ATV

Category: Lajme

  • Ministrja Haxhiu dëshmon për rastin e Astrit Deharit

    Ministrja Haxhiu dëshmon për rastin e Astrit Deharit

    Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dëshmuar të hënën për rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online. Pas intervistimit, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja Haxhiu do të mbajë konferencë për medie.

    Përderisa avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka bërë me dije se i është refuzuar kërkesa e tij që gjatë intervistimit të ministres të jetë i pranishëm.

    Gashi e ka cilësuar prokurorinë si “selektive”.

    Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

    Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

    Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

    Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

    Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

    LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

    Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

  • Tempertura të ulëta me reshje bore, parashikimi i motit për 7 ditët e ardhshme

    Tempertura të ulëta me reshje bore, parashikimi i motit për 7 ditët e ardhshme

    Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të mbretërojnë në vendin tonë edhe gjatë kësaj jave.

    Ai tregoi se dita më e nxehtë e javës do të jetë sot, ndërsa gjatë ditë në vazhdim, temperaturat do të lëvizin deri në -4.5 gradë Celsius.

    Ky është parashikimi i plotë i motit nga IHMK për javë që sapo kemi hyrë:

    Vikendi ishte i ftohtë, por këto masa ajrore të ardhura nga pjesa veriore e kontinentit do të jenë të qëndrueshme edhe gjatë kësaj jave. Temperaturat minimale në viset e larta do të regjistrohen në -3 gradë Celsius, kurse në viset e ulëta deri në -2 gradë Celsius.

    Sot qytetin më të ftohtë e kishim qytetin e Mitrovicës me -2 gradë Celsius, kur qyteti i Prizrenit ishte me 0 gradë Celsius.

    Qytetet tjera kanë pasur temperaturë minimale me -1 gradë Celsius.

    Temperatura 500 metra mbi nivel tokës, do të thotë e matur në Ferizaj, ishte -4.5 gradë Celsius, që nënkupton se në shtresa të ulëta kemi pasur edhe ngrica të dobëta dhe brymë.

    Dihet se bryma është një fenomen apo dukuri që na ndikon negativisht në fushën e perimo-kulturës.

    Nga dita e nesërme, pas ditë do të kemi zhvillim të vranësirave të cilat në orët e pas ditës do të sjellin reshje shiu, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditën e mërkurë dhe do të jenë të intensitetit mesatar deri të lartë, kështu që temperaturat pastaj do të ulën. Sot ditë e hënë, do të jenë temperaturat më të larta, diku 15 gradë Celsius. Minimalja gjatë kësaj jave do të lëvizin nga -2 gradë Celsius deri në 4 gradë Celsius, kurse maksimalja nga 5 gradë Celsius deri në 15 gradë Celsius.

    Kjo vlerë 15 gradë Celsius do të jetë sot, kurse ditët tjera do të jenë temperaturat më të ulëta për shkak të reshjeve, kurse në vise të larta, përderisa në viset e ulëta kemi reshje shiu, në vise të larta me lartësi mbi detare mbi 1000 metra, do të kemi reshje bore. Do të thotë atje vetëm se kemi deri tani reshje orte, por sasitë e tyre do të rriten.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veri perëndimi dhe jug perëndimi apo edhe veri lindja do të kemi intervale, shpejtësia e së cilës do të jetë nga 1-9 apo 10 metra për sekondë, pra do të jetë erë mesatare e lehtë dhe lokalisht e fortë.

    Më shumë informata për parashikimin e motit i gjeni në videon më poshtë:

  • Flakë në parlamentin shqiptar, mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

    Flakë në parlamentin shqiptar, mazhoranca miraton me shpejtësi projektbuxhetin dhe më pas mbyll seancën

    Seanca plenare e kësaj të hëne, ku u miratua me 73 vota pro projektbuxheti, është shoqëruar me përplasje të forta, njoftojnë mediat në Shqipëri. Kanë qenë deputetët e Partisë Demokratike ata të cilët kanë ndezur flakadan të shumtë në sallë, një prej të cilëve ka shpërthyer në flakë.

    Salla u boshatis pas flakëve në Kuvend, ku ministrat dhe deputetët u larguan menjëherë, madje pas tyre dhe gazetarët.

    Maxhoranca miratoi pa diskutime projektbuxhetin për vitin 2024 brenda 5 minutave, duke shënuar seancën më të shkurtër të Kuvendit në historinë e parlamentarizmit.

    I pranishëm në seancë ishte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili nuk e mori fjalën, por mori pjesë në votimin e projektbuxhetit.

    Flakët u përhapën pasi një prej flakadanëve ra mbi ulësen e tavolinës së një prej deputetëve të opozitës.

    Ka qenë ndërhyrja e gardës me ujë që parandaloi përhapjen e flakëve.

  • Mbahet gjykimi i parë në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte

    Mbahet gjykimi i parë në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte

    Është mbajtur sot (e hënë) seanca fillestare për gjykim në mungesë, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili ngarkohet për krime lufte nga janari deri në maj të vitit 1999.

    Në këtë seancë nuk ishte prezent i akuzuari dhe nuk ka informacione për vendndodhjen e tij.

    Prokurorja Habibe Salihu para trupit gjykues tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim të sigurimit të prezencës së Aksiqit.

    “Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë. Kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij, kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi marrë përgjigje përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij. Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj, me qëllim qe të njoftohet ai, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj. Kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet kohore, kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë. Po ashtu duke vepruar sipas procedurave kemi bërë shpallje publike në gazetën zyrtare për aktakuzën dhe mbajtjen e kësaj seance. Si prokurore e kësaj çështje kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim qe të sigurohet i pandehuri, bë pamundësi të sigurimit të prezencës të tij”, tha ajo.

    Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani tha se janë plotësuar kushtet që të nis gjykimi në mungesë.

    “Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit pasi që janë plotësuar kushtet ligjore. I akuzuari do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gajiq gjatë tërë kësaj kohe”, tha ajo. /kp

  • Rritet varfëria në Kosovë, kaq familje jetojnë me 1.85 euro në ditë

    Rritet varfëria në Kosovë, kaq familje jetojnë me 1.85 euro në ditë

    Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, kështu duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë. Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur për 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike. Derisa nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, të hyrat sociale për familje janë të njëjta. Lidhur me këtë situatë, njëjtë thonë organizata humanitare në Kosovë, Kryqi i Kuq. Teksa potencojnë se nevojat elementare për familje nuk po arrijnë të përmbushen për shportën familjare, pasi që çdo komunë në Kosovë ka raste të varfërisë.

    Ndërkaq, ekonomistët vlerësojnë se papunësia dhe mungesa e indeksimit në treg janë shkaqe për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë.

    Menaxherja e projektit të “Pulsit Publik”, Alisa Hasani thekson për KosovaPress se nga të gjeturat kryesore të anketës për mirëqenien ekonomike të familjeve, rezulton se varfëria në Kosovë është në rritje dukshëm këtë vit.

    Ajo tha se derisa familjet në vitin 2021 kanë shpenzuar 200 euro në muaj për nevoja ushqimore, në vitin 2023 shpenzojnë më shumë për shkak se rritja e çmimeve ka ndikuar në mirëqenien e tyre.

    Po ashtu, nga Kryqi i Kuq, Armend Shala thotë se kërkesat nga familjet në nevojë janë të shumta, gjë për të cilën është e pamundur përmbushja e tyre. Sipas tij, të gjitha komunat në Kosovë kanë raste të familjeve të varfëra.

    Njohësi i çështjeve sociale, Artan Mustafa arsyen e varfërisë në Kosovë e konsideron shkallën e ulët të papunësisë. Ai tha se Kosova ka shkallën më të ulët të punësimit dhe për këtë shkak shumë familje kanë nevojë për ndihma sociale, por se edhe ato nuk mbulojnë të gjitha familjet.

    Në një përgjigje me shkrim, nga Agjencia e Statistikave në Kosovë, sa i përket të dhënave të fundit për njerëzit që jetojnë në varfëri janë që nga viti 2017. Derisa në vitin 2016 ka qenë në ulje 38.6%, në vitin 2017 ka përfunduar me 47.2% në rritje. /kp

  • Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Në vazhdën e kërcënimeve dhe pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky se zotëron prova qe Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor mobilizohet NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit për t’i dërguar Rusisë mesazhin se NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti në Ballkanin Perëndimor.

    Të hënën shefi i NATO-s do të nis tourin tre ditor në Ballkan. Takimi i parë në agjendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnje Hercegovinës. Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Njëjtë si në Bosnjë Hercegovinë, edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR dhe NATO-s atje, ku do të përcjellë edhe një mesazh të tijin.

    Të martën e 21 nëntorit, Jens Stoltenberg do jetë fillimisht në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

    Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

    Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

    I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

    Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

  • Gjykata Komerciale “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë

    Gjykata Komerciale “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë

    Prej disa muajsh, Gjykata Komerciale është në kërkim të gjyqtarëve të rinj, që vijnë nga radhët e minoriteteve.

    Të gjitha konkurset e brendshme të hapura deri më tani, kanë dështuar.

    Kryetari i Gjykatës, Mahir Tutuli, ka drojën se fatin e njëjtë do ta ketë edhe konkursi i ri i hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    “Përkundër që janë hap disa konkurse, katër konkurse nëse nuk gaboj kanë qenë gjithsej, në asnjërën prej konkurseve nuk ka aplikuar asnjë kandidat, qoftë i përkatësisë serbe, qoftë nga minoritetet tjera dhe ato vende mbeten të rezervuara, nuk janë plotësuar ende”, ka deklaruar Mahir Tutuli – Kryetar i Gjykatës Komerciale.

    Për këtë refuzim, Tutuli e ka një spjegim.

    “Fusha komerciale është fushë specifike. Ekspertiza në këtë fushë është deficitare jo vetëm tek komunitetet, por edhe tek gjyqtarët e përkatësisë shqiptare. Pra është fushë specifike për të cilën duhet një specifikë e veçantë. Zakonisht gjyqtarët që janë të akomoduar në sektorët tjerë, e njohin punën e tyre, është problematike që të riorientohen”, vijon ai.

    Sipas ligjit, Gjykata është e detyruar që t’i përmbushë disa vende me gjyqtarë serbë.

    Përkundër mungesës së tyre, kryetari Tutuli thotë se puna zhvillohet pa ndonjë problem për të gjitha komunitetet.

    “Gjykata Komerciale trajton çështje ndërmjet personave juridik, respektivisht bizneseve. Bizneset nuk kanë përkatësi etnike dhe nuk mund të bëhet ndarje e tillë si në gjykatat e tjera, ku varësisht prej përkatësisë etnike me marrëveshje të veçanta është përcaktu që kompetente do të jenë gjykatat apo divizionet që janë formu për ato çështje”, ka përfunduar Tutuli.

    Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur në mënyrë të organizuar serbët u larguan nga institucionet, gjykatat në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të gjyqtarëve serbë.

  • Macroni planifikon të rrisë furnizimet mjekësore për Gazën

    Macroni planifikon të rrisë furnizimet mjekësore për Gazën

    Presidenti francez, Emmanuel Macron tha sot se ai planifikon të marrë me qira një avion të ri që do të transportojë 10 tonë furnizime mjekësore për Gazën.

    Macroni vuri në dukje se fluturimet që transportonin më shumë se 100 tonë ndihma humanitare tashmë janë dorëzuar në Egjipt, i cili kufizohet me Gazën. Fluturimi i ri, shkroi ai në X, do të përfshijë “dy njësi mjekësore të lëvizshme për të trajtuar rreth 500 individë të plagosur rëndë secila”.

    Ai shtoi se një transportues helikopterësh amfibë do të mbërrijë në Egjipt “në ditët në vijim” dhe do të ketë 40 shtretër për të trajtuar lëndimet e rënda dhe për të lehtësuar transferimin e civilëve të plagosur në spitalet e afërta nëse është e nevojshme”.

    Përveç kësaj, tha ai, Franca është e përgatitur të transportojë deri në 50 fëmijë të lënduar ose të sëmurë në spitalet franceze, raporton NBC News, transmeton Klankosova.tv.

    Macroni tha gjithashtu se lirimi i pengjeve, përfshirë tetë shtetas francezë, mbetet një prioritet, por ai theksoi nevojën për një armëpushim midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

  • Burri raporton gruan në Polici, ushtron dhunë psikike ndaj tij

    Burri raporton gruan në Polici, ushtron dhunë psikike ndaj tij

    Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur të dielën në Prishtinë.

    Siç njofton policia, një grua ka ushtruar dhunë psikike ndaj burrit të saj.

    Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se e dyshuara femër kosovare ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës kosovar. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton policia.

  • Rama uron Abdixhikun për rizgjedhjen kryetar i LDK-së: Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj

    Rama uron Abdixhikun për rizgjedhjen kryetar i LDK-së: Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Lumir Abdixhikun me rastin e rizgjedhjes kryetar i LDK-së për katër vitet e ardhshme.

    Rama përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është i bindur se Abdixhiku do të realizojë vizionin e tij për një shoqëri të mirë, ekonomi më të fortë.

    “Urime të përzemërta Lumir Abdixhiku për rizgjedhjen si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës! Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj për një shoqëri më të mirë, ekonomi më të fortë dhe përparim në çdo fushë të jetës”, ka shkruar Rama.