ATV

Category: Lajme

  • 9 zyrtarët e arrestuar dje dyshohet se bashkëpunuan me strukturat ilegale serbe, e lejuan kontrabandim të mallrave pa pengesë

    9 zyrtarët e arrestuar dje dyshohet se bashkëpunuan me strukturat ilegale serbe, e lejuan kontrabandim të mallrave pa pengesë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tetë zyrtarëve të Doganës, dhe një zyrtari policor, të arrestuar të shtunën në dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe nën dyshimet për marrje ryshfeti.

    Sipas kërkesës së PSRK-së që e posedon ATV, të dyshohet se disa nga të arrestuarit përfitonin- ishin përfshirë në këto vepra penale që nga viti 2020, në pikën doganore të Hanit të Elezit, duke kontrabanduar mallra pa pengesë.

    Sipas kërkesës të arrestuarit kishin bashkëpunuar duke lejuar mallra edhe nga pjesa veriore e vendit.

    “Se prej vitit 2020 e tutje, i pandehuri V. M, si person zyrtar, është cilësuar e Zyrtarit Doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të dobishëm për vete edhe për personat e tjerë, e informon te dyshuarin M. V se kur ka kontroll në pjesën veriore nga zyrtarët doganor dhe se me çfarë automjete do jenë zyrtarët doganor, kohën kur do të fillojë kontrolli në pjesën veriore, për kohën kur i pandehuri është në ndërrim me qëllim që i dyshuari të mund të kontrabandojë mallra pa pengesë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.

    “Të pandehurit A.S dhe A. C, si persona zyrtarë në cilësinë e zyrtarëve doganorë duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë mënyrë që me qëllim të përftimit të dobishëm për veti dhe për personat e tjerë kanë bërë marrëveshje me personat e caktuar të cilët marrin mito nga kontrabanduesit e pjesës së veriut në baza mujore për zyrtarët e lartëcitur, me qëllim që grupet e caktuara që merren me kontrabandim të mallit të mos pengohen nga zyrtarët doganor gjatë kontrabandimit.”, thuhet tutje në kërkesën e Prokurorisë.

    Prokurori në kërkesë ka theksuar se ata nuk duhet të lihen në liri, pasi ekziston dyshimi se ata mund të arratisen, kanë bashkëpunim me strukturat paralele dhe se hetimi për këtë rast është në vijim e sipër, dhe deri tash po hetohen 15 persona.

    Ndërsa zyrtari policor A. A dhe zyrtari doganor T.D sipas Prokurorisë Speciale, dyshohen të kenë pranuar para të mbuluar me foli, në zyrat ku bëhet zhdoganimi i mallrave në Han të Elezit. /atvlive.tv

  • Stoltenberg nesër në Kosovë, takon krerët e vendit

    Stoltenberg nesër në Kosovë, takon krerët e vendit

    Nesër më 20 nëntor, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, do ta vizitojë Kosovën.

    Ai do ta takojë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Pas takimit me Osmanin, do të ketë konferencë për media.

    Kjo u bë e ditur nga Zyra për Media e NATO-s.

    Më 20 nëntor, “Sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë diskutime me zonjën Vjosa Osmani-Sandriu dhe zotëri Albin Kurtin”.

    “Ai do të vizitojë edhe kampin e KFOR-it të NATO-s ‘Nothing Hill’, ku do të takojë komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutas, dhe do t’ju adresohet trupave”.

    “Ai do të takojë edhe Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade, Hammerstein”, tha NATO-ja në njoftim.

  • OBSH-ja thotë se 32 foshnje nuk janë evakuuar nga spitali më i madh në Gazë

    OBSH-ja thotë se 32 foshnje nuk janë evakuuar nga spitali më i madh në Gazë

    Ekipi i Kombeve të Bashkuara tha më 19 nëntor se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh në Gazë, pasi trupat izraelite evakuuan pacientët e tjerë. Në mesin e atyre që kanë mbetur në spital janë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, pacientë me plagë jashtëzakonisht të infektuara dhe ata që kanë lëndime në shtyllën kurrizore dhe nuk mund të lëvizin.

    Ekipi i OKB-së ishte në gjendje të qëndronte në spitalin Shifa për një orë pasi pothuajse 2.500 persona të zhvendosur, pacientë që mund të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga ndërtesa e spitalit mëngjesin e së shtunës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, që udhëhoqi këtë mision. OBSH tha se 25 pjesëtarë të stafit shëndetësor janë ende në spital, së bashku me pacientët.

    “Pacientët dhe stafi mjekësor, me të cilët kemi biseduar, ishin të tmerruar për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe na u lutën për evakuim”, tha agjencia, duke e përshkruar Shifan si zonë të vdekjes. Kjo agjenci tha se edhe më shumë ekipe do të tentojnë të shkojnë në Shifa në ditët në vijim, në tentim për të evakuuar pacientët në jug të Gazës, ku spitalet po ashtu janë të mbingarkuara.

    Izraeli për një kohë të gjatë ka pretenduar se Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka një qendër komanduese brenda dhe nën Shifa. Izraeli e ka përshkruar spitalin si cak kyç të luftës së tij për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gazë, pas sulmeve të grupit ekstremist në jug të Izraelit gjashtë javë më parë, sulme që nxitën luftën.

    Hamasi dhe stafi i spitalit mohojnë këto pretendime. Trupat izraelite që gjenden në spital, për ditë të tëra po kryejnë bastisje në ndërtesë. Trupat kanë pretenduar se kanë gjetur pistoleta dhe armë të tjera dhe u kanë treguar gazetarëve hyrjen e një tuneli. Por, këto pretendime të ushtrisë izraelite nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

    Largimet masive të shtunën nga spitali nga Izraeli u përshkruan si largime vullnetare. Por, OBSH-ja tha se ushtria kishte lëshuar urdhër për evakuim dhe disa prej të larguarve e përshkruan situatën si eksod me forcë.

    Gjetkë në veri të Gazës, dhjetëra persona janë vrarë në kampin e refugjatëve Xhabalija, ku sipas dëshmitarëve një sulm izraelit godit vendstrehimin e OKB-së të shtunën. Si pasojë e sulmit ajror u shkatërrua një shkollë në këtë kamp, thanë të mbijetuarit.

    Ushtria izraelite, që vazhdimisht u ka bërë thirrje palestinezëve që të largohen nga veriu i Gazës, tha se trupat e saj ishin aktive në këtë zonë “me synim për të shënjestruar terroristët”.

    Në jug të Gazës, një sulm ajror izraelit goditi një kompleks banimi në Han Junis të shtunën, duke lënë të vrarë të paktën 26 palestinezë, sipas mjekëve në spitalin ku u dërguan viktimat.

    Mbi 11.500 palestinezë janë vrarë, sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet shëndetësore palestineze. Edhe 2.700 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe të cilët besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Në shifrat e viktimave, të paraqitura nga autoritetet shëndetësore në Gazë, nuk bëhet dallimi midis civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit. Izraeli ka thënë se ka vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit.

    Ndërkaq, afër 1.200 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të 7 tetorit të Hamasit. Hamasi po ashtu ka kapur pengje afër 240 persona. Ushtria izraelite ka thënë se gjatë luftës i janë vrarë 52 ushtarë.

    Deri më tani, Hamasi ka liruar katër pengje, Izraeli ka shpëtuar një dhe trupat e pajetë të dy pengjeve janë gjetur afër spitalit Shifa, zonë ku ka pasur luftime të ashpra.

    Izraeli, SHBA-ja dhe Katari, i cili ndërmjetëson me Hamasin, kanë negociuar për javë të tëra për lirimin e pengjeve. Të shtunën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë sugjeroi se lirimi i pengjeve duhet të përfundojë përpara se në Gazën e rrethuar nga Izraeli të hyjë ndihma humanitare për 2.3 milionë palestinezët që jetojnë në këtë territor./REL

  • Kurti përkujton Diturije Deliun: Të paharruara e të pafalshme krimet e Serbisë në Kosovë

    Kurti përkujton Diturije Deliun: Të paharruara e të pafalshme krimet e Serbisë në Kosovë

    Kryeministri Kurti e ka përkujtuar Diturije Deliun, foshnjën e cila i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit në Abri të Epërme por vdiq më 19 nëntor.

    Kurti ka thënë se Diturisë forcat serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes.

    “Diturije Deliu do të festonte sivjet ditëlindjen e 25-të. Ishte e vetmja që i mbijetoi masakrës së 26 shtatorit 1998. I kishte gjashtë javë. Forcat e armatosura serbe ia masakruan 22 anëtarë të familjes. Ajo u gjetë e gjallë. Fshehur nën trupin e nënës Lumnije. Nënës mburojë. E mbijetuara e masakrës në Abri të Epërme nuk mbijetoi. Ajo vdiq më 19 nëntor, rrugës për në fshatin Tërdec, gjersa gjyshi i saj, Bajram Fejza dhe halla e saj, Bedrie Deliu Fejza, po e dërgonin për në spitalin ushatarak të UÇK-së. I kishte vetëm 95 ditë.”

    Kurti ka shkruar se krimet e Serbisë në Kosovë janë të paharruara e të pafalshme.

    “Diturija është foshnja që fle. Përjetësisht. Kështu është përjetësuar në pllakën përkujtimore. I përjetshëm është kujtimi për të. Të paharruara e të pafalshme janë krimet e Serbisë në Kosovë.”

  • Njohësit e sigurisë tregojnë se çka nënkupton kategorizimi që kërkoi NJSI nga shteti

    Njohësit e sigurisë tregojnë se çka nënkupton kategorizimi që kërkoi NJSI nga shteti

    Pos rritjes së shtesës për rrezikshmërinë, në listën e kërkesave të njësisë speciale intervenuese ishte diçka që nuk u përmend fort.

    Kërkesë e parë e pjesëtarëve të kësaj njësie elitare të Policisë ishte kategorizimi si njësi e veçantë dhe përfshirja në listën e ekspertëve.

    Sipas njohësit të sigurisë, Valdet Hoxha kjo kërkesë ka të bëjë me gradimin e tyre financiar.

    “E gjitha kjo ka të bëjë me pagesën në mënyrë specifike për ekspertizën të cilën ata e kryejnë, pra funksionet operacionale të cilat njësitë tjera nuk mund t’i kryejnë pra kryesisht ka të bëjë me anën materiale, mirëqenien e tyre pra pagesën në cilësi të kategorive të veçanta, çfarë do të duhej edhe të jenë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha.

    Njëjtë nuk mendon, Hajrullah Ternava. Sipas tij, kjo do të nxiste pakënaqësi mes njësive policore.

    “Mendoj që një dallim i tillë sikur që po kërkojnë me i dallu si ekspert e ka një rrezik tjetër sepse mundet me përça Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Hajrullah Ternava.

    Ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës tha që do të bëjnë të pamundurën që zyrtarët e njësive elite të Policisë së vendit të dalin të kënaqur pas kërkesave të tyre.

  • Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

    Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

    Dikur muze dedikuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë tani është kthyer në qendër të teknologjisë dhe në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipëri.

    Piramida është bërë pjesë e shëtitjes së mbrëmjes të qytetarëve të Tiranës, e ambicieve të të rinjve për t’u bërë pjesë e qendrës së teknologjisë aty, si dhe cak i turistëve të huaj që duan ta shohin nga afër se si është shndërruar simboli i së shkuarës.

    “Shtëpia e diktaturës, tani shtëpi lirie”

    Ilda Qazimllari, drejtore e Investimeve në bashkinë e Tiranës, thotë se shndërrimi i Piramidës tregon se si mund të ruhet historia e një objekti, duke iu përshtatur nevojave të një epoke të re. Sipas saj, nga “shtëpi e shtypjes dhe diktaturës”, Piramida po kthehet në “shtëpi lirie”.

    “Nëse ëndrrat e së ardhmes janë kodimi, robotika, mekatronika, dizajni, softueri, atëherë duhet të përgatitemi sot. Qendra TUMO do ta kryejë më së miri funksionin dhe qëllimin e saj në ambientet e reja të Piramidës”, thotë Qazimllari për Radion Evropa e Lirë.

    Qendra e Inovacionit “Tumo Tirana” ishte hapur në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Por, ajo u zhvendos në hapësirat e Piramidës në maj të këtij viti, pas rinovimit të Piramidës.

    Drejtorja e Investimeve në bashkinë e Tiranës tregon se në TUMO mësojnë fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i qendrës është që t’iu ofrojë fëmijëve zhvillimin të aftësive të tyre digjitale.

    “Njohuritë që ata fitojnë i ndihmojnë ata në krijimin e një portofolio personal në fushat e programimit, animacionit, zhvillimit të Lojërave kompjuterike, dizajnit grafik, filmografisë, robotikës, muzikës dhe modelimit tredimensional”, thotë Qazimllari.

    Ajo shton se fëmijët mund edhe të marrin pjesë në seminare të zhvilluara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtar.

    Transformimi i Piramidës kushtoi 22 milionë dollarë. Ndërhyrjet në strukturën e brendshme dhe të jashtme të saj janë kryer pa e prekur arkitekturën origjinale të saj.

    Qazimllari thotë se rijetësimi i Piramidës e ka bërë atë “një objekt që nuk fle kurrë, dhe do të jetë gjithnjë mbushur me aktivitete”.

    Brenda Piramidës do të ketë edhe ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore, por edhe hapësira për biznese. Qazimllari thotë se, për shumë arsye, ky objekt është kthyer në një ndër më të vizituarit në Tiranë.

    “Historia që mbart, funksioni i ri dhe lehtësia në qasshmëri në çdo pjesë të saj – si në ambientet e brendshme, po ashtu edhe në pjesën e jashtme – e bën atë tërheqëse dhe lehtësisht të vizitueshme edhe nga turistët”, thekson Qazimllari.

    Nostalgji dhe shpresë

    Çdo ditë, Piramida tërheq vizitorë të shumtë vendës dhe të huaj.

    Astriti, 74-vjeçar, është vizitues i përditshëm i saj. I kënaqur për atë që e quan “transformimin rrënjësor të pamjes” së Piramidës, ajo mbart për të edhe kujtime të hidhura.

    “Teksa e shoh këtë ndërtesë, ish-muze për diktatorin [Enver Hoxha], sigurisht që kujtoj çfarë kemi kaluar, por më shumë shijoj ndryshimet, transformimin e vendit. Shyqyr që fëmijët, nipërit e mbesat janë të lirë”, thotë ai.

    Kujtime të ngjashme nxit Piramida edhe për shumë vizitorë që kishin jetuar gjatë regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri. Sofo Metaj, 69 vjeç, shpeshherë vrojton turistët teksa vizitojnë Piramidën, të cilës i bëjnë foto.

    “Puna që është bërë flet vetë, brezat e rinj që rrinin poshtë në atë skëterrë, gërmadhë – si ishte shndërruar Piramida – tani kanë dalë në dritë. Ishte bërë aq keq sa që nuk shihej dot me sy… në mes të Tiranës. Kam qejf që të rinjtë ta shfrytëzojnë sa më shumë, në të mirën e tyre”, thotë ai.

    Turistët e huaj: Piramida, ndërtesë unike

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, gjatë muajve janar – gusht të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga mbi shtatë milionë turistë të huaj. Kjo shifër është rreth 27 për qind më e lartë sesa e turistëve gjatë të njëjtës periudhë vitin e kaluar.

    Për shumë prej tyre, Piramida është bërë njëra nga destinacionet e tyre. Njëra nga ta është një turist nga SHBA-ja, Wayne.

    “Më pëlqen Piramida, për pamjen që të shfaqet, por edhe për mundësinë për të ushtruar, duke ngjitur dhe zbritur shkallët. Nuk e di gjithë historinë e Piramidës, do të më duhet të mësoj për të, por më pëlqen si ndërtesë”, thotë ai.

    Si objekt unik dhe interesant e shohin Piramidën dy turistë nga Filipinet.

    “Është interesante, është objekti i parë që vizituam në fillim të vizitës në Tiranë. Do të doja të mësoja për historinë e saj”, thotë April Alvienterra.

    Bashkëkombësja e saj, Johane Interru, e quan Piramidën “vepër arti”.

    “I kam parë fotot e vjetra të saj në Facebook, por edhe të rejat… transformimin e saj. Dhe kam dashur ta shoh nga afër, ndaj jam sot këtu”, thotë ajo.

    Arkitekti i studios holandeze që transformoi Piramidën, Winy Maas, ka thënë se qëllimi i tij ishte ta “ta kapërcejë të shkuarën, jo ta shkatërrojë atë”.

    Fasada e jashtme e Piramidës dikur shërbente më së shumti për fëmijët që rrëshqitnin mbi të. Një pjesë e saj është ruajtur si e tillë, por në pjesën më të madhe janë ndërtuar shkallë përmes së cilave tani kushdo mund të ngjitet në majë të Piramidës dhe ta shijojë pamjen e Tiranës.

    Në majë të Piramidës – ku dikur ngrihej ylli me pesë cepa, simbol i komunizmit – sipërfaqja prej xhami bën që nga jashtë të mund të shihen ambientet brenda Piramidës, si qendra TUMO dhe hapësirat e tjera.

    Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se Tirana do të jetë “Tel Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së zhvilluar.

    Mbijetesa e Piramidës mes planeve për ta shkatërruar dhe rijetësuar

    Piramida u ndërtua në vitin 1988 si muze për Enver Hoxhën. Ajo u projektua nga vajza e tij, Pranvera Hoxha, dhëndri i tij, Klement Kolaneci, si dhe arkitektët Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu.

    Me rënien e komunizmit në vitin 1991, Piramida e humbi funksionin për të cilin ishte ndërtuar. Fillimisht u hoq statuja prej 22 tonësh mermer e diktatorit Enver Hoxha.

    Qysh në fillim kishte pasur përpjekje për ta shndërruar atë në një qendër kulturore, por ajo u kthye në një pronë që u dha me qira shkaku i mungesës së fondeve.

    Aty u vendos klubi i parë i natës në Shqipëri, mori zyrat e saj agjencia amerikane e ndihmave, USAID. Më 1999, gjatë luftës në Kosovë, NATO vendosi brenda Piramidës zyrën e vet.

    E, brenda Piramidës funksionoi për disa vite edhe një ndër televizionet dhe radiot e para private.

    Më pas nisi degradimi i objektit. Ngjashëm si shumë objekteve të tjera të komunizmit, edhe Piramidës iu thyen xhamat dhe u dëmtua struktura prej betoni. Qeveritë e ndryshme hartuan plane qoftë për ta transformuar, qoftë për ta prishur.

    U mendua të kthehej në teatër, në parlament, por asnjë prej këtyre ideve nuk u realizua, derisa Piramida po rrënohej. Por, më 2018, Qeveria e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës prezantuan planin për ta rijetësuar Piramidën dhe për ta kthyer atë në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan.

    Përurimi i Piramidës u bë më 16 tetor 2023, kur në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit dhe që përkonte edhe me ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha. /REL/

  • Zajednica e Kurtit po vjen, Haxhiu: E dërgojmë në Kushtetuese, nuk bëjmë gjakderdhje si VV-ja

    Zajednica e Kurtit po vjen, Haxhiu: E dërgojmë në Kushtetuese, nuk bëjmë gjakderdhje si VV-ja

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend. Ai për lajm.net ka dhënë një intervistë ku dhe ka treguar se përse partia e tij nuk del në rrugë për të protestuar pasi që janë edhe parti opozitare.

    Haxhiu tha se preferojnë të ndjekin rrugë ligjore për të kundërshtuar veprimet e kësaj Qeverie.

    Ndërsa sa i përket Zajednicës së Kurtit, ai tha se partia e tij nuk bëjnë “gjakderdhje” nëpër rrugë, po i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

  • Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafik

    Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafik

    E diela e tretë e muajit nëntor, është Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor.

    Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

    Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve. /KP

  • Policia deklarohet për gjendjen në veri, pas raportimeve për shpërthime

    Policia deklarohet për gjendjen në veri, pas raportimeve për shpërthime

    Mediat kanë raportuar për disa shpërthime në veri të Mitrovicës, të dielën në ora 00:25.

    Policia e Kosovës po vazhdon patrullimet në veri të vendit pas raportimeve për dy detonime rreth orës 00:25.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se veriu i vendit është i sigurt.

    “Ka pas informacione që në Mitrovicë të Veriut kanë qenë dy detonime, por policia konfirmon se ne jemi në qytet dhe nuk ka dëme apo lëndime në njerëz. Mund të ndodh që këto detonime të jenë shkaktuar nga mjetet piroteknike apo diçka tjetër, por mund të sigurojmë që veriu i vendit është i sigurt”, ka thënë ai.

  • Maqedonci takohet me homologun e tij kanadez, flasin edhe për çështje të sigurisë në Kosovë

    Maqedonci takohet me homologun e tij kanadez, flasin edhe për çështje të sigurisë në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e forumit ndërkombëtar të sigurisë në Halifax të Kanadasë, ka takuar Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë, Bill Blair.

    Gjatë takimit ata kanë shkëmbyer pikëpamjet tyre rreth çështjes së sigurisë në Kosovë dhe regjion, bashkëpunimit të tanishëm ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe gjetjes së formave të reja të thellimit të këtij bashkëpunimi.

    Ministri Maqedonci ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, miqësore e institucionale të shtetit kanadez.