219, derisa zyrtarisht është miratuar në 1625.
Përbërja e ngjyrave të falmurit danez është e kuqe me kryq të bardhë nordik, megjithëse disa vende pretendojnë të kenë flamurin më të vjetër, flamuri i Danimarkës konsiderohet gjerësisht se është flamuri më i vjetër ekzistues në botë.
Zyrtarisht, flamuri njihet si Dannebrog dhe tregon historinë e tij që prej së paku 1219, flamuri njihet nga Libri i Rekordeve Botërore Guinness si flamuri kombëtar më i vjetër i përdorur vazhdimisht./atvlive.tv/
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se për çdo gjë që është importuar në vend, qytetarët kanë paguar 20.5 përqind më shumë.
Duke iu referuar të dhënave të Doganës, Bajrami ka thënë se importi në vitin 2022 në sasi ka rënie për 14.5% dhe ka rritje në vlerë prej 20.5%.“
“Çdo gjë që kena importu në Kosovë, qytetarët kanë pagu 20.5% më shumë”, ka deklaruar Bajrami në emisionin “Kallxo Përnime”.
Deklarata e Bajramit është kundërshtuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.
“Nuk është ashtu, mund të jetë import i ndonjë materiali të veçantë p.sh. mund të importojë dikush thëngjill dhe ka sasi më shumë por jo sasi kokë për kokë e çdo malli, d.m.th. këtë të dhënë nuk e ki nga Dogana por e ke si tërësi” – tha Muja.
Një person është arrestuar në Prishtinë pasi i njëjti ka drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit e më pas në stacion e ka sulmuar fizikisht një polic.
Sipas policisë, i dyshuari i ka shkaktuar lëndime trupore zyrtarit policor.
“Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.